Postuar më: 19 Dhjetor 2017

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa III

 

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Dritare” me Rudina Xhungën – Pjesa III

 

Rudina Xhunga:  Në mos ndikojë dot zyrtarisht, politika shqiptare, Shqipëria zyrtare, në mënyrën sesi trajtohen  shqiptarët në Maqedoni apo Mal të Zi, ka të bëjë në ndjesinë e tyre që kanë një shtet, ku mund të drejtohen, e kemi quajtur shteti mëmë…

MEPJ Ditmir Bushati: Është një proces krejt i natyrshëm, krejt legjitim që shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, të kenë një linjë komunikimi me vendin amë.  Nuk përmenda Kosovën, sepse është shteti i dytë i pavarur shqiptar në Ballkan me institucione dhe qeveri legjitime. Është logjika mbi të cilën funksionojnë përgjithësisht marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk është thjesht një rast i yni.

Rudina Xhunga: Ju dhatë më sipër një përgjigje por le ta shtjellojmë në sa kemi mundësi, pas deklarimit të presidentit amerikan Trump për Jerusalemin, cili është qëndrimi  që mban Shqipëria në lidhje me këtë dhe pastaj në lidhje me Organizatën e Bashkimit Islamik, qëndrimin tonë në të. Ka diçka që duhet ta nënkuptojmë?

MEPJ Ditmir Bushati: Në politikë të Jashtme ka momente kur shtetet mbajnë qëndrime, linjëzohen me organizatat  ku ata bëjnë pjesë apo janë palë, dënojnë ngjarje apo manovra të caktuara. Ka dhe momente ku shtetet preferojnë të heshtin, sepse qëndrimin për një çështje, e cila kthehet në temë të opinionit ndërkombëtar, shteti në fjalë e ka qëndrimin e qartë. Marrim rastin e anoncimit që bëri presidenti Trump për të lëvizur selinë e ambasadës amerikane nga Tel Avivi, në Jerusalem. Për këtë, Shqipëria ka pasur dhe ka të njëjtin qëndrim. Në fakt, ka katër rezoluta. E para, e 68-ës, e dyta dhe e treta në 80-ën, e katërta e 2016-ës. Kanë ndryshuar regjime dhe disa qeveri në Shqipëri. Natyrisht që ndryshimi i regjimeve ka sjellë një rikonceptim tërësor të politikës së Jashtme, por kur i referohemi Shqipërisë nga 90 e deri në këto momente, për çështjen e kufijve dhe zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë dhe krijimit të dy shteteve, pozicioni i të gjitha qeverive në Shqipëri, ka qenë i njëjtë. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne nuk e kemi parë të udhës që të ritheksonim këtë qëndrim të njohur.

E dyta, në raste të ndryshme, partnerë apo organizata i kërkojnë një shteti të linjëzojë qëndrimin e tij, p.sh. kur Komisioni Evropian publikon raportin për Shqipërinë, në çdo konferencë për shtyp të BE, ju do të lexoni një paragraf ku vlerësohet linjëzimi 100% në politikën e Jashtme që Shqipëria bën me BE-në, ç’ka nuk është rasti me pjesën tjetër të vendeve, pavarësisht se janë vende kandidate, sepse është një detyrim nga fakti që jemi një vend kandidat për anëtarësim në BE.

Së treti, ka raste të caktuara siç është SHBA apo aleatë të tjerë të rëndësishëm për Shqipërinë në NATO por, edhe në kuptimin bilateral që i kërkojnë Shqipërisë të linjëzojë qëndrime të caktuara. Nuk kemi pasur një kërkesë të tillë dhe e kam thënë edhe në parlament që kjo qeveri, nuk vuan nga gjigandomania që për çfarëdolloj gjëje që ndodh në botë, automatikisht të dalë të mbajë një konferencë apo qëndrim.

Rudina Xhunga: A do ta çoni ambasadën në Jerusalem, duhet t’i jepni përgjigje shqiptarëve.

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, në rast se ju bëni këtë pyetje, unë ju them: Rikonfirmoj se Shqipëria nuk ka ndryshuar gjë, ka atë qëndrim që ka pasur tradicionalisht për këtë çështje. Ambasada e Shqipërisë do të vijojë të jetë në Tel Aviv dhe Shqipëria për këtë çështje e ka qëndrimin të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe me një shumicë dërrmuese të shteteve që sot për sot janë anëtare të OKB-së. Kur i referohem 4 rezolutave, i referohem 4 rezolutave të Këshillit të Sigurimit që kanë efekte detyruese. Mbi të gjitha vendet, minimumi mbi të gjitha vendet anëtare të OKB-së, ka një efekt detyrues, për rendin ndërkombëtar në përgjithësi. Ky ka qenë qëndrimi i Shqipërisë për këtë çështje.

