Postuar më: 19 Nëntor 2016

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati në hapjen e Samitit të Parë të Diasporës në Pallatin e Brigadave 18 nëntor 2016

I nderuar President i Kosovës, z. Thaçi,

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar kolegë Ministra,

Të dashur miq e bashkëatdhetarë,

Jam i nderuar që m’u dha mundësia të hap Samitin e parë të Diasporës që zhvillohet në Tiranë, nën kujdesin e Kryeministrit Rama.

Shpreh bindjen se ky kuvend masiv dhe gjithpërfshirës, me bashkëatdhetarë të ardhur nga e gjithë bota, do të iniciojë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë.

Sot ne kemi fshirë distancat që na ndajnë nga njëri-tjetri, duke hedhur hapin e parë të qenësishëm në strukturimin dhe modernizimin e marrëdhënieve midis institucioneve të shtetit dhe diasporës.

Historia e popullit shqiptar është njëkohësisht dhe historia e diasporës shqiptare. Nuk besoj se sot ka ndonjë familje shqiptare pa patur një të afërm që jeton, punon apo studion jashtë shtetit.

Edhe ëndrra e brezit të viteve ’90, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte një thirrje për të rigjallëruar lidhjet me diasporën. Sepse thuajse gjysmë shekulli izolim nga diktatura komuniste, përveç të tjerash, ishte edhe një gjymtim i trupit tonë.

Fjala diasporë mbart një emocion të trishtë, sepse lidhet me largimin e njeriut nga familja, nga ai vend që siç e thotë Çajupi “ku kam dashur mëmë e atë, ku më njeh dhe guri i thatë”.   

Por diaspora, mbart me vete edhe një emocion të lumtur që mbizotëron. Ajo është rrëfenja e shqiptarit vital, të paepur dhe gjithnjë në lëvizje. E shqiptarit që vështirësitë e jetës i shndërron në sfida të tejkalueshme. Prova më e mirë e kësaj jeni ju të gjithë.

Të dashur bashkatdhetarë,

Historiku dhe harta e Diasporës shqiptare është e hershme në kohë dhe e larmishme në tematikë. Arbëreshët në Itali dhe Arvanitasit në Greqi janë dy nga bashkësitë më të vjetra të shqiptarëve në botë. Kontributi i tyre në zhvillimin kulturor dhe identitetin kombëtar ka qenë thelbësor.

Ndërkohë, roli i diasporës shqiptare në SHBA, Europë dhe në botë, ka qenë i pazëvendësueshëm për formimin e kombit dhe shteteve shqiptare në Ballkan. As Shqipëria e as Kosova ndoshta nuk do të ishin këto që janë sot pa kontributin e patriotëve të diasporës.

Mjafton të përmend kontributin në:

  • ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe,
  • ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit shqiptar,
  • dhe në themelimin e shtetit shqiptar,

për të krijuar një ide të qartë se vetë ekzistenca jonë është rezultat i përpjekjeve të parreshtura të diasporës.

Pa dallim feje dhe krahine, por të bashkuar rreth një ideje sublime për gjuhën e atdheun, patriotë rilindas si Naim dhe Sami Frashëri, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Jeronim De Rada, Pandeli Vangjeli, Thimi Mitko, e shumë të tjerë që pasuan, ishin kopshtarët e parë të një gjenerate që mbolli farën e shqiptarisë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës shqipe.

Kësaj diaspore të vjetër në kohë, por përparimtare në mendim e veprim, iu shtuan edhe diaspora të reja, të cilat ishin pasojë e lëvizjeve të mëdha migratore në fillim të viteve ’90 drejt Europës Perëndimore, Amerikës Veriore e Australisë.

Është e kuptueshme vështirësia që lind në angazhimin e strukturuar të bashkësive të ndryshme në kohë dhe në shkaqe. Ndaj dhe qeveria jonë ka përqafuar një qasje të re me synim krijimin e kushteve optimale për një partneritet të vërtetë për zhvillimin e vendit dhe të vetë diasporës.

Në detyrën time kam takuar me mijëra shqiptarë që banojnë në vende të ndryshme të botës. Emëruesi i përbashkët i të gjitha bisedave me to mund të përshkruhet më së miri nëpërmjet fjalëve të Faik Konicës: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”.

Zonja dhe Zotërinj,

Kjo është hera e parë në historinë moderne të shtetit shqiptar, që takohemi në këtë format. Nëpërmjet përfaqësuesve të rreth 100 shoqatave, nga më shumë se 40 shtete të botës, ju përfaqësoni sot zërin e rreth 1,5 milion shqiptarëve.

Ne dëshirojmë të krijojmë një model të ri angazhimi për të garantuar realizimin dhe qëndrueshmërinë e lidhjeve të Shqipërisë me diasporën. Gjithashtu, kemi identifikuar projekte të qarta për të mundësuar që komunitetet shqiptare në botë, të bëhen fuqia e butë e ndryshimit në vendin tonë.

Sa më e fortë Shqipëria dhe sa më e fortë diaspora, aq me i fortë rrezatimi ynë i përbashkët. Rrëfenja e shqiptarëve brenda dhe jashtë duhet të jetë e përbashkët. Ndryshe rrezikojmë thellimin e hendekut mes nesh. Ngushtimi i këtij hendeku në pritshmëri dhe objektiva do të sheshojë edhe paragjykimet që mund të kemi ndaj njëri-tjetrit.

Puna e strukturuar me diasporën është proces i vështirë, por ne nuk jemi vetëm. Vitin e kaluar filluam një projekt me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për hartëzimin e komuniteteve Shqiptare në botë dhe për të kuptuar më mirë nevojat e tyre.

Produkt i kësaj pune intensive - “Politika për Angazhimin e Komuniteteve Shqiptare Jashtë Vendit” – është një dokument orientues për të ardhmen e lidhjeve ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës.            

Ka ardhur koha për të ndërtuar një partneritet që do të mbështetet mbi:

  • Aftësimin e strukturave të shtetit për t’iu përgjigjur nevojave të diasporës së shekullit 21, përfshirë këtu shërbimet konsullore;
  • Fuqizimin e kapitalit njerëzor në mëmëdhe përmes diasporës;
  • Zhvillimin e elementëve që ruajnë gjuhën dhe identitetin tonë kulturor;
  • Aftësimin e diasporës për t’u bërë plotësisht aktore e përfaqësimit dinjitoz të vendit;
  • Përfshirjen e diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë. 

 

Natyrisht, jemi të ndërgjegjshëm se ndërtimi i një partneriteti të qëndrueshëm nuk bëhet as me vendim dhe as me një mbledhje. Partneriteti duhet të jetë një proces i natyrshëm që i kalon caqet e burokracisë dhe bazohet mbi solidaritetin njerëzor. Është proces organik, i njeriut që ndihmon njeriun e vet.

Një marrëdhënie deri tani njëkahshe, ku shteti vetëm priste nga Diaspora ose Diaspora vetëm priste nga shteti, duhet shndërruar në një ndërveprim të dyanshëm.  

Dëshira për të dhënë kontributin tuaj në ndërtimin e themeleve për një të ardhme më të mirë dhe vullneti ynë për t’ju krijuar kushtet optimale për dhënien e këtij kontributi, përbën thelbin e Samitit që po nis punimet sot.

Ndaj, duke përfunduar dëshiroj të falenderoj në veçanti Kryeministrin Rama, mbështetja dhe vizioni i të cilit ishin thelbësore për fillimin e këtij projekti mbarëshqiptar.

Punime të mbara dhe falemnderit për praninë tuaj këtu!