Postuar më: 09 Janar 2017

Intervista e Ministrit Bushati në Edicionin Informativ të Top Channel

Intervista e Ministrit Ditmir Bushati në Top Channel

9 janar 2017

 

Ministri Ditmir Bushati: Në këndvështrimin tonë partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni kanë rënë dakord për të mbështetur njëra tjetrën përsa i përket zbatimit të këtyre çështjeve apo mënyrën se si do të zbatohen këto çështje, por nuk kanë rënë dakord dhe është krejt e natyrshme për t’u bërë bashkë në një parti.

Thimi SamarxhiuDitmir Bushati thotë se Shqipëria nuk ka ndërhyrë aspak në punët e brendshme të shtetit fqinjë dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë interes për koalicionet.

Ministri Ditmir Bushati: Shqipëria është neutrale për sa i përket se si mund të formësohen koalicionet në Maqedoni. Është një përgjegjësi totalisht e partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë. Për ne rëndësi ka mbështetja e kësaj platforme, e cila vjen si produkt i partive parlamentare shqiptare në Maqedoni.

Thimi Samarxhiu: Ministri Bushati shton se Tirana do të vijojë të mbështesë çdo proces që siguron demokracinë dhe stabilitetin në Maqedoni.

Ministri Ditmir Bushati: Barazia, Liria dhe Demokracia, si 3 elementë themelorë të Marrëveshjes së Ohrit, nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, çka të lë një përshtypje apo një shije të hidhur, që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonët dhe shqiptarët të cilët pak komunikojmë me njëri-tjetrin.

Besoj se ky është momenti i artë për faktorin politik shqiptar për t’u bërë së bashku dhe për të avancuar këto çështje.

Thimi Samarxhiu: Kreu i diplomacisë shqiptare është ndalur dhe tek arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, duke e cilësuar atë një akt të papranueshëm, dhe duke shtuar se pas 6 vitesh dialog Kosovë-Serbi ka ardhur koha për të bërë një rivlerësim të angazhimeve. Por çfarë do të thotë kjo:

Ministri Ditmir Bushati: Kemi nevojë për një Bashkim Europian të zëshëm dhe aktiv për të parandaluar veprime të ngjashme, sepse nuk mund të pretendohet që të kemi një dialog të vërtetë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kur rinovohen apo dalin nga sirtari mandate arresti, të cilët synojnë të provokojnë situata destabiliteti në Kosovë, në shpërfillje të plotë edhe të verdikteve të drejtësisë ndërkombëtare.