Postuar më: 19 Dhjetor 2017

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa II

 

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa II

 

Rudina Xhunga: Kalojmë në pjesën e dytë për të folur për ato gjëra për të cilat nuk fitohet imunitet dhe sidomos për çfarë ndodhi sëfundimi. Dhe tani dalim pak edhe se çfarë interesi ka në Tiranë sepse ka interesa të shqiptarëve kudo janë, në Maqedoni pas mbledhjes së dy qeverive, në Kosovë pas mbledhjes së dy qeverive gjithashtu, por edhe ne Greqi ku qeveria me ç’duket, qeveria Rama ka nisur të tregojë hapat e para për të diskutuar me ç’duket në takimet e janarit me ministrin e Jashtëm grek.

Dhe rikthehemi në pjesën e dytë në “Dritare” në Vizion Plus ndërkohë që flasim se çfarë po ndodh në Bruksel z. Bushati.

MEPJ Ditmir Bushati: Është një takim i përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme me gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rudina Xhunga: Pse nuk ishin Ju?

MEPJ Ditmir Bushati: Jo. Është formati i tillë ku natyrisht do të merret në shqyrtim ecuria e vitit që po lemë dhe sfidat e 2018-s. 2018 siç e dini është një vit përcaktues. Në radhë të parë do të kemi në shkurt strategjinë që do të bëjë publike vetë Komisioni Evropian për mënyrën se si do të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor më tej në një proces më të strukturuar me vetë BE-në. Në pranverë, në prill do të dalin raportet për secilin prej vendeve që janë pjesë e procesit të zgjerimit. Në maj do të jetë samiti i lartë për Ballkanit Perëndimor. Pas shumë e shumë kohësh një samit i tillë që do të mbahet gjatë presidencës bullgare, dhe në qershor natyrisht që presim vendimmarrjen e  vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme është një personalitet i investuar fort për ecurinë e mëtejshme të Ballkanit Perëndimor dhe natyrisht këto janë diskutime dhe takime ku palët bashkërendojmë pikëpamjet dhe qëndrimet për këto çështje dhe sfida të cilat përmenda.

Rudina Xhunga: Ju keni pasur gjithashtu takime me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian z. Bushati. Juve ju pyesin për drogën në këto takime? Flisni kaq sa flitet në Shqipëri?

MEPJ Ditmir Bushati: Takimet me Juncker, me Tusk, me Mogherinin, Tajanin dhe më pas takimet që kam zhvilluar unë me Avramopoulosin, me Timermmans, takimi që u zhvillua, bashkëbisedimi në Komisionin e Politikës së Jashtme, në Parlament. Pra rrokëm le të themi  të gjithë hapësirën e mundshme në Bruksel. Unë them që kanë qenë takime shumë të frytshme. E përbashkëta e atyre takimeve është mbështetja për procesin e reformave në Shqipëri. Shqipëria është shumë më pranë për çeljen e negociatave seç ka qenë para një muaji apo para gjashtë muajsh. Natyrisht puna vazhdon, nuk ka vend për vetëkënaqësi. Qëndrimet e sotme dhe skenat e sotme krijojnë një impakt negativ për Shqipërinë dhe jo vetëm për opozitën parlamentare. Por besoj se nga ana tjetër në Bruksel ka një shikim të kthjellët, ka një analizë më tërësore të aktorëve politikë të cilët tentojnë me çdo kusht të bllokojnë procesin e zbatimit të reformës në drejtësi, një proces i ndërlidhur pashmangshmërisht me vendimmarrjen për negociatat për anëtarësim.

Më pyetet për çështjen e drogës. Mund t’ju them se Shqipëria është i vetmi vend sot për sot në Evropë që jo vetëm ka pranuar përfshirjen e komisionit të Venecias dhe ekspertizës ndërkombëtare në një shkallë shumë të gjerë gjatë gjithë procesit të hartimit të reformës në drejtësi, por edhe gjatë procesit të zbatimit të reformës në drejtësi. Le të mos harrojmë që ne kemi disa ekspertë ndërkombëtarë që punojnë me anëtarët e trupave të Vetting-ut që janë zgjedhur nga parlamenti shqiptar. Çka nuk është rasti edhe për një pjesë të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot që kanë një lloj rimorsi për të bashkëpunuar me ekspertizën e Këshillit të Evropës apo me komisionin e Venecias.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i përket luftës kundër drogës dhe kundër kultivimit të drogës. Është i vetmi vend që ka çeduar sovranitet duke përfshirë Guardia di Finanza në një operacion masiv për eliminimin, frenimin e kultivimin e lëndëve narkotike dhe sot fokusi është tek çështje të trafikimit.

