Postuar më: 09 Janar 2017

Intervista e Ministrit Ditmir Bushati për gazetën "Panorama" - Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës dhe minon dialogun me Serbinë

Intervista e Ministrit Ditmir Bushati për gazetën “Panorama”

09.01.2017

 

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e cilëson të padrejtë dhe të dënueshëm ndalimin nga gjykata franceze të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bushati shprehet se ky ndalim ka prekur palcën e shtetit të Kosovës dhe minon dialogun e saj me Serbinë. Duke vlerësuar unifikimin e qëndrimeve të partive shqiptare në Maqedoni, Bushati shprehet se platforma e tyre është një përpjekje novatore që shkon përtej programeve partiake dhe synon të trajtojë substancën. I pyetur për rrezikun e ndryshimit të politikës amerikane ndaj shqiptarëve në Ballkan, Ministri i Jashtëm shprehet se pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane, roli që SHBA do të luaj në rajon do të vijojë të mbetet thelbësor për demokratizimin e mëtejshëm të rajonit.  

Në zbatim të një urdhër arresti të Serbisë, drejtësia franceze ndaloi dhe la në burg kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Cili është qëllimi i Serbisë përmes këtij urdhër arresti kur dimë se Haradinaj ka marrë pafajësinë nga gjykata e Hagës?

Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, është i padrejtë, dhe i dënueshëm. Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministër, la detyrën për të shkuar në Hagë për t’u ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletë arresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës.

Si i komentoni kritikat e kryetarit të opozitës Basha në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Rama për çështjen Haradinaj?

Ndjeva keqardhje për partinë në emër të së cilës flet Basha. Nuk ishte as në nivelin e Berishës, i cili nuk ja lejoi vetes ta konsideronte çështjen Haradinaj si një çështje prej së cilës mund të nxirren përfitime politike.

Si i gjykoni deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e Haradinajt?

Deklaratat e tyre dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende mendojnë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me “teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë.  

A pritet që arrestimi i Haradinajt dhe qëndrimi i Serbisë të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi të mundësuar më mbështetjen e Bashkimit Europian?

Unë nuk mund të them se cilat do të jenë vendimet e Kosovës. Dialogu është një proces të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës. Duke besuar se është në të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve të saj me miqtë e partnerët, me Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të kënaqur Serbinë, por për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Pas gjashtë vite dialog, mendoj se ka ardhur koha për një “rivlerësim të angazhimeve”. BE-ja duhet të jetë së pari e zëshme dhe e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe veprime që minojnë procesin e normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre. Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike.   

Sa më shumë kalon koha po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të njëjtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës. Dialogu me Kosovën i ka hapur Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të bashkohet me qëndrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen.

Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e kontaktet.  

Ky qëndrim i Serbisë zyrtare duket sikur vërteton deklaratat e politikanëve kosovarë që çështjet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen nga takimet e kryeministrit Rama me kryeministrin Vuçiç.

Jean Jaurès, udhëheqësi socialist i fillim shekullit XX sugjeronte të dallojmë distancën mes “ideales” dhe “reales”. Veprimet e Serbisë janë larg ideales ndaj dhe qëndrimet tona janë realiste.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale, të mos ndërmarrë hapa destabilizuese kundër Kosovës dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

Nuk besoj se i ka shpëtuar ndokujt fakti që kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd pikërisht ato që ka thënë në Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Washington. Natyrisht që frutet e kësaj qasje angazhuese duan kohë të materializohen. Ndonëse kam dëgjuar e lexuar me vëmendje çdo kritikë në këtë drejtim, asnjë prej kritikëve nuk ka paraqitur deri tani një platformë alternative për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor.    

Duket se partitë shqiptare në Maqedoni janë unifikuar në një platformë të vetme. Çfarë roli luajti diplomacia e Tiranës për gjetjen e këtij kompromisi dhe mendoni se do të ketë një tjetër qëndrim të partive shqiptare që do të marrin pjesë në qeverisje?

Partitë parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e madhe, por edhe shansin që t’i japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe të ndikojnë që vendi të dalë nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e procesit të integrimit euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar aktorëve politike, të të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një kontratë të re për vendin.

Pikërisht këtë u kemi thënë aktorëve politikë shqiptarë: të tregohen në lartësinë e interesave afatgjatë të shqiptarëve të Maqedonisë, të marrin përgjegjësitë që u takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të tyre, të ngrihen mbi dasitë ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që shkon në të mirë të zgjedhjeve të tyre dhe Maqedonisë. 

Në këtë kontekst, ne mbështesim marrëveshjen e partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një platformë të qartë e koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne mbështesim gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm koordinimi e harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm.

Platforma thekson frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar për stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të avancuar drejt forcimit të Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumë-etnike. Kjo deklaratë është një diagnozë e atyre çështjeve që nuk kanë gjetur zgjidhje nga zbatimi i cunguar i Marrëveshjes së Ohrit. Platforma është një përpjekje novatore që shkon përtej programeve partiake dhe synon të trajtojë substancën. Sigurisht, lipset që partitë politike shqiptare të detajojnë instrumentet përmes të cilave objektivat e platformës do të zbatohen, si dhe afatet përkatëse.    

Është fare e qartë se përmes kësaj platforme, shqiptarët synojnë një Maqedoni më demokratike, më të fortë dhe më të integruar. Një Maqedoni ku barazia dhe dinjiteti janë koncepte kardinale. 

Është thënë që sekretari i Jashtëm i administratës Trump është pro rus e SHBA mund të largohet nga Ballkani. Mund të ketë ndryshime të politikës amerikane për faktorin shqiptar në Ballkan?

SHBA janë partner strategjik për Shqipërinë e shqiptarët dhe faktor i pazëvendësueshëm për stabilitetin demokratik dhe sigurinë e rajonit. Çdo etapë e shtetndërtimit e shtetkonsolidimit tonë lidhet pazgjidhshmërisht me kontributin e SHBA. Roli i tyre do të vijojë të mbetet thelbësor për demokratizmin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe rajonit tonë, pavarësisht ndryshimit të administratave.