Postuar më: 06 Janar 2017

Intervistë e Ministrit Bushati dhënë për RTSh-në

Intervistë e Ministrit Bushati dhënë për RTSh-në

6 janar 2017

 

RTSh: Kemi pasur më në fund një rekomandim për çeljen e negociatave që ka qenë edhe objektivi i fillim vitit që kemi pasqyruar edhe në intervistën tonë. Krahasimisht me objektivin politik dhe diplomatik, sa mund të hyjë kjo në vlerësimin tuaj si arritje, apo diçka që prisnit me tepër, apo që synonit më tepër?

Ministri D. Bushati: Besoj se rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë është kushtëzuar edhe me zbatimin e ligjit të Vetting-ut dhe përgjithësisht zbatimin e paketës së reformës në drejtësi. Është hapi i parë drejt procesit të uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Ne do të kemi një kohë shpresoj të mjaftueshme në dispozicion, për të demonstruar prova konkrete, të qarta , bindëse në rrugën e zbatimit të reformës në drejtësi , të cilat gjithashtu do të kenë një impakt pozitiv për sa i përket zbatimit të të ashtuquajturave “5 prioritete” për anëtarësimin ne Bashkimin Europian, që në vetvete janë kriteret e Kopenhagenit. Dhe lajmi gjithashtu i mirë, nga ana e vendeve anëtare të BE, përveç mbështetjes në parim të rekomandimit të Komisionit Europian, është edhe hapësira që i lihet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë për të paraqitur një raport të ndërmjetëm kur kushtet që përcakton rekomandimi i Komisionit Europian të jenë përmbushur. Në këtë kontekst, shpresoj dhe uroj që 2017-ta të jetë viti kur Këshilli do të marri vendimin përfundimtar për uljen në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

 

RTSh: Ka pasur diskutime politike mbi mënyrën se si u shpreh Këshilli Europian më pas, lidhur edhe me faktin që ka pasur një formë të re edhe të vetë Këshillit lidhur me çështje të tjera që ishin jashtë Shqipërisë. Vlerësimi juaj më i drejtpërdrejtë, është kjo ajo që prisnit dhe a do të kishte qenë mirë që të kishte një datë nisja e negociatave? Në këtë sens një vlerësim me konciz.

Ministri D. Bushati: Për herë të parë nuk kemi konkluzione të Këshillit Europian, por kemi një deklaratë të presidencës së Këshillit Europian. Kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Shqipërinë, ka të bëjë me mosarritjen e gjuhës së përbashkët të vendeve anëtare për sa i përket Turqisë, nga ana tjetër dëshmon edhe një lloj klime jo fort të shëndetshme brenda radhëve të BE për sa i përket perspektives dhe instrumenteve të politikës së zgjerimit në përgjithësi. Kur vjen puna tek gjuha e përdorur nga ana e Këshillit në raport me Shqipërinë, është një gjuhë e drejtë logjike, e ndershme. E kemi hasur në çdo vit ku le të themi diagnozës teknike të Komisionit Europian i vishet edhe një lloj manteli politik nga ana e këshillit, e vendeve anëtare. Do të ishte e dëshirueshme, por jo realiste të shpresonim që Këshilli do të vinte me një datë për çeljen e bisedimeve për anëtarësim për sa kohë që Komisioni Europian kishte përcaktuar si kryekushtin apo kryekriterin zbatimin e drejtë të ligjit të Vetting-ut dhe duke analizuar edhe rastin e Serbisë, Malit të Zi, apo vendeve të tjera që kanë qenë para nesh në këtë proces. Praktika e kushtëzimit politik është krejt e njohur nga ana e Bashkimit Europian dhe tanimë po aplikohet edhe për hapje apo mbyllje kapitujsh, edhe për faza të ndërmjetme në procesin e negocimit apo procesin e gjatë të anëtarësimit në BE, ndaj them që është një gjuhë realiste. Ajo çka ne duhet të na motivojë më tepër është vetëdija kombëtare për sa i përket detyrave që ne do të duhet të përmbushim për 2017, sepse ne nuk jemi më peng i kalendarit të BE-së. Përqasja e miratuar nga Këshilli është krejt e qartë; ka një kryekusht që është vetingu, ka një ecuri në fushën e zbatimit të reformave vitet e fundit, e cila është pozitive dhe duhet konsoliduar, dhe natyrisht viti 2017 do të jetë një vit elektoral dhe sa më të maturuar të demonstrohemi ne në përgjithësi si klasë politike, si institucione shqiptare, aq më mirë do të jetë edhe për kursin europian të Shqipërisë, edhe në kushtet kur vetë Bashkimi Europian do të ketë disa ballafaqime elektorale në një pjesë të vendeve më të rëndësishme siç janë zgjedhjet parlamentare në Gjermani, Holandë, zgjedhjet presidenciale në Francë, por edhe vështirësitë që kaloi para pak ditësh Italia dhe ballafaqimin e pritshëm elektoral që do të jetë atje. Vetvetiu të gjitha këto procese e zhvendosin fokusin e Bashkimit Europian dhe të Europës në përgjithësi nga politikat e zgjerimit.

