Postuar më: 27 Prill 2018

Intervistë e Ministrit Bushati për “ERTV”

Intervistë e Ministrit Bushati për “ERTV”

Pyetje: Zoti Bushati, tashmë është zyrtare, Komisioni Evropian rekomandon çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian të Shqipërisë. Çfarë e pret tani Shqipërinë, më shumë përgjegjësi nga tani deri në qershor, kur pritet të vendoset për negociatat?

MEPJ Ditmir Bushati: Ky rekomandim vjen si pasojë e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria gjatë këtij procesi i cili, duhet thënë, nuk ka qenë asfare i lehtë sepse, të reformosh totalisht sistemin e drejtësisë, të pastrosh pallatin e drejtësisë nga drunjtë e shtrembër e më pas të ndërtosh një strategji të qartë për të rritur besimin e opinionit publik tek institucionet e shtetit të së drejtës, nuk është një sfidë e lehtë. Të përballesh me korrupsionin, krimin e organizuar, me çështje që kanë lidhje me titujt pronësorë, pra çështje të akumuluara gjatë tranzicionit të vështirë të Shqipërisë, nuk është aspak e lehtë dhe rekomandimi i Komisionit Europian është shprehje vlerësimi për të gjitha reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në këtë drejtim. Nga ana tjetër, para nesh hapet një kapitull  i ri, një kapitull i cili kërkon më shumë impenjim, më shumë punë në radhë të parë për institucionet shtetërore, më shumë bashkëpunim politik dhe një konsensus politik kombëtar për të vetmin projekt prosperiteti, zhvillimi e transformimi që është projekti i integrimit evropian.

Komisioni Evropian na ka dhënë një certifikatë përsa i përket këtyre arritjeve, bazuar edhe  një metodë krahasimore me atë ku ishte Shqipëria në 2016 kur KE rekomandoi gjithashtu fillimin e bisedimeve për anëtarësim  me kushtin apo mirëkuptimin që do të zbatohej  procesi i vettingut në drejtësi.

Pyetje: Të gjithë bien dakord  që reforma në drejtësi është ai hapi i madh që e ktheu Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian

MEPJ Ditmir Bushati: Jo vetëm.

Pyetje: Jo vetëm por është një faktor suksesi apo jo?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, reforma në drejtësi jo vetëm është një faktor suksesi por nga ana tjetër, siç shkruan vetë Komisioni Evropian, mund të kthehet edhe në një precedent për vendet e tjera në rajon.

Pyetje: Pikërisht, mendoni që mund ta kushtëzojë p.sh e ardhmja e procesit të vettingut, vijueshmëria e tij zbatimin me sukses ose jo deri në fund të vettingut, procesin?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, krahas rekomandimit nga ana e Komisionit Evropian, ka edhe dy fjalë kyçe që ja vlen t’i nënvizojmë dhe të mos i harrojmë në asnjë moment, mbajtja e ritmit të reformave së pari dhe së dyti, thellësia e këtyre reformave të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe jo vetëm për ecurinë dhe shpejtësinë e procesit të integrimit europian, sepse kur flasim për ndërtimin e sistetmit të drejtësisë, nuk e kemi vetëm fjalën për t’i  bërë qejfin Brukselit, Berlinit apo Parisit, sepse në fund të ditës janë qytetarët shqiptarë ata që përballen me institucionet e shtetit të së drejtës, janë investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj që qëndrojnë dhe investojnë në Shqipëri ata që përballen me institucionet e shtetit të së drejtës, prandaj para së gjithash, është në interesin tonë jetik për ta çuar procesin e zbatimit të reformës së drejtësisë në pikën e moskthimit pas.

Pyetje: Zoti Bushati, si do të kanalizohet aksioni diplomatik për të bindur vendet anëtare të BE-së që Shqipëria e meriton një shans. A keni ju një plan konkret që të përfshijë edhe opozitën?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, ne jemi në kontakte të vazhdueshme më vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Që në nisje të 2018, ne kemi zhvilluar disa takime në një pjesë të mirë të kryeqyteteve anëtare të BE-së, qoftë në ato vende që tradicionalisht kanë një qëndrim pro zgjerimit dhe konsolidimit të projektit europian, me ato vende që janë dashamirëse që kanë kërkuar me kohë që Shqipëria të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, por edhe me vendet që kërkojnë më shumë rezultate, kërkojnë më shumë informacion për cilësinë e reformave të ndërmarra. Ne do të vijojmë këtë komunikim me vendet anëtare edhe gjatë javëve dhe muajve në vijim, sidomos dhe në vendet anëtare kyçe të BE-së. Besoj që roli dhe kontributi i opozitës në radhë të parë duhet të jetë i mirëpritur për sa i përket zbatimit të reformave, sepse flasim për reforma shtet-formuese, nuk po flasim për qasje të ndryshme që mund të kemi ne si mazhorancë apo si qeveri për sa  i përket ndihmës ekonomike, politikave të taksimit, politikave të çështjeve sociale që janë çështje programatike apo ideologjike, po flasim për binarët e shtet-ndërtimit dhe shtet- konsolidimit ku është mirë që mazhoranca dhe opozita të jenë së bashku dhe e dyta, është komunikimi në gjuhë të huaj për  Shqipërinë, për çështje që kanë lidhje me interesin kombëtar dhe ndarja e politikes së ditës, sherrënajat e ditës që i shohim dhe i përjetojmë të gjithë me interesin e përgjithshëm që është interesi kombëtar për ta bërë.

