Postuar më: 13 Mars 2018

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin "Përballë" të gazetarit Lutfi Dervishi

                                           

                                           Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin "Përballë" të gazetarit Lutfi Dervishi

 

Lutfi Dervishi: Në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, saktësisht 6 vjet më parë, më 22 mars 2012, një diplomat i njohur grek, Aleksandros Malias, ish ambasador në Tiranë thoshte se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë karakterizohen nga inercia, amullia, mungesa e vullnetit politik dhe energjisë pozitive. Ishte viti 2012. Greqia në atë kohë reagonte ndaj mos ratifikimit të marrëveshjes për Shelfin Kontinental dhe zonës detare, marrëveshje e rrëzuar në Tiranë nga Gjykata Kushtetuese, për deklaratat politike në lidhje me çështjen çame dhe minoritetin grek në Shqipëri. Për të analizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve thoshte Malias, kërkohet psikiatër dhe jo një diplomat. Diplomati grek në atë kohë nisi avokatinë për një qasje totale ndaj problemeve mes dy vendeve madje, duke përfshirë edhe Kosovën. Ai sugjeronte takime të mirëpregatitura të ministrave të Jashtëm jashtë syve të medias dhe publikut që do të pasoheshin nga takimet e dy kryeministrave për të gatuar dhe për të paraqitur “New Deal”, marrëveshjen e re midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjashtë vjet më pas, Kreta dhe Korça janë vendet ku Ministrat e Jashtëm të dy vendeve janë përpjekur për të gatuar lëndë të mjaftueshme për marrëveshjen e re. Është njoftuar edhe një takim i dy kryeministrave për Pashkët në Korçë. A jemi afër një marrëveshje të re më Greqinë dhe çfarë të reje sjell kjo marrëveshje? Tirana zyrtare duket optimiste por Tirana politike nuk është në një mendje për një marrëveshje të re për detin, ashtu si 8 vjet më parë, diskutime të mëdha pati për autorizimin apo plotfuqishmërinë e Presidentit dhe opozita akuzon qeverinë për shitje territori. Betejat mes patriotëve dhe tradhtarëve, ekspertëve dhe të gjithë të diturve venë në pikëpyetje në një farë mënyrë atë që është mjaft e rëndësishme në marrëveshje të tilla mes shtetit dhe publikut. Shqipëria pret që të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Është një vit vendimtar për të mos humbur vite të tjera. A do të kemi marrëveshje të re me Greqinë dhe Bashkimin Evropian këtë pranverë. Për këtë do të flasim sot në studio me z.. Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Z. Ministër, faleminderit që jeni në studion e emisionit “Përballë”.

Ministri Bushati: Faleminderit për ftesën.

Lutfi Dervishi: Do t’a nisja me një konstatim që ndoshta mund të bini dakord që marrëdhëniet me Greqinë në vitet e fundit kanë qenë në një farë stanjacioni, përjashto takimet e nivelit të lartë në konferenca ndërkombëtare apo takime ndërkombëtare, tani çdo gjë duket ndryshe. Ju, si e shpjegoni këtë kalim pindarik të diplomacisë shqiptare nga një periudhë ftohje, në një moment që duhen zgjidhur të gjitha problemet e trashëguara dhe problemet e reja?

Ministri Bushati: Diskutimet e para për adresimin e çështjeve të mbetura pezull me Greqinë kanë nisur në fund të 2013 dhe fillim të 2014. Janë bërë edhe disa shkëmbime vizitash dhe bisedash në nivel ekspertësh edhe në nivelin më të lartë diplomatik. Duke patur parasysh faktin, siç edhe ju e thashë në fillim të këtij emisioni, me shfuqizimin e marrëveshjes së famshme të detit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ne kemi pasur një periudhë ngrice në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, dhe kur i referohem fundit të 2013, fillimit të 2014, elementi kryesor ishte rivendosja e besimit në këto marrëdhënie. Më kujtohet që patëm nisur një diskutim në nivel teknik që përfundoi më pas me një zgjidhje politike përsa i përket çështjes së toponimeve sepse kishte ende shtetas shqiptarë që nuk lëviznin lirisht në të dy anët e kufirit dhe duhet të kishim zgjidhje për këtë çështje. Është punuar, janë bërë disa takime, ju e thatë, qoftë në nivel dypalësh, ashtu edhe në instanca ndërkombëtare. Ne kemi shfrytëzuar të gjitha këto mundësi për të pasur biseda. Janë vendosur çështjet një e nga një në tryezë. Në momente të caktuara ka pasur luhatje nga kjo marrëdhënie, retorika dhe në momente të tjera, jemi përpjekur që kohën ta përdorim më me efektivitet për të skicuar rrugëzgjidhje të mundshme.