 

RTSh: Ka qenë një term shumë i përdorur në vitin që sapo mbyllet, i cili ka të bëjë me shërbimet konsullore në disa pikëpamje: në ofrimin e shërbimeve të reja, në shërbimet konsullore online, por edhe në unifikimin e tyre ose me heqjen e shërbimeve të dyfishta konsullore me disa vende për shkak të heqjes së refuzimit që ato kanë bërë. Si do ta shihnit këtë vit në pikëpamje të shërbimeve konsullore që ofrohen për qytetarët shqiptarë dhe sidomos efekti që ato kanë mbi popullsinë.

Ministri D. Bushati: Pyetja dhe konstatimi juaj është shumë i drejtë sepse shërbimet konsullore janë ai moment ku njerëzit përgjithësisht e prekin punën e shërbimit të jashtëm, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë në sportelet konsullore apo në Ambasadat tona në vende të ndryshme të Botës, kryesisht në ato vende ku ka një prezencë të konsiderueshme shqiptarësh që jetojnë.

Viti 2016 ishte viti i digjitalizimit. Prej përfundimit të digjitalizimit të shërbimeve konsullore ne do të kemi disa kategori shërbimesh, të cilat do të merren online, pra pa qenë nevoja për t’u paraqitur pranë postës konsullore apo diplomatike, sikundër do të kemi shërbime, të cilat mund të kryhen në një masë të madhe online dhe më, pas personat e interesuar do të duhet të paraqiten personalisht pranë postës konsullore apo diplomatike.

Kjo ka kërkuar jo thjesht investime në teknologji, por mbi të gjitha edhe në burime njerëzore sepse do të jetë një shërbim, i cili duhet testuar disa herë përpara se t’i ofrohet qytetarëve. Viti 2017 do të jetë viti i ofrimit të të gjitha këtyre shërbimeve online, pra në mënyra të ndryshme në përputhje me kriteret specifike. Them në përputhje me kriteret specifike pasi ka disa shërbime, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht paraqitjen personale të qytetarëve si për shembull dhënia e të dhënave biometrike, të cilat nuk mund të jepen online.

Ne besojmë që kjo platformë, së bashku me konsullatën digjitale, pra me një mbështetje më të gjerë për qytetarët, për sa i përket pyetjeve dhe përgjigjeve që ata kërkojnë për çështje më praktike, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë jo thjesht në shërbimet që ne do të ofrojmë ndaj qytetarëve, por edhe në perceptimin që do të kenë qytetarët shqiptarë për mënyrën se si ne i ofrojmë këto shërbime.

Për hir të së vërtetës, ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si operojmë sot për sot ndaj qytetarëve tanë, pavarësisht energjive që kemi shpenzuar në këtë proces, pavarësisht faktit që vendet ku ka një prezencë shqiptarësh, siç është Gjermania së fundmi, hoqi vulën apostile, çka krijon një lehtësim të madh për sa i përket shërbimeve konsullore të shtetasve tanë që jetojnë atje. Por ne e dimë nga ana tjetër që konsullatat dhe ambasadat tona në disa raste, nuk janë në lartësinë e detyrës. Duke reduktuar kontaktin njerëzor, ne krijojmë premisa për të reduktuar dhe rastet e abuzimit të detyrës dhe për të ofruar shërbime konsullore me cilësi, shërbime të sigurta dhe mundësisht me kosto sa më të ulët, meqenëse një e treta e qytetarëve tanë jetojnë jashtë vendit. Por kjo është një sfidë që ne përgjithësisht e kemi me qytetarët tanë sepse kemi një, le të themi, hendek për sa i përket kredibilitetit të konsullatave tona, për sa i përket ofrimit të shërbimeve të cilin po përpiqemi ta rikuperojmë.

 

RTSh: Ndërkohë ju keni prezantuar nisjen e bisedimeve me Greqinë për të kryer të njëjtën procedure për sa i përket vulës apostille, deri ku kanë ecur këto bisedime dhe a pritet një veprim i shpejtë për t’a hapur këtë procedurë, duke pasur parasysh numrin e lartë.

