Postuar më: 20 Shkurt 2018

Intervistë e ministrit Bushati në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” me Ilir Babaramon - Pjesa I

Intervistë e ministrit Bushati në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” me Ilir Babaramon - Pjesa I

 

Ilir Babaramo: Negociatat Shqipëri – Greqi kanë shkaktuar një stuhi debatesh në parlament. Është përfshirë edhe presidenti i Republikës i cili ka thirrur gjithë paraardhësit e tij, gjithë kryetarët e shtetit që kanë qenë në atë zyrë, për t’u konsultuar para se t’i japë plotfuqishmërinë negociatorëve të qeverisë shqiptare në një marrëveshje të pritshme që pritet të nënshkruhet mes Edi Ramës dhe Aleksis Tsipras, në një vizitë të mundshme të kryeministrit grek në kohën e pashkëve në Korçë, në Shqipëri. Për të folur për të gjitha këto, çfarë flitet për marrëveshjen e detit, ligjin e luftës, kërkesën e Greqisë dhe nëse e ka pranuar apo jo pala shqiptare që termi “Çamëri” të hiqet nga çdo referencë në Shqipëri. Për të diskutuar për të gjitha këto, i ftuari im është Ditmir Bushati. Zoti ministër mirëmbrëma. Faleminderit që pranuat ftesën.

MEPJ Ditmir Bushati: Mirëmbrëma.

Ilir Babaramo: E nisim me aktualitetin më të fundit. Media foli se gjatë qëndrimit tuaj në Sofje, është përfolur në fundjavë, jeni takuar me homologun Kotzias. Është lajm i vërtetë?

MEPJ Ditmir Bushati: Është lajm i vërtetë, jam takuar…

Ilir Babaramo: Vazhduat raundin e negociatave, çfarë diskutuat?

MEPJ Ditmir Bushati: Kemi diskutuar sërish duke marrë në shqyrtim progresin e marrëdhënieve, jemi takuar natyrisht dhe në Davos, kemi shoqëruar kryeministrat për të qenë preciz dhe vazhdojnë diskutimet e karakterit diplomatik, një punë jo e vogël që është bërë në këtë drejtim. Presim që të shkruajmë marrëveshjet së bashku me shpresën që një pjesë e mirë e kapitullit të çështjeve shqiptaro-greke do të adresohen.

Ilir Babaramo: Ku adresohen? Ka një vizitë të Tsipras?

MEPJ Ditmir Bushati: Ka një vullnet apo ka një dëshirë të konkretizuar, një vizitë e kryeministrit të Greqisë në Shqipëri, por nuk është se ka një datë apo një afat për këtë gjë.

Ilir Babaramo: Zoti Rama rreth 4 javë më parë, i ftuar në këtë studio tha se pritet në fillim të pranverës që të nënshkruajmë me Tsiprasin një sërë dokumentesh, një sërë marrëveshjesh në Tiranë...

MEPJ Ditmir Bushati: Ky është një objektiv i arritshëm nga palët, por janë disa etapa të cilat duhet të ezaurohen plotësisht përpara se të finalizohen detajet e vizitës së kryeministrit grek në Shqipëri.

Ilir Babaramo: Jeni informuar për të gjitha apo thjesht dilema që do të vijë Tsipras, është për çështjen kohore?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk ka një çështje për një dilemë të tillë, do të vijë apo jo Tsipras, sepse është e rëndësishme që vizita sidomos të karakterit kaq të lartë, të shoqërohen me produkte konkrete dhe shpreh bindjen që kjo vizitë do të ketë produkte konkrete në momentin që do të kryhet dhe pse ajo do të pasohet dhe me vizita të tjera të kryeministrit në Greqi apo me takime të tjera të përbashkëta.

Ilir Babaramo: Thatë që jeni të gatshëm, po shkoni drejtë nënshkrimit të një serie marrëveshjesh, cilat janë këto marrëveshje që do të nënshkruhen?

