Postuar më: 16 Shkurt 2018

Intervistë e Ministrit Bushati në prag të takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Sofje

 

16 shkurt 2018

Gjatë një interviste të shkurtër, menjëherë pas mbërritjes së tij në Sofje, ministri Bushati ka deklaruar se, edhe pse do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate, ajo është një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur, sidomos pas vitesh të vështira që ky proces ka kaluar. Ministri përsëriti dëshirën për të punuar me Komisionin dhe vendet anëtare për materializimin e 6 nismave madhore që do ta afronin më shumë vendin tonë me BE-në.
 
Gazetarja: Cili është komenti juaj Z. Bushati për Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian?

Ministri Bushati: Sigurisht, e mirëpresim publikimin e Strategjisë. Sigurisht do të dëshironim të ishte më shumë e detajuar mbi hapat që duhet të merren nga vendet kandidate, masat dhe instrumentet financiare e politike që mund të ofrohen nga BE. Gjithsesi, dëshiroj të rikonfirmoj që ky është një hap i mirë, në drejtimin e duhur, sidomos pas viteve të vështira që procesi i zgjerimit ka kaluar. Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së.

Gazetarja: Hungaria tha se procesi i integrimit europian nuk është mjaftueshëm i shpejtë. Çfarë mendoni për këtë? 2025 a është mjaftueshëm për të materializuar 6 nismat madhore?

Ministri Bushati: Mendoj më mirë të përqendrohemi në çfarë na pret në horizont se sa në data, si edhe në cilësinë e procesit të reformave. Sundimi i së drejtës vjen i pari, por siç e dimë shumë mirë, nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik dhe nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa sundim të së drejtës. Prandaj është e rëndësishme si për BE ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor të vendosin një barazpeshë midis këtyre dy komponentëve të strategjisë.