Lutfi Dervishi: Nëse mund t’ju bëj një pyetje cinike... kanë qenë më të vështira bisedimet ndërmjet Bushati-Kotzias apo Bushatit dhe Presidentit Meta?

Ministri Bushati: Me Presidentin Meta nuk negociojmë. Me Presidentin Meta jemi në një skuadër dhe rolet janë të ndara. E gjithë periudha e këmbimit të letrave, por edhe të konsultave besoj që ka qenë e shëndetshme për të gjithë ekipin, në qoftë se do të vazhdojmë në mënyrë figurative..

Lutfi Dervishi: Edhe kur komunikimi bëhet në mënyrë publike?

Ministri Bushati: Natyrisht, nuk do kisha preferuar që komunikimi të bëhej në mënyrë publike apo letrat të bëheshin të njohura publikisht, jo se jam kundër transparencës, por janë disa çështje të cilat shkojnë përtej interesit të qytetarëve. Por kjo është një çështje e tejkaluar dhe është e rëndësishme që ne të ecim përpara dhe të mbyllim një kapitull të marrëdhënieve me Greqinë për të hapur një faqe të re të historisë. Natyra e çështjeve dhe gamave të çështjeve është delikate. Janë çështje të cilat e kanë origjinën te Lufta e Dytë Botërore, deri te ditët e sotme prandaj mendojmë që duhet mbyllur për të hapur një faqe të re dhe për të çliruar më shumë energji pozitive, që besojmë se marrëdhënia shqiptaro-greke e ka potencialin për të çliruar këtë lloj energjie.

Lutfi Dervishi: Ekipi i mëparshëm negociator është kritikuar se e bëri marrëveshjen në më pak se një vit dhe ata kishin vetëm një çështje, çështjen e detit. Ju me dy raunde në Kretë dhe me bisedimet që përmendët, mendoni se do të arrini të zgjidhni në pak muaj, të adresoni të gjithë problematikën, siç ju keni thënë, 70 vjeçare të problemeve midis dy vendeve?

Ministri Bushati: Nuk janë dy raunde në Kretë. Bisedimet e para për këtë paketë kanë nisur në vitin 2014, ndërkohë që në vitin 2016 ne kemi këmbyer nota me palën greke, ku të dyja palët kanë listuar çështjet dhe kanë skicuar gjithashtu rrugëzgjidhje të mundshme e pas këmbimit të këtyre notave, kemi vendosur krijimin e një mekanizmi dialogu që drejtohej nga dy ministritë e Jashtme. Janë bërë disa raunde bisedimesh dhe konsultimesh, sikundër janë bërë raunde të posaçme në nivel ekspertësh, ku janë analizuar jo vetëm vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, por edhe çështje të ngjashme të së Drejtës së Detit dhe Jurisprudencës Ndërkombëtare në këtë fushë dhe takimi i Kretës e takimi i Korçës, kanë qenë takime më intensive, me pjesëmarrjen dhe drejtimin e dy ministrave, për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme këtij dialogu të nisur mes palëve.

Lutfi Dervishi: Jeni i kënaqur me dy takimet?

Ministri Bushati: Natyrisht që është bërë një progres i qenësishëm dhe ka një erë të re të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Është shumë e rëndësishme që ne mos të mbetemi peng i së shkuarës, sepse e kam thënë edhe disa herë, ne nuk ulemi në këto takime për të rishkruar historinë, apo për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit për mënyrën sesi ne e shohim të shkuarën, por për të adresuar, në përputhje me disa parime të së Drejtës Ndërkombëtare dhe me një frymë evropiane, të gjitha problematikat e për të shikuar drejt së ardhmes.

Lutfi Dervishi: Cilat janë pikat/çështjet prioritare për Shqipërinë gjatë këtyre bisedimeve?

Ministri Bushati: E para, ne duam që të ezaurojmë kapitullin e luftës, sepse është paksa absurd që sot e kësaj dite ka ende një Ligj Lufte në fuqi në Greqi përkundrejt Shqipërisë, i cili ka efekt politik.

