Postuar më: 26 Nëntor 2016

Intervista e Ministrit Bushati për MAPO Weekend

Intervista e Ministrit Bushati për MAPO Weekend

Intervistoi: Arion Sulo

26 nëntor 2016

 

Çfarë presim në Dhjetor? Çdo të thotë të përgatitesh për tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE? Rajoni ynë, BE, dhe roli i SHBA me Presidentin e sapo zgjedhur. Ecuria e marrëdhenieve me Greqinë në funksion të ndërtimit të një të ardhme të përbashkët europiane. Çka na pret në zgjedhjet parlamentare të 2017? Të gjitha këto në intervisten time me gazetarin Arion Sulo në MAPO WEEKEND

Ministri i Jashtëm relativizon “veton” e Krichbaum me pritshmërinë se kancelarja Merkel do të japë mbështetjen për Shqipërinë në takimin me Ramën në Berlin, ndërsa pohon se qeveria synon hapjen e një shtegu të ri, por jo të negociatave në dhjetor. Kursi i diplomacisë shqiptare pas ngjitjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë, përgjigja për tensionimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe e ardhmja e koalicionit me LSI

Intervistoi: Arion Sulo

Ka ende një shteg të ngushtë, ku Ditmir Bushati beson se mund të kalojë hapja e bisedimeve me BE në mesin e dhjetorit, gjatë takimit të kryeministrave të BE, ndërsa qëndrimin e deputetit të CDU-së, Gunther Krichbaum, i cili zbehu pritshmëritë brenda vendit e sheh si jopërfundimtar dhe jozyrtar. “Grupet politike kanë qëndrime tradicionalisht më të ashpra seç mund të jenë në fund qëndrimet zyrtare të parlamentit apo qëndrime që më vonë negociohen mes parlamentit dhe qeverisë për një vendim final ” -gjykon ai, ndërkohë që pret mbështetje nga Merkel të hënën dhe të njëjtën gjë nga Këshilli i Ministrave të BE në dhjetor.

Nga ana tjetër, në godinën e Ministrisë së Jashtme, (por jo vetëm), janë “sy e veshë” për “konturimin e ekipit të ri të presidentit të sapozgjedhur në SHBA, personave kyçë dhe mënyrën se si presidenti i ri do të zbatojë politikat, të cilat do të kenë impakt në mbarë botën”, siç shprehet Bushati. Një tërheqje e SHBA-ve apo mungesë vëmendjeje për Ballkanin Perëndimor “do të kishte pasoja negative për kursin e demokratizimit dhe kursin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me familjen Atlantike”.

Parashikimi i tij është se “lutja e Ramës që amerikanët të mos votonin Trump” nuk do të ndikojë mes dy vendeve dhe nuk do të ketë ndryshime. “… Për faktin se deklaratat e kryeministrit nuk kanë qenë të lidhura fare me raportet dypalëshe, por me disa vlera apo parime që në momente të caktuara dukeshin sikur viheshin në pikëpyetje gjatë retorikës së nxehtë gjatë fushatës presidenciale në Amerikë”.

Më diplomatik se Rama në raport me Greqinë, Bushati gjykon se marrëdhëniet kanë ardhur në këtë moment delikat për faj të qeverive të kaluara, që problematikën dypalëshe për fat të keq disa herë e reduktonin në vendime taktike. Ndërsa për destinacionin e marrëdhënieve me fqinjin jugor që shumëkush e pyet, por pak e dinë, ka përcaktuar si pikë referimi reciprocitetin dhe të drejtën ndërkombëtare.

Z.Bushati, të enjten shpresat për të hapur negociatat me BE morën një goditje të fortë pasi grupi parlamentar CDU/CSU tha se do t’i rekomandojë kancelares Merkel të mos miratojë avancimin e Shqipërisë, çka paralajmëron refuzimin e dosjes së bisedimeve edhe për këtë vit…

