Postuar më: 21 Shkurt 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për gazetën “Koha Ditore”, Kosovë

Intervistë e Ministrit Bushati për gazetën “Koha Ditore”, Kosovë

19 shkurt 2017

Nga Bashkim Shala 

 

Kur kanë mbetur veçse katër muaj nga data e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, kontributi i mazhorancës qeverisëse për Kosoven në fushën e politikës së jashtme, sidomos bashkëpunimi në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera, sipas shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati,  ka qenë i ngushtë e shumëdimensional, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë rajonal e ndërkombëtar. Sekretariati i Përbashkët Shqipëri-Kosovë që tashmë ka filluar nga puna, do të shërbejë si koordinues dhe bashkërendues i ecurisë së projekteve të përbashkëta. Në një intervistë eskluzive për “Koha Ditore” ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka folur edhe për ngjarjet jo të këndshme të këtij fillim viti, siç ishte provokimi përmes murit në Mitrovicë, treni me ngjyrat e flamurit serb dhe arrestimi në Francë i Ramush Haradinajt. Ngjarjet në Mitrovicë, sipas ministrit Bushati, përbënin një akt që synonte tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, izolimin dhe ndarjen e veriut nga Kosova. Ndërsa me arrestimin e Haradinajt tentohet të preken sa kredencialet e Kosovës aq edhe të luftës së saj për liri. Përsa i përket dialogut Prishtinë - Beograd, Bushati mendon se ai duhet të vazhdojë, por njëkohësisht ka theksuar nevojën e rivlerësimit të tij në mënyrë që të jetë sa më rezultativ, të sigurojë një balancë të drejtë e të ndërsjellë në planin e përfitimeve dhe agazhimeve, veçanërisht në zbatimin e  marrëveshjeve të dakordësuara. Ndërsa përsa i përket procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ministri Bushati potencon se Asociacioni  duhet të respektojë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, institucionet e saj dhe dispozitat e artikuluara me këtë rast nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Për çështjen e  pazgjidhur të demarkacionit që po mban peng edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, ministri Bushati mendon se këto çështje janë  komplekse dhe mund të kërkojnë kohë. Megjithatë, sipas tij,  zgjidhja e çështjeve të kufijve përmes bisedimeve apo mekanizmave të njohur duhet parë si kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në rajon dhe në kuadër të angazhimeve të Procesit të Berlinit. Sipas ministrit Bushati, çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është gjithnjë në krye të listës së çështjeve për diskutim me autoritetet serbe, në të gjitha nivelet. Lidhur me rolin e Shqipërisë në krijimin e platformës së përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë thekson me forcë se platforma është e partive shqiptare në Maqedoni dhe Shqipëria e mbështet pa rezervë duke kërkuar nga partitë shqiptare vizion, largpamësi, maturi, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim përtej agjendave individuale. Ndërkohë që ka hedhur poshtë pretendimet se shteti shqiptar është përfshirë në punët e brendshme të Maqedonisë duke theksuar se Maqedonia është vend fqinj dhe mik i Shqipërisë. Por sipas Bushatit, qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve si faktor shtetformues,  pavarësisht se ku ata jetojnë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë i ka kushtëzuar normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Ndërsa deklaratat e fundit të homologut serb Daciç ku ai i quan shqiptarët terroristë,  Bushati e ka cilësuar si një  goditje e papritur humori të homologut të tij serb, duke e vlerësuar njëherësh deklaratën si pa substancë dhe retorikë të së kaluarës.  Duke folur për vizionin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë e konsideron jo në lartësinë e duhur duke e aresyetuar me zhvillimet komplekse të dy viteve të fundit, si ajo e krizës së refugjatëve, Brexit dhe sulmet terroriste. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke folur për ndikimin e SHBA-ve në rajon pas ndryshimit të administratës amerikane thotë se po jetojmë në kohë të turbullta e ndoshta jemi dëshmitarë të krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Por sipas tij, nuk duhet harruar se paqja dhe stabiliteti në rajon është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane e cila  do të vijojë të mbetet e njëjtë edhe nën administratën e re të Presidentit Trump.

 

Koha Ditore: Zoti ministër. Duhen edhe pak kohë që mazhoranca qeverisëse ku ju bëni pjesë si ministër i Punëve të Jashtme, do i drejtohet sovranit për një mandat të dytë. Me çfarë arritjesh shkoni ju para elektoratit lidhur me atë se çfarë keni kontribuar për Kosovën në fushën e politikës së jashtme, si dhe në marrëdhëniet dy palëshe, por edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës?

