Postuar më: 04 Maj 2018

Intervistë e Ministrit Bushati për ERT-grek

Selanik, 04 maj 2018

Gazetari- Zoti ministër, sapo dolët nga takimi me Kotzias. Është takimi juaj i radhës pas takimit të Tiranës, aty ku ju kishit lënë përgjysëm disa gjëra. Cilat janë hapat e mëtejshëm dhe cfarë u tha në takimin e sotëm?
 
Ministri Bushati: Natyrisht që është bërë progres. Ka filluar puna me intensitet të plotë përsa i përket diskutimeve për kufizimin e zonave detare. Është bërë një punë e mirë në Tiranë javës së kaluar. Javës së ardhshme do të këtë një takim tjetër, po të ekspertëve në Athinë, kuptohet që çështjet janë pak a shumë të njohura. Sfidat që duhet të përballojnë palët me shpresën që do të shkojmë drejtë një marrëveshjeje të re për kufizimin e zonave detare dhe mendoj që jemi në drejtimin e duhur për sa kohë kjo është një çështje tashmë 10 -12 vjeçare, e rimarrë në 2014 nga ana jonë, e shtjelluar në të gjitha nivelet, në nivelin teknik, diplomatik dhe nivelin politik, ku janë shqyrtuar imtësisht jo vetëm shqetësimet e palëve por edhe precedentët e ndryshëm të cilët për hir të së vërtetës janë të larmishëm dhe jo të njëtrajtshëm në të drejtën ndërkombëtare, kësisoj mendoj se jemi përballë një situate të favorshme ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejtë një marrëveshjeje të re, një marrëveshjeje që do të jetë e mirë për të dyja vendet dhe mbi të gjitha një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme për të dyja vendet.

Diskutuam gjithashtu dhe për pjesën tjetër të paketës e cila është në proces të diskutimit. Kemi një dokument për sa i përket njohjes së ndërsjelltë të lejes së drejtimit të automjeteve apo sic i themi ndryshe në gjuhën popullore, patentave, dhe po ecim gjithashtu dhe me pjesën tjetër e cila ka lidhje me menaxhimin e kufirit tokësor dhe formatet e tjera dy palëshe.

 
Gazetari- Për sa i përket marrëveshjes së detit, në gjuhën praktike, cili është ndryshimi me marrëveshjen që ka nënshkruar Shqipëria dhe Greqia në vitin 2009?
 
Ministri Bushati: Është herët për të folur për ndryshime. Mendoj se opinioni publik do të marrë informacion në kohën e duhur për sa i përket ndryshimeve por, paraprakisht mund të them që parimet që ne synojmë të aplikojmë në një marrëveshje të re, mendojmë që do të jenë vendime më të drejta. Thelbi në këtë proces diskutimi dhe në përkufizimin e zonave detare, nuk qëndron domosdoshmërisht tek fitorja e njërës palë përkundrejt  palës tjetër, por tek drejtësia e parimeve  që aplikohen në praktikë dhe kjo është arsyeja pse kemi thënë që kjo marrëveshje e re që ne synojmë të arrijmë me palën greke, do të jetë një marrëveshje më e mirë, do të  jetë një marrëveshje me e drejtë se marrëveshja që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në 2009.

Gazetari- Z. Kotzias tha në  fjalimin  e tij të  hapjes se të dy vendet  pothuajse i kanë zgjidhur të gjitha problemet e trashëguara nga një histori prej më shumë se 70 vjetësh. Cilat janë ato çështje që ende  negociohen dhe për të cilat jemi akoma në një ngërç?

Ministri Bushati: Mendoj që kjo është e qartë. Çështjet për të cilat ka pasur një dakordësi finale sot për sot janë në një proces zbatimi. Çështjet e tjera të cilat kanë këndshikime pak a shumë që përputhen, janë ende në proces diskutimi apo detajimi.

Gazetari- Do të ketë përfunduar marrëveshja për të gjithë këtë shportën e problemeve të trashëguara deri në verë?

Ministri Bushati: Afatet në marrëdhëniet ndërshtetërore shpesh janë të rëndësishme dhe motivuese për zgjidhjen e çështjeve, por nga ana tjetër asnjëherë ne nuk mund të jemi peng të afateve strikte.

