Postuar më: 21 Shkurt 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Qendrën Begin-Sadat të Studimeve Strategjike, Universiteti Bar-Ilan, Izrael

Mirëmbrëma të gjithëve,

Faleminderit President Hershkowitz për ftesën tuaj të përzemërt dhe për mundësinë që më dhatë për të shkëmbyer disa mendime rreth kontributit të Shqipërisë dhe  Europës Jug-Lindore për sigurinë në rajonin e Mesdheut.

Unë besoj se do të jetë e vështirë të gjendet një rajon tjetër me kaq shumë pabarazi: “Mare Nostrum” është i rrethuar nga vende të zhvilluara dhe vende akoma në zhvillim, nga shtete demokratike dhe shtete me sisteme dhe prioritete të ndryshme, nivele të ndryshme të rritjes ekonomike dhe potencialit, por gjithashtu, edhe nga shtete të dështuara me shoqëri të pakonsoliduara.

Por gjatë viteve të fundit Mesdheu ka ndryshuar në mënyrë dramatike, duke u bërë më shumë  i paqëndrueshëm dhe më pak i sigurt.

Gjeografia e ka vendosur Europën Adriatike në një rrugë përmes së cilës pasojat e kaosit në jug arrijnë deri në Europën veri-perëndimore.

Gjatë vitit 2015, rajonit tonë i duhej të përballej me eksodin e refugjatëve të përmasave historike në Mesdhe për shkak të kaosit dhe katastrofës së paparashikuar njerëzore në Lindjen e Mesme. Kriza e emigrantëve tregoi shumë qartë se asnjë vend nuk është në gjendje të përballojë i vetëm sfidat.

Dhe numri i krizave që ne duhej të përballonim së bashku u rrit:

  • Konfliktet e zgjatura në brigjet jug - lindore kanë dëmtuar qeverisjen dhe kanë prekur fuqimisht indet sociale,
  • Kriza ekonomike dhe financiare e ka zvogëluar kapacitetin e vendeve në brigjet veriore të Mesdheut për të vepruar si partnerë ekonomikë të shëndetshëm për të cilët jugu ka nevojë tani,
  • Terroristët dhe grupet e dhunshme ekstremiste kanë shfrytëzuar inatet e vjetra në mënyrë për të fituar mbështetje duke pretenduar territor dhe burime, por edhe kontroll të popullsisë,
  • Fatkeqësitë njerëzore rretheqark detit tonë kërkojë çdo ditë  mjete dhe instrumente kolektive.

 

Rreziqet që nxjerrin në pah këto kriza janë mjaft të dukshme:

  • Rreziku që Mesdheu të kthehet në një kohë afatmesme në një zonë të paqëndrueshme, me zonat e  stabilitetit duke luftuar për të reduktuar zonat e kaosit,
  • Rreziku i kthimit të rajonit në një liqen refugjatësh, me të gjitha pasojat e tejzgjatura dhe të thella që ka ky rrezik për shoqëritë në të gjithë vijën Veri-Jug,
  • Rreziku që nga pikëpamja e bashkëpunimit politik, ne të mbetemi në labirint në mënyrën e menaxhimit të krizave,
  • Dhe së fundi nga një këndvështrim ekonomik, rreziku që ne të mbetemi më pak tërheqës dhe më pak të begatë.

 

Për ta thënë shkurt, e gjithë kjo tregon sa e ndërthurur është jeta dhe siguria në të gjitha anët e rajonit të Mesdheut.

Kjo tregon se asnjë model i sigurisë europiane nuk mund të konceptohet pa një parametër Mesdhetar. Sepse siguria në Mesdhe do të thotë përballje me një varg çështjesh të shumëfishta, por terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë manifestimet më të frikshme të rreziqeve me të cilat po përballet Mesdheu.

Mjedisi i sigurisë Europiane është tashmë i formuar si një i tërë, në pjesën më të madhe të tij, nga presioni i paprecedent i radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, që kryesisht burojnë nga periferia jugore e Europës, por jo vetëm.