Ministri D. Bushati: Jemi në bisedime me Spanjën dhe jemi optimist që mund të kemi lajme pozitive në 2017-ën me Spanjën. Kemi avancim total me Italinë. Ne kemi mundësinë që të japim dokument elektronik dhe mund të krijojmë një lidhje midis gjendjes civile në Shqipëri dhe konsullatave tona. Jemi në negocime me palën greke. Shpresojmë shumë që në 2017-ën të kemi mundësi që të bëjmë hapa konkrete në këtë drejtim Në fillim të janarit do të jetë mbledhja e përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet konsullore, pra e fokusuar tek tematika e çështjeve konsullore. Ne kemi paraqitur dhe kemi punuar për një dokument për realizime konkrete dhe shpresojmë shumë që do të gjejmë mirëkuptimin nga ana e Greqisë në këtë drejtim sepse është një proces i dyanshëm, nuk është një proces që bazohet thjesht mbi dëshirën time apo vullnetin e njërës palë.

RTSh: Duke pasur parasysh ngjarjet më të mëdha të këtij viti, ka pasur një vizitë të kreut të qeverisë në Shtetet e Bashkuara, takim me Presidentin Amerikan Obama, një vizitë të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë, si do ta cilësonit ju këtë vit në pikëpamje diplomatike, duket e bujshme madje nga jashtë.

Ministri D. Bushati: Mendoj se ka qenë një vit i suksesshëm për sa i përket kontakteve politike dhe diplomatike. Një vit ku është intensifikuar raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga vizita e kryeministrit në Shtëpinë e Bardhë por edhe nga vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Këtu ka qenë viti që mungonte në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona. Ka qenë viti ku Shqipëria mori rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, e cila gjithashtu pasqyrohet jo thjesht në vizitën e kryeministrit në Gjermani, në thellimin e marrëdhënies politike, ekonomike, diplomatike me Gjermaninë qoftë me vizitat e mija atje, me vizitat e ministrit Steinmeier në Tiranë, me vizitën e përfaqësueses së lartë të politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini. Me takimin e ministrave të Jashtëm për herë të parë në Durrës në kuadër të procesit të Berlinit, në kuadër të asaj që njihet ndryshe si “Vendet e Ballkanit Perëndimor” të gjashtë së bashku me komisionerin Han ku ne i dhamë si të thuash një dorë agjendës së ndërlidhshmërisë dhe bëmë një plan paraprak për vendimmarrjen që i parapriu dhe Samitit të Parisit. Për sa i përket situatës në rajon, mendoj që Shqipëria ka vijuar të jetë dinamike me politiken e saj dhe me iniciativën e saj në rajon, si për sa  i përket përpjekjeve për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO me një qasje të ndërsjellë, sa i përket fqinjëve bazuar mbi  bazë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe vlerave më të mira Europiane por edhe me thellimin e partneritetit strategjik, pikësëpari me Kosovën si aleatin tonë natyral dhe me vendet e tjera në rajon. Në këtë kontekst mund të them që 2016 ka qenë një vit i mbushur me vizita dhe me aktivitete të cilat në shumicën e rasteve janë shoqëruar me frytet përkatëse.

 

RTSh: E kanë ngritur profilin e Shqipërisë në një vlerësim jashtë vetes, po ta shohësh nga jashtë duket që ka një rritje në profilin diplomatik…

Ministri D. Bushati: Profili i Shqipërisë është në rritje, kjo është e konfirmuar edhe nga qëndrimet e partnerëve tanë kryesorë, si pjesë edhe e kontributit tonë në çështjet e sigurisë rajonale dhe globale. Ky profil është rritur edhe falë disa reformave, zbatimi i të cilave në praktikë do t’ia shtonte besoj edhe me tej profilin e Shqipërisë.

