Postuar më: 20 Dhjetor 2016

Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve në Prishtinë

I dashur Enver,

Të  nderuar kolegë ,

Gjatë viteve të qëndrimit në detyrë e bashkëpunimit institucional me ju, jam përpjekur të nxjerr mësime e të mbaj shënime. Pasi trupa e re diplomatike e Kosovës anembanë botës bën një punë  të  lavdërueshme. Në rast se do të ishim në një ambient pak më të ngushtë, më familjar e pa kamera, do të  kishim mundësi për të treguar se si disa prej fqinjëve tanë janë xhelozë me të drejtë për një pjesë prej diplomatëve të Kosovës, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer, çka tregohet në  fakt edhe në numrin rekord të njohjeve, në  një botë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë jo vetëm për ne.

E filluam sot këtë aktivitet, duke mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Ankara, në Zyrih dhe Berlin, që në fakt nuk janë gjë tjetër veç se një përsëritje e dhimbshme e gjithë asaj që ndodhi në këtë vit që ne po lemë pas.

Pa mëdyshje mund ta quaja si viti i rritjes së mosbesimit, të pasigurisë dhe të paparishikueshmërisë. Është viti gjatë të cilit u vu në  pikëpyetje modeli i bashkëpunimit ekonomik liberal, por edhe arkitekturat e ndryshme të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit ndërkombëtar. Sfidat ndaj sigurisë në tërësinë e hapësirës euroatlantike padyshim që janë shtuar. Ndërkohë në shumë zona duket se demokracia nuk ka detyrimisht një të ardhme të sigurt, sidomos në disa vende të rajonit tonë ku proceset demokratizuese tanimë janë ngrirë. Këto janë qartësisht shenjat e një Europe që vuan dhe një bote gjithnjë e më zero-polare.

Por a duhet që kjo situatë të na detyrojë të bëjmë kompromise me vlerat dhe objektivat tona?

Për mendimin tim, kurrsesi!

Askush nuk na e kërkon në fakt një gjë të tillë. Përcaktueshmëria perëndimore e shqiptarëve është diçka e qëndrueshme. Por, drejtuesit e fuqive të mëdha, i shtrojnë vetes një pyetje thelbësore: Çfarë fiton sot vendi im nga një situatë e caktuar ndërkombëtare?

Kjo mund të duket një pyetje oportuniste, pragmatike ose realiste. Në të gjitha rrethanat, një pyetje e tillë nuk mund të anashkalohet, as nga Shqipëria e as nga Kosova.

Në këtë kontekst, disa prej pyetjeve që duhet t’i bëjnë vetes dy shtetet shqiptare në këtë kënd të Europës janë:

•      Si të përforcojmë rendin rajonal?

•     Si të bëjmë të mundur që pasiguria kolektive mos të pengojë mbarëvajtjen e proceseve tona të  integrimit europian?

•    Si të bëhemi aktorë të pazëvendësueshëm të prosperitetit demokratik të rajonit dhe përshpejtimit të rrugëtimit euro-atlantik?

•      Çfarë fitojmë apo humbasim nga një situatë e caktuar ndërkombëtare?

Ne nuk e konceptojmë  sigurinë si diçka të dhënë. Zhvillimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në rajon kërkon natyrshëm më shumë siguri dhe shikueshmëri më të madhe.

Gjatë vitit 2016, angazhimi i Shqipërisë në fushën e sigurisë është rritur në një sërë drejtimesh. Kemi shtuar kontingjentin tonë në Afganistan. Shqipëria do të jetë pjesë e një batalioni shumëkombësh drejtuar nga Kanadaja, i cili do të dislokohet në Letoni në kuadër të angazhimeve për sigurinë e kufijve të aleancës, por edhe jashtë saj. Paralelisht, vendi ynë do të shtojë ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm edhe pjesëmarrjen e tij në misionin e NATO-s, KFOR.