Ne nuk ndjehemi asfare të kërcënuar në kuptimin ushtarak, apo në kuptimin e sigurisë, sepse jemi dy vende anëtare të NATO-s, por është një absurd politik, të cilin ne duam të evitohet sa më shpejt të jetë e mundur. Së dyti, ka një aspekt ligjor çështja e Ligjit të Luftës, sepse pronat e shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe pronat e shtetit shqiptar janë vendosur nën sekuestro konservative, si pasojë e këtij ligji. Prandaj, ne mendojmë se heqja e Ligjit të Luftës me një akt të njëvleftshëm nga ana e së drejtës greke, do çlironte energji pozitive qoftë në kuptimin politik dhe psikologjik, por mbi të gjitha dhe në kuptimin ligjor të fjalës. Dhe kjo do të ezauronte edhe një lloj debati të stisur këtu së brendshmi në rast se ekziston apo jo një ligj i tillë. Më pas, e gjithë shporta e çështjeve të Luftës së Dytë Botërore duhet që të adresohet.

Lutfi Dervishi: Shporta e Luftës së Dytë Botërore është prioritare për ne?

Ministri Bushati: Thashë një nga elementët, pra është një shportë e cila duhet mbyllur. Tek shporta e Luftës së Dytë Botërore ne kemi çështjen çame, është çështja e të rënëve grekë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, janë çështjet e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, të cilat duhen adresuar në një mënyrë sa më të civilizuar. Kemi një shportë të dytë, e cila është shumë e rëndësishme, e cila është shporta e përditshmërisë, që ka një impakt real në jetën e qytetarëve tanë. Greqia sapo hoqi rezervën mbi vulën apostille. Janë rreth 6.7 milionë euro në vit të shpenzuara vetëm në vitin 2017 që merren nga qytetarët shqiptarë…

Lutfi Dervishi: Greqia ishte i vetmi vend në Bashkimin Evropian që mbante vulën apostille për Shqipërinë.

Ministri Bushati: …nga qytetarë shqiptarë dhe ne besojmë që kjo do të hapë mundësi që ne të ofrojmë shërbime më të mira konsullore me kosto disa herë më të ulët, siç e bëjmë në Itali. Jemi drejt përfundimit të marrëveshjes për njohjen e patentave, apo lejen e drejtimit të automjeteve, e cila gjithashtu do t’i krijojë një frymëmarrje më të madhe shtetasve tanë, por edhe shtetasve grekë. Dhe do të vazhdojmë gjithashtu me çështje të tjera që kanë lidhje drejtëpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë që jetojnë në Greqi. Sikundër janë çështjet që kanë lidhje me detin dhe me të gjithë regjimin kufitar. Nuk kam parasysh këtu thjesht detin territorial, zonën ekskluzive ekonomike dhe shelf-in kontinental, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e incidenteve kufitare, piramidave, për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë temë, sepse përcaktimi, saktësimi dhe konfirmimi i të gjithë kësaj pakete që ka të bëjë me regjimin në det dhe në tokë, në qoftë se do të përdor këtë fjalë, ne besojmë se do të krijojmë një mundësi të re të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Lutfi Dervishi: Ju përmendët çështjet prioritare për Shqipërinë, po cilat janë pikat prioritare për Greqinë në këto bisedime?

Ministri Bushati: Natyrisht që prioritetet e Greqisë i përcakton vetë pala greke.

Lutfi Dervishi: E ndjeni që gjatë bisedimeve ato kanë prioritet një çështje që i japin?

Ministri Bushati: Natyrisht që pala greke ka prioritet përsa i përket mbylljes së kapitullit të Luftës, por në listimin e prioriteteve, tek mbyllja e kapitullit të Luftës, listimi nuk është i njëjtë me atë të palës shqiptare. Gjithashtu, pala greke, në gjykimin tim, ka interes për të pasur një marrëveshje përsa i përket zonave detare, pra për delimitimin e zonave detare dhe pala greke gjithashtu është e interesuar për pjesën e përditshmërisë. Por, siç për ne ka një interes më të posaçëm tek shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi, për palën greke ka një interes më të posaçëm tek të drejtat e minoritetit grek këtu në Shqipëri.

Lutfi Dervishi: Pronat e Kishës Ortodokse Shqiptare janë çështje të ngritura nga pala greke?

Ministri Bushati: Nuk është një çështje që është pjesë e paketës apo të jetë diskutuar.

Lutfi Dervishi: A ka qenë Kryepeshkopi Janullatos pjesë e negociatës?

Ministri Bushati: Jo.

Lutfi Dervishi: Cilat janë çështjet që ju mendoni se kanë nevojë për kompromis apo që Shqipëria duhet të çedojë?

Ministri Bushati: Në rast se flasim për dialog apo negociata duhet të kuptojmë që për të gjitha çështjet ka nevojë për kompromis...

Lutfi Dervishi: Edhe për Ligjin e Luftës?

