Postuar më: 03 Prill 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për EURACTIV: Aleanca të reja në Ballkan i kundërvihen gjykatave

Në një intervistë të gjerë, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati shpjegoi situatën politike në vendin e tij, të ashtu-quajturën “platforma e Tiranës” që ka çuditur Maqedoninë, gjeopolitikën në Ballkan dhe nevojën që BE-ja të bëjë më shumë për gjashtë vendet aspirante për anëtarësim.

Ditmir Bushati shërben si ministër i jashtëm i Shqipërisë që prej Shtatorit të  2013. Më parë ai ka qënë kryetar i komisionit parlamentar për integrimin europian. 

Ai foli me kryeredaktorin e EURACTIV-it, Georgi Gotev.

A mund të na përditësoni lidhur me situatën politike në Shqipëri? Herën e fundit raportuam që opozita po bojkoton parlamentin, po kërkon një qeveri teknike për të mundësuar zgjedhje të lira. Besohej se bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës do të pengonte në mënyrë efikase ngritjen e institucioneve që do të verifikonin 750 gjyqtarët dhe prokurorët, një hap drejt krijimit të një gjyqësori të pavarur e të pastër i cili do të mund të luftonte korrupsionin.

Ajo që e quajnë krizë politike është në fakt një krizë artificiale. Ju folët për bojkotin parlamentar të opozitës. Kjo nuk është diçka e re për jetën politike të Ballkanit, madje do të thoja, nëpër tërë vendet e Mesdheut. Në Korrikun e kaluar, ne miratuam me unanimitet ndryshimet kushtetuese që do të lejonin zbatimin pa problem të reformës në drejtësi. Dhe kemi vendosur një parim barazie politike, mbi të cilin janë bazuar pjesët më të rëndësishme të reformës. Mënyra me të cilën këto institucione të reja duhen ngritur do të vendosen duke u bazuar në barazinë politike në parlament.

E kjo ishte një nga kushtet e opozitës në atë kohë, që u pranua nga ne, edhe pse ne kishim tjetër opinion në atë kohë. Tani që çdo gjë ka kaluar në parlament, ne po përballemi me bojkotin e opozitës.

Kemi përpara nesh dy mundësi. E para është që të vazhdojmë me zbatimin për të cilin kemi rënë dakort, bashkë me opozitën, jo vetëm për të vazhduar me procesin e reformës por edhe me axhendën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Siç e dini, Nëntorin e kaluar Komisioni  rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit, me kushtin që Shqipëria të zbatonte ligjin e vetting-ut. Kjo qasje kishte mbështetjen e plotë të vendeve anëtare. Kjo është mundësia e parë. Mundësia e dytë është të ndjekim opozitën nga pas. Mendoj që ne do zgjedhim mundësinë e parë, do të garantojmë zbatimin e reformës në drejtësi, që ka fituar mjaft mbështetje mes qytetarëve tanë, më shumë se 93% e tyre janë për reformën, dhe ne do të mundësojmë në këtë mënyrë edhe garantimin e angazhimit që kemi ndërmarrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

A mendoni se zgjedhjet e 18 Qershorit do të zhvillohen në kushte  normale? Komisioni ka lidhur edhe këtë kusht me hapjen e negociatave të anëtarësimit

Sigurisht, ne kishim edhe misionet e OSBE-ODIHR-it në Shqipëri. ODIHR-i i dha Shqipërisë një listë rekomandimesh që duhen zbatuar para zgjedhjeve, që lidhen me marrëdhënie më të mira midis politikës dhe medias, si dhe me menaxhimin e zgjedhjeve. Ne do t’i zbatojmë ato rekomandime, dhe patjetër që do ketë vëzhgues, dhe OSBE-ODIHR-i do të lëshojë një vlerësim të detajuar të zgjedhjeve. 

Ka disa afate kushtetuese lidhur me zgjedhjet, të cilat gjithmonë janë respektuar. Nuk është në dorën tonë apo të forcave të jashtme të zgjatet mandati jonë aktual. Është tepër paradoksale që opozita po kërkonte zgjedhje të parakohshme më përpara, si kudo në botë, por tani që po i afrohemi zgjedhjeve, opozita po kërkon shtyrjen e tyre.