Në janar të 2017-ës, në presim të materializojmë edhe dërgimin e një kontingjenti ushtarësh shqiptarë në Irak, në kuadër të misionit stërvitor të aleancës. Kemi iniciuar për herë të parë pjesëmarrjen në operacionin e detit Egje. Kemi intensifikuar luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit ndërkombëtar. Ndërsa presim që vitin e ardhshëm të vëmë në funksion në Tiranë një qendër të ekselencës së NATO-s për të trajtuar fenomenin e luftëtarëve te huaj. 

Pra, çdo masë që redukton zonat gri të sigurisë përreth nesh apo rolin e aktorëve të tretë, e konsiderojmë  si një investim të  rëndësishëm për të adresuar brishtësinë që vjen si rrjedhim i proceseve të  ngrira demokratike apo të shtet-ndërtimit sikundër mungesën e përcaktueshmërisë euro-atlantike, që ende ndihet në pjesë të rajonit. 

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, të cilin Shqipëria e ka mbështetur pa rezervë në kuadër të politikës së dyerve të hapura të aleancës, do të zgjerojë më tej hapësirën e sigurisë dhe të promovojë paqe dhe stabilitet në rajon. Pikërisht, këtë dimension kemi parasysh kur theksojmë nevojën e institucionalizimit të marrëdhënieve të aleancës me Kosovën dhe zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Varshavës. Ashtu siç ishte lënë në detyrë në këtë Samit, Ministeriali i dhjetorit i NATO-s prodhoi një dokument të strukturimit dhe thellimit të bashkëpunimit të NATO-s me Kosovën, duke treguar rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor dhe Kosova në projektimin e sigurisë brenda hapësirës Euro-Atlantike. 

Ky moment pozitiv ka krijuar planet për vendosjen e dialogut, bashkëpunimin praktik me Kosovën, vizita më të shpeshta të Këshillit të Atlantikut të Veriut, përfshirjen e Kosovës në programet e edukimit për të rritur kapacitetet institucionale të vendit.

Pjesëmarrja e FSK-se në ushtrimet e KFOR-it, do të kontribuojë ndjeshëm aspiratat dhe vendosmërinë e Kosovës për të garantuar siguri dhe stabilitet për qytetaret e saj dhe për rajonin ne tërësi. Ky thellimi i bashkëpunimit u vlerësua me tej gjatë Ministerialit të Kartës së Adriatikut në Zagreb. Vetëm disa ditë më parë u dakordësuam që kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në NATO, të zgjidhet brenda një afati kohor një vjeçar

Sot jemi të gjithë dëshmitarë se Kosova ka shënuar disa arritje. 

Unë e çmoj kontributin tuaj për afrimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vlerë soj gjithashtu punën tuaj dhe në ato dyer që keni hapur për Shqipërinë. Dëshiroj të bëj një falënderim të posaçëm për Skënder Xhakaliun, i cili ka hapur në  Berlin shumë  dyer edhe për Shqipërinë. Ky është një nga ato rastet ku një shtet më i ri (Kosova) ndihmon një shtet më të konsoliduar (Shqipëria).

Dua të konfirmoj këtu se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet në krahun tuaj në përpjekjet legjitime për njohje të mëtejshme dhe avancimin me anëtarësimin në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.

Ky angazhim përbën për ne një konstante të pandryshueshme. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit, u zhvillua me sukses para pak ditësh takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit. Në gjithë këtë proces, Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen vëllazërore, të gjithanshme dhe të pakursyer të Shqipërisë, që nga liberalizimi i vizave e deri tek marrëdhënia e institucionalizuar me NATO-n. 

Mbështetja që Shqipëria i jep në përmbushjen e aspiratave euro–atlantike të Kosovës, përbën në fakt një prej shtyllave të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, i cili është veçse artikulim i interesave tona të përbashkëta. Me këtë synim ne kemi hedhur bazat solide për një bashkëpunim të mirëstrukturuar që ka marrë një hov cilësor në kuadër të takimeve të përvitshme qeveritare.