E habitshme është që edhe për një çështje që është kaq e thjeshtë, (dhe në rast se bëjmë pak kërkim shohim që të gjithë aktorët politikë që kanë qeverisur në Shqipëri këto 27 vite, kanë pasur qëndrimin e pandryshuar), ekzistojnë 4 rezoluta të OKB. Referencat e kufijve të  67-ës, janë  përcaktuar nga këto rezoluta. Edhe kjo çështje duket se e ka luksin të bëhet pjesë e debatit politik dhe kësaj radhe ka qenë periferik, krahasuar me debate të tjera.

Anëtarësinë tonë në Konferencën Islamike që ishte pyetja e dytë, mund ta sqaroj si më poshtë:

Shqipëria është bërë anëtare në 92-shin. Ka qenë një vullnet i ish presidentit Sali Berisha në atë kohë për të anëtarësuar Shqipërinë në Konferencën Islamike. Duhet t’a pranojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike, që më vonë u transformua në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, është një akt nga pikëpamja juridike i pazakontë. Nga pikëpamja politike, mund të ketë gjithmonë argumente pro dhe kundër. Ka njerëz studiues ose  jo aktivë në politikë qe venë në pikëpyetje, le të themi, efektivitetin, domosdoshmërinë,  logjikën e pranisë së Shqipërisë në atë tryezë. Por, nga pikëpamja juridike, se nga politike nuk është vendi këtu dhe nuk më takon mua që ta bëj këtë analizë, është e pazakontë. Pse? Sepse akti i ratifikimit në këtë organizatë nuk ka ndodhur nga parlamenti i Shqipërisë.

Rudina Xhunga: Parlamenti shqiptar nuk e ka njohur fare…

MEPJ Ditmir Bushati: Parlamenti shqiptar nuk e ka ratifikuar që është një kërkesë e së drejtës ndërkombëtare dhe së dyti, parlamenti shqiptar rrjedhimisht nuk ka depozituar një instrument ratifikimi, si palë në këtë konferencë  apo organizatë që do të thotë, politikisht, ne vijojmë të jemi atje ndonëse niveli ynë i përfaqësimit tradicionalisht ka qenë në po atë nivel që ishte në takimin e fundit. Ndërkohë, nga pikëpamja juridike është kjo situatë që unë shpjegova.

Në këtë forum, qëndrimi i politikës së Jashtme, mbizotërues gjatë 20 e ca viteve për të cilat flasim, ka qenë që, le ti shërbejmë lobimit apo komunikimit më të mirë për çështjen e Kosovës, pavarësisht se numrat e vendeve pjesëmarrëse nuk është se e mbështesin fort këtë argument, sepse nga 57 vende që janë në organizatë, 38 e kanë njohur Kosovën. Pra, nuk mund të thuhet që nga ky argument mund të merret si i mirëqenë fakti që të gjithë vendet që janë pjesë e kësaj organizate e kanë njohur Kosovën. Por ky ka qenë një argument mbizotërues, sikundër sot për sot politika e Jashtme njeh këto lloj formash ku shtete të caktuara janë edhe vëzhguese, p.sh, në organizata të një karakteri rajonal siç janë vendet ASEAN që janë vende të Azisë apo vende të Amerikës Latine  etj, ku me praninë tënde ke mundësi për të komunikuar në interes të politikës tënde të Jashtme apo për të çuar më përpara disa lidhje të karakterit politik dhe ekonomik, pa qenë domosdoshmërish pjesë e plotë integrale e këtij mekanizmi ose kësaj organizate.

Ky është qëndrimi i Shqipërisë përsa i përket pjesëmarrjes dhe ky qëndrim, kjo pjesëmarrje në këto nivele që ka Shqipëria, ka qenë i pandërprerë qëkur presidenti Sali Berisha ka anëtarësuar Shqipërinë në këtë organizatë.

Rudina Xhunga: Përmendët njohjen e Kosovës nga këto vende anëtare. Homologu juaj, z. Pacolli, ju akuzoi, akuzoi Shqipërinë dhe ishit edhe ju të përfshirë, për mos angazhimin e plotë në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, me fjalë të tjera.