Ju përmendët që Shqipëria nuk është i vetmi vend ku opozita bojkoton parlamentin. Aktualisht opozita po e bën këtë në Mal të Zi, kurse në Maqedoni konflikti midis dy partive kryesore nuk lejon krijimin e qeverisë. Çfarë po ndodh? Pse në disa vende të Ballkanit perëndimor proceset politike po zvarriten, dhe në të njëjtën kohë?

Kjo lidhet me kërkesat e procesit të anëtarësimit në BE, që lidhet gjithashtu me modernizimin e institucioneve, me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe me reformën në drejtësi. Këto kohë në Ballkan janë shfaqur aleanca të ndryshme. Dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë kishte aleanca mbi baza etnike, ndërsa tani duket sikur ka aleanca kundër gjykatave.

Ne kemi një rrjet gjykatash që janë gati për tu krijuar në vendet fqinje, një prokuror të posaçëm në  Maqedoni, dhe ju e dini që puna e një prokurori të posaçëm është pezulluar nga politika.  Ka një prokuror të posaçëm në Mal të Zi, ka Dhoma Speciale dhe një Prokuror Special  në Kosovë, por edhe një proces vetting-u për të gjithë gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri, gjë që është e paprecedentë.

Dhe ka rezistencë politike ndaj këtyre zhvillimeve, sepse mund të shoqërohen me një riorganizim të skenës publike në Ballkanin perëndimor. Kjo vjen pjesërisht si pasojë e procesit të integrimit, dhe pjesërisht si pasojë e ndërhyrjeve e ndikimeve të jashtme. Ka faktorë të tretë që janë tepër këmbëngulës në rajon dhe ata kanë një efekt pengues mbi procesin e reformave.

E keni fjalën për Rusinë?

Një pjesë e shpjegimit është rezistenca për të ruajtur status quo-n. Ju më pyetët për Malin e Zi. Ne pamë aty një Rusi këmbëngulëse, një tentativë  grusht shteti që përfshinte segmente nga Federata Ruse dhe segmente nga Serbia. Pastaj pamë një fushatë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Grupe politike në vend, mediat, madje edhe Kisha Ortodokse u përfshinë në këtë fushatë.

Por elementi etnik nuk duhet nënvlerësuar. E ashtuquajtura platforma e Tiranës për Maqedoninë duket sikur është një problem i madh për shtetin fqinj. Shihet, të paktën nga VMRO-DPMNE-ja, si ndërhyrje në punët e brendshme.

Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu Maqedoninë. Ne ishim një nga vendet e pakta të rajonit që nuk e vunë kurrë në dyshim integritetin territorial të Maqedonisë, ne nuk e vumë kurrë në dyshim identitetin dhe gjuhën e Maqedonisë. Një e treta e popullsisë që jeton në Maqedoni e që është shqiptare ka qënë gjithmonë pro-europiane e pro-atlantike. Ndoshta është e vështirë të gjesh një fqinj më miqësor ndaj Maqedonisë se Shqipëria.

Tani Maqedonia po përjeton një krizë të thellë të demokracisë së saj. Dhe ka tendenca nga Gruevski dhe grupi i tij politik për të transformuar këtë krizë demokratike në një krizë ndëretnike.

Nuk ka një platformë të Tiranës, por një dokument që është shkruar nga tre të katërtat e partive politike shqiptare që janë të pranishme në parlamentin aktual të Maqedonisë e që ne e kemi mbështetur, sepse shohim në këtë dokument një përpjekje të qartë të Shqiptarëve, së pari për ta mbajtur Maqedoninë e bashkuar, së dyti për të kërkuar një harmoni më të plotë ndëretnike në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, së treti për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinos, së katërti për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së duke normalizuar marrëdhëniet me Greqinë, me Bullgarinë dhe sigurisht me Shqipërinë dhe Kosovën si fqinjë të Maqedonisë.

Por elementi më i rëndësishëm i platformës së Tiranës është të bëjë shqipen një gjuhë zyrtare në Maqedoni. Kjo sipas kritikeve do të kërkonte ndryshime të rendit kushtetues. Maqedonia nuk është një federate në fund të fundit.  

Nuk e di se si ky argument, të vendosurit e shqipes si gjuhë zyrtare, qenka i barabartë me federalizimin e një vendi. Por nëse i referohemi Marrëveshjes së Ohrit dhe burimit të sherreve midis maqedonasve dhe shqiptarëve të Maqedonisë, është e qartë që zbatimi i pikave të kësaj marrëveshjeje ka qënë i ulët.