MEPJ Ditmir Bushati: Në radhë të parë ka çështje të cilat duhen të zgjidhen në mënyrë të njëanshme që nuk janë objekt i një marrëveshjeje në kuptimin formal të fjalës por natyrisht janë dhe kanë qenë pjesë e diskutimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Shfuqizimi i Ligjit të Luftës dhe pasojave të tij, është një akt i njëanshëm dhe për një periudhë të gjatë kohe pala greke ka mohuar ekzistencën e një gjendje të tillë lufte. Kam dëgjuar disa lloj interpretimesh këtë periudhë edhe nga kolegë këtu në Shqipëri në lidhje me të ashtuquajturën Traktatin e Miqësisë që sipas tyre paskësh ezauruar çështjen e Ligjit të Luftës. Por tani nuk ka asnjë dilemë, as për palën greke që ky ligj ekziston. Ka pasoja të karakterit ligjor për pronat që janë vendosur nën sekuestro si pasojë e këtij ligji dhe ne shpresojmë dhe besojmë njëkohësisht që ky ligj do të shfuqizohet, në mënyrë që shteti shqiptar dhe të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë pronat e tyre nën sekuestro, do të kenë mundësi që do t’i gëzojnë këto prona. Akti i njëanshëm ishte gjithashtu dhe rifillimi e garantimi i të gjitha procedurave, në përputhje me standardet ndërkombëtare përsa i përket vend prehjeve të ushtarëve grekë në Shqipëri. Pati një debat dhe për këtë çështje, sepse të gjitha masat ishin marrë nga ana jonë gjatë diskutimeve dy vjet e gjysmë për të garantuar një marrëveshje të cilën nuk e kishte kundërshtuar askush në rrugë gjyqësore, pra mos biesh dakord për një marrëveshje do të thotë që duhet ti drejtohesh disa institucioneve që e shfuqizojnë atë siç ishte rasti ynë me të ashtuquajturën marrëveshje e detit në vitin 2009. E kemi bërë këtë marrëveshje shumë më garantiste nëpërmjet një protokolli zbatimi. Ka grupe të ekspertëve që po punojnë në terren për këtë proces dhe bëhet fjalë për dy vend prehjet që janë pjesë e 2009, të firmosura nga qeveria Berisha. Këto janë veprime të një anshme. Natyrisht presim që pala greke të heqë rezervën përsa i përket aplikimit të vulës apostile që do të ishte një kursim i madh për qytetarët tanë që jetojnë në Greqi. Përllogariten rreth 4 milion euro në vit kursimi  dhe në planin dypalësh, natyrisht po negociohen ose po diskutohen disa tema me shpresën dhe besimin për të shkuar drejtë marrëveshjeve edhe në këtë fushë. E kam fjalën për marrëveshjen për delemitimin e zonave dhe përcaktimin e zonës ekonomike, e kam fjalën për mbylljen një herë e përgjithmonë të të gjitha çështjeve kufitare, marrëveshjes së pritshme për menaxhimin e incidenteve kufitare, për piramidat dhe marrëveshjet për njohjen e ndërsjelltë të patentave apo lejeve të drejtimit. Këto janë marrëveshje të cilat ne dëshirojmë që ti konkretizojmë me palën greke.

Ilir Babaramo: Po për lëndën e këtyre marrëveshjeve keni rënë dakord?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht që në botën moderne, palët testojnë njëra tjetrën përpara se të ulen për të diskutuar në planin teknik detajet e një marrëveshjeje. Për shembull, çështja e marrëveshjes për incidentet kufitare apo piramidat, është një çështje rreth 40 vjeçare dhe nuk bëhet fjalë që palët thjeshtë të përpilojnë secila nga një projekt marrëveshje dhe t’ia paraqesin njëra tjetrës në tryezë. Fillimisht duhet të testohet gatishmëria e palëve për të shkuar drejtë një marrëveshjeje, më pas detyrimet ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm dhe ne kemi besim që këto dy marrëveshje do të mbyllen. Çështja më delikate nuk ka diskutim është çështja e delimitimit të hapësirës detare. Këtu të dyja palët janë treguar ekstremisht të kujdesshme dhe dua të them që historia jonë fillon të paktën që në 2009 në mënyrën se si u lidh marrëveshja në atë kohë me Greqinë, me vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese në 2010, dhe që nga 2010 e tutje...

Ilir Babaramo: Në marrëveshjen e delitimitimit detar, për çfarë keni rënë dakord me negociatat intensive që keni pasur me homologun tuaj Kotzias?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, kemi rënë dakord për të nënshkruar një marrëveshje të re e cila nuk ka qenë e lehtë dhe ka qenë një qëndrim i palëkundur i palës greke. Kjo tashmë është tejkaluar dhe pak kush flet për këtë gjë, ç’ka është një zhvillim botëror dhe nuk e konsiderojmë triumf të palës sonë sepse besojmë që një marrëveshje e re do të jetë një marrëveshje më e drejtë, do të jetë një marrëveshje më e ndershme, do të mbajë parasysh kriteret apo ato që ne i konsiderojmë si perimetrin mbi të cilin do të lëvizë çdo negociatë e mundshme në këtë pikë që është i përcaktuar nga konventa e detit, nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese dhe nga legjislacioni ynë i brendshëm. Dihet që është gjithashtu dhe në interesin e Greqisë për të përfunduar apo për të lidhur një marrëveshje të tillë me Shqipërinë. Ne kemi nxjerrë mësimet tona nga praktika e hidhur e 2009-ës dhe ne besojmë me ç’ka kemi biseduar deri sot me palën greke, sepse ka pasur diskutime eksploratore të cilat kanë nisur herët për këtë proces, duke bërë një lexim te vendimit te gjykatës Kushtetuese.

Intervistën e plotë e gjeni në linkun si më poshtë vijon: 

Pjesa l - 5 pyetje nga Babaramo