Postuar më: 28 Shkurt 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Sesionin e 34 të Këshillit të të Drejtave të Njeriut - Gjenevë

Zoti President,

Sekretar i Përgjithshëm,

Komisioner i Lartë,

Shkëlqesi,

Zonja dhe Zotërinj,

 

Më lejoni fillimisht t’ju përgëzoj për kontributin tuaj thelbësor në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Vendi im, si vend anëtar i KDNJ-së, ndjehet i privilegjuar për kontributin aktiv që ka mundur të japë në diskutimet dhe vendimet e këtij organi të rëndësishëm gjatë tre viteve të fundit, në një përpjekje për të kontribuar në përcaktimin e aksionit global, duke nxjerrë në pah dhe adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut kudo në botë.

Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtë me Këshillin dhe instrumentet e mekanizmat që lidhen me të; ne do të vijojmë të mbetemi plotësisht të përfshirë në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe të ofrojmë mbështetjen tonë të fuqishme për pavarësinë dhe integritetin e mandatit të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut. Ne besojmë në procedurat e veçanta të mekanizmave për të drejtat e njeriut ashtu siç kemi besuar edhe në RPU (Rishikimi Periodik Universal), që nga dita e parë e themelimit të tyre, të bindur se ata ndihmojnë në situatën e krijuar në terren.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut ka qenë gjithmonë një luftë me tatëpjeta. Por koha ka dëshmuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe universaliteti i tyre, drejtësia, arsimi dhe barazia - janë elementë të fortë bashkëpunues që do të vazhdojnë të ndërtojnë shoqëri të drejta dhe elastike, në paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.

 

Zoti President,

Eleanor Roosevelt, një nga pionieret e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dikur shprehej mes delegatëve të OKB-së se "sfida e vërtetë është të jetojmë dhe punojmë në vendet tona për lirinë dhe drejtësinë e çdo qenieje njerëzore".

Pavarësisht progresit të vazhdueshëm global, ne kemi qenë dëshmitarë gjatë këtyre viteve të fundit, se situata e të drejtave të njeriut në shumë pjesë të botës është përkeqësuar dhe në disa raste, ajo është thjesht alarmante. Argumenti qëndron i gjithi rreth nesh, nga dhuna e vazhdueshme mes sekteve në Siri, konflikti i vazhdueshëm në Irak, në Afganistan, si dhe veprimtaria terroriste e ISIS dhe aktorëve të tjerë të tretë.

Frika nga torturat dhe vrasjet në zonat e konfliktit ka nxitur miliona refugjatë të largohen nga shtëpitë e tyre. Gjatë vitit të kaluar, ne ishim dëshmitarë të numrit më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore të njerëzve të zhvendosur nga lufta dhe shtypja. Shumë prej tyre, të dëshpëruar për t’i shpëtuar luftës dhe persekutimit, shpesh arritën në brigjet e Europës nëpërmjet rrugëve të trafikut duke e gjetur veten të ekspozuar ndaj shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të tyre themelore.

Nga ana tjetër, rritja e retorikës populiste dhe të polarizuar në lidhje me refugjatët dhe dallimet me bazë fetare janë bërë qendra e debatit politik. Islamofobia flagrante është bërë mjeti i politikës agresive të intolerancës nga një numër në rritje i grupeve politike.

Ngritja e pengesave dhe zbatimi i kufizimeve, në kundërshtim me parimet e Kombeve të Bashkuara, është e kundërta e asaj çka duhet për të forcuar respektimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, vendi im është i shqetësuar për përkeqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vende si Sudani i Jugut, Burundi, RPDK (Republika Popullore Demokratike e Koresë), Mianmari si dhe në zonën lindore të Ukrainës. Kjo situatë shqetësuese dhe kjo perspektivë alarmante kërkojnë vëmendjen e vazhdueshme dhe marrjen e masave të duhura nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Të gjithë ata që janë përgjegjës për shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut duhet të ngarkohen me përgjegjësi. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi të angazhuar për të punuar me partnerë të tjerë të KDNJ-së për të sjellë në vëmendje të menjëhershme të Këshillit, situatën e të drejtave të njeriut në zonat e konfliktit dhe të punojmë në mënyrë aktive për trajtimin e tyre në mënyrë të përshtatshme.

