Postuar më: 25 Maj 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për emisionin “Jeta në Kosovë” në RTK

Dokumentet bashkengjitur

 

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka qenë i ftuar gjatë mbrëmjes së djeshme në një bashkëbisedim me gazetaren Jeta Xharra në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Gjatë bisedës me gazetaren Xharra dhe pyetjes së saj se çfarë do të vlerësonit pas 4 viteve sa i përket asaj çka keni bërë për shqiptarët e rajonit, Ministri Bushati vuri në dukje se: “Shqipëria si vendi kryesor, le të themi, ku jetojnë sot shqiptarët në rajon apo vendi amë, është në një pozitë më të avantazhuar nga ç'ishte para 4 vitesh. Është një vend i cili ka një dinamikë tjetër në hapërsirën e Europës adriatike, përmes instrumenteve dhe përmes bashkëpunimit që ne kemi zhvilluar sidomos me Kroacinë dhe Malin e Zi, një vend i cili ka një dinamikë gjithashtu besoj për t’u lavdëruar në procesin e Berlinit, duke qenë se edhe projektet kryesore të Procesit të Berlinit mbajnë në një mënyrë a në një tjetër, vulën e Shqipërisë. Shqiptarët në rajon mendoj që janë në pozitë më dinjitoze nga ç’ishin para 4 viteve. Sot kemi një Kosovë, e cila është pjesë e tryezave dhe nismave rajonale më të rëndësishme, platformave më të rëndësishme. Është një Kosovë e cila ka një marrëveshje stabilizim-asociimi me Bashkimin Europian. Kemi punuar kryesisht me të dhe me partnerët tanë për të pasur një afatizim të afrimit të Kosovës me Aleancën e Atlantikut të Veriut”.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e veçanta Shqipëri-Kosovë dhe mbështetjen që në i japim asaj në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, duke nënvizuar se: “Në planin politik kemi një bashkëpunim dhe një bashkërendim shumë më të mirë nga sa e kemi patur me Kosovën, si për sa i përket mbështetjes në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Ka tre vjet, që ministri i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, në çdo ministrial apo samit të NATO-s, përsërisin kërkesën për një afatëzim të procesit të anëtarësimit, apo afrimit të Kosovës me NATO-n. Nuk janë çështje të lehta kur në kushtet kur në NATO ka katër vende anëtare që nuk e njohin Kosovën dhe është një organizatë, e cila funksionon mbi bazën e konsensusit dhe jo mbi bazën e shumicës. Së dyti, kemi një Kosovë sot që është pjesë e të gjitha nismave rajonale, pjesë e projekteve të përbashkëta rajonale”.

Ministri Bushati, duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ka vlerësuar se “Kosova ka bërë gjithçka ka mundur si në fushatën promovuese të saj ashtu edhe në kontaktet që ka zhvilluar, por momenti i zgjedhur ndoshta mund të mos ishte momenti më oportun për të jetësuar një ëndërr të caktuar në kushtet kur organizata ka rregulla shumë strikte dhe kërkon 2/3 e votave”.

Më tej bashkëbisedimi ka vijuar duke prekur tema të kalendarit të përbashkët kulturor me Kosovën, marrëdhëniet tragtare mes dy vendeve, përfaqësimi në konsullata të përbashkëta apo dhe roli lavdërues i Shqipërisë dhe bashkëpunimi me faktorin shqiptar në Maqedoni, Mal të Zi e në gjithë rajonin.

Bashkëlidhur në PDF intervista e plotë.