Postuar më: 19 Dhjetor 2017

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa I

 

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa I

 

Rudina Xhunga: Mirëmbrëma, sot i ftuar në studio është Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Zoti Ditmir Bushati. Zoti Bushati mirëserdhët.

MEPJ Ditmir Bushati: Mirëmbrëma.

Rudina Xhunga: Në fakt kam prej kohësh dëshirë t’ju ftoj në dritare por ka qenë e pamundur për shkak të lëvizjeve që keni pasur së fundmi, pasi kanë qenë të shpeshta dhe të nxehta temat e politikës së jashtme. Ndërsa sot ka qenë politika e brendshme në syrin e cikloni. Po ju ishit aty besoj, në sallë gjithë kohës sot. Sepse kur e sheh nga larg duket edhe për të qeshur ndonjëherë e jo vetëm për të qarë, por kur je brenda është ndryshe. Për shembull, ai tymi që u hodh, tymi që dukej rozë dhe si tym krishtlindjesh, si është në fakt në sallë.

MEPJ Ditmir Bushati: E gjithë ajo skenë e kuvendit të sotshëm, më e pakta që mund të them është se ishte një skenë e turpshme. Nuk reflekton as Shqipërinë e shek. XXI e as interesat e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, qofshin ata që na kanë votuar ne me 25 qershor, por edhe ata që mund të mos na kenë votuar, të cilët mund të mos kenë asnjë lloj arsye për të na votuar. Zakonisht kuvendi është mexhilisi ku palët e ndryshme politike përpiqen që të ballafaqojnë argumentet, të ndërtojnë alternativat apo t’i parashtrojnë shqiptarëve alternativën më të mirë. Për fat të keq, ju e patë këtë skenë. Brenda mureve të asaj salle ishte një situatë degraduese do të thosha, me një fjalor që është pak ta quash fjalor rruge. Me sjellje tipike...

Rudina Xhunga: Për kë e keni fjalën, për fjalor rruge? Nuk është se dëgjohen të gjithë, pavarësisht xhirimeve. Kush fliste?

MEPJ Ditmir Bushati: Sali Berisha ka folur edhe me mikrofon dhe besoj se media e ka transmetuar fjalën e tij. Po kështu mund të them që për veprime edhe më pak se ata që ndodhën sot në kuvend bota i konsideron si tifozë të ndryshëm, si huliganë, i nxjerr jashtë stadiumeve...

Rudina Xhunga: Nuk është se nuk ndodhin edhe në parlamente të tjera. Kosova është një ndër to. E kemi parë përherë. Këtë gjë shohim në Kosovë, tym gaz lotsjellës, nuk është e panjohur për ne.

MEPJ Ditmir Bushati: Dakord! E Para, paralelja që hiqet me Kosovën nuk besoj se qëndron sepse Kosova është një shtet relativisht i ri, shumë herë më i ri se shteti shqiptar. Është në procesin e shtet-ndërtimit dhe natyrisht që për Kosovën dekadat e para do të jenë realisht dekada sfiduese. Së dyti, nuk mund të heq asnjë lloj paralele midis Lëvizjes Vetëvendosje, e cila për herë të parë pas komunës së Prishtinës ka edhe komunën e Prizrenit, pra nuk është një forcë politike, në fund të ditës, e provuar në qeverisjen qendrore. Këtu flasim për...

Rudina Xhunga: Lëvizja Socialiste për Integrim!

