Postuar më: 09 Janar 2018

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Tonight” me Ilva Taren - Pjesa I

Intervistë e Ministrit Bushati në emisionin “Tonight” me Ilva Taren - Pjesa I

 

Ilva Tare: Mirëmbrëma dhe mirëserdhët zonja dhe zotërinj. Është një nga ato intervista që në fillim të vitit kanë gjithmonë rëndësi, po sidomos të këtij viti, për shkak të shpresës, dëshirës, mundësisë, shansit, nuk po them të fundit, por një nga shanset më të mira që Shqipëria ka për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian. A jemi larg këtij objektivi, sa do të ndikojë klima politika? Për këtë arsye kam të ftuar sot, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Mirëmbrëma z. Bushati, faleminderit që jeni këtu!

MEPJ Ditmir Bushati: Mirëmbrëma. Faleminderit për ftesën!

Ilva Tare: Janë ditë të ngarkuara, edhe me tension politik, por  sidomos përsa i takon axhendës për hapjen e negociatave. A jeni në një fazë bashkëbisedimi me Bashkimin Evropian. A po ndikon klima e brendshme atje, çfarë po ndodh, pse quhet si vit i rëndësishëm për Shqipërinë Evropiane ky që sapo kemi nisur?

MEPJ Ditmir Bushati: Është vit i rëndësishëm, sepse në dhjetor të 2016-ës, Komisioni Evropian dhe më pas vendet anëtare të BE-së miratuan një përqasje në lidhje me negociatat për Shqipërinë, siç dihet Komisioni Evropian propozoi hapjen e negociatave në mënyrë të kushtëzuar, duke e lidhur këtë me zbatimin e reformës në drejtësi, më posaçërisht me ecurinë e ligjit të Vetting-ut dhe natyrisht edhe me progresin që do të bënte Shqipëria në fusha të tjera që kanë lidhje me sundimin e së drejtës. Është gjithashtu, një vit përcaktues, sepse kalendari është i tillë, në shkurt Komisioni Evropian do të prezantojë Strategjinë e Zgjerimit, pra do të kemi një gjallërim të politikave apo instrumenteve të procesit të zgjerimit, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet që janë në proces anëtarësimi me BE-në dhe natyrisht është një vit shumë i rëndësishëm, sepse në prill ne presim nga ana e Komisionit Evropian që të vijë me një propozim për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe më pas, në Samitin e majit në Bullgari gjatë presidencës bullgare, e cila ka një fokus të veçantë tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit, ne të kemi mundësi të marrim një mesazh të qartë politik që do të hapte dritën e gjelbër për një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE-së. Është një vit përcaktues gjithashtu, sepse në 2019-ën vetë Bashkimi Evropian do të përfshihet në një proces ripërtëritës për shkak të zgjedhjeve dhe për shkak të rinovimit të mandateve të institucioneve kryesore të BE-së dhe natyrisht, në një situatë të tillë, ku do të ketë zgjedhje në 2019-ën në BE, humbet disi fokusi i vetë BE-së përsa i përket procesit të zgjerimit.

 

Është përcaktues gjithashtu, sepse jemi në fazën e konstituimit të disa qeverive në një pjesë të vendeve anëtare të BE-së dhe konsiderohet si një moment oportun për Shqipërinë që pret fillimin e bisedimeve për anëtarësim, për Maqedoninë që pret fillimin e bisedimeve për anëtarësim, dhe për vende të tjera të rajonit për të avancuar në këtë proces.

 

Ilva Tare: T’i marrim pak me radhë, pra shkurti, prilli, maji do të jetë finali. Kur do të mësojnë shqiptarët nëse hapen apo jo bisedimet? Ka një datë?

MEPJ Ditmir Bushati: Fillimisht në shkurt do të kemi takimin e parë mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, ku Komisioni do të bëjë publike Strategjinë e Zgjerimit; ne shpresojmë që veçse do të jetë një strategji gjithëpërfshirëse siç është bërë tanimë e qartë, në këtë strategji të përcaktohen edhe linjat më konkrete sesi do të jetësohet procesi i zgjerimit për të gjitha vendet që janë në këtë tren...

Ilva Tare: Strategjia do të thotë rekomandojmë nisjen e bisedimeve..

MEPJ Ditmir Bushati: Jo strategjia është për të gjitha vendet. Do të jetë më e përgjithshme.

Ilva Tare: Pra në prill do të ketë një hap më konkret...

MEPJ Ditmir Bushati: Ne urojmë që në shkurt të vendosen disa binarë të rëndësishëm përsa i përket këtij procesi. Kam parasysh këtu që vetë BE-ja për pak muaj do të fillojë procesin e rishikimit të buxhetit 7-vjeçar dhe ne presim që buxheti 2020-2027 të reflektojë saktësisht zgjerimin si një prioritet, për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e tjera, sepse nuk ka zgjerim pa një faturë financiare që të mbështesë këtë politikë.

