Postuar më: 24 Prill 2018

Fjala e Ministrit Bushati në Seancën Plenare të Kombeve të Bashkuara mbi "Ndërtimin dhe Ruajtjen e Paqes"

 

Z. President,

Fillimisht dua t'ju falënderoj për organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë, që dëshmon vullnetin politik të komunitetit ndërkombëtar për të punuar së bashku në ndërtimin e një bote më të mirë. Ruajtja e paqes botërore është me të vërtetë përgjegjësia jonë e përbashkët dhe premtimi ynë solemn, i mishëruar në statutin e OKB-së.

Por, ndërsa ju falënderoj z. President për organizimin e këtij takimi, nuk mund të mos reflektoj mbi rastet e shumta kur ne jemi përballur me nevojën urgjente për t'ju përgjigjur krizave me mjete të pamjaftueshme, si dhe me pamundësinë e veprimit pavarësisht shkeljeve të shumta dhe rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Lufta e ndezur në Siri është vetëm një shembull i tmerrshëm i cili dëshmon këtë.

Kompleksiteti i sfidave globale me të cilat përballemi tani kërkon qasje të reja të integruara për paqen, ide të reja dhe një menaxhim më efektiv të burimeve dhe mjeteve. Sipas mendimit tonë, parandalimi është fjala kyçe. Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë mekanizma të aftë për të identifikuar shenjat e konfliktit të mundshëm, me qëllim që të veprojmë në kohë.

Vendosja e parandalimit në zemër të punës së OKB-së kërkon bashkimin, në mënyrë koherente, të tre shtyllave të OKB-së: paqen dhe sigurinë, zhvillimin dhe çështjet e të drejtave të njeriut.

Zbatimi i Axhendës 2030 është me rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes, pasi është mënyra më e mirë për të adresuar shkaqet e konflikteve që nga rrënja, nëpërmjet zhvillimit gjithëpërfshirës ekonomik, qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit, drejtësisë dhe barazisë.

Për më tepër, Shqipëria është e bindur se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore është në thelb e lidhur me parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e paqes. Në të vërtetë, monitorimi dhe analiza e të drejtave të njeriut mund të ofrojë ankesa paralajmëruese të hershme por vendimtare, të cilat nëse mbeten të pazgjidhura, mund të çojnë në konflikte të dhunshme.

 

Z. President,

Shqipëria mbështet vizionin e Sekretarit të Përgjithshëm për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe propozimet që përmban raporti i tij. Këtu do të doja të theksoja tre pika të rëndësishme:

Së pari, ne mbështesim fuqizimin e Komisionit për Ndërtimin e Paqes (KNP), si një platformë e përkushtuar ndërqeveritare që mbikëqyr dhe udhëheq qasjen e sistemit të OKB-së për ruajtjen e paqes. Është një nga instrumentet më të rëndësishme në terren për veprim parandalues​​. Për më shumë, nevojitet një fond më i madh dhe më efektiv për ndërtimin e paqes, pasi është një nga instrumentet më të rëndësishme për të financuar veprimet parandaluese në terren.

Së dyti, partneritetet duhet të jenë një element kyç i përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar dhe ruajtur paqen. Proceset e ndërtimit të paqes dhe bashkëpunimi rajonal janë dy procese të ndërlidhura. OKB-ja duhet të mbështetet në ekspertizën dhe përvojën e aktorëve kryesorë rajonalë dhe globalë, institucioneve financiare ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Së treti, gratë dhe të rinjtë janë pasuri e vërtetë për paqen. Tani kemi dëshmi në rritje se përfshirja e madhe e grave në proceset e paqes kontribuon në arritjen e paqes së qëndrueshme, përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike, kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ndërsa të rinjtë mund të ndihmojnë gjetjen e mënyrave krijuese dhe inovative për të ndërtuar ura dhe për të adresuar historitë shoqërore dhe politike që nxisin konfliktin.

 

Z. President,

Unë vij nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, i cili në të kaluarën jo shumë të largët ka qenë teatri i konflikteve të mëdha dhe vuajtjeve të tmerrshme njerëzore. Kjo e kaluar është shumë prapa krahësh dhe kemi nxjerrë mësime të rëndësishme që nga ajo kohë. Nëpërmjet vullnetit të sinqertë politik, në të cilin Shqipëria është e angazhuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme, dhe në sajë të ambicies së fuqishme euroatlantike, është zhvilluar një bashkëpunim i shëndoshë rajonal në drejtim të sigurisë, tregut të përbashkët dhe shkëmbimeve tregtare. Procesi i dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndihmuar në zvogëlimin e mosbesimit dhe ndarjes, duke çuar në rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

Ne kemi nisur iniciativa rajonale siç është Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor në të cilat po kontribuojnë financiarisht dhe bashkë-qeverisin të gjitha 6 Vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne do të mirëpresim mbështetjen e mëtejshme të OKB-së për këtë iniciativë, duke përfshirë edhe mbështetjen e Fondit për Ndërtimin e Paqes.

Së bashku me partnerët dhe aleatët tanë euroatlantikë, ne jemi zotuar që të bëjmë rajonin tonë pjesë të një kontinenti të konsoliduar dhe të bashkuar, si një investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës në tërësi. Për këtë qëllim, si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është një kontribuues aktiv për paqen dhe sigurinë në mbarë botën dhe veçanërisht në ato rajone ku rrezikohet edhe paqja edhe siguria.

Shqipëria do të bëjë gjithçka për të arritur këtë qëllim dhe do të punojë pa pushim për të kundërshtuar çdo përpjekje për të prishur qëllimin tonë të përbashkët për paqe dhe siguri në botë.  

Faleminderit.