Ka pasur edhe një tendencë nga Gruevski dhe të tjerë për t’i konsideruar shqiptarët si punëtorë sezonal në tokën e tyre. Dhe nuk ka pasur përpjekje serioze për të garantuar harmoninë ndëretnike në vend. Gjatë këtyre pesë-gjashtë viteve të fundit, shooqëria ka qënë më e ndarë nga pikëpamja etnike. Dhe unë besoj që duke përfshirë të ashtuquajturën platformë shqiptare në kushtetutë, e në kuadrin ligjor të vendit, do të shohim rezultate më pozitive për të dyja grupet etnike që jetojnë në Maqedoni, ose grupet etnike kryesore, maqedonasit dhe shqiptarët.

Ju thatë që Gruevski po i trajtonte shqiptarët si punëtorë sezonalë, ç’doni të thoni me këtë?

Nëse lexoni deklaratat e tij është mjaft e qartë, që i jep më shumë vëmendje krijimit të vendeve të punës, që fatkeqësisht nuk janë krijuar, në vend të krijimit të një mjedisi më të favorshëm për një harmoni ndëretnike më të plotë në vend e për një zhvillim harmonik të ekonomisë në vend. Nëse udhëtoni nëpër Maqedoni do të dalloni menjëherë diferencat dhe hendekun që ekziston ndërmjet dy komuniteteve, dhe ky hendek duhet zvogëluar. Mënyra në të cilën janë bërë investimet, mënyra në të cilën janë shpërndarë burimet dhe pasuritë, mënyra sesi grupet etnike janë përfaqësuar në jetën publike, e gjitha kjo ka nevojë të rregullohet në mënyrë graduale.

Kjo tingëllon paksa paternaliste…

Bëra një diferencim të qartë midis krizës së demokracisë dhe tendencave për ta transformuar atë në një krizë ndëretnike. Nëse fton njerëzit në rrugë të thërrasin kundër shqiptarëve, kundër SHBA-së, kundër BE-së dhe NATO-s, nëse i fton njerëzit në rrugë të thërrasin kundër identitetit të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, do të arrini në të njëjtin konkluzion. Ku e shihni paternalizmin këtu?

Çfarë duhet të bëjë BE-ja? Një samit kohët e fundit diskutoi mbi situatën në Ballkanin perëndimor, gjë që duket tepër alarmuese

Së pari i duhet sjellë më shumë frymë politike këtij procesi, i cili po bëhet më procedural, sepse ke më shumë hapa të ndërmjetëm e më shumë standarte. Dhe së dyti, BE-ja duhet të ketë parasysh dhe mjedisin e ri gjeo-strategjik në rajon. Ne diskutuam mbi Maqedoninë, por e njëjta vlen edhe për Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi. Duke e ankoruar Ballkanin Perëndimor në ujërat europiane, BE-ja mund të rrisë ndikimin e saj në zhvillimet dhe dinamikat tona të brendshme. Ka patur disa kthime pas në rajonin tonë, dhe kjo ka ndodhur pikërisht në ato shtete ku BE-ja ka qenë më pak e sukseshme për t’i ankoruar në ujërat europiane.

Së treti, kemi nevojë për më shumë investime dhe për të mbushur hendekun ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera të Europës Qëndrore dhe Lindore që u anëtarësuan në 2004. Nuk po flas për mesataren e BE-së, por për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që patën mundësinë të përfitojnë nga fondet strukturore të BE-së shumë kohë para anëtarësimit të tyre, gjë që nuk është e mundur sot për Ballkanin Perëndimor.

Ne po flasim për gjashtë vende me një total prej 22-23 milion banorësh, pra më pak se Rumania në aspektin e popullsisë, dhe nuk ka pse të jenë barrë për BE-në. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, ne duhet të konsolidojmë projektin Europian, sepse në kontekstin e krizës së refugjatëve dhe sulmeve terroriste, Ballkani Perëndimor shërbeu si një mburojë dhe si rajon që prodhoi siguri për BE-në.  Ndaj do kishte qënë e drejtë, që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ishin ftuar në Romë kur BE-ja festoi 60-vjetorin e Traktatit të Romës. Vendet aspirante u ftuan në rastin e 50-vjetorit, por 10 vite më pas, ne ndodhemi në një mjedis të ndryshëm strategjik dhe kandidatët nuk gjenden në tavolinë. Është paksa e çuditshme.