Postuar më: 20 Prill 2018

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu

 

Pyetje: Zoti Bushati, raporti i fundit duket se nuk ka asnjë fjalë entuziaste për Shqipërinë, përveç çështjes së reformës në drejtësi që në fakt është një investim i drejtpërdrejtë i Komisionit. Ku e shihni ju tjetër pozitivitetin e këtij raporti? Në cilat nga pikat?

MEPJ Ditmir Bushati: Raporti vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në shumë fusha dhe unë mund t’ju listoj dy fusha të tjera, krahas reformës në drejtësi ku ka një progres dhe vlerësim më të mirë se 2016-ta, liria e shprehjes që është pjesë e pesë prioriteteve dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krahasuar me 2016-ën, pra në një vit e gjysmë, raporti gjithashtu e pozicionon reformën në drejtësi si një mundësi për t’u kthyer në precedentë edhe për vendet e tjera në rajon, qoftë për ato vende që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, apo vendeve që presin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Prandaj mund të thuhet pa mëdyshje, sipas Komisionit Evropian, jo vetëm në pesë prioritetet kyçe, por në kriteret në përgjithësi, kriteret politike dhe ekonomike dhe në kapitujt e Acquis Communautaire, Shqipëria ka bërë progres krahasuar me 2016-ën. Nuk ka asnjë fushë ku nuk ka progres ose ku ka hapa pas. Ne gjithashtu kemi bërë një analizë të një harte me vendet e tjera të rajonit bazuar mbi vlerësimet e Komisionit Evropian të publikuara para dy ditëve.

Pyetje: Këto janë raporte të hartuara dhe zakonisht përdorin gjuhë të fortë diplomatike. Ju flisni për luftën kundër krimit të organizuar. Ju përmendët të paktën dy banda të ndaluara nga Policia e Shtetit shqiptar ose të proceduara, përveç faktit që në raport nuk përmendet as çështja “Tahiri”, e cila në fakt duket se ka qenë problematike për disa seli të tjera ndërkombëtare, vende anëtare të Bashkimit Evropian.

MEPJ Ditmir Bushati: E para, përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, në raport evidentohet shumë qartë shfarosja e mbjelljes së kanabisit në Shqipëri dhe progresi i qartë në këtë drejtim. E dyta, lufta dhe bashkëpunimi që policia shqiptare dhe organet ligjzbatuese bëjnë me autoritete simotra. Nuk duhet të harrojmë fatin se, si përsa i përket reformës në drejtësi, ashtu edhe sikurse i përket luftës kundër krimit të organizuar, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka këtë bashkëpunim ndërkombëtar. Ju e dini shumë mirë që ka pasur rezistencë të madhe politike gjatë viteve të kaluara për të pasur një prani të ekspertizës ndërkombëtare në procesin e vendimmarrjes përsa i përket reformës në drejtësi dhe luftës që bën policia në këto fronte. E treta, raporti evidenton me të drejtë një rritje të sekuestrimeve përsa i përket aseteve kriminale, pra  aseteve që e kanë prejardhjen tek krimi i organizuar, por nga ana tjetër, natyrisht që ne nuk mund të jemi të kënaqur dhe nuk mund të themi që krimi i organizuar në Shqipëri apo në rajon, nuk është një fenomen sfidues për proceset e zhvillimit normal demokratik dhe raporti evidenton edhe detyrat në këtë drejtim.

Pyetje: Kryeministri Rama foli dje për disa deputetë gjermanë, të ushqyer sipas tij, nga propaganda e Partisë Demokratike. Ju si njeri i diplomacisë, për kë mendoni se bëhet fjalë? Për cilët deputetë?

MEPJ Ditmir Bushati: Unë kam qenë prezent dhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë kur ka folur. Në çdo parlament ka deputetë, të cilët kanë qëndrime më të nuancuara, që jo domosdoshmërish mund të jenë qëndrimet e qeverisë apo të shtetit nga i cili ata vijnë. Por, mund t’ju them që ne do ta kemi kanalin e komunikimit, si në të shkuarën, të hapur me të gjithë deputetët, qoftë në parlamentin gjerman, por edhe në parlamente të tjera. Por nuk mund të mohojmë faktin që në parlamentin gjerman, për shembull, ka një forcë politike siç është AFD-ja , apo në parlamentin francez, siç është Fronti Nacional, apo në parlamentin holandez e kështu me radhë, të cilat kanë një axhendë totalisht të ndryshme nga axhenda evropiane dhe në disa raste Shqipëria stigmatizohet si një vend, si një tokë pjellore e krimit dhe myslimanizmit.