MEPJ Ditmir Bushati: Këtu flasim për një takëm politikanësh të cilët kanë 20 e ca vite që janë në pushtet. Janë kthyer në disa raste, për fat të keq, më të kamur se vetë klasa e biznesit e këtij vendi. Dhe kam përshtypjen që sot ishte kurorëzimi i dy viteve e gjysmë luftë dhe rezistencë për të mos lënë hapat e reformës në drejtësi për t’u materializuar. Por duke pasur parasysh edhe qëndrimin e sotëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë dy viteve, kjo ka qenë në trajta nga më të ndryshmet. Jo vetëm unë, por edhe shumë pjesëtarë të tjerë të mazhorancës kanë qenë dëshmitarë të halucinacioneve të ndryshme që vinin nga personazhe shumë të rëndësishëm të skenës së politikes shqiptare. Është krejt e lexueshme frika tek një pjesë e mirë, jo vetëm e politikës shqiptare por edhe të institucioneve të drejtësisë. Nuk jam këtu as për të bërë orakullin por as për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në Shqipëri. Por mesa duket rruga në të cilën ka kaluar Rumania, Kroacia, vende të tjera në këtë proces do të jetë e paevitueshme dhe e Shqipërisë. Kjo është një prej arsyeve se pse gjenerohet konflikt në mënyrë që t’i vendosen shkopinjtë nën rrotë reformës në drejtësi. Mjafton të bëni një kërkim shumë të përciptë për të kuptuar që janë po këta njerëz që kanë shkuar në gjykatë kushtetuese për të kundërshtuar ligje të caktuara të reformës në drejtësi. Janë po këta njerëz që kanë dy vite që i kanë përfshirë familjet e tyre politike në një kurs konfliktual me perëndimin. Për herë të parë në dy dekada e gjysmë ne shohim përfaqësues të lartë të politikës qoftë nga Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim të bëjnë sypatremburin dhe hyjnë në retorika shterpe do të thosha, gjoja në emër të mbrojtjes së dinjitetit apo sovranitetit të vendit, me përfaqësuesit kryesorë të SHBA dhe BE.

Rudina Xhunga: Mirë ndalojmë pak tek seanca, sepse ju ishit prezent ishit ulur aty. P.sh. mua më bën përshtypje, ishit aty kur zonja Kryemadhi qëlloi me këpucë?

MEPJ Ditmir Bushati: Po.

Rudina Xhunga: Se tani çfarë nuk dëgjojmë, videot ndryshojnë, montohen, ka qenë ky moment?

MEPJ Ditmir Bushati: Po ka qenë ky moment. Ka qenë një moment krejt absurd do të thosha dhe kam pasur gjithë qetësinë për të menduar me vete se ka bërë gjënë e duhur që nuk ka pranuar formalisht të jetë zonja e parë e këtij vendi, sepse do të ishte një turp për të gjithë.

Rudina Xhunga: Ky moment?

MEPJ Ditmir Bushati: Jo. Do të ishte një turp për të gjithë përfaqësimi nga ana e saj në këtë lloj mënyre. Si drejtuese e një force politike në fund të ditës janë zgjedhësit që përcaktojnë fatin e saj. Por mënyra e sjelljes, zhargoni, jo vetëm në parlament por gjatë gjithë kësaj periudhe, dëshmojnë qartë një makth për atë se çfarë pritet të ndodhë në Shqipëri.

Rudina Xhunga: E di cili është problemi përse ju flisni në këtë mënyrë për për znj. Monika Kryemadhi, e cila mund të quhej zonjë ë parë por nuk është…

MEPJ Ditmir Bushati: Po. Sepse nuk kam parë njeri tjetër të heqë këpucët në parlament, të godasë lart e poshtë, të marrë shishet dhe të godasë sërish në parlament, të marrë kartat e deputetëve, të mos lërë deputetët të votojnë, të dalë jashtë dhe të mos ketë respekt as për kolegun, as për gazetarët e terrenit që ishin aty dhe as për qytetarët që në fund të ditës duan të informohen mbi opinionin e secilit prej aktorëve politikë. Prandaj them që ky nuk është përfaqësimi i shqiptarëve të shekullit të XXI. Natyrisht është përfaqësuese e një partie politike. Në fund të ditës, anëtarësia e kësaj partie politike vendos nëse është e kënaqur me këtë lloj përfaqësimi.

Rudina Xhunga: Po ky është problem.

