Postuar më: 20 Shkurt 2018

Intervistë e ministrit Bushati në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” me Ilir Babaramon - Pjesa II

Intervistë e ministrit Bushati në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” me Ilir Babaramon - Pjesa II

 

Ilir Babaramo: Sërish në studio me ministrin Bushati, jemi duke folur për marrëveshjen e detit dhe për gjithë temën e bisedimeve të negociatave në marrëdhëniet Shqipëri - Greqi. Në fund të pjesë së parë ju thashë dhe unë, një lloj pengese ose një lloj procedure që duhet të kaloni është edhe plotfuqishmëria që duhet të japë Presidenti i Republikës. Në mos gabohem, një nga shkeljet kryesore që gjeti Gjykata Kushtetuese në marrëveshjen e 2009 ishte që Qeveria Berisha nuk kishte marrë plotfuqishmërinë në negociata siç është e Drejta Kushtetuese madje, edhe e Drejta Ndërkombëtare që e parashikon nga Kryetari i Shtetit. Ju përse nuk e keni marrë ende, keni kaq kohë që negocioni me palën greke dhe nuk e keni marrë Plotfuqishmërinë nga Presidenti i Republikës?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, dua të përshëndes procesin e konsultave që Presidenti Meta ka bërë me ish- Presidentët dhe me ish-Kryeministrin Berisha. Mendoj që është një proces i shëndetshëm dhe shpresoj gjithashtu t’i ketë dhënë më shumë argument Presidentit të Republikës në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi, sidomos pas bisedave dhe konsultave me Sali Berishën i cili, siç edhe ju e thatë, mbi bazën e vendimit të 2009, as që kishte marrë plotfuqishmërinë nga Presidenti Republikës . E dyta, është e rëndësishme për ta sqaruar për të gjithë opinion publik dhe për të gjithë ata që e quajnë veten juristë e për ata që shkruajnë tek penxherja e Mark Zuckerberg që, ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare ka ndryshuar mbi bazën e vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese. Mbi këtë çështje dhe mbi bazën e këtij ligji ka dy momente. Momenti i parë është momenti i autorizimit që Ministri i Jashtëm duhet të marrë nga Presidenti i Republikës për marrëveshje shtetërore siç është kjo marrëveshje, apo nga Kryeministri për marrëveshje qeveritare, siç janë një pjesë e marrëveshje dhe plotfuqishmëria më pas, lëshohet nga Ministri i Punëve të Jashtme. Pra, nga Presidenti i Republikës kam kërkuar autorizim për nisjen e punës në planin teknik. Mbi bazën e autorizimit që do të marr nga Presidenti i Republikës, do të lëshoj plotfuqishmërinë. Kjo është praktika mbi bazën e ligjit të marrëdhënieve.

Ilir BabaramoMos jeni pak vonë z. ministër?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk jam vonë.

Ilir Babaramo: Do një krahasim pak divulgativ, se kjo marrëveshje që ju keni rënë parimisht dakord mund të jetë një godinë shumë e bukur por nëse nuk e keni me leje, bie që të jetë godinë pa leje dhe po shkoni te Presidenti sikur të jetë Drejtori i ALUZNIT dhe do shkoni për ta legalizuar.

