Postuar më: 17 Shkurt 2017

Fjala e Ministrit Bushati në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës - “Vlerat e Politikës sonë të Jashtme”

Fjala e Ministrit Bushati në Universitetin Luigj Gurakuqi

“Vlerat e Politikës sonë të Jashtme”

Shkodër, 17 shkurt 2017

 

 

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit Rektor,

Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu

Kisha kohë që dëshiroja të kishim një bashkëbisedim të tillë, këtu në Shkodër.

 

Pikërisht në Shkodër sepse këtu rreh një ndjeshmëri e veçantë për çka ndodh përtej kufijve tanë, për çka ngjet në Ulqin, Preshevë, Prishtinë e Tetovë, por edhe në Vjenë e përtej brigjeve tona.

Shkodra është për mua jo vetëm qyteti i lindjes, i të parëve të mi, të cilët më kanë rritur me dashurinë për të, por edhe një prej qendrave të Europës Adriatike, me identitet të spikatur, aty ku kombi ka ditur të mbijetojë përtej agresionit, ka ditur të ndriçohet përtej urisë, ka ditur madje dhe të argëtohet përtej vuajtjes.

Nuk e fsheh aspak se më pëlqen që herë pas here të vij e të ballafaqohem e pse jo të testoj ide me studentë e kërkues shkencorë. Për një politikbërës, ky ballafaqim është gjimmanstika më e mirë e trurit. Pasi të mundëson të krijosh distancë, të reflektosh, marrësh frymë dhe të analizosh zhvillime e ngjarje të caktuara, pa patur ngutin për të marrë vendime të menjëhershme, siç ndodh jo rrallë herë në zyrat e administratës.

Mendoj se ndërthurja e këtyre dy botëve, të veprimit politik dhe të ballafaqimit të argumentuar, është e nevojshme për të kuptuar e projektuar më mirë të ardhmen tonë. Prandaj ju falenderoj për mundësinë që më jepni për të biseduar këtu me ju.

* * *

Në një botë me transformim të shpejtë, zhgënjyeshëm kaotike dhe zero-polare, politika e jashtme është si kurrë më parë nën një trysni të veçantë për të orientuar vendimarrjen dhe për tu dhënë zgjidhje sfidave të ndryshme.

Shtylla kurrizore e politikës sonë të jashtme është përkatësia jonë perëndimore dhe përkushtimi ndaj vlerave euro-atlantike. Eshtë një angazhim parimor, i patjetërsueshëm, që pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990. Eshtë ky orientim që na mundësoi anëtarësimin në NATO, që plazmoi marrëdhëniet strategjike me vende mike e partnere, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky orientim është tashmë një vlerë e shtresëzuar ndër vite dhe e ka transformuar Shqipërinë në një vend që prodhon dhe rrezaton stabilitet, duke e bërë kontributorin kryesor në forcimin e paqes dhe bashkëpunimit në rajonin tonë.

Fatkeqësisht, sot jemi përballë rrezikut që rajoni të përfshihet, jashtë dëshirës sonë, nga vorbulla e krijuar prej paqartesisë dhe pasigurisë aktuale të projektit europian dhe tendencës për aplikimin  e politikës së “sferave të influences”.

Europa sot ngjan e absorbuar me vetveten, me trajtimin e krizave të shumëfishta që e kanë zaptuar. Kriza e tejzgjatur në Maqedoni, ngjarjet shqetësuese të muajve të fundit në raportet Kosovë-Serbi shoqëruar me mungesën e rezultateve të prekshme në procesin e dialogut, stanjacioni në Bosnje Hercegovinë, ndërhyrja e aktorëve të tretë ne zhvillimet e brendshme politike në Malin e Zi, janë disa tregues të vëmendjes së munguar dhe forcës së dobësuar të BE-së pikërisht në oborrin e saj.

Rajoni ynë do të përkufizohej si një hapësirë e gjerë rreth nesh, të cilën unë e kam cilësuar si katërkëndshi i kufizuar nga Roma, Vjena, Athina dhe Ankaraja e ku, në një formë ose tjetër, të hapur në mesdhe e të kyçur në Ballkan, ndërthuret shumëçka e rëndësishmë për ne.

Por, dua të shkoj më tej, në zemër të kësaj hapësire, te rajoni ynë imediat, te perimetri ynë imediat aty ku ndër të tjera, gjendet edhe shumica e popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta

Një konstatim i shpejtë dhe realist i situatës do të na nxirrte menjëherë në konkluzionin se shqiptarët, në tërësi si komb dhe në vendet ku jetojnë, janë në një situatë më të mirë se një dekadë më parë.

Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s. Vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, vend që ka siguruar një rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Spirancë stabiliteti dhe aktor dinamik në rajon që vijon të kultivojë marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi. Thënë ndryshe, Shqipëria nuk ka qenë asnjë herë me e zhvilluar dhe integruar se sa sot!

Kosova, kremton sot 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Edhe pse rruga e saj drejt shtet-ndërtimit e fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar paraqet vështirësi të panumërta, procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm.

Shqiptarët në Maqedoni, si një popullsi shtet-formuese janë qartazi faktor përcaktues për stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë.

Shqiptarët në Malin e Zi janë partnerë të besueshëm e të përhershëm të shumicës përparimtare atje, të orientuar në çdo rrethanë për nga vlerat e përbashkëta të familjes euro-atlantike.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke bashkëpunuar ngushtë si me Shqipërinë ashtu edhe me Kosovën, janë në kërkim të mekanizmave të rinj të realizimit të plotë e të suksesshëm të të drejtave të tyre qytetare e kombëtare.

Në themel të politikës sonë të jashtme rajonale qëndron në mënyrë të padiskutueshme fqinjësia e mirë, e cila mund të përkufizohet edhe si një situatë sigurie dhe prosperiteti për shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon.

Përkujdesja për të drejtat dhe mirëqënien e shqiptarëve në rajon është një detyrim kushtetues, pjesë e përhershme e ndërveprimit tonë me autoritetet e vendeve përkatëse.

Këtë e kemi bërë në mënyrë të sinqertë, pa tabu, por me argumente sepse jemi të bindur se është njëkohësisht investim për më shumë demokraci e zhvillim, për më shumë stabilitet dhe bashkëpunim dy e shumëpalësh. U kemi bishtnuar polemikave boshe por jo të vërtetës, fakteve dhe veprimit konkret dhe këtë do të vijojmë ta bëjmë për sa kohë të jetë e nevojshme.

Jemi dhe do të vijojmë të jemi në kërkim të barazisë e dinjitetit njerëzor duke marrë për bazë eksperiencat më të mira në rajon e në Europë. Por ka ende shumë për të bërë. Po marr vetëm një shembull: pakica serbe në Kosovë përbën rreth 6% të popullsisë së Kosovës. Serbishtja është gjuhë zyrtare, pakicat kanë 10% të vendeve të rezervuara e mund të fitojnë edhe vende shtesë sipas dinamikave elektorale, kanë të drejtën e shumicës së dyfishtë për ligjet që kërkojnë shumicë kushtetuese. Në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, është rënë dakord për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, modalitetet e funksionimit të të cilit mbeten të testohen në praktikë.

Popullsia shqiptare shtet-formuese në Maqedoni, disa herë më madhe në përqindje e shifra absolute, prej një dekade kërkon mirëkuptim për shpalljen e shqipes si gjuhë zyrtare. Qoftë edhe vetëm në këtë aspekt, një ndër shumë, kontrasti nuk mund të jetë më flagrant, më jashtë kohës.

Prandaj e kemi inkurajuar vijimësisht faktorin shqiptar kudo ku jeton, përfshirë në Maqedoni, për të luajtur rol konstruktiv dhe marrë pjesë aktivisht në institucionet respektive, duke e parë atë element thelbësor në adresimin e shqetësimeve të tyre në rrugë institucionale.

* * *

Një ndër rreziqet më të mëdha të epokës së sotme është ai që lidhet me radikalizimin, me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit se gjatë viteve të fundit bota i ka paguar një çmim jashtëzakonisht të lartë këtij fenomemi, i cili, i fshehur pas fesë edhe pse s’ka kurrëfare lidhjeje më të, ka çuar në katastrofa humanitare, eklipsimin e politikave dhe vlerave të demokracisë liberale, rritjen e populizmit dhe mbi atë bazë edhe diskriminimit në bazë fetare.

Historikisht shqiptarët janë identifikuar me të drejtë si përçues të vlerave universale të tolerancës dhe vllazërisë ndërfetare. Por, fenomenet e radikalizimit dhe ekstremizmin e dhunshëm kanë prekur edhe rajonin tonë. E nëse nuk jemi vigjilentë e syçelët, këto fenomene rrezikojnë të cënojnë edhe ato vlera që Shqipëria e shqiptarët i kanë ruajtur me fanatizëm për shekuj: harmoninë fetare, diversitetin, lirinë, respektin dhe bashkëjetesën në paqe.