MEPJ Ditmir Bushati: Baca Bexhet është një mik shumë i mirë përpara se të jetë koleg. Unë kam marrëdhënie vëllazërore dhe të shkëlqyera. Në gjykimin tim modest, është një prej arkitektëve të suksesit të Kosovës në procesin e marrjes së njohjeve ndërkombëtare apo në procesin e fitimit të subjektivitetit juridiko ndërkombëtar. Është krejt koshient për vështirësitë që ekzistojnë në këtë proces dhe të paktën unë kështu e kam lexuar apo kuptuar reagimin e tij, përsa i përket rolit të Tiranës zyrtare në këtë proces. Më pas, për çështje të tjera, edhe për shkak të kësaj marrëdhënieje shumë të mirë që unë kam me të, siç kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Enver Hoxhaj, preferoj që detaje apo çështje të caktuara, t’i komunikoj me të dhe jo përmes Dritares së Rudina Xhungës.

Rudina Xhunga: E mire. E lemë atëherë.  Nuk po i kthejmë përgjigje zotit Pacolli nga Dritarja, ndërkohë

MEPJ Ditmir Bushati: Jo, mund të bëjmë një Dritare sëbashku...

Rudina Xhunga:  Po me kënaqësi!

MEPJ Ditmir Bushati: Ne e kemi bërë me z. Hoxhaj, mund ta bëjmë edhe me z. Pacolli

Rudina Xhunga: Me shumë kënaqësi, edhe në Prishtinë madje.

MEPJ Ditmir Bushati: Edhe në Prishtinë, shumë mirë.

Rudina Xhunga: Ka qenë një vit i rëndësishëm për politikën e Jashtme, ka qenë një vit, nuk do të doja të përmendja fjalën sukses, sepse do të dukej sikur jam gazetare pushteti dhe jo gazetare kazani por në fakt, ka qenë një vit shumë i rëndësishëm

MEPJ Ditmir Bushati:  Mos u komplekso nga Andi Bushati, faktet janë fakte dhe kur ato janë pozitive, nuk ka pse të mos thuhen. Edhe kur ato janë negative gjithashtu duhen thënë.

Rudina Xhunga: Unë sa do ju mburrja juve, por ju ma pretë

MEPJ Ditmir Bushati: Ju kompleksova

Rudina Xhunga: Unë sa do thosha se fakti që një Ministër i Jashtëm nuk pa pasur protagonizëm, nuk keni treguar protagonizëm në asnjë mënyrë, por keni qenë Ministri i Jashtëm i shqiptarëve për 4 vite, vazhdoni të jeni në 4 vjeçarin tjetër të qeverisjes, ç’farë ka qenë për ju, ka qenë edhe shkollë përveç qeverisjes kjo kohë sepse është mandati juaj i dytë si Ministër i Jashtëm.

MEPJ Ditmir Bushati:  Nuk diskutohet që është një përgjegjësi shumë e madhe, është një punë që natyrisht më pëlqen dhe e bëj me shumë pasion. Libri dhe dija që përfton përgjithësisht në shkollë apo në auditorët e tjerë, nuk do të kishte vlerë në rast se nuk të jepej mundësia për të aplikuar në praktikë. Qoftë edhe gjithë këto tema që hapëm sot, natyrisht që kanë qenë një shkollë e madhe, qoftë dhe njohja me personalitete shumë të rëndësishme. 

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe komunikimi me ekspertë, ish diplomatë shqiptarë të cilët kanë kontribuar në etapa të ndryshme dhe të cilët gjithashtu janë një i frymëzim i madh për ne. Besoj se është një aset që duhet shfrytëzuar në kuptimin e mirë të fjalës më mirë sepse politika e Jashtme, si çdo gjë tjetër, ecën mbi bazën e ndërtimit të tullave. Jo çdo gjë fillon nga e para dhe sidomos në politikë të Jashtme. Unë ju referova disa çështjeve që sot për sot, njerëz apo aktorë të ndryshëm u munduan t’i shfrytëzojnë politikisht, por faktet janë kokëforta, janë aty, janë të ngurta dhe lëvizjet në politikë të Jashtme janë milimetrike.

Në këtë drejtim, unë them që ne duhet të nxjerrim më shumë mësime dhe duhet të ndërtojmë më shumë kapacitete edhe në këtë fushë.