Siç e kemi dëshmuar në disa raste, ka edhe terrorizëm të brendshëm që e përkeqëson edhe më tej një situatë aktualisht shumë komplekse.

Janë mijëra luftëtarë të huaj të rekrutuar nga Europa dhe bota, ku mendohet se rreth 40% janë kthyer në vendet e tyre. Për këtë arsye, efikasiteti i veprimeve dhe strategjive kundër terrorizmit do të jenë vendimtare për stabilitetin dhe sigurinë e shteteve të veçanta mesdhetare dhe zonës në tërësi.

Ndërkohë që ne luftojmë terrorizmin kemi nevojë për projektimin dhe zbatimin e politikave parandaluese. Duhet të investojmë më shumë dhe vazhdimisht në politikat e buta të cilat kërkojnë më shumë energji, angazhim afatgjatë dhe pjesëmarrjen e përkushtuar të shumë aktorëve. Më lejoni t'ju tregoj me pak fjalë se çfarë po bëjmë në Shqipëri në lidhje me këtë çështje.

Shqipëria ishte ndër vendet e para në rajon që miratoi një strategji të posaçme për luftën kundër radikalizimit, ashpërsimin e legjislacionit dhe procedurave të brendshme dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerë të tjerë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në fushën e inteligjencës. Më tej, ajo vijoi me miratimin e një strategjie kombëtare për të luftuar radikalizimin dhe ekstremizmin, e cila aktualisht është në zbatim.

Sot, ne po punojmë për zhvillimin e dy instrumente të rëndësishme: njëra është Qendra Ekselencës e NATO-s në luftën kundër luftëtarëve të huaj dhe tjetra është një qendër rajonale e koordinimit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Gjithashtu, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i janë bashkuar Koalicionit Global për të luftuar ISIL / Da'esh dhe ka kontribuar me disa paketa ushtarake të konsiderueshme për ushtrinë irakiane në luftën kundër ISIS. Për më tepër, ne jemi kontribues aktiv në Afganistan me Misionin Mbështetës dhe gjatë këtij viti po punojmë për të rritur një tjetër kontribut me personel ushtarak në Irak për trajnim dhe rritjen e kapaciteteve.

Megjithatë, ne e dimë se duhet të investojmë më shumë në të ashtuquajturat zonat e buta. Shqipëria njihet për harmoninë e saj fetare dhe bashkëjetesën paqësore dhe të respektueshme të komuniteteve të ndryshme fetare. Është diçka që na ka karakterizuar prej shumë kohësh dhe ende mbetet e pandryshuar. Ruajtja e këtij niveli të lartë të kohezionit social është e një rëndësie themelore, për ne është një çështje e sigurisë kombëtare.

Nuk është e nevojshme të thuhet se vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet të dy komponentëve arsimor dhe ekonomik të sigurisë, duke pasur parasysh se sa më e mirë ecuria ekonomike aq më e lartë shkalla e sigurisë, si në aspektin e kushteve objektive ashtu dhe në atë të perceptimit të njerëzve.

Bashkimi Europian dhe NATO kanë zhvilluar qasje shumë ambicioze për kërcënimet në jug, duke i dhënë më shumë rëndësi bashkëpunimit të ngushtë me vendet fqinje, partnerët e saj, për të ndërtuar, zhvilluar dhe konsoliduar kapacitetet mbrojtëse.

Shqipëria është pjesë e operacioneve të NATO-s për të përballuar krizën migratore të refugjatëve në Egje dhe që nga nëntori i vitit të kaluar po kontribuon me asete detare. Aleanca ka fituar ekspertizë të pashembullt në parandalimin e veprimtarisë terroriste detare në Detin Mesdhe, zbulimin dhe frenimin e piraterisë, ndërtimin e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e situatës detare.