RTSh: Duke patur parasysh aktivitete  vërtet të bujshme, a mendoni se duket si ishull marrëdhënia me Maqedoninë, apo është një përshtypje e gabuar nga jashtë, a nuk ka patur në këto tre vite vizita me militarë të ekzekutivit atje apo shkëmbime të tjera të cilat kanë qenë edhe me vende shumë më lartë sesa…

Ministri D. Bushati: Është e vërtetë që marrëdhëniet me Maqedoninë janë marrëdhënie të mira sepse interesi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet për një Maqedoni  stabël, për një Maqedoni që orientohet për nga vlerat Euroatlantike, që mishëron më së miri parimet e bashkëjetesës dhe harmonisë ndër etnike, por nga ana tjetër nuk është se ka pasur marrëdhënie shumë të intensifikuara edhe për shkak të faktit që dy apo tre vitet e fundit fqinji ynë ka qenë nën vorbullën e krizave ciklike. Ka pasur shkëmbime vizitash në nivel presidentësh, Kryeministri ynë ka vizituar Maqedoninë, Kryeministri i Maqedonisë ka vizituar Shqipërinë, në nivel ministrash të Jashtëm. Por ne do të dëshironim, dhe këtu ndaj konstatimin tuaj, që të kishim një marrëdhënie edhe më të ngushtë me Maqedoninë jo thjesht për çështje të karakterit dypalësh por edhe për çështje që kanë të bëjnë kryesisht me stabilitetin demokratik rajonal.

 

RTSh: Ju thatë që vitin tjetër prisni çeljen e negociatave, në rastin më të mirë me një raport pozitiv, ose rekomandim të mbyllur të Komisionit Europian. Përveç kësaj, a ka një ngjarje ose një pikë tjetër që Shqipëria pret të arrijë për vitin e ardhshëm në pikëpamje të diplomacisë.

Ministri Bushati: Nga pikëpamja e politikës së jashtme mendoj që ky është objektivi ynë madhor, përveç objektivave të tjerë ku Shqipëria ka një rol ndihmues dhe jo një rol vendimtar. Për shembull, siç mund të ishte mbështetja e përpjekjeve të Kosovës për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave apo avancimi i Kosovës ne disa prej platformave rajonale, ku ajo ende nuk është palë me të drejta të plota. Besoj se, vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim do të kishte një efekt të drejtpërdrejtë jo vetëm në zhvillimin e brendshëm në Shqipëri, jo vetëm në procesin e mëtejshëm të demokratizimit dhe transformimit, por do t’i krijonte një mundësi Shqipërisë për të rrezatuar dhe  për të projektuar më shumë fuqi, më shumë influencë në Evropën Adriatike

 

RTSh: Ndërkohë, sikur kanë qenë si më të drejtpërdrejta e më të hapura, shumë të debatuara çështjet ndaj Greqisë. Si e parashikoni zhvillimet e bisedimeve me administratën greke?

Ministri D. Bushati: Ne vazhdojmë të jemi në proces dialogimi me administratën greke. Me organizmin dypalësh të themeluar në nivel të ministrave të punëve të Jashtme, është duke funksionuar. E kam thënë në disa raste, që është një marrëdhënie e komplikuar për shkak të çështjeve të cilat janë të mbartura dhe për fat të keq, një pjesë të rasteve duket sikur vendosin në hije çështje të përditshmërisë, apo qoftë edhe çështje konsullore, të cilat i diskutuam pak më parë, që kanë një impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët tanë. Ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet për sa i përket skicimit të alternativave për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Para pak ditësh është bërë ndoshta takimi i fundit për 2016, të grupeve të punës që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në këtë drejtim. Kemi vullnetin politik për të ecur para në këtë marrëdhënie. Ju folët për një karakter më të drejtpërdrejtë, unë do të preferoja të flisja për një politikë të ndershme të ndërsjelltësisë, ku palët, fqinjët, miqtë, vëllezërit dhe motrat t’i thonë të vërtetën respektive në sy njëri-tjetri dhe përpiqen për të gjetur rrugën më të mirë të zgjidhjes, sepse në një analizë të fundit ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi fqinjë me grekët.

 

RTSh: A mendohet që Greqia mund të verë veto në rast se do të kemi një vendim për çelje negociatash?

Ministri D. Bushati: E kam thënë disa herë këtë çështje, besoj fuqimisht që nuk është as në objektiv dhe as në interesin e Greqisë për të vendosur veto ndaj asnjë shteti, përfshirë këtu Shqipërinë, siç nuk është në interesin e Shqipërisë për të pasur një klimë të acaruar të marrëdhënieve me asnjë fqinj, përfshirë këtu edhe Greqinë. Faktin që kjo çështje shtrohet në media, reflekton deri diku shqetësimin e opinionit publik dhe është një thirrje për ne politikëbërësit në Shqipëri, shpresoj edhe në Greqi, për ta tejkaluar këtë lloj shqetësimi, këtë lloj paragjykimi, sepse nuk është një shqetësimin apo paragjykim i shëndetshëm për dy fqinjët.

 

RTSh: Faleminderit!

Ministri D. Bushati: Faleminderit!