Së dyti, ne presim që të ketë një focus edhe më të madh tek procesi i ndërlidhjes, i cili është iniciuar në kuadër të procesit të Berlinit, por nevojiten instrumente të mëtejshëm për ta jetësuar në praktikë, aq më tepër që dihet hendeku që ekziston mes vendeve të Evropës së Jugut dhe pjesës tjetër të Evropës, dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve që janë anëtarësuar rishtasi në BE. Në prill, Komisioni do të publikojë raportet individuale për secilin prej vendeve që janë pjesë në këtë proces. Dhe ky është momenti që ne presim që në këtë raport Komisioni të konfirmojë progresin që ka arritur Shqipëria, sidomos përsa i përket 5 prioriteteve, reformës në drejtësi që është konsideruar gjerësisht si kryereforma, kryeprioriteti, për këtë fazë në të cilën ne jemi, për t’i dhënë mundësi një shqyrtimi nga ana e vendeve anëtare, shqyrtim që do të ndodhë në fundin e qershorit. Natyrisht maji, është një moment i rëndësishëm mes prillit dhe qershorit, sepse do të mblidhet samiti i vendeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Pra, për herë të parë që nga koha e samitit të Selanikut në 2003-in dhe më pas, një takimi në Zagreb që nuk kishte vlerën përsa i përket iniciativave që propozoi, me atë të Selanikut, ne në Bullgari do të kemi një samit të posaçëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, si shprehje e vlerësimit të BE-së për të gjithë rajonin. Prandaj, konsiderohet jo thjesht nga ne, por edhe nga interlokutorët evropianë dhe amerikanë si një vit përcaktues për një hap historik që presim të hedhim këtë vit.

Ilva Tare: Kjo është axhenda e BE-së, ku sigurisht lidhet edhe me Shqipërinë. Po axhenda jonë e brendshme, situata politike së pari, sepse një nga kriteret kryesore është kriteri politik në vend. Aktualisht kemi opozitën që paralajmëron protesta në janar, bllokim të parlamentit, ka tre skenarë të përfolur nga krerët e opozitës nga z. Basha, nga znj. Kryemadhi, marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, ose bojkot ose djegie mandatesh, përveç protestave. Cili nga këta skenarë e rrezikon më shumë hapjen e bisedimeve?  

MEPJ Ditmir Bushati: Dëshiroj të bëj një diferencim, përsa i përket klimës politike në Shqipëri, ne këtu jetojmë. Përgjithësisht, klima politike në Shqipëri është e polarizuar sepse reflekton deri diku tiparet e një vendi ballkanik dhe mesdhetar. Natyrisht që një klimë politike më e përmirësuar do ta ndihmonte Shqipërinë për të ecur shumë shpejt në këtë proces. Dhe sigurisht nëse Shqipëria do të kishte një klimë më të përmirësuar, Shqipëria sot do të ishte ndoshta në pararojë edhe në procesin e integrimit evropian nga të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Nga ana tjetër, këto 100 ditët e para në Kuvendin e Shqipërisë janë hedhur disa hapa të rëndësishëm..

Ilva Tare: që e kanë çuar më tej, e kanë përshkallëzuar polarizimin madje, rasti zgjedhjes së prokurores së përgjithshme të përkohshme.

MEPJ Ditmir Bushati: Filloi njëherë me konstituimin e institucioneve të Vettingut, sepse ka pasur një debat shumë të madh edhe për këtë çështje, me alokimin e fondeve për mënyrën sesi do të funksionojnë institucionet e Vettingut, me krijimin e infrastrukturës fizike, çka është një dëshmi e qartë e vullnetit politik në radhë të parë të qeverisë, për t’i krijuar mundësi këtyre institucioneve për të funksionuar, por në radhë të dytë edhe e gjetjes së gjuhës nga të gjithë aktorët politikë në parlament, për t’i dhënë mundësi këtyre institucioneve për të funksionuar. Së dyti është ligji për pakicat kombëtare, një ligj që është votuar nga ana jonë dhe nga ana e Partisë Demokratike, për fat të keq, LSI-ja kur ishte në qeveri e ka votuar këtë ligj, edhe në komisionet parlamentare, por në momentin e fundit, ndryshoi qëndrim.  Gjithsesi, fakti që është miratuar nga PS dhe PD reflekton një lloj fryme përgjegjshmërie edhe në këtë drejtim dhe ne, do të donim të ecnim përpara me paketën implementuese të tij, sepse është një ligj i rëndësishëm, i pari në këto 27 vite. Pak  vende që janë pjesë e konventës kuadër të Këshillit të Evropës për minoritetet apo pakicat kombëtare, e kanë një ligj të tillë, dhe e shohin të rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të 5 prioriteteve.

