Postuar më: 28 Prill 2018

Intervistë e Ministrit Bushati gjatë Ministerialit të NATO-s në Bruksel

                                                        Intervistë e Ministrit Bushati gjatë Ministerialit të NATO-s në Bruksel

Gazetari: Zoti Bushati cilat ishin disa nga çështjet të cilat u trajtuan sot në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në Ministerialin e NATO-s?

MEPJ Ditmir Bushati: Ministeriali i NATO-s përgatit punimet e samitit që do të zhvillohen këtë verë dhe sot u përqendruam në çështje që kanë të bëjnë me raportet e aleancës me Rusinë, kontributin që ka aleanca për sa i përket zhvillimeve që ka në jugun e saj dhe natyrisht edhe përsa i përket politikës së dyerve të hapura duke qenë se këto janë dhe temat kryesore që dominojë debatin dhe që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në arkitekturën e sigurisë evropiane. Periudhën e fundit aleanca dhe vendet anëtare kanë demonstruar një solidaritet dhe një përgjigje kohezive e të përbashkët përsa i përket sfidave dhe kërcënimeve që vijnë qoftë nga lindja apo nga jugu i aleancës dhe natyrisht edhe sot u diskutua për hapat që do të ndërmerren në trajtimin e çështjeve. Në radhë të parë në përgjigjen e çështjeve ndaj Rusisë, e cila duhet pranuar është një aktore e rëndësishme në skatjerën ndërkombëtare, por që ka një këndvështrim të ndryshëm në lidhje me të drejtën ndërkombëtare, ka një këndshikim të ndryshëm në lidhje me arkitekturën e sigurisë dhe e sheh NATO-n jo vetëm si një konkurrente, por edhe në shoqëritë tona tenton që t’i influencojë në një mënyrë apo një tjetër.

Po kështu ramë dakord për të fuqizuar prezencën e NATO-s në bashkëpunim me Bashkimin Evropian përsa i përket jugut të NATO-s   me operacionet, me programet e ndërtimit të kapaciteteve dhe me mundësinë për të krijuar një dialog edhe më të strukturuar përsa i përket arkitekturës së sigurisë në Lindje të Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Në lidhje me politikën e dyerve të hapura, Shqipëria nuk diskutohet, është një vend përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj politike, çka ka sjellë edhe transformimin rrënjësor të strukturave të fushës të sigurisë, por jo vetëm. Dhe ne besojmë se politika e dyerve të hapura duhet të vijojë të jetësohet, qoftë në Ballkanin Perëndimor, por edhe përtej Ballkanit Perëndimor. Ne vijojmë të mbështesim aspiratën e Kosovës për një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n.

MEPJ Ditmir Bushati: Ne vijojmë të mbështesim aspiratën e Kosovës për një marrëdhënie të Institucionalizuar me NATO-n, besojmë se përtej pranisë së madhe  të NATO-s në Kosovë me KFOR-in është e rëndësishme që strukturat e sigurisë në Kosovë të përfshihen  gradualisht në një raport më drejtëpërdrejtë më të instuticionalizuar më kreativ me organizatën në kushtet kur ka ende vende që nuk e njohin Kosovën si një shtet i pavarur dhe besojmë se ky proces do të ishte me përfitim jo vetem për Kosovën por edhe për vet NATO-n dhe BE që në mënyrë komplemetare të zgjerojnë  rrezen e influencës demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Gazetari: Zoti Bushati një tjetër pjesë e agjendës tuaj kishte të bënte me takimet bilaterale me homologët tuaj përmend këtu homologun norvegjez, holandez, spanjoll, atë grek dhe disa takime të tjera.   Cilat ishin temat e diskutimit nëse mund të na i thoni?

MEPJ Ditmir Bushati: Ministerialet janë një mundësi e mirë edhe për të racionalizuar veprimin diplomatik dhe për të kontaktuar dhe biseduar me shumë kolegë, natyrisht Shqipëria është në një fazë të re sepse jemi vetëm pak ditë nga publikimi i rekomandimit të qartë të Komisioni Evropian  për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe siç duhet Ministrat dhe më pas Kryeministrat do të vendosin për rekomandimin e Komisioni Evropian , në këtë kontekst me homologë nga shumë vende anëtare të BE-së kam diskutuar në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe me pritshmëritë tona për një vendimmarrje të drejtë dhe të kënaqshme për të dyja palët, pra për një vendimmarrje që përmbush qoftë pritshmëritë tona, për shkak të procesit të reformave të vështira që kemi ndërmarrë dhe që kanë filluar të japin rezultatet e tyre në jetën e përditshme dhe nga ana tjetër një vendimmarrje, e cila kuptohet, akomodon disi vendet anëtare dhe sensibilitete të ndryshme, që ato kanë, për shkak të dinamikës politike brenda vetë këtyre vendeve. Dhe një gamë tjetër çështjesh kanë qenë çështjet dypalëshe, qoftë në diskutimet me homologun norvegjez, spanjoll apo grek, ku sidomos me këtë të fundit, ne kemi pasur mundësi për të marrë në shqyrtim progresin e bërë gjatë tre javëve të fundit, sepse ky është një proces, i cili çdo ditë ecën nga pak edhe për t’u futur në fazën e re që ne do të hapim me palën greke javën që vjen.

Gazetari: Faleminderit Zoti Bushati!