Postuar më: 01 Dhjetor 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Uashington me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Të dashur anëtarë të Kongresit,

I dashur Enver,

I dashur Behgjet,

I dashur Hoyt,

Do të doja të filloja duke falënderuar të gjithë ju që jeni prezent dhe t’ju uroj të gjithëve për Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Forcave të Armatosura. Për mua personalisht, ky është një rast unik, në kuptimin që ne përfaqësojmë një fragment të kulturës sonë në bibliotekën më të madhe në botë, ndërkohë që shqiptarët në mbarë botën festojnë ditën e pavarërsisë. Kjo ditë  nuk do të ishte e mundur pa rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj të cilave ne jemi përgjithmonë mirënjohës. Sot, SHBA dhe Shqipëria janë aleatë dhe partner strategjik. Partneriteti ynë bazohet në interes të përbashkët, pikëpamje të ngjashme për sigurinë në Evropë dhe komunitetin transatlantik, si edhe në vlerat dhe besimet e përbashkëta. Edhe pse institucionet tona demokratike janë më jetëshkurtër sesa institucionet amerikane dhe kultura jonë demokratike është më pak e fuqishme se ajo amerikane, vlerat tona të përbashkëta përqendrohen në sinqeritet, tolerancë, shteti ligjor dhe drejtësi. Kjo trashëgimi e kombit tonë është arsyeja e parë pse ne festojmë sot.

Si mund të demonstrosh më mirë këto vlera, sesa nëpërmjet kodeve të purpurta të Beratit, të cilat sot po bëhen pjesë e arkivit dixhital të bibliotekës dhe mbrohen nga UNESCO. Të shkruar rreth shekullit të 6-të para Krishtit, Kodikët janë tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore dhe duke filluar nga sot, do të jenë pjesë e bibliotekës së bashku me veprat e diplomatit dhe intelektualit shqiptar Konica dhe figurave të tjera të Shqipërisë dhe diasporës.

Këta kodikë tregojnë se përkundër jetës së shkurtër dhe të pasigurtë, si edhe shtetit shqiptar dhe institucioneve shtetërore shqiptare, kultura shqiptare dhe hapja e saj ndaj civilizimit perëndimor, ka qenë një proces i gjatë dhe i dokumentuar mirë. Kjo është diçka për të festuar dhe për të qenë thellësisht mirënjohës sot.

Do të doja tjetër të kremtoj sot edhe partneritetin e thellë dhe marrëdhëniet e forta midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky bashkëpunim ka filluar me formimin e shtetit tonë dhe vazhdon me mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë Shqipërisë në procesin e demokratizimit. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në një nga reformat kryesore që vendi ynë ka ndërmarrë në dy vitet e fundit, që është reforma në sektorin gjyqësor. Krahas shteteve anëtare të BE-së, Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë në zbatimin e kësaj reforme gjithëpërfshirëse, e cila ka efekt valëzues si në ekonomi edhe në sektorë të tjerë.

Shtetet e Bashkuara janë të pranishme në Ballkan dhe në Shqipëri në veçanti përmes mbështetjes së tyre në forcimin e shtetit ligjor. Ne duam që ky angazhim të vazhdojë. Besojmë fuqimisht se nëse institucionet shqiptare janë të qëndrueshme dhe shteti ligjor është i fortë, ne mund të kontribuojmë më shumë dhe në një mënyrë më cilësore për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, si edhe për sigurinë në Evropë dhe në komunitetin Trans-Atlantik.

Sot, ndërsa është dita e Forcave të Armatosura Shqiptare, është gjithashtu një rast për të festuar kontributin e Shqipërisë në fushën e sigurisë. Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria qëndron përkrahë Shteteve të Bashkuara në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Historia jonë specifike e tolerancës fetare është një pasuri e veçantë, të cilën ne e përdorim për parandalimin e këtyre fenomeneve dhe kërcënimeve globale.

Shtetet e Bashkuara mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në axhendën e zhvillimit ekonomik duke promovuar bashkëpunimin dhe duke investuar më shumë në sektorë strategjikë, si infrastruktura, energjia, turizmi dhe bujqësia. Ne po krijojmë një mjedis më pozitiv për SHBA-të që të jenë më të pranishëm në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri.

Diaspora shqiptare është një tjetër histori suksesi e marrëdhënies mes dy kombeve tona. Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara luan një rol jetësor në formimin e shtetit shqiptar dhe në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, por kontribuon gjithashtu në jetën ekonomike, kulturore dhe politike të SHBA.

Arsyeja e tretë për të festuar këtë ditë është për të festuar arritjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga një shtet dikur i vogël, i dobët dhe i varur nga të tjerët në një regjim të izoluar në vitet postkomuniste, ku mbizotëronte korrupsioni, krimi dhe informaliteti, për të mos përmendur kohezionin dhe besimin e dobët social, Shqipëria po ecën përpara dhe po lulëzon mes dhe kundër shumë sfidave .

Unë nuk dua të tingëlloj tepër optimist për reformat që kemi ndërmarrë, potencialin ekonomik të vendit tonë por, energjia, lëvizja dhe kurioziteti i të rinjve në Shqipëri, më bëjnë të besoj në të ardhmen që na pret. Entuziazmi dhe interesi në politikë, angazhimi i studentëve shqiptarë që morën pjesë në Ditën Shqiptare në D.C këtë javë, konfirmojnë besimin tim se së bashku do të shkruajmë një histori më të mirë. Unë besoj se miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara, do të jenë pjesë e kësaj historie.