Ilva Tare: Çfarë ndryshon me ligjin, përveç faktit të dhënies së statusit bullgarëve , ka kjo lidhje me presidencën e Bullgarisë?

MEPJ Ditmir Bushati: Së treti…

Ilva Tare: Jo, më ktheni përgjigje për këtë, pastaj…

MEPJ Ditmir Bushati: Po do t’ju kthej përgjigje edhe për këtë, por më duket  një gjykim...

Ilva Tare: Se kështu ndodh me ne, kur është Çekia që ka presidencën e radhës, merr ndonjë nga ne.

Ministri: Më duket  një gjykim i thjeshtësuar. Në rast se ne përmendim thjesht një nga 9 apo 10 pakicat kombëtare që janë të listuara në ligj dhe në rast se ne do të ndiqnim një gjykim mekanik dhe do të barazonim me një gjykim të tillë, punën 2-3 vjeçarë që është bërë për këtë ligj.

Ilva Tare: po qartë, por çfarë kriteri ka pasur në përcaktimin e minoriteteve, është numri...?

 

MEPJ Ditmir Bushati: Kriteret për përcaktimin e pakicave kombëtare burojnë nga Konventa kuadër ku Shqipëria është pjesë. Ka një kriter objektiv, ka dhe një kriter subjektiv. Njëra është mënyra sesi deklarohet secili dhe tjetra është mënyra sesi verifikohet ky deklarim. Pra, ka kriter objektiv dhe subjektiv. Ajo që është e rëndësishme për këtë ligj, është vullneti i shprehur nga ana e institucioneve shqiptare, sepse tanimë është ligj, nuk është më një vullnet i qeverisë, për të rritur standardet në këtë fushë. Dhe mënyra sesi zbatohet ky ligj, ka lidhje të drejtpërdrejtë, jo vetëm me 5 prioritetet, por edhe me detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24, të cilat janë kapitujt e parë që fillojnë dhe diskutohen mes BE-së dhe vendit që është ne negocim.

Ilva Tare: Ka lidhje me presidencën e radhës së BE-së që e ka Bullgaria këto 6 muaj?

MEPJ Ditmir Bushati: Po nuk ka si të ketë një lidhje, sepse e kam shpjeguar disa herë. Për ne është fat që presidenca bullgare ka një fokus të veçantë tek Ballkani Perëndimor, gjashtë mujorshin e ardhshëm do të jetë presidenca austriake, e cila gjithashtu, tradicionalisht ka një politikë aktive në Ballkanin Perëndimor  dhe është një risi që presidencat punojnë me njëra-tjetrën edhe në funksion  të jetësimit të axhendës së integrimit evropian, por nga ana tjetër, roli i presidencave nuk është përcaktues përsa i përket vendimmarrjeve. Vendimmarrjet janë konsensuale dhe ne këtë gjë e kemi mësuar edhe nga statusi i vendit kandidat, nga eksperienca që patëm, edhe nga eksperienca me firmosjen e MSA-së. Nga ana tjetër, që t’i kthehemi klimës politike,  mënyra sesi tentohet për të minuar zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, natyrisht që ka pasoja. Pasoja të cilat i vuajnë shqiptarët, pasoja të cilat i vuan imazhi i Shqipërisë.

Ilva Tare: Kush përpiqet ta minojë reformën në drejtësi?

MEPJ Ditmir Bushati: Por besoj se të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se kush përpiqet të minojë reformën në drejtësi.

Ilva Tare: Të gjithë mbase jo, një pjesë që përfaqësoni ose beson tek ju.

MEPJ Ditmir Bushati: Qoftë ata që na kanë votuar ne, qoftë ata që kanë votuar opozitën, sepse që në krye të herës, mazhoranca, PS, qeveria, ka qenë shumë e qartë në disa elementë: nevojën për një reformë të thellë, tërësore, në sistemin e drejtësisë, në nevojën për të pasur një bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, me shërbimet e Komisionit Evropian, me ekspertizën e vendeve anëtare të BE-së, me ekspertizën amerikane, është pjesë e Planit të Veprimit të Dokumentit të Partneritetit Strategjik që kemi firmosur me SHBA-të që në vitin 2015 dhe një nga elementët tanë të panegociueshëm në këtë drejtim ka qenë përfshirja e ekspertizës ndërkombëtare, jo në procesin vendimmarrës, por në lehtësimin e vendimmarrjes për këtë proces. Ju thatë për prokurorin e përgjithshëm, unë nuk jam këtu për të bërë interpretimin tim, as të Kushtetutës dhe as të ligjit, sepse ka institucione shteti shqiptar, ku vendi ka marrë një vendim që ka qenë i konsultuar, qoftë me ekspertizën amerikane, qoftë me atë evropiane që kanë ndihmuar Komisionin Parlamentar në procesin e reformës në drejtësi;  të gjitha ato palë që e kanë kundërshtuar zgjedhjen e prokurores së përgjithshme me mandat të përkohshëm, kanë mundësitë dhe rrugët e duhura, qoftë në Gjykatën Kushtetuese apo instanca të tjera për të kundërshtuar këtë veprim. Ju jeni gazetare dhe betejat sot në botë nuk bëhen për mënyrën sesi zgjidhet prokurori i përgjithshëm. Betejat mund të bëhen për …

Ilva Tare: Betejat bëhen për mbrojtjen e Kushtetutës. Këtë thotë opozita, iu bë atentat Kushtetutës.