Së pari, ne duhet të fokusohemi te mbështetja që duhet t’i japë Këshilli Europian – pra vendet anëtare – përqasjes që ka zgjedhur Komisioni Europian për të propozuar rekomandimin për nisjen e bisedimeve, me mirëkuptimin se ligji i Vettingut do të zbatohet dhe nuk do të qëndrojë pezull. Sepse një mbështetje nga ana e vendeve anëtare për këtë përqasje të Komisionit Europian do të hapte një tjetër shteg në procesin tonë të afrimit me Bashkimin Europian. Sa i përket qëndrimit të përfaqësuesit të grupit parlamentar CDU-CSU me një listë kërkesash, besoj, siç e tha edhe ai vetë, është një qëndrim i grupit parlamentar ku ai militon dhe nuk është një qëndrim i Bundestagut gjerman. Gjithsesi, kjo është një çështje që ka lidhje sipas edhe vetë referimit të tij, me procesin e bisedimeve për kapitujt e veçantë për anëtarësim në BE. Prandaj janë dy faza që është mirë të ndahen nga njëra-tjetra. Them që duhet të fokusohemi gjithashtu te aspekti zyrtar i këtij procesi sepse para pak ditësh unë kam marrë një letër mbështetëse nga homologia e z. Krichbaum në Asamblenë Nacionale të Francës, ku i kërkonte qeverisë franceze të mbështeste opsionin e fillimit të bisedimit për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Prandaj them që ne po punojmë me vendet anëtare dhe në fund të ditës do të jenë vendet anëtare që do të marrin vendimin e tyre në mesin e dhjetorit.

Ju lini ende një mundësi që mbështetet te pjesa zyrtare, te vendimi i Këshillit të Ministrave të BE në mes të dhjetorit, por z. Krichbaum foli në emër të shumicës së Bundestagut dhe si i tillë fuqia e tij vendimmarrëse duket se lë zero shanse pozitive…

Ne, në dhjetor, presim një mbështetje nga ana e Këshillit për rekomandimin e Komisionit Europian, por deri në dhjetor jemi koshientë që nuk do ta kemi konsideruar të zbatuar ligjin për Vettingun. Ne e kemi konsideruar dhjetorin, si një mundësi ku Këshilli mbështet përqasjen e Komisionit Europian për procesin dhe për mënyrën se si duhet të vijojë Shqipëria me zbatimin e reformave. Ndërkohë ato çka kërkoi sot përfaqësuesi i CDU-CSU në Bundestagun gjerman, janë çështje të cilat konsiderohen të lidhura me hapjen e kapitujve. Këto janë dy procese jo të njëjta dhe duhet bërë i qartë ky dallim. Nga ana tjetër, thashë që ne po fokusohemi te qëndrimi zyrtar i të gjitha shteteve, sepse në rast se do i referohesha letrës që kam marrë nga kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane të Parlamentit të Francës dhe po ta merrja të mirëqenë se ky do të ishte qëndrimi i Francës do të duhej që sot të deklaroja se Franca është pro fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Gjithsesi, qëndrimi i CDU/CSU ishte aq i ashpër sa linte pak hapësirë për korrektime në të ardhmen e afërt përkundër pritshmërisë së krijuar se bisedimet për anëtarësimin do hapeshin këtë vit…?

Përgjithësisht grupet politike kanë qëndrime tradicionalisht më të ashpra seç mund të jenë në fund qëndrimet zyrtare të vetë parlamentit apo qëndrime që më vonë fillojnë e negociohen ndërmjet parlamentit dhe qeverisë për të pasur një vendim final.

Deklarata e z. Krichbaum nuk njihte asnjë përparim të vendit në 7 çështje, duke nisur nga vettingu, deri te zgjedhjet… Si e shpjegoni ndryshimin me raportin e Komisionit Europian?

Është një pyetje që zotëria, të cilit i referoheni, mund ta zgjidhë me Komisionin Europian. Ajo çka unë mund të them, duke u bazuar në vlerësimin e Komisionit Europian, është se Shqipëria ka progres në të 90 fushat që mbulon raporti i Komisionit Europian. Për shembull në reformën në Administratën Publike progresi është në terma të qëndrueshëm dhe është vlerësuar i tillë edhe vjet, edhe parvjet… Pra ka për herë të parë një konsistencë në progresin e Shqipërisë. Po kështu edhe reformat në fushën e sundimit të së drejtës, me theks te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht që kjo është një punë në progres dhe natyrisht që edhe në momentin kur Shqipëria të hapë bisedimet për anëtarësim në BE këto çështje do ta bashkëshoqërojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, siç është demonstruar në fakt edhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi apo edhe vendeve të tjera.

Ka interpretime se situata e brendshme para elektorale në Gjermani ka ndikimin e vet në këtë qëndrim…

I bie të jetë kështu… I bie që unë mund të interpretoj mbi interpretimet e dikujt mbi atë çka ka lexuar në raportin e Komisionit Europian…

Atëherë çfarë mbetet të prodhojë takimi i së hënës mes Ramës dhe Merkelit?