Po në këtë drejtim ne po punojmë për intensifikimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe fenomene të tjera të cilat ndërlidhen me reformat e sundimit të së drejtës në ekonomi.

Rudina Xhunga: Opozita ju ka akuzuar gjithashtu, po i rikthehem akuzave të mëparshme, për mospërfshirjen e delegacionit të Këshillit të Stabilizim Asocimit.

MEPJ Ditmir Bushati: Cila opozitë se kam dëgjuar Joridën  që ankohet se Genci nuk ankohet dot vetë. Prandaj kujt i referoheni Joridës për Gencin Pollon? Këto janë shashka, janë si e-mailet e Genc Pollos në Parlamentin Evropian me të cilat kanë filluar barsoletat dhe gjëegjëzat. Ju e dini atë shprehjen, vesi me zor del dhe ku më pyesni për kohën. T’ia kursejmë qytetarëve tanë këto tema se nuk kanë asnjë lloj interesi. Delegacioni shqiptar ka qenë në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, me parashikimet që ka në një rast të tillë marrëveshja për Stabilizim Asocimin. Kushdo që dëshiron të kontribuojë, përfshirë kryetarin e komisionit të integrimit evropian është i mirëpritur, por loja me e-maile në Bruksel ka kohë që ka përfunduar dhe unë i bëj thirrje që si rishtarëve në politikë edhe atyre që kanë kontribute të niveleve të ndryshme që ta stopojnë këtë lloj loje sepse nuk i bën shërbim as atyre as vendit.

Rudina Xhunga: Largohemi pak se çfarë do të ndodhë në shkurt, se çfarë do të ndodhë në qershor, çfarë do të ndodhë me integrimin evropian.

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk ju bën përshtypje që një javë pasi Presidenti i Komisionit Evropian deklaron dhe thotë që Shqipëria ka ndërmarrë këto reforma të rëndësishme, është në rrugën e duhur dhe është shumë pranë, unë janë shumë pranë propozimit ndaj vendeve anëtare për propozimin e fillimit të anëtarësimit për Shqipërinë, Presidenti i Këshillit Evropian thotë të njëjtën gjë, Përfaqësuesja e Lartë thotë të njëjtën gjë, Presidenti i Parlamentit Evropian thotë të njëjtën gjë. Të gjithë këta njerëz, me përjashtim të Mogherinit i përkasin një familjeje tjetër politike nga ajo që jemi ne. Dhe një javë më pas, opozita ofron këtë lloj spektakli për Shqipërinë. Sepse ky nuk është asnjë spektakël për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, sepse aty nuk ka një temë apo një debat që lidhet me të përditshmen e qytetarëve.

Rudina Xhunga: Drejtësia është A-ja.

MEPJ Ditmir Bushati: Drejtësia është A-ja por nuk besoj se ka ndonjë shqiptar naiv që mendon që Saliu, Luli dhe Monika po çirreshin për drejtësinë aty. Prandaj po them, ky është një lloj spektakli që tentohet në mënyrë artificiale, për t’ia servirur Bashkimit Evropian, për të krijuar idenë që Shqipëria është një vend i destabilizuar, në kushtet kur Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë vendimtare që edhe sikur të mos ekzistonte fare e ashtuquajtura perspektivë e integrimit evropian, edhe sikur të mos ekzistonte far e ashtuquajtura pritshmëri për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, sërish e them që është diçka e nevojshme, e domosdoshme për vetë Shqipërinë. Sepse kur dëgjoja sot për shembull Bashën që fliste për Kushtetutën që importohej në mënyrë krejt false, t’ju them të drejtën më kujtoheshin proceset e tij gjyqësore dhe sesi ai i bishtnonte atyre. Dhe unë besoj se detyra më e mirë dhe shërbimi më i mirë që mund të bëjë secili prej nesh, mund t’i bëjë vendit, është të kontribuojë me shembullin personal. Duke i referuar dhe njëherë pyetjes që ju më bëni edhe opozitës, besoj se detyra më e mirë që mund të bëjnë është duke dëshmuar një lloj sensi përgjegjshmërie për sfidat me të cilat përballet Shqipëria.