Në këtë kuadër, gjatë seancës së 34-t të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria, si pjesë e Core Group (Grupit Bërthamë), do të propozojë një rezolutë për rinovimin e mandatit të Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Sudanin e Jugut dhe kërkon mbështetjen e të gjitha vendeve.

 

Zoti President,

Ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi kanë një ndikim të ashpër në një varg të drejtash themelore të njeriut dhe shtetet kanë detyrën e tyre kryesore të marrin masa efektive kundër terrorizmit. Në këtë kuadër, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të udhëhequr dhe për të qenë pjesë e iniciativave të KDNJ-së, me qëllim parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Abuzimet e të drejtave të njeriut, shkëputja mes perspektivave dhe pritjeve, dhe diskursi publik i mbushur me mesazhe të urrejtjes dhe diskriminimit, kërcënojnë të shtyjnë komunitetet e izoluara në krahët e grupeve ekstremiste.

Në një kontekst të tillë sfidues, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit, sidomos në mesin e të rinjve ka nevojë për punë të vazhdueshme dhe programe të posaçme. Zbatimi i  ligjit dhe masat e sigurisë do të bëjnë pjesën e tyre, por asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme. Një politikë më e mençur dhe më e sigurt kundër terrorizmit është ajo që respekton të drejtat e njeriut.

Vendi im është fokusuar shumë në parandalimin dhe luftimin e kërcënimit terrorist. Bazuar në modelin tonë të harmonisë fetare dhe bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me udhëheqësit fetarë, Shqipëria ka zhvilluar një Strategji Kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, me një qasje të gjerë duke u fokusuar jo vetëm në masat e forta, por edhe në masa të buta, të tilla si arsimi, në mënyrë që të parandalohet radikalizimi i grupeve të margjinalizuara, duke u fokusuar tek të rinjtë.

Një qasje social-ekonomike gjithëpërfshirëse në fuqizimin e rinisë, udhëheqësve vendorë dhe fetarë si dhe shoqërisë civile mbetet e rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në Gusht të 2016, Shqipëria ka emëruar një Koordinator Kombëtar për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, i cili pritet të shndërrohet në një qendër rajonale në të ardhmen e afërt. Duke qenë se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk njeh kufij, kjo qendër synon në forcimin e kohezionit dhe përpjekjet rajonale, duke identifikuar qasje inovative, efektive dhe gjithëpërfshirëse për të parandaluar radikalizimin e shoqërive tona.

 

Zoti President,

Angazhimi që kemi ndërmarrë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve janë në thelb të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Shkeljet e tyre shpesh kanë çuar në mosmarrëveshje dhe konflikte; nga ana tjetër, respektimi i të drejtave të minoriteteve ka ndërtuar ura komunikimi brenda dhe midis vendeve fqinje.

Shqipëria i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë  mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve. Ne po punojmë për të përgatitur dhe miratuar një ligj të ri, një kuadër të përditësuar për minoritetet, në përputhje me Konventën Kuadër Evropiane për Minoritetet Kombëtare dhe standardet më të mira ndërkombëtare.

Na duhet të rrisim përpjekjet tona të përbashkëta për të respektuar të drejtat e grave, fuqizimin e tyre në çdo aspekt, duke luftuar diskriminimin në bazë të gjinisë. Duhet, në veçanti, të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të frenuar dhunën në familje. Në këtë kontekst, ne mbështesim iniciativën e marrë nga disa vende të Këshillit të të Drejtave të Njeriut:  "Thirrje për Veprim për të zvogëluar koston e Dhunës kundër Grave".

Ne do të vijojmë përpjekjet tona për të forcuar barazinë gjinore dhe për të rritur përfaqësimin e grave. Ligji “Për Barazinë Gjinore” dhe Kodi Zgjedhor, me dispozitat për respektimin e kuotave gjinore, janë hapa të rëndësishëm për respektimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit dhe pozitës së gruas në shoqëri.

Pjesëmarrja e grave në të gjitha sferat e jetës mbetet e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik por edhe për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën. Zhvillimi i një qasje gjinore është gjithashtu e rëndësishëm për masat e  parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Jemi të ndërgjegjshëm se ndërtimi i shoqërive të qëndrueshme kërkon pjesëmarrjen e të gjithë individëve, grupeve dhe komuniteteve, pavarësisht origjinës së tyre, besimit fetar, pikëpamjeve politike apo orientimit seksual. Vendosmëria e Shqipërisë për të punuar dhe patur sukses në këtë drejtim është e palëkundur.

 

Faleminderit!