MEPJ Ditmir Bushati: Jo, z. Babaramo, nuk është kështu. Ju thashë edhe herën tjetër, ne të dy do ulemi të negociojmë dhe përfaqësojmë si unë, si ti, nga një interes i caktuar. Në radhë të parë do testojmë njëri tjetrin se në çfarë drejtimi duam të shkojmë për këto bisedime dhe pasi kemi rënë dakord për rrugën, do të themi se cilat janë parimet mbi të cilat do të ndërtohet ky proces dhe kjo marrëveshje. Në asnjë vend të botës nuk bëhet një proces i tillë pa krijuar në radhë të parë besimin mes palëve. Më pas fillon puna teknike dhe këtë që përcakton ligji ynë si procedurë, e përcakton në mënyrë shumë të qartë dhe e reflekton katërcipërisht vendimi i Gjykatës Kushtuese. Po ju them meqë morët paralelen me ALUIZNI-n. Presidenti i Republikës është në një pozicion komod në këtë drejtim sepse këtë tagër ja ka dhënë Kushtetuta edhe ligji të cilit i referohem. Pyetja që shtrohet është: Çfarë do të ndodhë? Unë pres autorizimin nga Presidenti i Republikës që të lëshoj plotfuqishmërinë. I kam dërguar Presidentit platformën e negociatave të ardhshme me Greqinë, objektivave që ne synojmë të arrijmë përmes këtyre negociatave, rezultatin e pritshëm, (se në fund të ditës ky është rezultat i pritshëm), por duhet të ulemi në tryezë me palën tjetër për të finalizuar, sepse mund të mos finalizohet një rezultat që e pret në një proces që quhet negociatë. Po mos quhej e tillë, do të ishte kështu vendos unë dhe pikë mbaroi dhe pasi mbyllet procesi i negocimit, sërish sipas ligjit, Presidenti Republikës duhet të më japë autorizim mua si ministër i Punëve të Jashtme për të lëshuar plotfuqishmërinë për firmosjen e kësaj marrëveshjeje. Në këtë moment të dytë procedural, por shumë të rëndësishëm që e ka vendosur ligji ynë e që e kemi miratuar mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetues, Presidenti i Republikës ka mundësi të vlerësojë autorizimin e parë që është dhënë mbi bazën e platformës së negociatave dhe rezultateve të pritshme me rezultatin konkret të ardhur nga projekt marrëveshja dhe më pas, firmoset marrëveshja, ratifikohet në Kuvend dhe për së treti, Presidenti ka të drejtë ta dekretojë apo jo.

Pra fryma e Kushtetutës në vendimin e Gjykatë Kushtetuese dhe në ligjin e ri që është bërë për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare i jep Presidentit të drejtën të paktën tre herë në procese shumë të rëndësishme për ta kontrolluar mënyrën se si zhvillohet procesi…

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk e di a jeni të qartë për këtë çështje apo jo?

Ilir Babaramo: Report TV sot ka bërë të ditur që Presidenti i Republikës ju ka nisur një letër, e keni marrë?

MEPJ Ditmir Bushati: Po

Ilir Babaramo: Çfarë thuhet në këtë letër?

MEPJ Ditmir Bushati: Ky është një komunikim institucional mes ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës ka kërkuar një informacion shtesë, kam pasur një konsultë me Presidentin para se ti adresohem me një letër, është një praktikë krejt rutinë.

Ilir Babaramo: Ndoshta shpjegimet që i keni dhënë kanë qenë të pamjaftueshme. Do ti jepni shpjegime të tjera?

MEPJ Ditmir Bushati: Më lejoni ta mbaroj… Çfarë ndodh me procesin e autorizimit që ta kuptojmë. Është një proces përgjithësisht rutinor që do të thotë, ose ministri i Jashtëm ia kërkon Presidentit apo Kryeministrit, ose ministria e linjës për një çështje të caktuar, në varësi të subjektit dhe në varësi se kush e lidh marrëveshjen, Shteti apo Qeveria edhe Presidenti i Republikës ose Kryeministri, e sjell autorizimin te ministri i Jashtëm. Mbi bazën e këtij autorizimi më pas, ministri i Jashtëm bën plotfuqishmërinë ku përcaktohet ekipi negociator, kryetari ekipit, objekti etj. Ky proces është rutinor sepse shteti shqiptar ka një eksperiencë në këtë drejtim. Ka nxjerrë edhe mësime nga gabimet e së shkuarës që reflektohen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke njohur sensitivitetin e kësaj çështjeje personalisht i kam…

Ilir Babaramo: Do t'i jepni shpjegime shtesë?

MEPJ Ditmir Bushati: Patjetër që do t’i jap shpjegime shtesë. Ai është Presidenti i Republikës, e kam detyrim..

Ilir Babaramo: Do t'i jepni emrat e negociatorëve …. Ju kërkoni plotfuqishmëri për të negociuar?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk i kam kërkuar plotfuqishmëri sepse nuk e ka ligji këtë, po ju them që ligji flet për autorizim. Autorizimin e lëshon Presidenti i Republikës. Lutem nëse nuk po them një gjë të vërtetë, ju sfidoj të nxirrni ligjin, ligji flet për autorizim…

Intervistën e plotë e gjeni në linkun si më poshtë vijon: 

Pjesa ll - 5 pyetje nga Babaramo