MEPJ Ditmir Bushati: Shumë dakord me ju, këtë po them edhe unë. Po pra, po betejat për mbrojtjen e Kushtetutës nuk bëhen as me flakadanë, nuk bëhen as me çizme. Betejat për mbrojtjen e Kushtetutës bëhen nëpër institucionet kushtetuese.   

Ilva Tare: Kur institucionet janë funksionale. Gjykata Kushtetuese është një tjetër argument i opozitës, është e cunguar, me mungesë anëtaresh, që nuk funksionon plotësisht.. 

MEPJ Ditmir Bushati: Kjo është një arsye shtesë, për t’i dhënë jetë zbatimit të reformës në drejtësi.

Ilva Tare: Pse nuk priti mazhoranca edhe pak ditë, sepse u plotësua anëtari i Shoqërisë Civile për KLP që të miratohej njëherë e mirë struktura dhe të fillonte të zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm siç e kërkon Kushtetuta e re e vendit. Pse pati aq nxitim?

MEPJ Ditmir Bushati: Në radhë të parë, Kushtetuta e përcakton qartë periudhën e qëndrimit në detyrë. 

Ilva Tare: Është e diskutueshme, pra… krijoi këtë klimë ku jemi sot? A mund të shmangej kjo?

MEPJ Ditmir Bushati: Koncepti i mandatit apo i qëndrimit në detyrë është një koncept kushtetues. Askush nuk mund të rrijë në detyrë përtej mandatit që ka.

Ilva Tare: Po flas për zgjedhjen e përkohshme...

MEPJ Ditmir Bushati: E di sa kollaj e themi këtë “iku”?

Ilva tare: Po jeni të gjithë dakord. Të gjithë palët për atë.

MEPJ Ditmir Bushati: Jo, besoj se nuk biem dakord të gjithë palët. Mund të biem dakord ne këtu, por nuk bie dakord opozita. Opozita ka pasur një qëndrim, sipas të cilit ish prokurori i përgjithshëm duhet të vazhdonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që do të vinte prokurori i ri. Qëndrimi i mazhorancës, qëndrimi i qeverisë ka qenë i qartë, që mandati kushtetues është i përcaktuar, ka një afat kohor dhe duhet respektuar skadenca.

Së dyti, kryeministri Rama i bëri një ofertë publike kryetarit të Partisë Demokratike Basha për t’u ulur së bashku për të diskutuar modalitetet për zgjedhjen e prokurorit, jo për t’i vënë gishtin dikujt, por për të diskutuar së bashku modalitetet e prokurorit. Një ofertë, e cila u refuzuar sistematikisht nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kushtetuta ka parashikuar disa mekanizma zhbllokues në rastin kur aktorët politikë nuk e gjejnë gjuhën, qoftë edhe nesër - pasnesër, në momentin që KLP dhe KLGJ të jenë funksionale, Kushtetuta, gjithashtu dhe ligji kanë të përcaktuara mekanizmat e zhbllokimit, kur politika nuk e gjen dot gjuhën e përbashkët. Kjo është arsyeja që sot kemi një prokuror me mandat të përkohshëm. Megjithatë...

Ilva Tare: Kemi edhe një opozitë në rrugë që po kërkon protesta që po e quan atentat ndaj Kushtetutës, që e quan një qeverisje ilegjitime dhe që po kërkon përgatitje të zgjedhjeve të parakohshme.

MEPJ Ditmir Bushati: E para, që të kërkosh zgjedhje të parakohshme nga ana e opozitës më duket thjesht një taktikë elektorale që çdo opozitë mund ta përdorë. Sali Berisha që ditën e parë që ka zbritur...

Ilva Tare: Siç e përdorët edhe ju kur ishit në opozitë?

MEPJ Ditmir Bushati: Prandaj po them. Ditën e parë që ka zbritur...

Ilva Tare: Që ka qenë gabim besoj?