MEPJ Ditmir Bushati: Kur flasim për pozicionet e larta shtetërore dhe ato që përcakton ceremoniali i shtetit mund të them që sot e kam falënderuar me vete që nuk ka pranuar të ketë atë lloj pozicioni, sepse përveçse do t’i bënte dëm asaj në radhë të parë do t’i bënte dëm Shqipërisë.

Rudina Xhunga: Duket sikur ata qëlluan, ata u sollën keq, ata ishin si njerëz vulgarë.

Ditmir Bushati: Jo. Kjo nuk duket, kështu është.

Rudina Xhunga: Por nga ana tjetër ajo që ata kërkonin, si PD si LSI ishte që kjo seancë të mos ndodhte, të mos kishte një prokuror të përkohshëm.

MEPJ Ditmir Bushati: Në radhë të parë unë nuk kam dëshirë të hyj në debate juridike por faktet janë fakte. Për herë të parë kemi një mandat prokurori që përfundon në afatet kushtetuese. Personalisht me miq e kolegë, shqiptarë dhe të huaj kam mbrojtur pikëpamjen që nga 1944 deri më 1989-1990, prokurorët e përgjithshëm pushkatoheshin. Nga 1990 e tutje prokurorët e përgjithshëm kanë lënë detyrën në rrethana jo kushtetuese ose jo normale. Adriatik Llalla është i pari prokuror i përgjithshëm që e ka ushtruar mandatin me kohë të plotë. Ka qenë një prokuror i përgjithshëm që nuk ka marrë votat e partisë sonë kur kemi qenë në opozitë, por respekti kushtetues dhe institucional nuk i ka munguar që nga dita e parë që ne kemi qenë në zyrat e shtetit. Kushtetuta e ligji i përcakton qartë edhe vakancat. Në rastin në fjalë, bazuar në opinionin jo vetëm të komisionit të Venecias por edhe të ekspertëve të ShBA dhe BE, u sugjerua rruga që u ndoq sot. Natyrisht kryeministri ka qenë me një ofertë në tryeze para 10 ditësh duke i kërkuar PD-së të gjenim një kompromis, një emër të pranuar në mënyrë që, lë të themi, edhe boshllëku institucional të evitohej dhe të shkohej drejt një prokurori i cili do të gëzonte një lloj besimi. Them lloj besimi pasi termi besim të palëve për një institucion të pavarur nuk shkon. Kjo do zgjasë deri në momentin që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mbyllte procedurat për zgjedhjen e prokurorit të ri. Zonja në fjalë sot është zgjedhur prokurore me një mandat të përcaktuar, bazuar në këto rrethana. Në rast se procesi i Vetting-ut do të kishte ecur ashtu sic do të dëshironim ne dhe në rast se procesi i konstituimit të të gjitha institucioneve që parasheh reforma në drejtësi do të kishte ecur më me shpejtësi, nuk ka dyshim që parlamenti do të kishte zgjedhur një prokuror siç e përcakton rregulli në fjalë. Në të dyja rastet nevojitej një mirëkuptim politik institucional për të shkuar drejt zgjedhjes së prokurorit dhe të gjithë këtyre trupave. Por ju jeni dëshmitare e faktit se për përzgjedhjen e të gjithë trupave që kanë lidhje me reformën në drejtësi ka një rezistencë shumë të madhe nga ana e PD dhe LSI. Një ndryshim roli tanimë. Dikur kishte një rezistencë taktike tani kemi një rezistencë strategjike nga ana e LSI. Arsyet mund të jenë të shpjegueshme, por mund të ketë dhe arsye të tjera që së paku unë nuk jam në gjendje sot t’i shpjegoj. Gjithsesi besoj tek pjesa e pashpjegueshme. Duhet të themi që mbi 90% e shqiptarëve e kanë thënë shumë qartë në të gjitha llojet e vrojtimeve që janë kryer se kërkojnë një ndryshim radikal me mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Nuk ka naivë, dhe aq më tepër Sali Berisha të mos mendojë që një revolucion në pallatin e drejtësisë nuk do të ketë implikime në jetën politike dhe publike.