Ministri Bushati: Për çështje të karakterit të dyanshëm, natyrisht që ka nevojë për kompromis sepse është vetë procesi i negocimit dhe i uljes në një tryezë që të imponon këtë lloj logjike. Ko është dhe arsyeja që e kam thënë shpesh që kjo nuk është një marrëdhënie e lehtë. Ka disa vite që punohet. Nuk ka të panjohura për ne përsa i përket gabimeve apo gafave që janë bërë në të shkuarën apo pakujdesive që janë vënë re në të shkuarën. Por natyrisht, në tryezën e negociatave është e rëndësishme që të dyja palët të dalin me një shije të mirë dhe marrëveshje të drejta dhe të ndershme.

Lutfi Dervishi: Një nga çështjet e ndjeshme që ju e përmendët, për Shqipërinë, prioritet në shportën e parë është çështja çame, që ka mjaft ndjeshmëri si në Shqipëri por dhe në Greqi, por në kahe të ndryshme. Pyetja ime në fakt ka të bëjë me një gjë. Duke parë programin qeveritar të qeverisë shqiptare në 2013, në paraqitjen e programit të politikës së Jashtme për herë të parë u fut çështja çame dhe ju thoni që do synojmë ta trajtojmë çështje çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa në 2017 kjo frazë nuk është më dhe ju personalisht e keni quajtur këtë çështje si një çështje politike. Çfarë pritshmërish keni për këtë çështje nga bisedimet?

Ministri Bushati: E para, duhet të ritheksojmë faktin që për ne çështja çame nuk ka lidhje me ndryshimin e kufijve apo nuk ka asnjë lloj lidhje me pretendime të karakterit territorial sepse Shqipëria i përmbahet angazhimeve të Protokollit të Firences të 25’, i përmbahet gjithashtu angazhimeve të Aktit Final të Helsinkit. Është një çështje politike dhe e lidhur drejtpërdrejt me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sepse ne besojmë që përgjegjësia është individuale dhe nuk mund të jetë një përgjegjësi kolektive.

Ka pasur pretendime që përfaqësues të komunitetit çam gjatë luftës kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit dhe për ne, kjo është një përgjegjësi individuale, që në asnjë lloj mënyre nuk mund të penalizojë një komunitet të nderuar. Së dyti, ka të bëjë me të drejtën përkujtimore që është një e drejtë, e cila është mishëruar edhe në një pjesë të mirë të parimeve dhe instrumenteve të së drejtës ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, që do të thotë që komuniteti çam gjithashtu ka të drejtën për të përkujtuar dhe për të nderuar veprimtarinë e pjesëmarrësve apo aktivistëve të tyre, të cilët nuk jetojnë më apo janë deportuar në mënyra të papranueshme me Evropën e ditëve të sotme. Së treti, ka të bëjë me lëvizjen e lirë të këtyre personave, me mundësinë për të vizituar pronat e tyre, për të vizituar familjet apo shtëpitë ku ata janë lindur dhe në përputhje, kuptohet me rregullat e qarta të Shengenit ku Greqia është pjesëtare. Pra, dhe ne kemi hulumtuar gjithashtu praktika të ndryshme sesi vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, e kanë adresuar këtë çështje, pra çështje të ngjashme me këtë që ne po diskutojmë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Lutfi Dervishi: Cila praktikë është më afër kësaj çështjeje?

Ministri Bushati: Ne kemi parë praktikën për shembull të Sudetëve, ku ka disa elementë të ngjashëm të cilat janë krejtësisht të aplikueshëm përsa i përket këndvështrimit tonë në këtë çështje.

Lutfi Dervishi: Çështja çame është një çështje me një ndjeshmëri shumë të lartë në Athinën politike, duke patur parasysh dhe deklaratat e Presidentit grek dhe zyrtarëve grekë dhe deklaratave të herë pas hershme të ministrisë së Jashtme. Shikoni hapësirë se do të gjendet një kompromis, një zgjidhje apo do të ketë probleme me të cilat do të mësohemi të jetojmë dhe nuk do të zgjidhen me Greqinë?

Ministri Bushati: Ne besojmë se edhe për këtë çështje ekzistojnë të gjitha mundësitë që pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme që kanë palët, të gjenden formulime dhe rrugë të cilat përpiqen për të adresuar çështjen çame.

Lutfi Dervishi: Heqja e Ligjit të Luftës a nënkupton që do të pasohet dhe nga shfuqizimi i akteve nënligjore të mëpasshme, të paktën të viteve të mëvonshme të 98’ e 99'?

Ministri Bushati: Ne natyrisht presim shfuqizimin jo thjesht të Ligjit të Luftës, por të gjitha barrierave që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me Ligjin e Luftës, që do t’i jepnin mundësi shtetasve shqiptarë, shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe shtetit shqiptar për të gëzuar të drejtat pronësore në mënyrë efektive.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, mes dy vendeve shkojmë drejt një traktati të ri miqësie, drejt një marrëveshje të re, e shihni të afërt?