Nëse shqiptarët do të ndihen të margjinalizuar, për shkak të jetësimit të politikave që mund t’i konsiderojnë ato si “punëtorë sezonal” në trojet e tyre, nëse nuk jemi të vëmendshëm t’i përgjigjemi në kohë kërkesave legjitime të tyre për më shumë dinjitet dhe barazi sociale, atëherë rreziqet që i kanosen rajonit tonë mund të çojnë në tjetërsimin e identitetit tonë.

Shenjat e alarmit janë dhënë. Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se këtu bëhet fjalë për të ruajtur e kultivuar atë qe e kemi tonën, të natyrshme e të shtrenjtë, përkundrejt përçudnimeve të importuara dhe të lehtësuara e përshpejtuara nga mungesa e barazisë, dinjitetit dhe zhvillimit.

Prandaj nuk do të rreshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo ato jetojnë, në respekt të asaj që u takon. Për më shumë dinjitet, më shumë barazi, më shumë përfshirje në planet e zhvillimit, e rrjedhimisht më shumë mirëqënie.

Ky detyrim kushtetues është në koherencë të plotë me ecurinë e reformave shtet-ndërtuese që ne po realizojmë për së brendshmi. Me të drejtë Henry Kissinger thotë se, “politika e jashtme i ka fillesat në shtëpi”. Nuk do ta ekzagjeroja aspak nëse do të thoja se politika e jashtme është pasqyrë e politikës së brendshme. Për rrjedhojë, një Shqipëri më e fortë, më e zhvilluar, më e drejtë, më e lirë, mund të rrezatojë më shumë dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe në diasporë në mënyre më efikase.

Sërish dëshiroj të ndaj me ju një tjetër shembull konkret: reforma në drejtësi dhe procesi i anëtarësimit në BE. Ritmi dhe cilësia e reformave në këtë proces mbartin një leksion të madh, edhe pse në dukje mund të tingëllojë cinike: pas rreth tre dekadash e kemi të vështirë të pranojmë se përveç bashkëpunimit më të tjerët duhet të ndërtojmë një kulturë të re politike larg blloqeve të çimentuara.

Normalisht duhet të kishim mësuar nga tranzicioni pa fund, se asnjë përçarje dhe asnjë dekurajim nuk duhet të fitojë tërren mbi procesin e shtet-konsolidimit. Historia mund të na ndihmojë por ja që shpesh herë historia na mëson se nuk mësojmë asgjë prej saj.

Na duhet cilësi dhe shpejtësi tjetër në këtë proces, edhe si përgjigje ndaj zbehjes së rrezatimit të projektit europian dhe pasigurive që rrethojnë rajonin tonë, për shkak të rikthimit të gjeo-politikës. Për ta bërë këtë, së pari duhet të sqarojmë veten: nëse do të pranojmë një tranzicion pa fund ku të mirat publike gravitojnë në një rreth vicioz me bekimin e sindikatës së drejtësisë, apo do të veprojmë me këmbëngulje e durim si Europianë të përkushtuar, për më shumë drejtësi, mirëqënie e zhvillim? Këtë përgjigje duhet ta japim vete, sepse nuk do vijë askush ta japë në vendin tonë.  

Thelbi i reformës në drejtësi është se kemi nevojë për më shumë drejtësi. Kemi nevojë për ndërtimin e një shoqërie kohëzive që orientohet nga sundimi i së drejtës, që higjenizon jetën publike, kornizon tregun, zbut hendekun e pabarazisë dhe ndihmon zhvillimin e vendit. Nuk ka shoqëri të zhviluar që nuk bazohet në sundimin e së drejtës. Nuk ka zhvillim krijues, ekonomik që të jetë i qëndrueshëm pa mburojën e së drejtës

Prandaj nuk bie dakord me nostalgjikët e filmave me diversantë që kërkojnë ta portretizojnë këtë reformë si ndërhyrje e të huajve në punët tona, apo si cënim sovraniteti. Sepse besoj fuqimisht që kjo reformë është konkretizim i ndërgjegjes kolektive e cila kërkon ndryshim.  

