Postuar më: 21 Shtator 2017

Intervistë e MEPJ Ditmir Bushati për Zërin e Amerikës në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 72-të të AP të Kombeve të Bashkuara

 

 

Intervistë e Ministrit Bushati për Zërin e Amerikës

22 shtator 2017

 

VOA: Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ditmir Bushati ndodhet në Nju Jork si pjesë e delegacionit të Shqipërisë që po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Z. Bushati e kemi tani në linjë të drejtpërdrejtë nga selia e OKB-së. Z. Bushati mirë se vini në programin e Zërit të Amerikës.

Ministri Bushati: Mirë se ju gjeta përshëndetje

VOA: Z. Bushati, ministria që ju drejtoni do të ketë tani dhe përgjegjësinë e ndjekjes së procesit të integrimit. Pas rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, kushtëzuar nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe në veçanti nga i ligjit për vlerësimin e gjyqtareve dhe prokurorëve pati një pritshmëri nga qeveria juaj se ndoshta një vendim në favor do mund të merrej brenda këtij viti. Ndërkohë që tani shpresat duket se janë shtyrë për në mars të vitit të ardhshëm. Çfarë po ndodh me këtë proces? Ju vet keni thënë se viti i ardhshëm do të jetë vendimtar pasi më pas vetë BE-ja nis procesin e rinovimit të institucioneve të saj

Ministri Bushati: Normalisht me qeverinë “Rama 2” kemi një ristrukturim dhe një evitim të mbivendosjes të disa prej proceseve të disa prej kompetencave çka do të thotë që Ministra për Evropën dhe Punët e Jashtme përveç aspektit të koordinimit politik do të kujdeset edhe për koordinimin teknik të këtij procesi. Ndërkohë që për sa i përket kalendarit të vendimmarrjeve të Bashkimit Evropian ne jemi duke punuar me shërbimet e Komisionit Evropian dhe me vendet kryesore të Bashkimit Evropian për të prodhuar rezultatet e para në lidhje me zbatimin e ligjit të Vettingut , rezultatet e para në zbatimin e reformës në drejtësi, sikundër, po punohet për të pasur rezultate edhe më solide në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe për të konsoliduar  ato arritje të cilat janë evidentuar nga raportet e Komisionit Evropian. Natyrisht që në mars do të ketë një takim le të themi të Bashkimit Evropian me të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit dhe vendet pjesë të procesit të zgjerimit do të njihen me raportet e Komisionit Evropian dhe ne synojmë që në harkun kohor të kësaj periudhe që nga tani e deri në qershor të vitit tjetër të kemi disa hapa konkret në këtë drejtim që do t’i krijonin mundësinë Bashkimit Evropian për të marr vendimin final për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë. Siç ju e thatë ka një rekomandim të shoqëruar me disa elemente që kanë lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi dhe ne po punojmë në këtë drejtim.

VOA: Z. Ministër, Greqia konsiderohet si një partner strategjik i Shqipërisë, megjithatë marrëdhëniet me të shoqërohen shpesh me tensione, siç ishte dhe rasti i fundit ku si Presidenti grek ashtu dhe Ministri i Jashtëm folën me tone të forta kritike pas diskutimit të planit urbanistik të Himarës. Gjatë takimeve me homologun tuaj grek është deklaruar se keni rënë dakord për të trajtuar problemet e trashëguara por duket se nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm përpara. Cilat janë pengesat?

Ministri Bushati: Në fakt gjatë katër viteve që shkuan janë bërë disa hapa që ne kemi preferuar ta konsiderojmë si politika e hapave të vegjël që do të rriste besimin ndërmjet palëve po të marrim parasysh stadin kritik në të cilin ishin marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos pas shfuqizimit të të ashtuquajturës “Marrëveshje e detit” nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe ngrirjes së kontakteve në planin politik dhe diplomatik. Janë bërë disa hapa konkrete përpara, si për sa i përket të ashtuquajturës “Marrëveshje për toponimet” apo çështje të tjera që kanë një ndjeshmëri për qytetarët tanë. Kemi shkëmbyer pikëpamje, kemi ngritur një mekanizëm për komunikimin në nivel zv. ministrash  ku të gjitha çështjet janë vendosur në tryezë, tanimë kemi arritur në një moment përcaktues ku së bashku me homologun Koxias do të ulemi me një ekip ekspertësh për t’i trajtuar në një gjykim edhe me politik për këto çështje, për t’u dhënë zgjidhje e më pas për tua propozuar dhe ky Kryeministrave të dy vendeve tona ato çështje të cilat meritojnë një zgjidhje, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën evropiane do t’i përçojmë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk është një proces i lehtë por mund t’ju them edhe nga dreka e djeshme me ministrin Koxias konstatoj që ka një disponibilitet edhe nga ana e Greqisë për t’u përfshirë në këtë proces.

VOA: A shihni ndonjë rrezik, a e shihni Greqinë si një vend që mund të kushtëzoj përparimin e vendit tuaj në marrëdhëniet me BE, nisur nga deklaratat e fundit të drejtuesve të lartë grek?

Ministri Bushati: Natyrisht nuk besoj se është në interesin dhe në dëshirën e Greqisë për të vendosur kushtëzime ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë, por nga ana tjetër siç u bë e qartë në prezantimin e programit të ri qeveritar nga ana e kryeministrit Rama, çka pasqyrohet edhe në pjesën e programit që flet për politikën e jashtme, ne jemi të interesuar për t’u kyçur në një marrëdhënie realisht strategjike me Greqinë, në një marrëdhënie që respekton të drejtën ndërkombëtarë, frymën evropiane dhe më pas sjellë zgjidhje të drejta për të dyja palët. Prandaj në këtë moment që ne flasim kemi rënë dakord për një kalendar të qartë aktivitetesh që do të përfshijë jo thjeshtë burokratët dhe pjesën teknike të të dyja vendeve por edhe pjesën politike me synimin për të përshpejtuar rrugën e zgjidhjeve për një pjesë të mirë të problematikave që ende e mbajnë larg pritshmërive marrëdhënien shqiptaro greke.