Ministri Bushati: Vullneti ynë është për të shkuar drejt një partneriteti strategjik, por jo vetëm në kuptimin e thjeshtë e formal të fjalës. E kam ndjekur me vëmendje debatin në Shqipëri në lidhje me Traktatin e Miqësisë së 1995-1996, një traktat miqësie i cili nuk zgjidhi për hir të së vërtetës shumë prej këtyre çështjeve që ne i diskutojmë...

Lutfi Dervishi: Që ka qenë dhe çështja e pronave

Ministri Bushati: Aty ka qenë çështja e pronave, ka pasur pretendime që me atë Traktat Miqësie çështja e Ligjit të Luftës është e mbyllur apo i është vënë kapak! Praktika na vërtetoi se asnjë prej këtyre çështjeve nuk u adresuan. Prandaj ne kemi përqafuar idenë e deklaratës së partneritetit strategjik apo të një traktati të ri strategjik me Greqinë. Në radhë të parë, si një instrument që afirmon zgjidhjen e disa çështjeve të së shkuarës dhe konsiderohet si dritare për projektet e bashkëpunimit të së ardhmes. Ju më pyetët pak më parë, a do të vazhdojmë të jetojmë si fqinjë, qoftë me idenë që do të ketë prapë probleme mes nesh. Natyrisht që me fqinjët ka gjithmonë çështje që duhet të diskutohen apo çështje që jo-domosdoshmërisht bihet dakord. Por qëllimi ynë dhe ambicia jonë është se duke shkuar drejt një deklarate të re të partneritetit strategjik, traktat apo marrëveshje si të duam ta quajmë, të paktën çështjet themelore, kryesore që janë në interesin e të dyja vendeve të jenë të adresuara.

Lutfi Dervishi: Do të thotë traktati, pakti, marrëveshja kur të nënshkruhet do të thotë që janë të zgjidhura problemet apo mund të jetë pjesë që disa probleme do të lihen për t’u zgjidhur me vullnet të lirë politik në të ardhmen. Shkojmë drejt këtij traktati me probleme të zgjidhura ?

Ministri Bushati: Ne dëshirojmë të shkojmë drejt traktatit me probleme të zgjidhura.

Lutfi Dervishi: Marrëveshja me Italinë për detin ka zgjatur 8 vjet, ndërsa tashmë me Greqinë, përveç marrëveshjes për detin janë dhe problematika historike dhe aktualiteti. Çfarë ju bën të themi optimist që thoni se do të shkojmë me probleme të zgjidhura, kur koha nuk duket që është shumë e mjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje totale problemeve të reja dhe të vjetra?

Ministri Bushati: Tek çështja e përcaktimit apo delimitimit të zonave detare me Greqinë, mendoj se çështja më e rëndësishme është çështja e vullnetit politik. E thashë pak më parë, ne jemi të qartë se çfarë ka ndodhur. Pala greke gjithashtu është e qartë se çfarë ka ndodhur. Kemi pasur një qëndrim para pak ditëve të qeverisë greke në parlament, sipas së cilës Marrëveshja e famshme e 2009 është një marrëveshje e vdekur. Prandaj do t’i bëja thirrje çdo kujt, më pëlqeu shprehja që ju përdorët të gjithëditurve, të heqin dorë nga pretendimet që Marrëveshja e 2009 ishte një marrëveshje e mirë dhe sot tregojnë me gisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në kuptimin ligjor të fjalës, ajo marrëveshje nuk ekziston, ka pushuar së ekzistuari që në momentin që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Ne kemi të qartë vendimmarrjen e kësaj gjykate, e cila për hir të së vërtetës është detyruese për ne, jo për palën greke. Duhet të jemi të ndershëm me opinionin publik. Nuk është vendim i një tribunali ndërkombëtar, as gjykate arbitrazhi apo një instance ndërkombëtare që i detyron të dyja palët. Për ne është një lloj blu printi, se çfarë duhet të kemi parasysh për të mos gabuar, për të mos përsëritur të njëjtat gabime dhe ne besojmë që me aplikimin e parimeve të cilat nuk janë marrë parasysh në 2009, pala shqiptare do të ketë një marrëveshje më të drejtë dhe më të ndershme se ajo e 2009.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, dëshiroj t’ju bëj një pyetje dhe përgjigjen t’a marr menjëherë pas një momenti të shkurtër publicitar. Nëse marrëveshja e re që ju thoni se është më e mirë, çfarë do të thotë kjo për të negociuesit e parë dhe nënshkruesit e parë të marrëveshjes së vjetër?

