Postuar më: 31 Tetor 2017

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati në aktivitetin me temë “Fuqizimi i gruas” në kuadër të festimit të Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

Mirëmbrëma të gjithëve,

Zonja dhe zotërinj,

Në radhë të parë doja të falënderoja në mungesë kolegen Margot, për fjalët e saj inkurajuese për Shqipërinë por edhe për Mbështetjen që ka dhënë vendi i saj për organizimin e këtij takimi.

Tradita e përvitshme e festimit të Ditës së Kombeve të Bashkuara, tregon në fakt se sa larg ka ecur njerëzimi në aspiratën e tij për një botë më të sigurt dhe më të begatë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara shpesh gjendet në qendër të debateve për reformim në kushtet e një rendi ndërkombëtar në mutacion ku mbizotëron paparashikueshmëria, paqëndrueshmëria dhe mungesa e strategjisë për t’u përballur me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial.

Nga ana tjetër, ky realitet gjithnjë e në ndryshim, përligj ekzistencën e këtij organizmi, që ndonëse i pamjaftueshëm mbetet i domosdoshëm.

Dag Hammarskjöld,  shprehej se, “Kombet e Bashkuara nuk u krijuan për ta çuar njerëzimin në parajsë, por për ta shpëtuar atë nga ferri”.

72 vjet pas lindjes së organizatës dhe me më shumë se gjysmë trilion dollarë shpenzime, duket se shpëtimi nga ferri nuk mjafton më si justifikim.

E megjithatë, askush nuk mund ta mohojë kontributin e OKB-së në reduktimin e varfërisë, në trajtimin e sëmundjeve vdekjeprurëse, në balancën e brishtë të Luftës Bërthamore dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për miliona njerëz falë programeve zhvillimore.

Por, aspirata më e lartë e njerëzimit nuk mund të katandiset në një mekanizëm të mykur nga burokracia, të fryrë nga shpenzimet, dhe sikurse thotë me të drejtë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, “...të fokusuar tek proceset e jo tek njerëzit”.

Gjithsesi, një gjë është e qartë: Sot OKB-ja lidhet pazgjidhshmërisht me respektimin e të drejtave të njeriut, nevojën për bashkëpunim shumëpalësh dhe rend të drejtë ndërkombëtar. Në kontekstin e të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave të grave luan një rol vendimtar, jo thjesht për çështje numrash.

Ne si shqiptarë jemi veçanërisht të ndjeshëm për këtë, sepse historia jonë, eposi ynë kombëtar, fjalët e urta dhe vetë gjuha shqipe flasin për rolin e rëndësishëm që gruaja shqiptare luan në shoqërinë tonë.

Shqipëria është e përfshirë në një proces transformimi që i kalon në fakt caqet e një gjenerate. Nga izolimi total e mungesa e të drejtave të njeriut, rruga jonë drejt demokratizimit evropian të shoqërisë nuk ka qenë e lehtë. Kjo rrugë udhëhiqet nga një vizion i bazuar në vlerat e një populli evropian në shpirt e në frymë.

Në këtë rrugëtim kemi pasur ndihmën dhe kontributin e çmuar të ekipit të Kombeve të Bashkuara, aktiviteti i të cilëve në Shqipëri mbetet i lidhur ngushtë me objektivin tonë kombëtar, atë të integrimit në familjen e përbashkët Evropiane. 

Nuk ishte rastësi që Shqipëria u zgjodh vend-pilot për Objektivin e 16-të të Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Sikundër nuk është rastësi lidhja e Objektivit të 5-të, që synon arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, me përpjekjet tona si shoqëri për fuqizimin dhe përmirësimin e rolit të grave. 

Këto përpjekje nuk janë një tentativë e vetmuar, por pjesë e rëndësishme e vizionit tonë për transformimin gjithëpërfshirës demokratik të shoqërisë sonë. Shprehje domethënëse e këtij vizioni ishte edhe iniciativa që ndërmorëm bashkë me Italinë dhe “UN Women” për krijimin e “Rrjetit të Ndërmjetësimit të Grave Mesdhetare”.

Aktivizimi i këtij rrjeti do të mundësojë që gratë dhe vajzat të kontribuojnë drejtpërdrejtë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, në atë që mund të quhet si djepi i qytetërimit evropian, në Mesdhe.

Ky rrjet është një mekanizëm që krijohet në vazhdën e Rezolutës 1325 të OKB-së, kur Këshilli i Sigurimit i vendosi gratë dhe vajzat në qendër të problematikës së menaxhimit të krizave.

Kjo nuk është e rastësishme. Janë gratë dhe vajzat në frontin e parë të luftës dhe të pasigurisë. Janë ato të cilat përballen më shpesh me sfidën e mbrojtjes së familjes, së të ardhmes e sigurisë së tyre. Prandaj, përfshirja e grave në çështjet e sigurisë i përgjigjet realitetit sot e jo konvencioneve të fushës së sigurisë tradicionale. 

Për ne, zhvillimi ekonomik e social i vendit nuk mund të kuptohet pa një trajtim dhe pa arritje konkrete në promovimin e çështjeve gjinore dhe përfshirjen e tyre në të gjitha politikat e zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i ekipit të Kombeve të Bashkuara me qeverinë dhe shoqërinë civile, ka luajtur rol të rëndësishëm për rritjen dhe forcimin e rolit të gruas në shoqëri.

Po kaq rëndësi ka edhe kontributi i vendeve si Suedia, të cilët punojnë vazhdimisht jo vetëm për arritjen e një barazie gjinore, por edhe për përfaqësim dhe angazhim të drejtpërdrejtë të grave në proceset zhvillimore në vend.

Shqipëria ka ndërmarrë angazhime ligjore të rëndësishme për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar e bërë realitet barazinë gjinore. Disa nga këto angazhime lidhen me harmonizimin në vazhdimësi të legjislacionit kombëtar me standardet ndërkombëtare, si dhe me hartimin dhe zbatimin e strategjisë kombëtare të barazisë gjinore dhe kundër dhunës në familje.

Përpjekjet tona kanë dhënë rezultatet e para: 45% e administratës publike, 30% e Kuvendit dhe 50% e kabinetit qeveritar, janë gra e vajza.

Kjo në fakt nuk është thjesht çështje numrash. Përvoja ime si bashkëshort, baba e politikan, më konfirmon se përfshirja e grave në vendimmarrje do të thotë përmirësim e zgjerim i agjendës së diskutimeve, të vizionit të zhvillimit dhe kontekstualizim i punës sonë.

Lentet me të cilat e shohim botën ndryshojnë: Ato fokusohen më shumë të njeriu sesa te letrat; te komuniteti sesa te shkresat e projektet; te zgjidhjet sesa te problemet. Prandaj dhe përfshirja e grave në vendimmarrje nuk është privilegj ndaj një grupi të shoqërisë, sepse gratë dhe vajzat nuk janë një grup i shoqërisë, por gjysma e saj. Përfshirja e grave dhe vajzave është pjesë organike e vizionit tonë për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Dëshiroj ta mbyll duke ju sjellë një shembull suksesi të një prej nëpunësve më të spikatura të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, drejtoreshën e Arkivit, Pranvera Dibra. Uroj të mos kem nxjerrë ndonjë sekret, por dëshiroj të them se falë profesionalizmit të saj dhe nivelit të lartë të përgjegjësisë në punë, Pranvera ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës institucionale, jo thjesht të një ministrie, por të popullit tonë. Jam i bindur se Pranvera është një nga shumë heroinat e heshtura, puna e të cilave flet më shumë se sa fjalët e atyre që e pasqyrojnë atë.

Ju faleminderit!