Rudina Xhunga: Ok, ndoshta kjo ndodh pasi po afrohet janari dhe na ndjekin mallkimet e janarit, kur opozitat shqiptare protestojnë.

MEPJ Ditmir Bushati: Ky është një tjetër rast dhe ju falënderoj që ma sollët në vëmendje. Dëshmon kontrastin e madh që ekziston me nesh dhe opozitës së sotme. Meqenëse përmendët 21 janarin dhe mënyrën sesi është menaxhuar sot seanca parlamentare. Kujtojmë menaxhimin e seancave të ndryshme parlamentare, kur shihnim Berishën që përdorte një llogore ndaj opozitës së kohës dhe me libër shtëpie ndaj secilit anëtar të opozitës, apo një opozitë siç ishte opozita jonë e cila përgjakej shesheve të Shqipërisë apo bulevardit të Dëshmorëve të Kombit dhe besoj që për çdo kënd që mund të shohë pamjet e janarit të disa viteve më parë me dhjetorin e 2017, është shumë i dukshëm ky lloj kontrasti.

Rudina Xhunga: Shkojmë tek Greqia e cila ishte një temë e nxehtë para pak kohësh që me sa duket nga të tjera situata në vend, u tejkalua. Do të riflitet përsëri në janar. Në janar do të jetë homologu juaj në Tiranë?

MEPJ Ditmir Bushati: Do të jetë në Korçë.

Rudina Xhunga: Ka qenë një hap i parë, unë pata në fakt dhe shkrim kundër, menjëherë sot. Por tani nuk po lexoj shkrimin. Gjithsesi ishte një vendim i këshillit të ministrave i datës 13 dhjetor i cili ka miratuar, ka bërë lëvizjen e parë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë, thotë media. Ky vendim, nuk po e lexojë të gjithë vendimin e këshillit të ministrave, bën fjalë për kërkimin, zhvarrimin dhe identifikimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo - greke të viteve 40-41’ dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Çfarë do të ndodhë praktikisht dhe kur? Dhe është diçka e kërkuar nga pala greke?

MEPJ Ditmir Bushati: Kjo është një nga çështjet pjesë përbërëse e paketës së diskutimeve të cilën ne e kemi hapur me palën greke. Siç jam përpjekur ta sqaroj dhe në raste të tjera paketa jonë ka çështje të karakterit historik siç është çështja e vendprehjes së të rënëve grekë gjatë viteve 40-41, çështjet të aktualitetit të përditshëm dhe çështjet që kanë një rëndësi të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Ka një marrëveshje që është firmosur në vitin 2009 nga ana e qeverisë Berisha, mos gaboj është depozituar në parlament dy ditë para se Kryeministri grek Karamanlis të vizitonte Tiranën. Është një marrëveshje të cilën për hir të së vërtetës nga pikëpamja e Konventës së Vjenës dhe nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare ne e kemi njohur si të tillë për sa kohë ajo nuk është kundërshtuar në rrugë gjyqësore nga asnjë palë e interesuar. Por nga ana tjetër gjatë këtyre dy viteve në kanale diplomatike ekspertët tanë, por edhe në nivel politik, i kanë transmetuar qeverisë greke shqetësimin mbi disa mangësi dhe mungesën e garancive të nevojshme që do të krijonin mundësi që kjo marrëveshje të zbatohej në përputhje me rregullën e të drejtës ndërkombëtare në praktikë. Nga kjo pikëpamje gjatë këtyre dy viteve ka pasur disa mbledhje të Komiteteve të Përbashkëta të ekspertëve ku janë diskutuar këto modalitete dhe sot mund të thuhet që për zbatimin e kësaj marrëveshje janë vendosur të gjitha garancitë e nevojshme që edhe e drejta ndërkombëtare të respektohet, edhe historia të respektohet por dhe kuadri i brendshëm Kushtetues i Shqipërisë të respektohet. Jemi të vendosur për të ecur përpara, është një nga disa çështje që janë pjesë e paketës dhe në ditët në vijim presim që të kemi zhvillime të tjera pozitive, sepse marrëdhënia shqiptaro-greke është një marrëdhënie e cila besojmë bazohet mbi angazhime të përbashkëta dhe në një të ardhme shpresoj jo të largët në do të kemi lajme pozitive për të gjithë paketën e cila vijon dhe diskutohet.