Ditën e parë...Jo është një taktikë elektorale, një taktikë elektorale për të motivuar qoftë edhe mbështetësit dhe për të mbajtur gjallë shpresën që pushteti nuk është dhe aq larg. Kjo është e drejta e opozitës. Për të bërë opozita protesta, për të pasur një vështrim krejt të kundërt nga vështrimi ynë përsa i përketë ecurisë së reformave, kjo është normale. Çështja ku ne ndahemi me opozitën sot e gjithë ditën, ka të bëjë me hedhjen baltë ndaj Shqipërisë dhe imazhit të Shqipërisë dhe transferimit të akuzave që bën rëndom në parlament, në ambientet e Parlamentit Evropian apo në seli të ndryshme, ku diskutohet Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Kjo e dallon Shqipërinë, po ju them, nga Serbia, kjo e dallon Shqipërinë nga Mali i Zi.

Ilva Tare: Kjo e ka lënë Shqipërinë në këtë stad ku është?

MEPJ Ditmir Bushati: Kjo e ka lënë Shqipërinë në këtë stad ku është. Për shembull, Mali i Zi...

Ilva Tare: Tani çështja...ju duhet të ishit duke negociuar me opozitën dhe jo opozita të ishte në rrugë përpara Kuvendit apo përpara Kryeministrisë. Sa do të ndikojë kjo klimë?

MEPJ Ditmir Bushati: Për çfarë duhet negociuar me opozitën se s’po më kuptoni? Opozita....

Ilva Tare: Po pra, t’i kërkoni opozitës të bëhet pjesë e procesit. Të uleni më të në tavolinë, të kërkoni të jetë në tryezat tuaja të bisedimit edhe me Bashkimin Evropian.

MEPJ Ditmir Bushati: Opozita pati një kërkesë, një ofertë për bashkëpunim nga ana e Kryeministrit. Unë po pozoj faktet, në rast se unë jam i pavërtetë në këtë që po them...

Ilva Tare: Ne dimë çfarë ka thënë Kryeministri. Nuk kemi një reagim nga kryetari i Partisë Demokratike...

MEPJ Ditmir Bushati: Kryeministri ka thënë...Nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike është thënë “jo jo jo jo”. Pra, në kushtet kur ka një tendencë të qartë për ta bllokuar... pë përmendët pak më parë Gjykatën Kushtetuese, dihet se kush ka shkuar ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese. Tendenca për të bllokuar është kur i mbaron mandati Prokurorit të Përgjithshëm, unë si përfaqësues i mazhorancës, në rastin në fjalë Kryeministri, bën një ofertë publike ndaj kryetarit të Partisë Demokratike për të vazhduar dhe për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Oferta ishte refuzuese. Në kushtet kur oferta refuzohet dhe Edi Rama nuk po kërkonte që të impononte vullnetin e tij, por kërkonte një dialog të njëmendtë me kryetarin e Partisë Demokratike për të përcaktuar modalitetet mbi bazën e frymës që ka kushtetuta për çështjen në fjalë që do të na çonin drejt zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm. Në kushtet kur nuk kishte dakordësi për këtë proces dhe ky proces u refuzua, u injorua, si të doni quajeni, atëherë ne duhet të zbatonim kushtetutën. Kushtetuta përcakton mekanizmin zhbllokues duke i dhënë të drejtën një prokurori që zgjidhet nga radhët e Prokurorisë, jo nga radhët e mazhorancës, për të qëndruar në detyrë deri në momentin që do të jetë prokurori tjetër me mandat të plotë.

Ilva Tare: Se dua të dal nga kjo situatë, se nuk dua të shpenzojmë shumë minuta se kam shumë pyetje. Zhbllokoi këtë situatë që thoni ju, por bllokoi dialogun politik, edhe përpara saj nuk është se ishte e nivelit të lartë, por të paktën ekzistonte. Në këtë fazë ku jemi, ju si Ministër i Jashtëm keni ndërmarrë ose do të ndërmerrni ndonjë nismë për dialog me opozitën?

MEPJ Ditmir Bushati: Nismat në radhë të parë për dialog me opozitën janë nisma të cilat merren në nivelin e drejtuesve politikë të partive respektive, pra nga ana e Kryeministrit dhe nga ana e Partisë Demokratike. Një nismë e tretë që nuk më latë ta përfundoja është edhe komisioni bipartizan që është ngritur në Kuvend për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR përsa i përket zgjedhjeve. Fakti që për herë të parë brenda 100 ditëshit të parë të kësaj mazhorance është krijuar ky Komision, është gjithashtu dëshmi e vullnetit tonë për të adresuar një nga një, për të mos i lënë në momentin e fundit, të gjitha shqetësimet që ka paraqitur OSBE – ODHIR, ku vetë Partia Demokratike në rast se është e interesuar për të përmirësuar sistemin zgjedhor, infrastrukturën zgjedhore, është e lutur për të bërë propozimet e saj edhe për të mos i lënë në minutën e fundit. Edhe kjo gjë për fat të keq nuk po ndodh. Unë nuk jam këtu për të bërë analizën e strategjisë apo taktikës që ndjek Partia Demokratike sepse nuk jam analist, unë jam politikan. Por, më ngjan si dy pika uji me atë çka ndodhi para katër viteve, ku humbet kohë pafund dhe në momentin e fundit kur vijnë zgjedhjet, fillojnë kërkesa nga më të ndryshmet dhe më pas kur humbet zgjedhjet fillojnë sërish një histori tjetër. Por kjo është një çështje e Partisë Demokratike.

