Postuar më: 17 Nëntor 2016

Intervista e Ministrit Bushati për Top Channel mbi rekomandimin e Komisionit Europian për çejlen e ngociatave të anëtarësimit në BE, dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Zoti Bushati, çdo të bëjë qeveria shqiptare për të plotësuar kushtin që shoqëron rekomandimin e hapjes së negociatave: zbatimin e reformës në drejtësi? Dhe kur mendoni të kemi një datë?

Ky është një raport shumë pozitiv për Shqipërinë dhe vjen si fryt i reformave të thella shtet-konsoliduese që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve. Një raport që forcon trendin pozitiv të arritjeve të këtyre 3 viteve, sepse zakoni i keq shqiptar ka qenë se çdo qeveri shqiptare çdo vit të parë merrte raport pozitiv dhe pastaj ngecte për shkak të reformave që nuk i zbatonte dot. Ndërsa ky është viti i tretë që Shqipëria merr një raport pozitiv dhe në mbi 90 fusha që mbulon ky raport, progresi është i dukshëm. Vlerësohet fort progresi me reformën e sundimit të së drejtës në ekonomi dhe në atë në drejtësi. Do të kishim pasur një gjuhë më direkte dhe një qëndrim më të lehtësuar të Brukselit nëse opozita nuk do ishte bërë njësh me sindikatën e korruptuar në drejtësi dhe të bllokonte këtë reformë. E kam fjalën për ligjin e Vetting-ut, që shoqëron rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave. Besoj se ky është një vlerësim që mirëkuptohet totalisht nga qeveria shqiptare, një kusht që ia kemi vendosur vetes edhe sikur të mos kishte lidhje me integrimin dhe besoj se do të punojmë ngushtë në Parlament dhe me ekspertë ndërkombëtarë për t’a jetësuar reformën në drejtësi dhe për ta vendosur në një kontekst bashkëkohor që imponohet nga detyrimet që burojnë nga dy kapitujt e parë të negociatave me BE-në. Të hënën “Miqtë e Shqipërisë” do të mblidhen për të diskutuar për Shqipërinë, për rekomandimin e KE dhe për të projektuar rrugën e mëtejshme të Shqipërisë në këtë proces. Nuk do të jetë një rrugë e lehtë, por jemi të përgatitur për t’a çuar deri në fund. 

Donald Trump u zgjodh president i Amerikës. Çfarë mendoni se do të ndryshojë dhe në mënyrë të veçantë në raportet Tiranë-Uashington, pas deklaratës që ka bërë kryeministri Rama për Trump?

Kjo është një ngjarje e shënuar. Është zgjedhur Presidenti i SHBA dhe kryeministri Rama, unë dhe politikanë të tjerë i kemi shprehur përgëzimet për zgjedhjen dhe punën e tij të mëtejshme. Gjatë fushatës së pazakontë presidenciale në Amerikë ka patur tema të nxehta dhe debate të pazakonta për disa nga këto tema. Ato përkojnë me sfidat me të cilat po përballet NATO e në disa raste, lidhur me pikëpamjet e Trump janë shprehur liderë evropiane, si dhe kryeministri Rama, sepse këto janë sfida që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët Euro-Atlantike.  Shqipëria duhet të ndjejë përgjegjësinë e saj në përballjen e këtyre sfidave. Asgjë nuk do të ndryshojë në marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë, e tha ambasadori Lu, por partneriteti strategjik mes popullit shqiptar dhe atij amerikan i kalon kufijtë e raporteve që mund të vendosin qeveritë, sepse për popullin shqiptar, SHBA janë aleati kryesor dhe kanë një rol të pazëvendësueshëm për stabilitetin në këtë kënd të Evropës.