Natyrisht që takimi në vetvete është një sinjal pozitiv, sepse është takimi i tretë bilateral që bën kryeministri Rama me kancelaren Merkel dhe ne presim që nga ky takim të marrim një mbështetje për rrugën europiane të Shqipërisë dhe natyrisht të koordinojmë se cilat mund të ishin disa prej hapave përgatitorë, që do të ndihmonin Shqipërinë përpara se të fillonte procesin e bisedimeve për anëtarësim.

Duke kaluar te fitorja e Trump, por duke mbetur edhe te integrimi ynë në BE. A mund të kthehet fitorja e Trump në SHBA katalizator për zgjerimin e BE, si një kthesë përkundër “lodhjes nga zgjerimi”, apo një përgjigje përballë izolimit eventual të SHBA dhe zgjerimit të ndikimit të Rusisë në rajon?

Natyrisht, pjesë e deklarimeve të presidentit të zgjedhur Trump ka qenë edhe një raport i ri me Europën, kryesisht sa i përket politikës së mbrojtës duke kërkuar që vendet europiane, anëtarë të Aleancës të kujdesen më shumë për veten dhe të rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes sikundër pjesë e deklarimeve të tij publike ka qenë një qasje e re me Rusinë dhe një raport tjetër ndryshe nga ai i administratës Obama, por edhe nga administratat e udhëhequra nga Republikanët. Europa është në një kontekst të ri, jo vetëm kriza e Eurozonës, pasojat e së cilës ende i vuajnë në jugun e Europës, kriza e refugjatëve, Brexit-i, dhe tani një raport i ri ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, duke pasur përballë edhe Rusinë, shpresoj që ta vendosë në një pozitë më strategjike BE-në në raport me territorin gjeografik të tijin, siç është Ballkani Perëndimor apo Europa Adriatike, në mënyrë që procesi i ndërveprimit BE-vende të Ballkanit Perëndimor të mos jetë i përqendruar në çështje që kanë të bëjnë vetëm me sigurinë apo me menaxhimin e krizave, por edhe të shoqërohet me një rrëfenjë pozitive që ka në thelb zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit tonë. Sepse është e vërtetë që sot për sot, Europa vazhdon të ketë hendeqe mes Jugut dhe Veriut të saj, Perëndimit dhe Lindjes. Por, për fat të keq, është po kaq e vërtetë se hendeku mes vendeve që janë anëtarësuar në 2004-ën dhe 2007-ën dhe vendeve tona që janë ende në proces zgjerimi vijon të rritet dhe nuk zvogëlohet si pasojë e instrumenteve financiarë që BE-ja kishte dhe ka në dispozicion të vendeve që u anëtarësuan në 2004-ën dhe 2007-ën.

Sot, që president i SHBA-së është Trump, a do të kishit dashur që kryeministri Rama të mos ishte lutur për moszgjedhjen e tij, gjë që besoj është mbajtur shënim nga stafi i presidentit të ri?

Ne sot jetojmë në një botë krejt të ndërvarur. Natyrisht në të shkuarën jemi mësuar me deklarata njëkahshme, përgjithësisht deklarata që bëhen nga të huaj të niveleve të ndryshme në hierarki, përkundrejt zhvillimeve në Shqipëri-siç ishte edhe deklarata që ju iu referuat në fillim të bisedës sonë të përfaqësuesit të CDU-së. Por sa iu përket zgjedhjeve në Amerikë, mund të them se këto zgjedhje kësaj radhe u shoqëruan me një interes edhe me të madh se në të shkuarën për shkak të tematikave dhe qëndrimeve të kithëta të vinin nga krahë të ndryshëm të politikës amerikane dhe shumë liderë në Europë por jo vetëm, ia lejuan vetes të bëjnë komentet e tyre për disa prej temave që ishin disi të nxehta gjatë fushatës amerikane dhe unë për vete kështu i kam lexuar deklarimet e Kryeministrit Rama.

Kryeministri në atë kohë tha se “Trump është një kërcënim për amerikanët dhe një kërcënim i madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. Sot, gjuha ka ndryshuar, por sa real është shqetësimi se efektet e zgjedhjes së presidentit të ri mund të ndryshojnë raportet mes dy vendeve?