Rudina Xhunga: Përfshirë dhe ato që duam ne jo vetëm ato që duan grekët?

MEPJ Ditmir Bushati: Absolutisht, paketa parashikon çështje të cilat janë në interes të palëve. Në radhë të parë ka qenë një përpjekje goxha e mundimshme për të listuar çështjet sepse siç edhe ju mund ta dini por edhe duke iu referuar fakteve qe media i ka përcjellë me shumë profesionalizëm, disa çështje nga pala greke as nuk konsideroheshin si te tilla para disa vitesh. Pra kur flasim për paketën kemi parasysh te gjitha heshtjet që shqetësojnë njërën apo tjetrën palë në këtë negociatë në këtë diskutim.

Rudina Xhunga: Gjithsesi për më shumë lajme ne duhet të presim takim tuaj në Korçë, kur është në janar?

MEPJ Ditmir Bushati: Do të jetë në 19-21 janar, do të vazhdojmë punën, ka në fakt dy vite që është nisur natyrisht pas takimit të Kryeministrit Rama me kryeministrin Tsipras në Samitin e NATO-s në Bruksel  është rënë dakord që ky lloj procesi të drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Ministrat e Jashtëm, dhe mund të them që në Kretë ne kemi bërë disa hapa përpara. Jam i bindur që dhe në Korçë do të bëjmë hapa përpara. Nuk është një dosje e lehtë, ka shumë keqkuptime, shpesh keqkuptime dhe stereotipe që stimulohen nga faktorë të ndryshëm politik dhe shoqëror por jemi të vendosur që të ecim përpara.

Rudina Xhunga: Për të gjitha qoftë për marrëveshjen e detit, qoftë për termin Çamëria, pronat..

MEPJ Ditmir Bushati: Për të gjitha!

Rudina Xhunga: Sepse dhe ju edhe Ministri homolog nuk folët pas Kretës shumë, ruajtët një linjë pozitive por të patreguar.

MEPJ Ditmir Bushati: Besoj se duhet të mirëkuptohemi për këtë pikë sepse procesi është delikat. Është shumë e rëndësishme që fryma e besimit të vijë e të forcohet në këtë marrëdhënie dhe është shumë e rëndësishme që interesat e palëve të akomodohen por natyrisht të akomodohet brenda një kuadri që përcakton e drejta ndërkombëtare. Dhe në një rast të tillë kemi vendosur që të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë punë me shpresën dhe synimin që këto çështje do t’i shtyjmë përpara.

Rudina Xhunga: Ndërsa ju ishit në Kretë dhe kishte pak lajme prej jush, nuk kishte fare lajme as në shtypin grek madje. Avokat Ngjela në studio tha që kur nuk ka lajme domethënë janë të mira për Shqipërinë sepse grekëve nuk u intereson t’i tregojnë. Kështu që po e mbyll me këtë frazë takimin e Kretës në pritje të atij të Korçës.

Ndërkohë ishte një takim që nuk pati shumë jehonë ky me qeverinë maqedonase, në fakt mezi pritej, nuk pati shumë reagime në media, në Shqipëri të paktën, mbase ka pasur më shumë media shqiptare në Maqedoni. Ishte takimi i parë i dy qeverive, qeverisë Zaev dhe qeverisë Rama.

MEPJ Ditmir Bushati: Kjo është shenjë normaliteti. Në rast se nuk ka pasur shumë reagime mendoj se është shenjë normaliteti. Në fakt ne kemi mbyllur mbledhjen e katërt me Kosovën, të parën me Maqedoninë, do të kemi një tjetër me qeverinë e Malit të Zi në Shkodër, brenda pranverës së 2018-ës dhe shpresojmë që fundi i bisedimeve me Greqinë të na çojë drejt një marrëveshjeje apo një traktati të ri miqësie ku do të parashikohet gjithashtu edhe ky mekanizëm. Pra, një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive. Por edhe me Maqedoninë kemi ndërtuar një trase të mirë bazuar dhe në një realitet të ri i cili ishte i pamenduar një vit më parë, një frymë të re mirëkuptimi dhe ka interesa të përbashkëta qoftë në fushën e ndërlidhjes, qoftë në fushën e infrastrukturës, programeve ndërkufitare por edhe për sa i përket perspektivës evropiane.