Rudina Xhunga: Por Rumania dhe Kroacia e treguan.

MEPJ Ditmir Bushati:: Nuk ka njeri që nuk e njeh shembullin e Rumanisë dhe Kroacisë, shembullin e manipulimeve në Italinë e vitit 1992, dhe nuk besoj se ka njeri që të mund të pranojë më që një vend anëtar i NATO-s dhe një vend që kërkon të ulet në bisedime për anëtarësim në BE të bashkëjetojë në këtë mënyrë me një klasë politike, e cila në disa raste merr edhe trajta oligarkike.

Rudina Xhunga: Duke dashur të ndaloj edhe një herë tek marrëdhënia e BE dhe SHBA, p.sh. Ambasada e SHBA sot bëri një deklaratë nga ato që janë dukshëm pro qeverisë.

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk e kam lexuar fare deklaratën e SHBA si një deklaratë pro qeverisë.

Rudina Xhunga: Po të thuash dënoj granatat tymuese?

MEPJ Ditmir Bushati:: Po tani normalisht që parlamenti nuk është vendi ku hidhen flakëhedhëse apo të gjitha tymçet. Kur po e shihja këtu, para emisionit, që vinin nga selia e PD-së, me thënë të drejtën mu kujtua 1997, kur kam qenë në një moshë krejt të re, por mbaj mend fotot e Genc Pollos mbi tanke. Edhe sot kur shihja Lulzim Bashën në pozicionin e asistentit të Monikës..

Rudina Xhunga: Pse kështu dukej Basha?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk është se kështu dukej, por kështu ishte. Më kujtonte trimëritë e Genc Pollos në 97-98 në kohën kur PD kishte marrë peng tanket. Pra, një forcë politike që kërkon të asociojë veten me tanket dhe dhunën, me kurs konfrontues ndaj perëndimit, ndaj interesave jetike që kanë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, pasi besoj se në radhë të parë…

Rudina Xhunga: Zoti Bushati pse është interes jetik Arta Marku, Zonja Arta Marku, prokurorja e përkohshme për interesat e këtij vendi?

MEPJ Ditmir Bushati: Kam lexuar këto ditë shumë shkrime. Lexova sot edhe një analizë të fundit të Andit që mban mbiemrin tim, por që më e pakta mu duk një analizë joetike për epitetet që përdoreshin për të thënë që duhet të ndahemi nga debati për emrat. Përsa i përket emrave, kandidatët që aplikonin për këtë post, Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar një procedurë të caktuar. Ishte Arta Marku, mund të ishte një Artë tjetër, mund të ishte dikush tjetër që sot mund të bëhej Prokuror i Përgjithshëm siç dikush mund të thotë nesër-pasnesër që nga u gjet Adriatik Llalla, nga u gjet Ina Rama apo nga u gjet Dhori Sollaku e kështu me radhë. Është në interesin jetik të shqiptarëve që të ndahen nga status quo. Besoj se askush prej nesh nuk është ndjerë mirë kur gjyqtarëve të gjykatës së Lartë, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, prokurorëve të lartë të këtij vendi, iu refuzua hyrja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mendoj që refuzimi i hyrjes, edhe për shkak të funksionit që mbaj, bëhet thjeshtë edhe mbi baza subjektive. Bëhet edhe për shkak të informacioneve, për shkak të jo thjesht mospëlqimit sepse nuk ka diçka individuale, për mënyrën se si kanë funksionuar këto institucione. Dhe ne shpresojmë shumë, unë besoj fort që prokurorja që është zgjedhur sot do të duhet që të vendosë një standard të ri për sa i përket mënyrës së funksionimit të organeve të akuzës, sepse edhe po t’i referohemi vrojtimeve të opinionit publik, besoj se është ë papranueshme që institucionet e shtetit të së drejtës të jenë institucionet për të cilat shqiptarët, qytetarët e këtij vendi kanë shumë pak besim dhe ndaj nuk duhet të na vijë si surprizë as qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës as qëndrimi i Bashkimit Evropian. Nuk duhet të na vijë fare si surprizë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse erdhi në Kuvend. E kanë vizituar Shqipërinë një numër i madh personalitetesh dhe që të gjithë kanë konverguar në një pikë, që ka ardhur koha që pallati i drejtësisë duhet të pastrohet dhe duhet të ndahet një herë e mirë nga ata njerëz të cilët nuk kanë asnjë lloj lidhje me pallatin e drejtësisë. Mund t’ju them sot se një nga bisedat që unë kam pasur me ish ministrin e Jashtëm të Gjermanisë i cili sot është President, një ndër njerëzit më të ndritur të Evropës së sotme, i njohur për kontribute shumë të mëdha, kur ishte për vizitë zyrtare në Tiranë kishte një raport i një fondacioni gjerman mbi pasuritë ë deklaruara nga gjyqësori shqiptar dhe për të ishte e pashpjegueshme, për mua ishte e vështirë nuk diskutohet për ta shpjeguar, pasuria e deklaruar e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Rudina Xhunga: E deklaruar ama!