VOA: Z. Bushati për Ballkanin diskutohet vazhdimisht si një rajon që ka një mori problemesh sidomos rreziku nga radikalizmi apo ndikimi i Rusisë për të penguar rrjedhat e integrimit evropian të rajonit. Ju si do ta vlerësonit gjendjen aktuale?

Ministri Bushati: Natyrisht Ballkani Perëndimor krahasuar me 10- 15 vite me parë  është në një situatë më të stabilizuar, por është nga ana tjetër përballë sfidave shumë herë më të mëdha. Edhe në takimet që janë zhvilluar këtu në Nju Jork në disa nivele të ndryshme është theksuar fakti që bashkëpunimi rajonal dhe hapat që kemi ndërmarrë në këtë drejtim janë të domosdoshëm, por në asnjë rrethanë nuk mund të zëvendësohen apo nuk mund të konsiderohen si alternativë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë dhe anëtarësimit të të gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Edhe fjalimi i fundit i presidentit të Komisionit Evropian Juncker është një reflektim do të thoja nga fjalimi i dhe nga programi i tij i disa viteve më parë ku zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohet tanimë strategjik edhe për vet BE. Në të shkuarën, kryesisht ën dy vitet e fundit siç ju me të drejtë e përmendur ne jemi fokusuar dhe kemi pasur një bashkëveprim të qartë me vendet e Bashkimit Evropian në luftën kundër terrorizmit apo për çështje dhe sfida që kanë lidhje me mjedisin e sigurisë në kontinentin tonë. Tanimë, është koha që nëpërmjet Procesit të Berlinit dhe instrumenteve që ofron procesi i anëtarësimit  në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor do të punojnë realisht për një strategji të qartë zhvillimore që i zvogëlon hendeqet që ekzistojnë sidomos në planin ekonomik dhe social sidomos mes nesh dhe Bashkimit Evropian.

VOA:- Pikërisht në këtë kuadër të bashkëpunimit rajonal, gjatë qëndrimit në Nju Jork ju jeni takuar edhe me Komisionarin për Zgjerimin Johannes Hahn ku është diskutuar veçanërisht edhe për zonën ekonomike Rajonale për të cilën vendet e Ballkanit kanë rënë dakord në takimin e lartë të Triestes. Janë ngritur shqetësime që kjo zonë mund të sjell më shumë përfitime për vendet që janë më të mëdha apo me një ekonomi më të zhvilluar në kurriz të vendeve me të vogla dhe me një ekonomi ende të brishtë. Në rastin e vendit tuaj, a shihni rrezik për bizneset shqiptare nga konkurrentet rajonal?  

Ministri Bushati: - E para duhet ta pranojmë në mënyrë modeste dhe realiste që Shqipëria është një ndër vendet kyçe në hapësirën e Ballkanit perëndimor. Kjo lidhet edhe me përkatësinë tonë në NATO me daljen tonë të qartë në Mesdhe dhe të qenit pjesë e disa nismave në hapësirën Ardiatiko-Joniane, por lidhet gjithashtu edhe me faktin që politika jonë e jashtme në rajon krijon ndjeshmëri pozitive dhe është orientuese për të gjithë perspektivën e rajonit tonë drejtë anëtarësimit në BE, pra nuk duhet ta shohim aspak në mënyrë inferiore këtë nismë, përkundrazi duhet të kontribuojmë secili nga këndi i tij i shikimit se si mund të përfitoj më shumë Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit nga kjo nismë.

Së dyti, të gjithë jemi dëshmitar të faktit se pavarësisht përpjekjeve që janë ndërmarr në planin shtetëror gjatë viteve të fundit ende ka barriera nga më të ndryshme që i pengojnë vendet e rajonit për të çliruar ato lloj energjish pozitive  që  do të duhej të çlironin dhe në këtë kontekst ne jemi duke punuar të gjithë së bashku për programet e lëvizshmërisë jo thjeshtë të të rinjve por edhe të pjesëve të tjera të shoqërisë në mënyrë që rajoni ynë të transformohet realisht në kuptimin politik, ekonomik dhe të sigurisë në një rajon të vërtetë. Po diskutojmë për njohjen dhe unifikimin e diplomave dhe njohjes së profesioneve, po diskutohet gjithashtu për të pasur një unifikim tarife për sa i përket shërbimeve roaming. Pra ka disa procese të cilat po ecin paralelisht së bashku me krijimin e zonës ekonomike rajonale dhe me instrumentet që do ti lidhnin më mirë dhe do të krijonin një sinergji më të madhe ndërmjet komunitetit të biznesit dhe vendimmarrësve. Por nga ana, tjetër është edhe një fakt që Ballkani perëndimor gradualisht po kthehet në një hapësirë normale pavarësisht problemeve të mëdha që ekzistojnë dhe takimit këtu si në nivel ministrash me komisionerin Hahn ashtu edhe në nivel kryeministrash me përfaqësuesen e lartë Mogherini dëshmojnë pikërisht këtë që unë u përpoqa të shpjegoj.

VOA: Ministër, faleminderit!

Ministri Bushat: Faleminderit dhe ju për disponibilitetin dhe mundësinë!