Pyetje: Por këto janë ftesa që qeveria,  ju i keni përsëritur vazhdimisht, por duhet një  vizion kombëtar.

MEPJ Ditmir Bushati: Ne kemi një vizion kombëtar për ketë proces i cili kanalizohet qoftë në Këshillin Kombëtar të Bashkimit Evropian që drejtohet nga ana e opozitës me pjesëmarrjen e institucioneve kryesore  në vend, përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile të biznesit. Ne kemi qëndrimin tonë gjithashtu edhe për strategjinë e zgjerimit, të publikuar në shkurtin e këtij viti për raportin e Komisionit Evropian, rekomandimin për hapat që do duhet të ndërmarrim për sa i përket mbajtjes së ritmit dhe thellimit të këtyre reformave, por është shumë e rëndësishme për të folur me një gjuhë për sa i përket faktit që Komisioni Evropian është armata teknike e Bashkimit Evropian e cila bën një vlerësim teknik për sa i përket përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit nga të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Pra, në qoftë se mund të marr një rast për t’a ilustruar, është i ngjashëm me degustimin e verës, Komisioni Evropian përdor një dekanter për të gjitha vendet që janë në radhë për t’u anëtarësuar në këtë proces, kërkohet që të hedhin verën në ketë dekanter dhe më pas bëhet vlerësimi i cilësisë së kësaj vere. Këtu jemi sot për sot, Komisioni Evropian ka bërë vlerësimin e reformave të Shqipërisë. Shqipëria i ka përmbushur këto detyra për ketë fazë të këtij procesi sepse sfidat që lidhen me reformat në fushën e studimit të së drejtës, në ekonomi, janë sfida me të cilat Shqipëria duhet të përballet në një fazë të re edhe në procesin e bisedimeve madje, dhe në momentin kur Shqipëria të jetë vend anëtar në BE.

Pyetje: Megjithatë, pavarësisht rekomandimit pozitiv, ka nga ata që thonë se rekomandimi nuk duhet përmendur si ndonjë sukses i madh i qeverisë shqiptare, sepse rekomandimi vjen për arsye gjeopolitike dhe nëse negociatat do të çeleshin, do të ishin për arsye gjeostrategjike të Bashkimit Evropian. Cili është komenti juaj?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, si qytetar i këtij vendi interesi im do të ishte që negociatat të hapen një orë e më pare. Pse, sepse vendi do të futej në një rrugë të vërtetë transformuese, sepse vendi do të kishte mundësi të ishte pjesë e projekteve evropiane, sepse për qytetarët shqiptarë, për investitorët shqiptarë,  për studiuesit shqiptarë, për studentët shqiptarë, për fermerët shqiptarë,  do të krijoheshin më tepër mundësi për akses në programet dhe në fondet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Shqipëria do të jepte një kontribut shtesë në ketë proces për sa kohë është një vend që ka një linjëzim 100% të politikës së Jashtme me atë të Bashkimit Evropian për sa kohë merr pjesë në një shumicë të madhe të operacioneve ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, për sa kohë investon jo vetëm për sigurinë dhe prosperitetin e rajonit, por edhe për sigurinë e arkitekturës evropiane dhe Komisioni Evropian është armata teknike. Sot për sot, jemi në momentin kur Komisioni Evropian ka dhënë një vlerësim të çertifikuar për sa i përket stadit  të reformave. Kjo nuk do të thotë se puna ka përfunduar. Para nesh hapet një kantier dhe më i madh pune.