Ilva Tare: Përsa i përket mazhorancës është që kur jeni në qeveri duhet të jeni më tolerantë dhe më mirëkuptues me opozitën.

MEPJ Ditmir Bushati: Ku e shihni ju mungesën e tolerancës sonë? Ju lutem më ndihmoni edhe mua se unë jam përfaqësues i mazhorancës.

Ilva Tare: Jo nuk dua të bëj debat me ju se unë nuk jam nivel politik se ju thatë politikisht, se unë s’mund t’ju përgjigjem politikisht.

MEPJ Ditmir Bushati: Ku e shihni ju mungesën e tolerancës?

Ilva Tare: Pozita e një qytetari që pret të hapen e negociatat, të fillojnë të vijnë fondet, Shqipëria të plotësojë ato detyrime që ka për t’u bërë një shtet ligjor funksional. Ok? Në pozitat e këtij qytetari...

MEPJ Ditmir Bushati: Në pozitat e këtij qytetari ...

Ilva Tare: E kam opozitën në rrugë, në protesta dhe paralajmëron bllokim të Kuvendit dhe një klimë, edhe e imagjinoj veten se si më sheh kancelarja Merkel, megjithëse ka telashet e veta sa të formojë qeverinë, si i shikon Austria, Brukseli, kë të doni ju nga kancelaritë evropiane, Shqipërinë në këto momente dhe munden ata të rekomandojnë hapjen e negociatave me këtë klimë? Përgjegjësinë e mazhorancës dua, sepse për atë të opozitës, do të pyes z. Basha kur ta kem në studio.

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht që ne do të jemi deri në fund të këtij mandati ngulmues në nevojën për bashkëpunim me Partinë Demokratike se është opozita kryesore në vend për ndërmarrjen e reformave, të cilat kanë karakter shtetndërtues dhe shtetkonsolidues. E thashë edhe pak më përpara, ka dy vite e  gjysmë që diskutohet për këtë proces dhe në asnjë moment diskutimi i këtij procesi nuk ka qenë i lehtë. Diskutimi i kësaj reforme nuk ka qenë i lehtë. Sot që jemi në fazën finale të zbatimit të kësaj reforme, shohim që ka një rezistencë të shtuar. Nuk e di a ju bën juve përshtypje, por në të gjithë botën përgjithësisht qeveritë janë ato të cilat kanë probleme apo kanë situata të vështira me zbatimin e reformave në drejtësi. Për këdo që ndjek pak zhvillimet brenda Bashkimit Evropian, nuk mendoj se nuk i ka rënë në sy fakti që një pjesë e vendeve anëtare sot të BE-së që kanë aderuar nga 2004 e këtej kanë situata të komplikuara, qoftë me Bashkimin Evropian, me Komisionin e Venecias dhe me të gjithë paketën anti-korrupsion dhe paketën e reformave në drejtësi dhe po kërkojnë që të bëjnë hapa pas. Në Shqipëri kemi një situatë krejt tjetër. Ka një vullnet të qartë nga ana e qeverisë për të ecur përpara në këtë drejtim dhe është opozita, e cila për fat të keq, po e bllokon këtë proces. Nuk na shqetësojnë ne aspak protestat e opozitës. Kemi bërë ne protesta tetë vite në opozitë, sa të duash. Opozita në çdo vend të botës ka të drejtën e saj të bëjë protesta, të përdorë foltoren e Parlamentit për të kundërshtuar politika të caktuara, për të promovuar alternativën e saj. Nuk na shqetëson ne fare kjo gjë, nuk na shqetëson  as mënyra se si na kritikon apo qoftë edhe na shan opozita. Unë po them një diçka që është më e rëndësishme, mes nesh dhe opozitës është Shqipëria dhe ajo që unë nuk shoh sot e gjithë ditën nga ana e opozitës, është nevoja për të promovuar Shqipërinë, jo për të promovuar Edi Ramën, jo për të promovuar këtë qeveri, sepse nesër - pasnesër do t’i vijë radha opozitës kur shqiptarët do t’ia japin votën për të qeverisur vendin.

Ilva Tare: A do të mjaftojë ky vullnet që thoni ju, i mazhorancës për reformën në drejtësi që Bashkimi Evropian të vendosë hapjen e negociatave?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, që ne kemi bërë një hap shumë të madh përpara, sepse në harkun kohor të pak muajve është ndryshuar Kushtetuta, janë bërë sa e sa konsulta, janë përfshirë sa e sa ekspertë.