Lutfi Dervishi: Jemi rikthyer në emisionin “Përballë” me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, zotin Ditmir Bushati. Zoti ministër, pyetja para momentit publicitar ishte që nëse marrëveshja e re që ju thoni është më e mirë, është e tillë? 

Ministri Bushati: Ne besojmë që marrëveshja e re që mund të dalë si produkt i negocimeve me palën greke, do të jetë më e mirë, më e drejtë dhe më e ndershme për shkak të aplikimit të disa parimeve dhe disa rrethanave të cilat në vitin 2009 janë injoruar ose nuk janë marrë parasysh. Kjo që po themi ne, do të verifikohet në momentin që do të kemi një marrëveshje dhe ne po hyjmë në bisedime me palën greke për të pasur një marrëveshje dhe mendoj që është momenti ku ne të fokusojmë të gjitha energjitë dhe të krijojmë një mjedis sa më të shëndetshëm publik, jo thjesht politik për ekipin negociator dhe të mos analizojmë për momentin se çfarë ka ndodhur në 2009 sepse është e qartë për ne se çfarë ka ndodhur në 2009.

Lutfi Dervishi: Çfarë ka ndodhur, në qoftë se mund t’a thoni me një fjali sipas jush?

Ministri Bushati: Mendoj që Shqipëria në 2009 nuk ka qenë e përgatitur siç duhet për të hyrë në procesin e negocimit për një marrëveshje për përcaktimin e zonave detare me Greqinë dhe ajo marrëveshje e arritur ka qenë një marrëveshje në disfavorin e Shqipërisë. Sot për sot, besoj është e rëndësishme si për Shqipërinë, ashtu dhe Greqinë për të pasur një marrëveshje e cila të jetë e aplikueshme në praktikë. Kam dëgjuar me vëmendje të gjithë debatin që është zhvilluar edhe këto ditë në Shqipëri për sa i përket rezervave të mundshme të naftës dhe të gazit që janë poshtë Jonit, pra në det, qoftë dhe për sa i përket zhvillimit ekonomik të hapësirës detare, të detit territorial, të zonës ekskluzive ekonomike apo për shfrytëzimin e hapësirës ajrore mbi detin territorial dhe mbi zonën ekskluzive ekonomike, sepse ka dy regjime ekonomike të ndryshme mbi detin territorial. Është plotësisht në sovranitetin e vendeve respektive ndërsa në zonën ekskluzive ekonomike ka një rregjim të përbashkët. Pra, për t’i dhënë një lloj shtyse këtyre zhvillimeve pozitive është e rëndësishme që çdo lloj marrëveshjeje të jetë sa më e drejtë dhe sa më e ndershme. Kemi shembuj jo fort kilometra larg nesh mes Sllovenisë dhe Kroacisë të cilat edhe pse... 

Lutfi Dervishi: 12 mijë kilometra katrorë dhe kanë 27 vite...?

Ministri Bushati: Edhe pse kanë shkuar në një tribunal ndërkombëtar në një gjykatë arbitrazhi, nuk kanë gjetur ende sot e kësaj dite një zgjidhje që t’a pranojnë të dyja palët prandaj mendoj që vullneti politik, i kombinuar me parimet e së drejtës ndërkombëtare që duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme në praktikë, mund të na japin një marrëveshje më të mirë dhe më të drejtë se ajo e 2009.

Lutfi Dervishi: Të paktën nga artikulimi në parlament por dhe në media, opozita është kundër marrëveshjes, pse?

Ministri Bushati: Për fat të keq Partia Demokratike është në një situatë mjaftë kontradiktore. E para, do të kishte qenë në nderin e saj që të ishte më e duruar dhe më e kujdesshme në artikulimet publike. Nga njëra anë thotë marrëveshja e 2009 është një marrëveshje shumë e mirë, nga ana tjetër tund vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizon marrëveshjen e 2009 dhe sot thotë që duhet të shkojmë në tribunal ndërkombëtar apo në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, A) duhet marrëveshje mes të dyja palëve, pra duhet që të dyja palët të bihen dakord që do të shkojmë, B) duhet që të ketë dështuar procesi i negociatave. Ne mendojmë që është një fitore jo e vogël fakti që me Greqinë po ri-ulemi në tavolinë për të rishkruar një marrëveshje të re, ç’ka ka qenë e pamundur deri para pak kohësh siç deri para pak kohësh pala greke nuk ka pasur një qëndrim kosistent edhe për çështjen e Ligjit të Luftës apo për çështje të tjera. Mendoj që në procesin e dialogut janë shkrirë disa akuj, palët kanë afruar qëndrimet e tyre dhe nuk janë fokusuar në kuptimin metaforik të fjalës thjeshtë tek pema, por tek pylli, pra tek ajo çka është në interesin tonë të përbashkët.