Pyetje: A mendoni se deklarata e djeshme e Kryeministrit për këta deputetë gjermanë ka lidhje edhe me deklaratat e deputetit Kirshbahum i cili për Deutsche Welle-n ka thënë se, rekomandimi ndoshta nuk mjafton, për shkak se në Bundestagun gjerman ka deputetë, të cilët e quajnë të pamjaftueshme luftën kundër kanabisit dhe tregtisë së kanabisit, përfshirë këtu edhe mos’heqjen e mandatit për deputetin Tahiri, ish Ministrin e Brendshëm?

MEPJ Ditmir Bushati: Unë nuk e kam lexuar këtë pjesë që ju i referoheni, të deklarimeve të Kirshbahunit. Kam një komunikim të rregullt me të që nga marrja e kësaj detyre dhe kujtoj edhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Natyrisht që Bundestagu gjerman, në dallim nga të gjitha vendet e tjera, ka një peshë më specifike në procesin e hapjes së negociatave. Qeveria gjermane do të duhet të paraqesë një raport në Bundestag dhe para një vendimi, le të themi, do të duhet të marrë bekimin e bundestagut gjerman. Ka një marrëveshje të shkruar të koalicionit të madh në Gjermani mes CDU-së, CDU-së  dhe PSD-së, sipas të cilës, procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë. Ka një paragraf për Ballkanin në këtë marrëveshje dhe natyrisht që do të ketë diskutime dhe javën tjetër ne do të jemi në Gjermani. Do të diskutojmë edhe me Komisionin e Çështjeve Evropiane, edhe me Kirshbahumin, edhe me Komisionin e Çështjeve të Politikës së Jashtme, por mendoj që kërkesa…

Pyetje: Çfarë prisni ju nga këto takime?

MEPJ Ditmir Bushati: Për më shumë progres, për më shumë rezultate. Është legjitime dhe krejt e përputhshme  me aspiratën tonë, me leximin tonë dhe me porositë e dhëna publikisht në vizitën e fundit të Mogherinit në Tiranë. Dy janë elementët  kyç: Mbajtja e kursit të reformave, sidomos për fushat e sundimit të së drejtës dhe së dyti, thellimi i tyre.  

Pyetje: Edhe një pyetje të fundit. Nëse negociatat do të hapen në qershor, e gjitha kjo  do të shihet si një fitore e qeverisë dhe reformave të saj dhe kjo është e kuptueshme, nëse nuk do të hapen e kujt do të jetë përgjegjësia?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, shpresoj shumë, pavarësisht  se e kam të vështirë ta besoj se ne duhet të ndahemi nga kjo praktikë që në rast se suksesi është i yni, e kemi të gjithin ne dhe në rast se është dështim, dështimin nuk e kemi ne. Edhe fakti që Komisioni Evropian rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE, nuk është një meritë vetëm e qeverisë shqiptare, është meritë e të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, Presidentit, Parlamentit, ku përfshihet opozita, natyrisht qeveria si shpresë e vokacionit që ka populli shqiptar për ketë proces. E dyta, çdo lloj arritjeje shkon përtej një mandati qeverisës.

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, negociatat filluan në kohën e “Qeverisë Nano”. Firmosja ndodhi dhe u konkludua në kohën e kryeministrit  Berisha, aplikimi u bë në kohën e qeverisë së kryeministrit Berisha, statusi u fitua në kohën e qeverisë së kryeministrit  Rama dhe në mandatin e dytë, në  vitin e parë ne kemi rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Mendoj që deri në qershor, por jo vetëm deri në qershor, është mirë që ne të  fokusohemi tek detyrat konkrete. Detyrat nuk kanë përfunduar, thjeshtë po hapim një kapitull të ri që do të jetë më sfidues dhe më i vështire që do të kërkojë më shumë bashkëpunim politik, që do kërkojë më pak sherr. Nuk diskutohet dhe shpresoj shumë që ne të arrijmë të ndajmë punët e brendshme nga ato që janë interesat tona sepse është i vetmi projekt që ne kemi.