Unë nuk mund të mos marr si shembull të frytshëm bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Izraelit. Kjo marrëdhënie partneriteti afatgjatë ka më shumë se 20 vjet. Izraeli ka qenë partner shumë aktiv i NATO-s përmes Dialogut Mesdhetar, i cili është forumi i vetëm i sigurisë që bashkon aleatët e NATO-s me Izraelin dhe vendet arabe.

 

Të dashur Miq,

Çdo qasje e përbashkët për sigurinë në zonën Euro-Mesdhetare duhet të jetë në gjendje të marrë parasysh të gjithë gamën e çështjeve, sfidave dhe kërcënimeve.

Çdo përpjekje e kësaj natyre, duhet të fillojë duke ndihmuar çdo vend mesdhetar për të zhvilluar potencialin e tij të plotë në mënyrë që të bëhet burim i sigurisë.

Ka gjithmonë hapësirë për sukses të përbashkët në sektorët kyç, si për shembull në sigurinë energjetike. Le të mos harrojmë se 65% e naftës dhe gazit natyror të konsumuar në Europën Perëndimore kalon çdo vit nëpër Mesdhe.

Bashkimi Europian po shikon drejt Europës Adriatike dhe Mesdheut Juglindor, si opsione për të përmirësuar sigurinë e tij të furnizimit me gaz dhe për të diversifikuar furnizimin e energjisë.

Karakteristikat nëntokësore të Shqipërisë për përmbajtjen e gazit, si edhe vendndodhja strategjike në Europën Adriatike, mund të ndihmojnë për të rritur sigurinë energjitike europiane duke rritur kështu diversifikimin e furnizimit.

Për më tepër, edhe  Shqipëria, si pjesë e Gazsjellësit Trans-Adriatik, dhe Izraeli, me përpjekje të koordinuara me Greqinë dhe Qipron, janë duke investuar në transformimin për t'u bërë kontribues në sigurinë energjetike europiane.

Jam i bindur se bashkëpunimi në fushën e sigurisë energjetike mund të na ndihmojë që ta transformojmë ndërvarsinë midis brigjeve të Mesdheut në një stabilitet dhe prosperitet afatgjatë.

 

Të dashur miq,

Integrimi euro-atlantik është jetik për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Të gjitha vendet e rajonit tonë, pa përjashtim, ndjekin të njëjtën axhendë, atë të integrimit europian. Shqipëria është një vend kandidat dhe ne shpresojmë që së shpejti të jemi në gjendje për të hapur bisedimet e pranimit me BE-në.

Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike që rajoni ynë ka në axhendën politike të NATO-s dhe BE-së. Të dyja këto organizata të mëdha janë duke punuar për të reduktuar dobësitë dhe rritur qëndrueshmërinë në rajon në mënyrë që të gjitha vendet e rajonit tonë të mund të jenë në gjendje të përballen si duhet, me kërcënimet e sigurisë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin në rajon dhe në Mesdhe.

Sfidat e sotme në një botë jo-polare, kërkojnë që çdo vend të bëjë pjesën e tij, dhe të tregojnë përkushtimin se bota që ne synojmë të ndërtojmë, është ajo ku vlerat demokratike dhe parimet e të drejtave të njeriut mbizotërojnë.

Shqipëria beson në aftësitë njerëzore për të përmbushur, pranuar dhe respektuar të tjerët, kulturën e tyre dhe besimet e tyre. Kjo është ajo që ne kemi bërë gjithmonë në historinë tonë, edhe në kohët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë nga makthi i Holokaustit.

Kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe në rajonin tonë, me fqinjët tanë, për të promovuar respektin, barazinë dhe dinjitetin për të gjithë, si bazë për një shoqëri paqësore dhe me diversitet.

Është përgjegjësia jonë e përbashkët për të rezistuar kundër çdo gjëje e cila kërcënon mënyrën tonë të jetesës, lirinë tonë, vlerat tona, vlerat e përbashkëta, çdo gjë që kemi arritur gjatë shekujve me punë të madhe, këmbëngulje dhe sakrifica.

 

Faleminderit.

Shalom.