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve janë marrëdhënie të partneritetit strategjik që shkojnë përtej bashkëpunimit në nivel zyrtar. Për ne SHBA-të janë partnerë të pazëvendësueshëm për stabilitetin demokratik, por edhe prosperitetin e rajonit, edhe për integrimin në familjen Euroatlantike. Natyrisht që fushata elektorale në Amerikë ishte disi e veçantë, me një retorikë të paprecedentë dhe me disa qëndrime të cilat dëgjoheshin për herë të parë nga kandidatë për presidentë të ShBA-ve, qëndrime që kishin të bënin me një raport të ri me Europën, Rusinë, Azinë, apo edhe qëndrime deri diku kontraversale edhe për tema të nxehta ku familja Euroatlantike ka qenë shumë e investuar, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Tani nuk jemi më në fazën e gjykimit të deklaratave e kandidatëve për presidentë, por jemi në fazën e pritjes, konturimit të ekipit ë ri të presidentit të sapozgjedhur, personave kyçë dhe mënyrën se si presidenti i ri do të zbatojë politikat, të cilat natyrisht do të kenë impakt në mbarë botën për vetë peshën që kanë SHBA-të.

Dakord, por në vend ka një sensibilitet për shkak të qëndrimit të kryeministrit dhe në variantin pesimist ndryshimet mund t’i përkeqësojnë marrëdhëniet?

Nuk mendoj se mund të ketë ndryshime edhe për faktin se deklaratat e kryeministrit Rama nuk kanë qenë të lidhura fare me raportet dypalëshe apo me këto konsiderata që unë sapo përmenda, por me disa vlera apo parime që në momente të caktuara dukeshin sikur viheshin në pikëpyetje edhe gjatë retorikës së nxehtë që ne të gjithë pamë gjatë fushatës presidenciale në Amerikë.

Çfarë mendoni rreth shqetësimit se Shqipëria dhe Kosova si vendet më pro amerikane në rajon tani do ta kenë më të vështirë përballë aleancës historike të Serbisë dhe Rusisë në rast të ‘heqjes së vështrimit” të SHBA nga Ballkani?

Paqja dhe stabiliteti aktual në Ballkanin Perëndimor është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, e kombinuar kjo me rolin dhe instrumentet që ka ofruar BE-ja për vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst një tërheqje e SHBA-ve apo mungesë vëmendjeje për Ballkanin Perëndimor, Europën Juglindore, Europën Adriatike – në cilido prej këtyre termave, rajoneve apo subrajoneve të ndalemi – do të kishte pasoja negative për kursin e demokratizimit dhe kursin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me familjen Atlantike. Nga ana tjetër, nuk do të doja të bënim një ndarje mbi të ashtuquajturat aleanca që mund të lindin në rajon. Pse e them këtë? Po t’i kthehemi pas historisë, ishte vendosmëria dhe vizioni i presidenti Ëilson, që garantoi në një farë mënyre kufijtë e Shqipërisë shtet, apo bekoi shtetin e parë shqiptar në rajon. Më pas dihet kontributi i administratës Bush I, për shembjen e perandorisë komuniste, përfshirë në Shqipëri, është i paharruar kontributi i Klinton-it dhe administratës Klinton, jo vetëm në procesin e asistencës demokratike gjatë viteve të para të tranzicionit për Shqipërinë, por edhe momenti i çlirimit të Kosovës apo ndalimi i gjenocidit serb në Kosovë. Po kështu me presidencën Bush dhe administratën Bush ka patur zhvillime pozitive me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e më pas me shpalljen e Kosovës si një shtet i pavarur, pra lindjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan dhe natyrisht me presidentin Obama, me administratën e tij, Shqipëria për herë të parë e finalizoi partneritetin strategjik me një dokument të shkruar që detajon edhe drejtimet kryesore të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-ve. E bëra këtë historik telegrafik për të thënë edhe njëherë se këto marrëdhënie janë strategjike dhe besoj se përveç ndjenjave të dy popujve tanë ka edhe një doktrinë të çimentuar, e cila besoj nuk lë vend për luhatje dhe dyshime.

Tri vitet e fundit me Greqinë kanë qenë delikate dhe përfundimi mbetet i njëjtë; mosmarrëveshje për plagë të vjetra, ndërsa bie në sy se qeveria nuk e trajton Greqinë si partner strategjik. Personalisht jam dakord me qasjen e re për reciprocitet me grekët, por ama askush nuk mund të thotë se ku po shkojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre?