Lutfi Dervishi: Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kufiri ka ekzistuar, qeveria e mëparshme e bëri objekt me tezën se nuk ka ekzistuar kufiri detar, Cili është qëndrimi i tanishëm?

Ministri Bushati: Ky është një diskutim në fakt teknik. Në lidhje me protokollin e Firences, pra se ku fillon dhe maten apo fillon përllogaritja rreth vijës delimituese, ne e kemi shënuar si një nga detyrat tona të shtëpisë këtë çështje të Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht që do të jetë pjesë e negocimit tonë apo qëndrimit tonë negociues me palën greke.

Lutfi Dervishi: Një nga çështjet që Shqipëria ka këmbëngulur të paktën prej 30 vitesh ka qenë një marrëveshje për ujërat e ëmbla për Vjosën, a është Vjosa pjesë e bisedimeve?

Ministri Bushati: Nuk është pjesë e bisedimeve.

Lutfi Dervishi: Çka do të thotë...

Ministri Bushati: Nuk është pjesë e bisedimeve, por kjo nuk do të thotë që siç e thashë dhe më parë, në të ardhmen ne do të kemi çështje të tjera në të cilat do të angazhohemi me palën greke. Nuk ka lidhje me përcaktimin e regjimit kufitar.

Lutfi Dervishi: Po ndoshta ka lidhje që edhe në variantin më ideal ne nuk shkojmë në një traktat të ri, në një pakt të ri, në një marrëveshje të re me të gjitha problemet e ezauruara.

Ministri Bushati: Nuk e kemi konsideruar çështjen e Vjosës kështu që përmendet si një çështje që do të meritonte një vëmendje për të qenë pjesë e një dokumenti të partneritetit strategjik. Fakti që palët nënshkruajnë një dokument të partneritetit strategjik, siç bie fjala ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Kosovën, me Italinë, me Francën, etj, nuk do të thotë se çdo çështje është e ezauruar plotësisht dhe nuk ka kënd-shikime të ndryshme. E thashë dhe një herë tjetër, e rëndësishme është se shtyllat të jenë të sistemuara, siç të dyja palët mendojnë se është më mirë për to.

Lutfi Dervishi: Ndoshta nuk ka shumë rëndësi por për Vjosën ka pasur dy probleme, një devijim i parë, i cili ka marrë 7% të prurjeve një projekt i 2014 i cili mund të devijonte deri 705 të prurjeve që është me rëndësi besoj jetike për gjithë zonën. Meqë jemi tek çështja e...

Ministri Bushati: Edhe për Vjosën ne e kemi ndjekur këtë si çështje edhe me projektin që ka qenë në zbatim, edhe me rregullat mjedisore të cilat janë të aplikueshme. Nuk diskutohet për Greqinë, por edhe për Shqipërinë si një vend kandidat. Më lejoni të përfitoj nga mundësia që ju më dhatë për të ritheksuar se, qoftë e drejta ndërkombëtare, qofte e drejta evropiane, për të tilla çështje është e detajuar dhe është detyruese për shtetet. Ka pasur një diskutim në media këto kohë sipas të cilit pretendohet që Greqia ka bërë eksplorime edhe në detin Jon, për sa i përket zonave naftë mbajtëse. Mund t’ju them që në ministrinë tonë ka një dosje voluminoze të komunikimeve me palën greke në përputhje më rregullat që imponon e drejta ndërkombëtarë ku në zonat, atë që konsiderohet det territorial, secila palë bën kërkimet e veta, ndërsa në zonat ku ka një regjim më të përbashkët nga pikëpamja e menaxhimit, duhet dakortësi dhe një gjë e tillë natyrisht që nuk ka ndodhur.

Lutfi Dervishi: Shqipëria pret të mbyllë problemin e delimitimit të zonës detare me Greqinë. E ka mbyllur me Italinë, kemi probleme me vende të tjera me Malin e Zi?

Ministri Bushati: Natyrisht, kemi mbyllur me Italinë regjimin kufitar. Regjimi kufitar me Italinë është më i favorshëm. Pretendojmë që të mbyllim dhe me Greqinë dhe më pas duhet të shkohet drejtë një marrëveshje për pikën treshe apo për koordinatën treshe mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Italia me Greqinë kanë mbyllur një pjesë, jo totalisht regjimin mes tyre, pra puna vazhdon, ndërkohë me Malin e Zi do të duhet që të bëhet në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Kam parasysh në bisedimet e para ka qenë një kabllogram i Ambasadës Amerikane mjaft i qartë për ndjeshmërinë e palës greke që të mos kishte të huaj të përfshirë në bisedimet dy palëshe. A ka asistencë të huaj në grupin negociator shqiptar?