Ilva Tare: U bë dy vjet tashmë që është ndryshuar Kushtetuta dhe s’ka filluar zbatimi...

MEPJ Ditmir Bushati: U bë një vit e gjysmë dhe tanimë, ne presim që brenda fundit të janarit, apo fundit të shkurtit të kemi rastet e para, produktet e para, frytet e para të procesit të Vetting-ut. Për të kuptuar sesa është i infektuar sistemi jonë i drejtësisë në mënyrë më konkrete dhe gjithashtu për të pasur mundësi që kur të fillojë procesi i bisedimeve për anëtarësinë në Kapitullin 23, 24 të kemi kurën më të mirë dhe terapinë më të mirë intensive, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të fillojë dhe të funksionojë siç duhet.

Ilva Tare: Me kaq sa është implementuar përfshirë edhe janarin apo fundin e janarit - fillim shkurtin që mund të ketë disa dalje nga dosjet që janë tashmë në skutinimin e Vetting-ut. A do të mjaftojnë të hapen negociatat, a do të kënaqin Komisionin Evropian që të rekomandojë  hapjen e negociatave apo do të duhet më shumë veprim?

MEPJ Ditmir Bushati: Ju e dini mirë që ky është një proces pafund, që do të thotë, siç është një proces i pafund është edhe një proces që hapat hidhen një e nga një. Ne presim që Komisioni Evropian të bëjë një vlerësim realist për hapat që ka hedhur Shqipëria që nga 2016 që është raporti i fundit e deri në pranverën e 2018-ës si tregues i vullnetit të qartë që ka Shqipëria për të zbatuar të gjitha reformat të cilat i ka kaluar si ligje. Unë do t’ju them diçka që në takimet që ne zhvilluam, Kryeministri me Presidentin e Komisionit Evropian, Presidentin e Parlamentit Evropian, Presidentin e Këshillit, Shefen e Politikës së Jashtme që është njëkohësisht zv. Presidentja e Komisionit, zv. Presidentin e Komisionit Timermmans, me Komisionerin për Çështjet e Migracionit dhe Azilit Avramopulos. Pra, me pjesën kryesore le të themi, të vendimmarrjes në nivel evropian, me Komisionin e Politikës së Jashtme më të cilin unë kisha mundësi të kisha një seancë shkëmbimi pyetje përgjigje për zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon, mesazhi i përbashkët i të gjitha këtyre takimeve, pavarësisht se ata janë personalitete që i përkasin familjeve të ndryshme politike, është se Shqipëria mund të konsiderohet një shembull në rajon përsa i përket kësaj reforme, reformës në drejtësi, se Shqipëria po e lufton me vendosmëri krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafiqet, se Shqipëria në dallim nga shumë vende të tjera, bashkëpunon me shtete partnere. Është i vetmi vend që lejon hapësirën ajrore për forcat e një vendi tjetër,

Ilva Tare: Është i vetmi vend që e ka detyrim nga NATO, besoj...

MEPJ Ditmir Bushati: Jo, jo, flasim për operacionin anti-kanabis

Ilva Tare: A, operacionin anti-kanabis...

MEPJ Ditmir Bushati: Është i vetmi vend sot për sot në rajon që ka një përfshirje kaq të madhe, ka përfshirë kaq shumë ekspertizën ndërkombëtare në procesin e Vetting-ut, pra në procesin e reformës në drejtësi, dihet statusi i posaçëm që ka OMN-ja e kështu me radhë dhe është i vetmi vend në rajon që sistematikisht e ka të linjëzuar qëndrimin dhe politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Mesazhi i dytë që vjen nga Brukseli se është i rëndësishëm se ju më pyesni se a mjafton që opozita, që ju jeni në parlament dhe opozita bllokuese, etj. etj. për të marrë vendimin.

Ilva Tare: Nuk thashë është opozita bllokuese, por opozita është në protestë...

MEPJ Ditmir Bushati: Më fal, opozita në protestë. Mesazhi i dytë që vjen është i thënë shumë qartë nga goja e Juncker, i thënë shumë qartë nga goja e Mogherinit, i thënë shumë qartë nga goja e Tajanit, i thënë shumë qartë nga goja e Tuskut, që institucionet e Bashkimit Evropian në rast se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë këtë trajektore, janë të gatshme për të propozuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Ilva Tare: Pra sot që flasim...

MEPJ Ditmir Bushati: Më pas është elementi i dytë. Si është situata në vendet anëtare të BE-së? Me Brexit, me frymën populiste, me rritjen e ekstremit të djathtë, me përfshirjen e filtrit fetar si një filtër përcaktues, përsa i përket kuotave për refugjatët...

Ilva Tare: Por edhe me rezervat që kanë vendet anëtare ndaj Shqipërisë, përveç reformës në drejtësi...