MEPJ Ditmir Bushati: Flasim gjithmonë për diçka të deklaruar. Nuk po flasim për çfarë mund të sjellin procese të ndryshme siç është procesi i Vetting-ut dhe mua si qytetar dhe mua si ministër i Jashtëm i këtij vendi më intereson një plan i qartë i punës nga ana e instancave të Vetting-ut që ne të kemi shumë të qartë në fund të janarit, në fund të shkurtit, në fund të marsit, në fund të prillit, në fund të majit, në fund të qershorit e kështu me radhë se si do të ecë procesi i radiografisë së gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, çfarë mësimesh marrim ne nga gjithë ky proces, si duhet ta mbështesim ne këtë lloj reforme dhe çfarë pasojash shpresoj pozitive do të ketë zbatimi i kësaj reforme në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit.

Rudina Xhunga: Kjo është gjithashtu, se po ndaloj shpesh te deklarata e ambasadës amerikane. Këtë thotë në fund deklarata që së shpejti do të shikojmë krijimin e SPAK dhe BG të cilat do të hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Duket se këto janë momente që kanë kë frikësojnë në Shqipëri. Ka mjaft politikanë të etiketuar për para, vepra penale të fshehura e të tjera procedime.

MEPJ Ditmir Bushati: Unë nuk e di se kë ka pasur parasysh dhe as nuk e kam posturën institucionale dhe as do të kisha dëshirë të interpretoj qëndrime që mbajnë partnerët ndërkombëtarë. Por është i qartë fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dy vite që investojnë politikisht, investojnë në kuptimin njerëzor të fjalës por edhe atë financiar për zbatimin e kësaj reforme. Kjo reformë është e paprecedentë dhe është përfshirë me insistimin e Kryeministrit Rama në programin tonë qeverisës në 2013. Nuk ka qenë dikush që ka trokitur në derën e kryeministrit për të kërkuar Vetting-un apo për të kërkuar përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare në këtë proces. Ka qenë vullneti i forcës sonë qeverisëse për të bërë një gjë të tillë. Pikërisht për të mos kompromentuar të gjithë këtë proces edhe duke pasur parasysh faktin që ambienti politik në Shqipëri për çështje të tilla është shumë i kontaminuar dhe duke u mbështetur tek ekspertiza ndërkombëtare, duke humbur në fakt më pas më shumë kohë, por kështu do të kishim mundësi të ndërtojmë një proces më të shëndetshëm. Realisht sot besoj asnjë qytetari nuk i intereson emri i prokurorit të përgjithshëm, por i intereson procesi, i intereson dhe vijimësia e zbatimit të të gjitha këtyre detyrimeve apo standardeve për të cilët ne kemi rënë dakord në letër.