Ministri Bushati: Gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur ekspertizë, kemi pasur një konsulencë të një kompanie ligjore amerikane. Fillimisht ka pasur një projekt në lidhje me hartat, në lidhje me koordinatat, të mbështetur nga konsulentë norvegjeze dhe për sa i përket institucioneve relevante shtetërore, por si kundër nga ana jonë, ka pasur konsultime edhe me partnerë jo thjeshtë për leximin që i është bërë vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, por edhe për të konsideruar, për të hulumtuar në mënyra të ndryshme se si kjo çështje mund t’a adresojë në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Ka një shprehje nga zona e Shkodrës: “siç duken vathët janë afër Pashkët”. Me afrimin e Pashkëve, çfarë lajmi prisni të ketë në Korçë këtë radhë? Në kuptimin politik? Është konfirmuar takimi i dy Kryeministrave?

Ministri Bushati: Po punohet për një takim të dy kryeministrave. Ka pasur një takim në Davos dhe po punohet për një vizite të kryeministrit grek në Shqipëri. Besoj se është një lajm pozitiv që konfirmon progresin e marrëdhënieve tona dy palëshe. Edhe shpresoj që të ecim me lajme pozitive në të ardhmen. Filozofia jonë ka qenë filozofia e ecjes me hapa të vegjël. Pra, nuk është se në një moment të caktuar si me magji do i zgjidhim të gjitha çështjet sepse duhet të jemi realistë që po jetojmë në Ballkan, në Mesdhe dhe fqinjët gjithmonë kanë se çfarë të ndajnë me njeri tjetrin dhe kanë se për çfarë të debatojnë. Por është e rëndësishme që të shikojmë që ka një klimë mirëkuptimi dhe të dyja palët jemi të përqendruar për të fituar historinë e së ardhmes dhe jo për të rishkuar ato që kemi lënë pas.

Lutfi Dervishi: Edhe një pyetje për t’a mbyllur kapitullin e çështjes me Greqinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e imponon transparencën në këtë proces dhe si arrini që të mbani një balancë ndërmjet vendimit të Gjykatës për të qenë transparent dhe diskrecionit të nevojshëm për ta mbyllur këtë marrëveshje?

Ministri Bushati: Kjo është një pyetje nga ato një milion euro që thuhet rëndom nëpër biseda apo nëpër filma të ndryshëm. Është një çëshjte shumë e rëndësishme. Ky natyrisht për ne ka tre komponentë të rëndësishëm që është ligji, qoftë ai ndërkombëtar apo qoftë e drejta e brendshme. Është opinioni publik që duhet të jetë i informuar dhe duhet të marrë garancitë e nevojshme që ne po ecim në hapin e duhur. Dhe natyrisht pala tjetër me të cilën ne negociojmë apo duhet të negociojmë.

Lutfi Dervishi: Nëse i rikthehemi se fundmi në prag të traktatit në lidhje me marrëveshjen me Greqinë. Çfarë elementi të ri prisni të shikoni në këtë traktat?

Ministri Bushati: Ne në këtë marrëveshje të re, apo dokumenti të partneritetit strategjik, duam që të fokusohemi gjithashtu edhe për të ardhmen. Qoftë për sa i përket bashkëpunimit politik, ashtu edhe kontakteve njerëzore dhe zbatimit të projekteve të ndryshme në Ballkan dhe ne Mesdhe ku Shqipëria dhe Greqia kanë një rol të rërndësishëm.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, përpara se te kalojmë të çështja e...

Ministri Bushati: Kur flas për kontaktet njerëzore kam parasysh universitetet, shoqërinë civile, trupat artistike etj. Ka stereotipa qoftë për shoqërinë greke, ashtu edhe për atë shqiptare, negative të cilat duhen zbuluar.

Lutfi Dervishi: Ndoshta ke filluar nga niveli më i lartë sepse dhe elementi njerëzor është një çështje normale, duke pasur parasysh prezencën e madhe të shqiptarëve në Greqi dhe praninë e minoritetit grek në Shqipëri. Para se të fillojmë të shikojmë atë që Shqipëria pret me një lloj padurimi, hapjen e negociatave, dua të ndalem shkurtimisht te Kosova vetëm për dy çështje. Ka një tezë kohët e fundit që Serbia nuk ka nevojë t’a njohë Kosovën dhe që Serbia mundet q