MEPJ Ditmir Bushati: ...me paragjykimet që ekzistojnë për procesin e zgjerimit e natyrisht edhe me stereotipe negative që ka qoftë për Shqipërinë apo për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Këtu lind pyetja, në këtë kontekst të gjerë, cili është roli i aktorëve politikë? Ne nuk po i kërkojmë opozitës llogari për çështje që janë strikt, detyra të ekzekutivit. Ne nuk po i kërkojmë që të mendojë njëlloj si ne, as po i kërkojmë që të paralizojë aktivitetin politik, ne nuk po i kërkojmë të bëjë atë gjë që ka bërë opozita sllovake në momentin që sllovakët morën timonin e drejtimit, Presidencën e BE. Kishte protesta para shtëpisë së kryeministrit në Sllovaki, kishte kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, ministrit të Transportit, ministrit të Jashtëm Lajcak në atë kohë. Pra kishte, ishte pak a shumë e njëjta situatë, por opozita vendosi për gjashtë muaj për të paralizuar aktivitetin. Ne nuk po i kërkojmë këtë gjë. Aktiviteti politik le të vazhdojë, kritikat, sharjet, fyerjet le të vazhdojnë, por është shumë e rëndësishme që ato mos të transferohen  përtej Shqipërisë dhe mos t’i krijohet mundësia për alibi askujt sot për sot brenda vendeve të BE-së se ju thatë si na sheh Merkel-i, si na sheh Austria...

Ilva Tare: Ekzakt. Kemi pyetje pas pak, nuk kemi përfunduar me pyetjet për hapjen e mundshme të negociatave, do ta pyesim ministrin Bushati edhe për bisedimet që po kryhen me Greqinë, me homologun Kotzias, pas pak... 

Jemi rikthyer në pjesën e dytë të intervistës me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Zoti Ministër, folëm sidomos në pjesën e fundit për qëndrimin e mazhorancës dhe opozitës, që unë ta kuptoj por dhe ato që na ndjekin, çfarë po i kërkoni opozitës, të mos bëjë protesta? A keni një kërkesë të qartë të formuluar? Çfarë të bëjë opozita që Shqipëria të mos jetë në atë imazhin e keq që keni ju më shumë se një muaj që e thoni dhe të mos rrezikojë hapjen e negociatave?

MEPJ Ditmir Bushati: U përpoqa ta them dhe pak më parë, çfarë janë reforma të karakterit shtet-ndërtues, shtet-konsolidues, roli i opozitës është shumë i rëndësishëm, për zbatimin e reformave, por edhe për qëndrueshmërinë e këtyre reformave. Ndërkohë, çfarë janë reforma të cilat janë të karakterit ngushtësisht të lidhura me një forcë politike, natyrisht si në çdo vend të botës, opozitat kanë qëndrime krejt të kundërta. Në rast se ne kemi rënë dakord në 2016-ën për këtë sistem drejtësie, nuk mund të bëhemi sot pishman dhe të nxjerrim lloj-lloj argumentesh për të mos u ulur në tavolinë dhe për të mos e zbatuar këtë reformë..

Ilva Tare: Po thoni për reformën në drejtësi ?

MEPJ Ditmir Bushati: ...siç është rasti i reformës në drejtësi. Së dyti, në rast se opozita qëndroi tre muaj në çadër për të kërkuar garanci shtesë për procesin e administrimit zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë në 100 ditët e tij të para ka krijuar komisionin bipartizan për reformën zgjedhore, çka opozita ka të gjithë të drejtën dhe të gjithë mundësinë; unë i kam shkruar letër në emër të qeverisë shqiptare OSCE/ODIHR-it ku i kam kërkuar asistencë për këtë proces që ka nisur në mënyrë që ne të adresojmë të gjitha çështjet në këtë moment. Së treti, i kërkojmë opozitës që të mos hedhë baltë për Shqipërinë, sepse është një situatë shumë paradoksale që të vijë ministri i Brendshëm i Italisë në Shqipëri, të vijë ministri i Drejtësisë i Italisë në Shqipëri, të promovojë Shqipërinë për rezultatet që ka në luftën kundër fenomenit të kanabisit dhe më pas, të jetë opozita shqiptare e cila bën të kundërtën. Është shumë paradoksale që të thotë Jean-Claude Juncker, Federica Mogherini, Johannes Hahn e të gjithë personalitetet sot për sot të Bashkimit Evropian që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Strategjisë së Zgjerimit, dhe opozita në parlament, merrni nxirri në sinkron këtu, thotë që do jetë vetëm Serbia dhe Mali i Zi, Shqipëria është përjashtuar nga ky proces. Pra, opozitën e ftoj që të mos t’i shohë sukseset në procesin e Integrimit Evropian si kërcënim ndaj saj, përkundrazi, në rast se do të isha në opozitë, do t’i sugjeroja që të ishte edhe më aktive në këtë proces, sepse shtohen garancitë