Pyetja që mban edhe një shqetësim në vetvete është e drejtë. Besoj se kemi lënë pas një traditë jo të shëndetshme të trajtimit të marrëdhënieve dhe problematikës dypalëshe me Greqinë, që për fat të keq disa herë reduktohej në vendime taktike të qeverive të shkuara në Shqipëri në raport me Greqinë. Kemi adaptuar një qasje të drejtë, të ndershme që vendos në tryezën e bisedimeve çështje të mbartura nga e kaluara, por që kanë një impakt të drejtpërdrejtë jo thjesht politik, por ligjor e psikologjik, duke sjellë edhe përfitime për qytetarët dhe në çështje të aktualitetit, adresimi i të cilave ndihmon shumë në një marrëdhënie më të shëndetshme në të ardhmen mes shqiptarëve dhe grekëve, si dy prej popujve më të lashtë në këtë kënd të Europës. Politika jonë besoj se është në përputhje me interesin e qytetarëve shqiptarë, nuk është një politikë që drejtohet kundër dikujt, sepse ne e kemi konsideruar dhe vijojmë ta konsiderojmë Greqinë një partner strategjik në rrafshin rajonal dhe duke instaluar një mekanizëm dialogu në nivelin e ministrave të Jashtëm, për të gjitha këto çështje, të cilat për herë të parë hapen me këtë intensitet dhe për herë të parë diskutohet edhe me këtë thellësi gjykimi. Vetvetiu janë çështje delikate dhe të vështira, sepse kanë ndryshuar regjime në të dyja vendet, kanë ndryshuar edhe qeveri dhe në fund jemi në këto kushte ku jemi sot, me një problematikë të pazgjidhur. Ku po shkojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë? Ka një pikë referimi që është e drejta ndërkombëtare, që janë vlerat dhe parimet më të mira europiane dhe ndërsjellësia është një prej komponentëve që udhëheq marrëdhëniet tona. Besoj se në disa raste Komisioni Europian ka folur për këtë qasje të re mes dy vendeve tona duke inkurajuar që mekanizmi i dialogut të vijojë sikundër ka bërë edhe vlerësime me parimësinë e politikës sonë të jashtme në rajon, për dinamizmin, konstruktivitetin, i cili është i aplikueshëm natyrisht edhe në rastin me Greqinë.

Dakord, por sot nëse politika e jashtme në raport me rajonin ka disa arritje, me Greqinë, marrëdhëniet janë në pikën më të ulët. Kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë vizitë në Athinë dhe po ashtu edhe homologu i tij në Shqipëri. E dyta, ka një opinion që thotë se diplomacia shqiptare po merr qasje nacionaliste për ta përdorur si politikë të brendshme, shto këtu dhe praninë e PDIU në qeveri…

Është e vërtetë që politika e jashtme i ka fillesat në shtëpi, siç thotë Kissinger me të drejtë, por më lejoni t’ju kujtoj që kjo përqasje me Greqinë është adaptuar nga ana jonë qysh në 2013–ën dhe listimi i problematikes së pa adresuar deri më tani me Greqinë është bërë për herë të parë nga ana jonë në takimin që kam pasur në Tiranë me homologun grek të asaj kohe, Venizellos, kohë kur PDIU – së cilës ju iu referuat – ishte në opozitë dhe koalicion me partinë demokratike. Besoj se gjatë kësaj periudhe dhe sidomos gjatë investimit që është bërë për disa çështje me Greqinë gjatë këtyre tri viteve, ka ardhur koha të themi që tani ato janë çështje të interesit shtetëror dhe nuk mund të identifikohen me një parti politike të caktuar, sepse shteti në analizë të fundit dhe sidomos politika e jashtme është një mekanizëm i ftohtë që duhet të marrë në konsideratë disa rrethana, duhet t’i përpunojë dhe më pas në mënyrë të kondensuar dhe të distiluar të ketë vendimmarrje dhe qëndrimin final. Dhe në të gjitha diskutimet që kemi pasur me palën greke jemi përpjekur në mënyrë racionale t’iu referohemi disa prej parimeve të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, që janë të aplikueshme si për Greqinë ashtu edhe për Shqipërinë, aq më tepër për dy vende që ulen në të njëjtën tryezë të NATO-s.

Z.Meta ka një qëndrim më të moderuar për çështjen çame. Ka kërkuar vetëpërmbajtje nga ana e PDIU-së, por duke lënë të nënkuptohet dhe për diplomacinë shqiptare. A e shihni komplementare diplomacinë parlamentare të tij apo është një rivalitet në koalicion?

