Postuar më: 07 Dhjetor 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Ministerialin e OSBE-së në Vjenë

Fjala e Ministrit Bushati më Ministerialin e OSBE

7 dhjetor 2017

Z. Kryetar, i dashur Sebastian,

Sekretari i Përgjithshëm,

Të dashur kolegë,

Fillimisht do të doja të falënderoja Kryesinë Austriake të OSBE-së për punën e tyre të palodhur për të ndërtuar ura, në një kohë kur hapësira jonë e pandashme e sigurisë së përbashkët, është e rrethuar nga pasiguria, paparashikueshmëria dhe pasiguria. Në deklaratën time, unë do të doja të përqendrohesha në disa çështje kryesore:

1. Së pari, kriza në Ukrainë dhe rreth saj: po hyn në dimrin e saj të katërt; Palët periodikisht angazhohen në armëpushimet e dakorduara dhe më pas i shkelin ato me frekuencë në rritje. Për fat të keq, Misioni Special i Monitorimit (SMM) raporton viktima pothuajse çdo javë. Shqipëria mbështet fuqishëm këtë Mision dhe nënvizon sërish se mbrojtja dhe siguria e Misionit është prioriteti më i madh.
Çdo kërcënim ose pengesë është e papranueshme. Ata që i kufizojnë apo i frikësojnë vëzhguesit tanë duhet të mbajnë përgjegjshmëri. Zgjidhja e vetme për krizën në Ukrainë dhe rreth saj është ajo politike dhe ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre.

2. Së dyti, rivendosja e sigurisë evropiane kërkon ruajtjen e frymës së Vjenës në lidhje me bashkëpunimin, dialogun, mirëkuptimin dhe mbi të gjitha besimin.
Besimi është bërë tashmë një produkt i rrallë në OSBE. Kjo është arsyeja pse jemi të kënaqur kur shohim ndonjë përparim në rindërtimin e tij, siç është procesi i Dialogut të Strukturuar që kemi nisur në Hamburg. Vlerësojmë që Austria gjatë kryesisë së saj ka pasur sukses në futjen e frymës së Vjenës në OSBE.

3. Pika ime e tretë ka të bëjë me operacionet në terren. Si një shtet pjesëmarrës dhe pritës i një operacion në terren, mendoj se operacionet në terren duhet të bëhen për të pasur ndikim, edhe pse ndikimi nuk është gjithmonë i lehtë për t'u matur. Që operacionet në terren të kenë ndikim duhet të arrihet një koordinim më i mirë mes vendit pritës, operacionit në terren, Sekretariatit dhe institucioneve.

4. Kjo më sjell ndërmend Misionin e OSBE-së në Kosovë, në veçanti, operacionin më të madh në terren pas SMM. Efektiviteti i një misioni, përfshirë OMiK, matet gjithmonë me ndikimin e vërtetë që ai ka në jetën e njerëzve. Megjithatë, përkundër ndikimit të synuar, ne kemi vështirësi të kuptojmë se në shumë dokumente të OSBE-së, Kosova vazhdon të referohet me një shënim sa të vjetër aq edhe të papranueshëm. Por kjo nuk është e gjitha: OSBE vazhdon të përjashtojë pjesëmarrjen e Kosovës kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, përfshirë raportet e misionit. Pyetja që ngrihet është se si mundet që operacionet në terren në Kosovë të synojnë të ndikojnë pozitivisht në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, kur organizata nuk e përfshin Kosovën.
Më lejoni ta them qartë: kjo organizatë nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit.

5. Pika e pestë dhe e fundit Z. Kryetar është se, siç e dimë të gjithë, vlera e OSBE-së del më në pah në momente të vështira dhe krize. OSBE ka treguar se ka potencial të madh. Mjedisi i tanishëm gjeopolitik kërkon një organizatë të përforcuar dhe është përgjegjësia jonë që ky mjedis të ruhet duke shfrytëzuar potencialin e saj të plotë.
Kontrolli i armëve dhe Masat për Nërtimin e Sigurisë  (CSBM) kanë qenë gjithmonë në thelbin e konceptit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues të OSBE-së për sigurinë. OSBE nuk është një instrument vetëm për kohë mira, prandaj më shumë se kurrë përkushtimi për të përmirësuar zbatimin e Dokumentit të Vjenës dhe modernizimin e tij janë esenciale për sigurinë tonë të përbashkët

Z. Kryetar,

Dëshiroj të falënderoj përsëri Kryesinë austriake për punën e jashtëzakonshme në presidencën e OSBE-së gjatë këtij viti. Janë vënë në lëvizje shumë procese të rëndësishme, dhe dëshiroj të siguroj Kryesinë Italiane për mbështetjen tonë të plotë, ndërkohë që merr drejtimin.

Faleminderit.