Janë evidentuar shumë fusha në të cilat dy vendet tona janë komplementare si për shembull, energjia, turizmi, bujqësia. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishme për heqjen e barrierave në shkëmbimet tregtare, shtimin e pikave të kalimit kufitar në mënyrë që të nxiten marrëdhëniet në të gjitha fushat. Bashkëpunimi i strukturuar po jep frutet e para, gjë që reflektohet edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare vitet e fundit. Së shpejti pritet vënia në funksion e një pike doganore të Kosovës në portin e Durrësit që do të krijojë lehtësira të mëtejshme në qarkullimin e mallrave.

Shqipëria dhe Kosova gjatë tre viteve të fundit, kanë intensifikuar bashkëpunimin në shërbimet konsullore me zyrat e përbashkëta në Milano, Mynih e Bari. Kjo rrit ndjeshëm efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve ndaj shtetasve tanë. Me këtë synim, po merr formë konkrete edhe formimi  i qendrave të përbashkëta kulturore shqiptare në Diasporë si dhe angazhimi i qeverisë së Kosovës, i Presidentit Thaçi për organizimin e Samitit të Diasporës në vitin 2017 në Kosovë.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Partneriteti ynë strategjik i shërben dhe shndërrimit të rajonit tonë nga një hapësirë e fragmentarizuar dhe e pabarabartë, në një rajon të vërtetë nga pikëpamja ekonomike dhe politike. Roli ynë aktiv në Procesin e Berlinit ku ndërlidhja, lëvizshmëria ose mobiliteti siç i themi ne, vjen si nevojë parësore e qytetarëve tanë.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal. Por nuk mund të jemi naivë dhe të pretendojmë  se Procesi i Berlinit ka arritur të shkrijë proceset e ngrira demokratizuese dhe shtet-ndërtuese në rajonin tonë. 

Ne jemi të bindur se koha që ne jetojmë nga e ardhmja shkon drejt ndërlidhshmërisë. Njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është me rëndësi për stabilitetin dhe për integrimin europian të dy shteteve. 

Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

Rreziku i ngrirjes së proceseve demokratizuese nuk ndihet askund më shumë sesa në Maqedoninë fqinjë. Vota shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni duhet lexuar edhe si mesazh ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, që të tregohemi të hapur ndaj ndryshimit të mentalitetit të ri të shqiptarëve përtej ndasive etnike.

Konteksti më i gjerë rajonal kërkon që Shqipëria dhe Kosova të mbështesin çdo përpjekje që do ta sillte qeverinë e re në Maqedoni më pranë interesave shqiptare të Maqedonisë, më pranë perëndimit, më pranë stabilitetit demokratik, më pranë fqinjësisë së mirë. Ndaj, ne kemi kërkuar nga partitë shqiptare politike në Maqedoni, dakordësimin e një liste çështjesh me interes të veçantë kombëtarë, në përputhje me marrëveshjen e pa përmbushur të Ohrit dhe me Kushtetutën e Maqedonisë.

Kjo na jep shpresë se shqiptarët mund të bëhen realisht faktor stabiliteti dhe promotorë  të  rrugëtimit euro-atlantik të rajonit.

 

Të nderuar miq,

Duke përfunduar dëshiroj të ndaj me ju disa fjalë të Henry Kissinger të cilat në fakt tingëllojnë si kambanë alarmi por edhe si kambanë shprese. Fjalë  të  cilat pata rastin t’i ndaj para pak ditësh me trupin diplomatik të akredituar në  Tiranë. Po i lexoj për lehtësi në anglisht: “We have to have faith in ourselves. That is an absolute requirement. We can't reduce policy to a series of purely tactical decisions. The fundamental strategic question is: What is it that we will not permit, no matter how it happens, no matter how legitimate it looks?”.

Faleminderit!