Diplomacia Parlamentare është një komponent i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe besoj se qëndrimet e z. Meta në Greqi dhe Shqipëri për këtë çështje janë të sinkronizuara me qëndrimet që kam mbajtur unë si ministër i Punëve të Jashtme, sepse parlamenti shqiptar ka një rezolutë për këtë çështje. Mazhoranca dhe qeveria, që është një produkt pikë së pari, i koalicionit PS-LSI e ka të trupëzuar çështjen çame në programin e vet. Më pas mënyra sesi mund të artikulohet kjo çështje apo komponentë të caktuara të artikulimit të kësaj çështjeje, besoj se janë të një rëndësie të dorës së dytë. Por, diplomacia parlamentare gjithnjë e më tepër po merr rëndësi, sidomos në planin europian.

Duke kaluar kështu në çështjet e brendshme, pasi kjo ishte politikë e jashtme për politikë të brendshme, çfarë mendoni për të ardhmen e koalicionit me LSI në një moment që kjo e fundit nuk e ka vendosur ende se si do konkurrojë në 2017?

Koalicioni PS-LSI në radhë të parë është një koalicion i natyrshëm, sepse janë dy parti që kanë një profil ideologjik dhe promovojnë vlera pak a shumë të ngjashme. Së dyti, koalicionet nuk janë fort të lehta, as në demokraci më të konsoliduara apo demokraci perëndimore, bazohen në akomodimin e pikëpamjeve jo domosdoshmërisht të njëjta për çështje të ndryshme derisa arrijnë në një pikë të përbashkët që më pas formalizohet me vendime në Këshillin e Ministrave apo me ligje në Parlament. Mendoj se koalicioni ynë ka funksionuar mirë dhe gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë reforma, që mendoheshin edhe më të vështira për t’u marrë apo mund të thuhet deri diku edhe të paimagjinueshme. I referohem këtu reformës së energjisë, reformës së decentralizimit, reformës së drejtësisë… Pra, reforma të cilat shoqërohen përgjithësisht me zhvillime tektonike. Besoj se është krejt legjitime të punohet për një program apo mandat të dytë që do t’iu ofrohej qytetarëve si platformë për çka është bërë mirë dhe duhet të konsolidohet apo çka nuk është bërë dot dhe që mund të bëhet fare mirë gjatë mandatit të dytë qeverisës.

Afrimi i PDIU është një shenjë se në PS po bëheni gati edhe për variantin e daljes në zgjedhje pa LSI?

Mendoj se PS-ja do të vijojë të konsolidojë profilin e saj duke iu përgjigjur në radhë të parë elektoratit që e ka besuar dhe do të vijojë të jetë e hapur edhe për koalicione që mund të sjellin më shumë stabilitet dhe mund të prodhojnë reforma më të qenësishme në Shqipëri. Koalicionet stabile dhe reformat e qëndrueshme në Shqipëri besoj se janë të lidhura edhe me konsolidimin e forcës më të madhe në vend, që është Partia Socialiste.

A është e lidhur koniunktura e LSI me postin e presidentit dhe a është zoti Meta një kandidaturë e mundshme?

E para, kjo është një çështje që fillimisht besoj se do të trajtohet në tryezën e koalicionit e më pas do të transferohet në sallën e Parlamentit, siç e përcakton Kushtetuta. E dyta, ka një praktikë që është ndjekur edhe në vitet e kaluara, por jemi edhe në një kontekst të ri ku ndryshimet kushtetuese që u miratuan me konsensus në korrik të këtij viti, e kanë retushuar disi figurën e Presidentit të Republikës, sidomos në raport me rolin e rij përkundrejt pushtetit gjyqësor. E kam thënë edhe në raste të tjera që është ende herët për të folur për përshtatshmërinë e kandidatëve të ndryshëm apo për të folur për kandidatë në vetvete, sepse fillimisht do të duhet përmes këtij procesi të skicohet një profil e më pas nga profili të shkohet te emri dhe besoj se ky proces do të zhvillohet me mirëkuptim, fillimisht brenda mazhorancës.

A nuk i takon radha e propozimit të parë PS-së si partia më e madhe e koalicionit?

Ky është një modalitet që besoj se do të përcaktohet në tavolinën e kryetarëve të partive.

Ju do të jeni sërish me LSI nëse ajo nuk rimartohet djathtas, siç tha dhe kryeministri. E ndani mendimin se LSI po bën një ankand politik duke rritur pazarin sa majtas dhe djathtas?

Mendoj se koalicioni po funksionon normalisht dhe qeveria është në krye të detyrës, për të vijuar rrugën e reformave. LSI-ja është në koalicion me PS, PDIU dhe forca të tjera dhe jemi ende në kohë për të paraqitur para qytetarëve platformën apo propozimin e ri për 2017-ën.