Në këtë këndvështrim, bashkëpunimi më i mirë mes vedi, nënkupton detyrimisht dhe një ndërveprim me shqiptarët në Diasporë. Para tre muajsh, në Tiranë mbajtëm Samitin e Parë të Diasporës shqiptare. Qëllimi ynë është të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që energjitë brenda e jashtë vendit të kanalizohen sa më përshtatshëm në të mirën e përbashkët. Këtë kemi bërë në një nga aspektet e rëndësishme të shërbimit publik, Shërbimin Konsullor Online. 

* * *

Të dashur studentë e pedagogë,

Në sajë të përpjekjeve individuale e të përbashkëta kemi ndërtuar një rrjet të denduar bashkëpunimi dy e shumëpalësh, ku tashmë përfshihet edhe Kosova, kemi mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe forcimin e marrëdhënieve të rajonit me Aleancën.

Para pak ditësh, në një tjetër qytet të Europës Adriatike, në Split, së bashku me kolegët nga Kroacia dhe Mali e Zi, vende me të cilat kemi shumë të përbashkëta si përkatësia adriatike dhe impenjimi për më shumë siguri e bashkëpunim në rajon, themeluam një kuadër bashkpunimi trepalësh për të forcuar identitetin euro-atlantik përkundrejt paqartësive që aktualiteti i sotëm kaotik i nxjerr më në pah.

Në dy vitet e fundit kemi punuar fort edhe për të institucionalizuar marrëdhëniet në këtë hapësirë: kemi krijuar Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, e cila përmes bashkëpunimit rinor do të të zgjerojë më tej rrugët e bashkëpunimit dhe dialogut, duke kontribuar kështu drejt pajtimit rajonal. Po ashtu, kemi krijuar edhe Fondin e Ballkanit Perëndimor, i cili nën modelin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, do të përqendrohet në promovimin e vlerave të përbashkëta ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve në rajon, duke forcuar kështu bashkëpunimin dhe kontaktet ndërmjet njerëzve.

Në gjykimin tonë rritja e mirëkuptimit politik dhe shtimi i kontakteve në të gjitha nivelet, ndërlidhja më e ngushtë ekonomike dhe angazhimi në projekte të përbashkëta, kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe na ndihmojnë në procesin e integrimit europian.

Këtë ka në themel i gjithë ndërveprimi ynë në rajon, si në forcimin e partneritetit strategjik me Kosovën, në zhvillimin e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit me Malin e Zi, me Maqedoninë, apo në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Eshtë kjo linjë politikë rajonale, solide dhe e pakthyeshme që ka marrë vlerësimin maksimal nga partnerët tanë: SHBA dhe BE. Këtë synojmë të arrijmë e konslidojmë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit duke forcuar ndërlidhshmërinë dhe mobilitetin rajonal.

Në po këtë frymë, kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, të një dialogu që duhet të jetë i njëmendtë, i barabartë dhe jo detyrimisht i shpejtë, me avantazhe e sakrifica të dyanshme, një proces që jo vetëm mundëson që palët të takohen, por që lehtëson subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, një proces që inkurajon komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

Po ashtu, procesi duhet të jetë në gjendje të parandalojë veprimet provokuese siç ishin ato të muajve të fundit. Nëse ndërtimi i urave përkthehet në ngritje muresh, nëse normalizimi minohet nga provokime të rrezikshme, atëherë procesi rrezikon të futet në qorrsokak.

Ne kemi hyrë në shekullin tonë të dytë si një komb i lirë, me Shqipërinë dhe Kosovën si vende të lira, demokratike e Europiane, vende që prodhojë siguri, që ofrojnë miqësi e bashkëpunim për të gjithë popujt e rajonit, për ta bërë atë një hapësirë edhe më të paqtë, edhe më të sigurt.

Përmes proceseve integruese sikundër kontributit e veprimit tonë në rajon ne synojmë që të gjithë shqiptarët e rajonit të gëzojnë të gjitha instrumentet që jo vetëm të mbrojnë të drejtat e fituara me mund, por edhe të jenë pjesë e proceseve politike me të drejta të barabarta. Në konceptin tonë, europianizimi i vërtetë i rajonit ka në thelb barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo ku janë.

Prandaj, duke ju falënderuar për vëmendjen, do të mirëprisja kontributin tuaj idealist, jashtë llogoreve ideologjike, për të mbajtur lart e zhvilluar këto vlera e parime, si kontribut për një Shqipëri më të mirë e më të begatë dhe për një rajon më të sigurt.

Faleminderit!