Rudina Xhunga: Po shohim edhe takimin e Pustecit. Ndërsa flasim është dhe takimi i Pustecit, Kryeministri Rama shoqëruar nga zoti Majko.

MEPJ Ditmir Bushati: Të nesërmen kemi zhvilluar një vizitë në Pustec, ku patëm një diskutim shumë të frytshëm me komunitetin atje i cili është minoritet maqedonas, edhe në kuadër të ligjit të ri që kemi miratuar për pakicat kombëtare. Dhe pati një angazhim nga ana e kryeministrit për zbatimin e disa prioriteteve të cilat pritet të përmirësojnë jetën e komunitetit atje

Rudina Xhunga: Kjo është çfarë do të doja të dija. Për shembull në takimet e ngjashme, ky është një takim e z. Rama me homologun maqedonas Zaev, në një vend ku shqiptarët nuk kanë të gjithë të drejtat që kërkojnë, madje kanë shumë më pak nga çfarë meritojnë dhe kërkojnë prej kohës. Në takimet e ngjashme si ndodh që kërkesat e palës shqiptare, shqiptarëve që janë atje të vijnë, zyrtarizohen tek ju për të shkuar më pas tek Kryeministri.

MEPJ Ditmir Bushati: E para shqiptarët në Maqedoni kanë një rol përcaktues, kanë një komunitet shtetformues. Janë pjesë e sistemit politik, janë pjesë e sistemit qeverisës dhe pjesë e vendimmarrjes në Maqedoni. Por natyrisht ka dhe një kanal komunikimi konsultimi të shumanshëm do të thosha me të gjithë faktorin politik në Maqedoni, flas për faktorin politik shqiptar, qofshin partitë politike në qeveri dhe ato që janë në opozitë. Në analizë të fundit Shqipëria është vend anëtar në NATO, është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, është e interesuar dhe kriza e fundit në Maqedoni dëshmoi qartë se Shqipëria është fqinji më i interesuar për stabilitet demokratik atje. Natyrisht një pjesë të problematikës që ka lidhje me zbatimin apo avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni ne kemi mundësinë t’i trajtojmë në nivel dypalësh me Maqedoninë. Edhe marrëveshjet që janë firmosur sidomos në fushën e bashkëpunimit kulturor, në fushën e bashkëpunimit në arsim synojnë ndërmjet të tjerash edhe një avancim më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Rudina Xhunga: Ndërkohë ju patët ndikim edhe në marrëdhënien mes shqiptarëve, mes partive politike në Maqedoni. Dihet është një tipar i njohur i shqiptarëve mënyra se si përçahen, se si ndahen në shumë parti, se si ngatërrohen mes vetes. U duk sikur ju ndikuat në mënyrë pozitive në marrëdhënien mes tyre, në prag të zgjedhjeve. E njëjta situatë u përsërit në Tuz, në Mal të Zi apo ishte e ndryshme?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin dhe rrjedhimisht me përfaqësimin e partive politike shqiptare në zgjedhjet e fundit të Tuzit, pavarësisht se mbështetëm deklaratën e firmosur prej vetë faktorëve politik atje e faktit që ata nuk i qëndruan asaj deklarate, nuk dolën në një listë të përbashkët. Kjo dëmtoi shanset e shqiptarëve për t’u përfaqësuar në mënyrë më dinjitoze dhe më reale në institucionet përfaqësuese të komunës së Tuzit, duke ulur ndjeshëm dhe shanset për administrimin e komunës nga vetë shqiptarët, për më tepër që viti tjetër do të jetë një vit përcaktues sepse komuna e Tuzit do të marrë autonominë. Ne do të vazhdojmë të nxisim këtë lloj kohezioni me të gjithë faktorin politik shqiptar në Mal të Zi, sepse në të shkuarën shqiptarët kanë qenë përcaktues për fatet e Malit të Zi, për pavarësinë e Malit të Zi dhe faktor orientues për rrugëtimin Euro-Atlantik.

Rudina Xhunga I bën të ndihen më të rëndësishëm? Po e bëj për pjesën e tretë këtë pyetje.