Postuar më: 13 Korrik 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për 'Agjencia Nova' - Për Shqipërinë Italia është dritare drejt BE-së

Për Shqipërinë Italia është një partner strategjik dhe një dritare drejt Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në një intervistë për "Agjencinë Nova", gjatë Samitit të Triestes për Ballkanin Perëndimor. "Shqipëria - tha Bushati - vlerëson punën e presidencës italiane të Procesit të Berlinit (nisma e çelur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel) për energjinë dhe idetë që përcjell". Sipas ministrit shqiptar Procesi i Berlinit është një mjet i rëndësishëm për të nxitur vendet e Ballkanit në rrugën e integrimit në BE. "Deri tani kemi vënë në fokus shumë qellime dhe është koha për të implementuar projektet e dakordësuara bashkarisht". "Në nivel politik - tha Bushati - duhet të vijojmë përmirësimin e marrëdhënieve si dhe klimën e përgjithshme të bashkëpunimit në rajonin tonë. Krahasuar me tre-katër vite më parë, klima është përgjithësisht më e mirë; në veçanti, janë përmirësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë edhe si rrjedhojë e zbatimit të disa iniciativave rajonale. Në nivel ekonomik - shtoi ai - këtu nga Trieste, urojmë që nënshkrimi i planit të veprimit për krijimin e një rajoni të tregtisë së lirë të mundësojë avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Në këndvështrimin e ministrit të Jashtëm shqiptar, "energjia dhe inovacioni" janë dy tema themelore për ecurinë e integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe po aq dy projekte shumë të rëndësishme, ndërkohë që nënshkrimi i marrëveshjes për Komunitetin e Transportit "duhet të mbështetet edhe në nisma të mëtejshme që të mund të çojnë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së". Në lidhje me krijimin e zonës ekonomike rajonale, ministri i Jashtëm shqiptar komentoi disa "keqkuptime" mbi të, të shfaqura në muajt e fundit nga disa shtete të rajonit. "Disa vende lidhnin themelimin e kësaj zone rajonale të tregtisë së lirë me rilindjen e Jugosllavisë. Por tani situata është mjaft e qartë dhe ka një marrëveshje", tha ai.

Bushati më tej komentoi mbi situatën politike në Shqipëri. "Ne kemi patur dy zhvillime kryesore: organizimin e zgjedhjeve parlamentare në 25 qershor dhe zbatimin e reformës në drejtësi"- tha ministri, duke shpjeguar se ajo çka është më e rëndësishme në këtë moment është zbatimi i kësaj reforme parësore. "nga momenti kur parlamenti ka zgjedhur dhe emëruar të ashtuquajturit “ vetting bodies”, proçesi vijon me zbatimin e plotë të kësaj reforme. Ne shpresojmë se këto dy zhvillime do të mund të hapin rrugën për negociatat e anëtarësimit në BE. Qeveria jonë është shumë e fokusuar në agjendën e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë që  përkon me pesë prioritetet kyçe të identifikuara nga Komisioni Europian për pranimin e Tiranës në BE. Ne besojmë se vendimi për të hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim është brenda mundësive ", tha ai.

Ministri Bushati  ju përgjigj një pyetjeje mbi situatën politike në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku është formuar një qeveri me një koalicion të diskutueshme ndërmjet  Partisë Bashkimi Socialdemokrat i  Maqedonisë (SDSM) dhe aleancës së pakicës shqiptare dhe  akuzave të  ish kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, sipas të cilit Shqipëria ka ndërhyrë në përpjekjet e tyre për të formuar një qeveri.

"Të gjitha këto pretendime kanë rezultuar jo të vërteta  dhe të pabaza. Tashmë Maqedonia ka një qeveri të re: jemi në fazat e para kështu që është ende shumë herët për të vlerësuar  nivelin e zbatimit të programit që qeveria paraqiti në parlament, dhe kjo vlen edhe për atë pjesë të programit që ka një ndikim në të drejtat e qytetarëve të pakicës shqiptare. Për ne, Maqedonia është një shtet fqinj dhe mik. Ne punojmë ngushtë me ta dhe duam ta shohim Maqedoninë të ecë përpara në proçesin e  integrimit euroatlantik.  Në të njëjtën kohë do të dëshironim që Maqedonia  t’i përmbahej detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit  dhe të Përzhinos".

Lidhur me çështjen e sigurisë Bushati deklaroi se Italia dhe Shqipëria janë "partnerë strategjikë" me një bashkëpunim shumë të fortë dhe të strukturuar jo vetëm në këtë drejtim, por edhe “në nivelin politik, në nivelin ekonomik dhe atë të bashkëpunimit kulturor. Italia - tha ai - është për ne një dritare drejt Bashkimit  Europian dhe se kemi qënë fatlumë në ndërtimin e këtij partneriteti strategjik me Italinë, duke punuar bashkë për konsolidimin e tij ndër vite”.

https://www.agenzianova.com/a/59674e094085f4.70329740/1607146/2017-07-13/balcani-ministro-esteri-bushati-a-nova-italia-e-per-albania-finestra-verso-ue/linked