Rudina Xhunga: Ndërkohë javën e kaluar kisha një dokumentar për çfarë ndodhi gjatë realizimit të reformës në drejtësi në Kroaci dhe Rumani dhe duke treguar gjithë çfarë ndodhi atje shumëkush nga politikanët shqiptarë do të duhet të kenë frikë pse jo? Sepse këtë thoshin edhe gazetarët rumunë dhe kroatë, avokatë dhe ekspertë të reformës në drejtësi, nuk e mendonin kurrë ne vitet 2003 që kjo do të ndodhte, që kryeministrat tanë do të arrestoheshin, kryeministrat tanë do të burgoseshin, por ja që ndodh. Çdo politikan do të duhet të ketë frikë nga reforma. Ju keni zoti Bushati?

MEPJ Ditmir Bushati: Në radhë të parë mendoj se fakti që ka kaq shumë rezistencë, fakti që ka një konfigurim të ri politik pas 25 qershorit, fakti që ka kaq shumë diskutim dhe peshë, nuk kuptohet se ku përfundon diskutimi racional dhe ku përfundon paranoja, do të thotë që efektet e para pozitive reforma në drejtësi i ka prodhuar. Edhe pse në të shkuarën, është turp ta thuash, por tradita jonë ka qenë e tillë që ligjet miratoheshin pa fort kokëçarje me idenë që nuk do të zbatoheshin njëlloj për të gjithë. Sot jemi në kushtet kur duke iu referuar atyre pamjeve që ju dhatë, një pjesë e mirë e establishment-it politik që në njëzetë e ca vite kanë qenë përcaktues për fatet e Shqipërisë detyrohen edhe pse në një moshë të thyer, shtatëdhjetë e ca vjeç, të përpiqen të tregojnë muskujt me Gardën e Republikës, me shpresën që do të kishin ndaluar procedurën e sotme. Apo thërriten njëmijë, dymijë, apo nuk e di sa ishin rrethepërqark Kuvendit për një çështje që në fakt nuk është kauzë sepse në tërë botën në rast se i referohemi edhe protestave bëhen për çështje të caktuara, bëhen për çështje në funksion të shtyrjes përpara të një çështje, në funksion të zhvillimit më të mirë të jetës politike, ekonomike, sociale e kështu me radhë, Pra, nuk mbahen për të mbajtur në detyrë apo për t’i bërë avokatinë x apo y. Mendoj që edhe prokurori i përgjithshëm që ishte deri më sot në detyrë, zoti Llalla, nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të ketë pretenduar të qëndronte përtej kushtetutës dhe përtej mandatit që i përcaktonte kushtetuta në detyrë. Them që jo vetëm politika, jo vetëm njerëzit që janë mbartës të funksioneve të caktuara, por me intensifikimin e reformës ne drejtësi edhe biznesi është mirë të jetë më i kujdesshëm, edhe pronarët e medias është mirë që të jenë më të kujdesshëm në rast se dua që të kemi një vështrim holistik siç ka ndodhur edhe nëpër rastet të cilët ju përmendët.

Rudina Xhunga: Për ta mbyllur këtë pjesë të parë në fakt dhe për të marrë përgjigjet për pyetjen që bëra, a keni ju frikë nga reforma në drejtësi. Ndërsa po përgjigjeshit po mendoja ju nuk keni pasur asnjë nga këto akuzat për korrupsion. Akuzat ndaj jush, sidomos ajo, zoti Berisha e ka shtuar sëfundmi, shpesh janë për një aferë në Brazil. Se tani më vjen të qesh kur pyes, vërtetë ...

MEPJ Ditmir Bushati: Edhe mua më vjen për të qeshur sa herë e dëgjoj këtë gjë, po le t’ia lëmë këto Berishës se janë nga ato ëndrrat e Berishës që i shikon, i thotë, më pas fillon i beson e i mbush mendjen atyre që ka rrethepërqark për të thënë të njëjtën vjershë.

Rudina Xhunga: Jua përmendën edhe sot në parlament besoj...

MEPJ Ditmir Bushati: Këto janë gjëra për të cilat ne kemi fituar imunitet.