Rudina Xhunga: Ndërkohë, fytyra e politikës së Jashtme për ndërkombëtarët jeni ju padyshim, por për shqiptarët janë ministritë, përfaqësitë, ambasadat, konsullatat kudo ata jetojnë, ai është shteti shqiptar, ai është Ministria e Jashtme  e Shqipërisë. Këtë vit, a do të kemi të reja për ndryshim e fytyrës së tyre dhe kur flas për to, kam parasysh Milanon. Në këtë emision ju keni folur për Milanon dhe keni thënë që do quhet sukses për mua kur të mos më thonë më, më cakto në Konsullatën e Milanos.

MEPJ Ditmir Bushati: Në fakt, ky proces ka filluar.

Rudina Xhunga: Unë isha dhe më bëri përshtypje fytyra e Konsullatës së Milanos dhe e konsulles së Milanos, dukej si një përfaqësuese e një shteti që s’do të grabisë, minimumi, ma krijoi këtë përshtypje.

MEPJ Ditmir Bushati: Në fakt, ndryshimi në Milano ka filluar. Ne kemi një përfaqësi, unë do të thosha moderne krahasuar jo vetëm me konsullata dhe përfaqësitë tona diplomatike, por edhe me konsullatat e vendeve të tjera në Milano. Ambientet e punës dhe ambientet në të cilat i shërbehet qytetarëve, janë modern, për mos të përmendur këtu edhe investimin teknologjik që ne kemi bërë. Tani më, një pjesë e shërbimeve merren edhe online, pa pasur nevojë për të shkuar pranë sportelit konsullor. Do të vazhdojë me procesin e modernizimit, kemi një plan ambicioz edhe me qeverinë e Kosovës për të bërë investime bashkërisht duke racionalizuar kësisoj shpenzimet dhe duke shërbyer më mirë.... Këtë bashkëpunim ne e kemi për Milanon, Munihun, Barin, tani jemi edhe në Kopenhagen bashkë, por ne duam që të bëjmë investime së bashku në mënyrë që investimet t’i racinalizojmë sidomos në ato qendra ku ka një përqendrim të madh të shqiptarëve, qofshin këta shqiptarë nga Shqipëria apo Kosova, që kanë nevojë për shërbimet tona, kanë nevojë për qendrën kulturore , kanë nevojë për të mbrojtur dhe për të identifikuar identitetin shqiptar.

Rudina Xhunga:  Po lemë një vit plot ngjarje siç është 2017-a. Pak na ndajnë nga 2018-a. Cili ka për t’u kujtuar si vit i çfarë, si vit i kujt, marrim një emër për politikën e Jashtme?

 

MEPJ Ditmir Bushati: Unë shpresoj shumë që 2018-a, të jetë viti i vendimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Në këto pamje që ju servirën sot shqiptarëve, ndoshta duket pak ironike që të flasim për kompromisin, për ujdinë politike, për mënyrën se si ne duhet të merremi më shumë vesh me njëri tjetrin. Ndoshta ka ardhur koha që t’i bëjmë një thirrje finale njëri tjetrit. Në fillim të emisionit ti më pyete nëse duhet të kemi ne politikanët frikë nga drejtësia. Unë them ka ardhur koha që të kemi frikë nga ligji, por ka ardhur koha të mendojmë për atë se ç’ka do t’i lemë më vonë fëmijëve tanë, Shqipërisë, në rast se do të na skuqet faqja për atë ç’ka po bëjmë apo në rast se do të ndihemi mirë se disa gjëra i bëmë edhe duke gabuar. Në këtë kontekst, unë besoj fuqimisht se 2018-a, duhet të jetë viti i vendimmarrjes për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Duhet të hedhim shikimin rreth e përqark nesh për të shikuar që Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë bërë diçka të jashtëzakonshme në këtë proces, kanë bërë kompromise me njëri tjetrin të dhimbshme, për të hedhur hapa në procesin e integrimit evropian. Ndaj, do të ishte e pafalshme nga ana jonë për të mos bërë një gjë të tillë dhe për të mos shkuar në tryezën e bisedimeve për anëtarësim për një sukses të përbashkët, që në fakt nuk do të ishte thjesht sukses i politikës së Jashtme apo i qeverisë shqiptare, por do të ishte sukses i Shqipërisë, ku të gjithë aktorët do të ndiheshin mirë.

Rudina: E mbyllim me këtë urim intervistën me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme,  z. Ditmir Bushati me urimin e 2018-ës. Qoftë një vit evropian

Faleminderit                                                 

MEPJ Ditmir Bushati: Faleminderit. Gëzuar.