Gazetari- Pavarësisht se pala shqiptare nuk e shtron por qoftë pala greke, Ministria e Jashtme, qoftë shtypi grek thonë se një nga problemet e shportës është edhe çështja e minoritetit grek në Shqipëri. Ka ndonjë problem, ndonjë problematikë në lidhje me këtë?

Ministri Bushati: Ne kemi kaluar  një ligj  i cili është progresiv dhe mjaft modern krahasuar me një pjesë të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe krahasuar më një pjesë të mirë të vendeve që janë anëtare të Këshillit të Evropës. Besoj se jemi duke hedhur hapat e duhur në këtë drejtim. Natyrisht do të kërkojmë mbështetjen e të gjitha vendeve që kanë një interes me këtë çështje apo kanë një lidhje me një pakicë në Shqipëri sepse besojmë që është mbi të gjitha pjesë e vokacionit tonë dhe përkatësisë tonë evropiane dhe e një dialogu të mirëfilltë me të gjitha pakicat.

Gazetari- Po përsa i përket heqjes së ligjit të luftës?

Ministri Bushati: Është në proces, hyn në kategorinë e çështjeve për të cilat ka dakordësi, por ende nuk është zbatuar

Gazetari: Si e shikoni takimin tjetër të radhës, ku do të jetë dhe cila do të jetë çështja e radhës sepse problemet po zgjidhen hap pas hapi.

Ministri Bushati: Do takohemi për pak ditë sërish me mikun Kotzias dhe do të vijojmë  këtë diskutim i cili ka kohë që është ndërmarrë mes nesh.

Gazetari: Sa e madhe ka qenë mbështetja e Greqisë për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë?

Ministri Bushati: Greqia është një vend partner strategjik për Shqipërinë. Është një vend i cili ka eksperiencën më të madhe për sa i përket çështjeve evropiane dhe në rajon. Sepse është vendi ballkanik i parë që është anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kësisoj, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipëria, kanë mundësinë të përfitojnë nga eksperienca që ka akumuluar Greqia në Bashkimin Evropian, sikundër është ai vendi, të cilit për shkak edhe të situatës delikate financiare që kaloi para disa vitesh, ka përjetuar deri diku stereotipie negative që vinin nga pjesë të ndryshme të Evropës. Në këtë kontekst, është një vend i pozicionuar mirë jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi se çfarë të mësojmë nga eksperienca greke. Sikundër, jemi këtu në Selanik, për asnjë çast nuk mund ta harrojmë faktin që procesi i zgjerimit me vendet e Evropës Qendrore Lindore, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mori një shtysë të rëndësishme gjatë presidencës greke në vitin 2003, me atë që njihet ndryshe si axhenda e Selanikut. Procesi i liberalizimit të vizave, instrumentet financiare të para aderimit, programet e binjakëzimit, programet komunitare, partneritet evropiane, të gjitha janë instrumente apo fryte që ne i kemi në të vërtetë që nga koha e Samitit të Selanikut.

Gazetari- Pyetja e fundit ju lutem, është në varësi të mbarëvajtjes dhe të zgjidhjes së problemeve dypalëshe, takimi i dy kryeministrave?

Ministri Bushati: Jo. Nuk ka politikë kufizimesh në këtë drejtim. Por nga ana tjetër, është krejt normale që përveç takimeve që kanë pasur gjatë periudhës së fundit dy kryeministrat Rama dhe Tzipras, në momentin që ne do të kemi një produkt edhe më të finalizuar nga paketa që diskutohet me palën greke, nuk diskutohet që do të jenë dy kryeministrat që do të finalizojnë këtë paketë, sepse në fund të ditës i gjithë ky proces që po zhvillohet është shprehje e vendosmërisë politike që kanë dy kryeministrat për ta çuar këtë proces përpara. 

Gazetari- Filluat i pari sot takimet dypalëshe me ministrin Kotzias dhe ministrat e tjerë, nëse do t’i vinit një titull të shkurtër takimit tuaj, cili do të ishte? 

Ministri Bushati: Një takim normal pune që shqyrton ecurinë e grupeve teknike të përbashkëta, të cilat mund t’jua them, janë në kontakt të përditshëm qoftë formal apo informal për të gjitha çështjet që ne kemi të paktën dy vite e gjysmë që i diskutojmë mbi baza periodike. 

Gazetari- Faleminderit dhe ju urojmë suksese. 

Ministri Bushati: Faleminderit juve.