Polarizimi i skenës politike është një sëmundje e tranzicionit shqiptar. Duhet t’a pranojmë. Nuk është një sëmundje që kurohet lehtë. Është një proces dhe unë hy te ata njerëz dhe politikanë që besojnë se sa më shumë që Shqipëria përparon dhe ecën në procesin e integrimit Evropian, bëhet protagoniste përmes kontributeve modeste në kornizën e hapësirës Euroatlantike, aq më shumë krijohet mundësia për të evituar impulse negative që janë prezente në skenën politike shqiptare. Elementi i zyrtarëve të lartë, është një element shumë i rëndësishëm. Në radhë të parë ka të bëjë me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe me kredibilitetin e institucioneve të shtetit të së drejtës. Se dyti, ka të bëjë me gatishmërinë që duhet të ketë vendi dhe shoqëria për të ndërmarre hapa të dhimbshëm. Sepse kur flasim për këtë proces, nuk kemi parasysh thjesht një transformim apo ndryshim politik apo institucional. Bëhet fjalë për transformim shoqëror, behet fjalë për respektin ndaj ligjit, për barazinë para ligjit dhe bëhet fjalë për krijimin e një shoqërie më të drejtë, më të ndershme, ku të mirat publike qarkullojnë në shumë duar dhe jo vetëm në duart e një pakice.

Pyetje: E qartë zoti Bushati, po ndalemi pak te ajo çfarë ka deklaruar kreu i opozitës, Lulzim Basha nga Gjermania. Sipas tij, çelja e negociatave do të ishte një moment presioni dhe monitorimi më të theksuar i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, nuk duhet të ketë vend për festime për sa kohë që Shqipëria nuk po përparon në këtë drejtim. Cili është komenti juaj?

MEPJ Ditmir Bushati:  Bie dakord me pjesën e parë të qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike. Është gjithashtu fillimi i bisedimeve për anëtarësim një mundësi më e madhe për Komisionin Evropian, për vendet anëtare, për institucionet Evropiane në përgjithësi për të monitoruar procesin e transformimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror në Shqipëri. Dhe këtu përfitues janë te gjithë, përfshire opozitën, shoqërinë civile, biznesin, median e kështu me radhë. Siç nuk bie dakord me pjesën tjetër të konstatimit sepse nuk është në stilin e as në ADN-në e qeverisë Rama për të festuar për të tilla ngjarje, dhe nuk di të ketë pasur asnjë fishekzjarrë, siç kemi pasur në të kaluarën.

Pyetje: A duhen më shumë përpjekje z. Bushati, për luftën ndaj krimit të organizuar?

MEPJ Ditmir Bushati:  Natyrisht që duhen më shumë përpjekje. Duhen përpjekje për të shkuar drejt tryezës së bisedimeve, duhen përpjekje për të rritur standardet për qytetaret e zakonshëm të këtij vendi, të cilët kanë një orientim të qartë Euroatlantik. Duhen përpjekje për të vijuar procesin e reformimit të mëtejshëm të jetës institucionale në vend, për të larë sa më shume detaje për krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të pastruar sa më shumë titujt e pronësisë nga lloj lloj situatash të paqarta dhe të pakëndshme të cilat jo vetëm i marrin frymën qytetarëve shqiptarë nga gëzimi i të drejtave pronësorë, por edhe janë pengesë për një prani më të madhe të kapitalit vendas dhe ndërkombëtar në Shqipëri.

Pyetje: Pyetja e fundit. Çfarë ndodh nëse në qershor nuk çelen negociatat për Shqipërinë?

MEPJ Ditmir Bushati:  Në politikë nuk bëhen llogaritë me nëse. Ne jemi duke punuar dhe duhet që të orientojmë kompasin tone për hapin e radhës.

Pyetje: Por disa llogari bëhen.

MEPJ Ditmir Bushati:  Në momentin që flasim jemi në kushtet ku Komisioni, që jua thashë dhe njëherë tjetër që është armata teknike e Bashkimit Evropian, ka çertifikuar produktin shqiptar për sa i përket reformave që Shqipëria ka ndërmarrë, sidomos gjatë dy viteve të fundit, pra, nga 2016-a që ka qenë progres raporti, apo raporti i Komisionit Evropian i mëparshëm. Dhe ne do të punojmë me të gjitha vendet anëtare në mënyre që të kurorëzojmë me sukses këtë rekomandim që është propozuar nga Komisioni Evropian për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. E di pse e them nëse nuk vlen në këtë rast? Sepse Shqipëria nuk ka një alternative tjetër, nuk ka një projekt alternativ ndaj procesit të integrimit Evropian, që në kushtet tona ka të bëjë me transformimin dhe zhvillimin demokratik, ekonomik dhe shoqëror.

Pyetje: Le të shpresojmë qe do të ndodhë vërtet kështu, Shqipëria do të japë maksimumin e vetë dhe do të marrim një vlerësim pozitiv.

MEPJ Ditmir Bushati:  Jo vetëm të shpresojmë, por duhet të punojmë, duhet të puqim fjalët me punën konkrete.

Faleminderit z. Bushati!

MEPJ Ditmir Bushati:  Faleminderit ju!