Postuar më: 05 Shtator 2017

Fjala e Ministrit Bushati në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të SEECP - Bled, Slloveni

5 shtator 2017

 

I dashur Karl,

Dëshiroj të të falënderoj për këtë takim në Bled dhe për përkushtimin e Kryesisë Sllovene në Zgjerimin e BE-së, stabilitetin dhe progresin ekonomik në rajonin tonë.

Ndër vite, SEECP ka qenë matrica jonë e bashkëpunimit rajonal dhe së bashku kemi arritur shumë gjëra. Megjithatë, mendoj se e kemi lënë pas atë pikë ku të uleshim në të njëjtën tryezë dhe të diskutonim në mënyrë paqësore ishte arritje.

Dua të theksoj shkurtimisht sot, ato që unë shoh si tre rreziqet kryesore me të cilët po përballemi të gjithë në këtë rajon:

Rreziku i parë, për mendimin tim, është të largojmë vëmendjen nga qëllimi ynë strategjik: ai i anëtarësimit në BE.

Gjatë ditëve të fundit Federica ka insistuar në faktin se Ballkani si i tërë është prioritet i BE-së, dhe dua ta falënderoj atë për këtë qëndrim të guximshëm mbi zgjerimin – ne të gjithë e dimë se kjo nuk është një temë shumë popullore. Por tashmë është e qartë se duhet të tejkalojmë narrativën kufizuese (nuk ka zgjerim brenda këtij mandati të komisionit të BE) dhe të punojmë për të arritur një kalendar të mirëfilltë të pranimit në BE për Ballkanin Perëndimor, me qëllime dhe afate kohore.

Rreziku i dytë është që rritja e bashkëpunimit politik në rajon të mos ketë impakt konkret në jetën e qytetarëve tanë, si në aspektin e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik ashtu edhe në konvergjencën sociale.

Nga perspektiva e Shqipërisë, mësimi kryesor nga Procesi 4 vjeçar i Berlinit në Ballkanin Perëndimor është se bashkëpunimi rajonal funksionon me të vërtetë kur ka impakt në jetën e qytetarëve. Duhet ta përdorim këtë mësim për të përmirësuar mekanizmat e shumta të bashkëpunimit rajonal.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria mori iniciativën për të mbledhur një takim të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Durrës. Është e rëndësishme që të tregojmë pronësi lokale dhe lidership, sidomos në ndjekjen e angazhimeve për bashkëpunim rajonal në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.

Sidoqoftë, iniciativat për lidhje të përforcuara ekonomike mund të jenë të suksesshme vetëm nëse ka përparim në normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit dhe nëse vendet i përmbushin angazhimet e bëra për normalizimin e marrëdhënieve.

Rreziku i tretë ka të bëjë me tendencën e re për të sakrifikuar shtetin ligjor në altarin e stabilitetit". Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë me stabilitokracinë. E dinim këtë gjë në vitet e 90-të dhe nuk ka arsye për të menduar ndryshe sot.

Është e qartë se vendet tona duhet të forcojnë angazhimin e tyre për reformat në sundimin e ligjit. Shqipëria është e vendosur për zbatimin e një reforme të thellë dhe të plotë të sistemit të drejtësisë. Ne presim që kjo reformë të ketë një ndikim të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Presim edhe një efekt pozitiv të këtyre hapave në hapjen e negociatave të pranimit në BE në muajt në vijim.

Por për t'iu përgjigjur sfidave komplekse, përfshirë edhe ato që lidhen drejtpërsëdrejti me sundimin e ligjit dhe sigurinë, ne duhet të përqendrohemi më shumë në zhvillimin njerëzor, duke ofruar më shumë mundësi për të rinjtë tanë, për të forcuar kohezionin social dhe zhvillimin ekonomik.

Vetëm duke tejkaluar hendekun e zhvillimit midis BE-së dhe rajonit tonë, mund të arrijmë elasticitetin dhe qëndrueshmërinë. Në situatën aktuale të sigurisë, ku radikalizmi dhe terrorizmi nuk njohin kufij, siguria jonë lidhet ngushtë dhe varet nga politikat efektive të fqinjëve tanë.

Edhe një fjalë të fundit për të ardhmen e kësaj organizate: si forumi më i rëndësishëm rajonal, SEECP-ja duhet të vazhdojë të punojë mbi bazën e gjithë-përfshirjes dhe barazisë. Kjo është qasja jonë për sa i përket kandidaturave për kryesimin e ardhshëm të kësaj iniciative. Si një vend anëtar me të drejta të plota, Kosova e meriton të marrë kryesimin. Çdo diskriminim ndaj Kosovës në këtë aspekt do të dëmtonte efikasitetin e këtij forumi.

Faleminderit.