Ministri Bushati: Si fillim, më lini të uroj Kosovën për 9 vjetorin e Pavarësisë, për nëntë vitet e mbushura me punë e përpjekje, me arritje në procesin sfidues të shtet-ndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar, të cilat kanë për objektiv procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës. Përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe, një nga vendimet e para në vitin 2013 ishte themelimi i partneritetit strategjik, me fushë të gjerë veprimi dhe zbatimi, përmes mekanizmit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive. Takimet e rregullta ndërqeveritare kanë konkretizuar bashkëpunimin dypalësh si dhe kanë lehtësuar pjesëmarrjen në projekte të ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike, njehësimit të politikave dhe tregjeve, në funksion të shndërrimit të rajonit tonë, nga një hapësirë e fragmentizuar dhe e pabarabartë në një rajon të vërtetë nga pikpamja ekonomike dhe politike.Tashmë ka filluar nga puna Sekretariati i Përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do të shërbejë si koordinues dhe bashkërendues i ecurisë së projekteve të përbashkëta. Janë ndërmarrë hapa për heqjen e barrierave në shkëmbimet tregtare, për lehtësimin e qarkullimit të mallrave, shtimin e pikave kalimtare kufitare, në mënyrë që të nxiten marrëdhëniet në të gjitha fushat, ç’ka ka çuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe po ecim drejt unifikimit të tregut. Së shpejti, pritet vënia në funksion e një pike doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, që do krijojë lehtësira të mëtejshme në qarkullimin e mallrave. Gjithashtu, Shqipëria dhe Kosova kanë intensifikuar bashkëpunimin në shërbimet konsullore. Ne kemi hapur tre konsullata të përbashkëta, në Bari, Mynih dhe Milano dhe së shpejti pritet shtrirja edhe në vende të tjera. Kjo rrit ndjeshëm efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve ndaj shtetasve tanë. Diaspora mbetet padyshim një aset i yni i përbashkët, që po kontribuon në përmirësimin e imazhit tonë në botë. Në nëntor të vitit të kaluar u zhvillua në Tiranë Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare, i cili do të pasohet me Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Kosovë. Për sa u përket shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndjekim me vëmendje të veçantë dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën e tyre, veçanërisht për sa i përket plotësimit të të drejtave të tyre përmes pjesëmarrjes politike dhe integrimit socio-ekonomik. Duke vlerësuar si të qenësishme marrëdhëniet me shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Preshevë dhe duke mbajtur parasysh interesat e tyre politike, ekonomike dhe kombëtare, nga ana jonë, po hidhen hapa për ta bërë sa më të prekshëm kujdesin dhe ndihmën tonë për popullatën shqiptare atje, në krijimin e kapaciteteve qeverisëse, në realizimin e projekteve të veçanta sociale. Në drejtim të krijimit të një hapësire interesash ekonomike mes Shqipërisë dhe Preshevës, ka nisur diskutimi në qarqe biznesi, si dhe krijimi i shembujve pozitivë të bashkëpunimit në këtë fushë për të pasur një impakt sa më efektiv dhe real. Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë është gjithnjë në krye të listës së çështjeve për diskutim me autoritetet serbe, në të gjitha nivelet.

 

Koha Ditore: Periudha e fundit në Kosovë është shoqëruar me ngjarje jo të këndshme, siç ishte provokimi përmes murit në Mitrovicë, treni me ngjyrat e flamurit serb dhe arrestimi në Francë i Ramush Haradinajt për shkak të një fletë-arresti ndërkombëtar, por të leshuar nga Serbia. Si i shikoni këto ngjarje dhe cili ka qenë roli i Shqipërisë dhe i diplomacisë së saj pas këtyre zhvillimeve?

Ministri Bushati:  Lehtësisht mund të themi që fillimi i këtij viti nuk ka qenë i lehtë për rajonin tonë. Të treja këto ngjarje, veç e veç dhe bashkarisht, krijuan shqetësim të madh, për potencialin e lartë destabilizues në Kosovë dhe në rajon. Muri në Mitrovicë, tashmë i rrënuar dhe një kujtim i pakëndshëm, përbën një akt që synonte tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë. Një projekt që u ndërmjetësua nga BE-ja për ndërtimin e uravë lidhëse, u rrezikua të kthehej në ndërtim muresh ndarëse, kundër frymës së stabilitetit në rajon dhe asaj europiane. Eshtë mëgjithatë tregues i paqartësive dhe vonesave të zbatimit të marrëveshjeve të dakordësuara në Bruksel. Episodi i trenit është po ashtu një akt krejt i papërgjegjshëm, i pajustifikueshëm, destabilizues, i cili mund të kishte shkaktuar pasoja shumë të rrezikshme për stabilitetin dhe paqen në rajon. Falë qëndrimit të matur e të drejtë të Kosovës, angazhimit të forcave speciale ROSU, ai u kthye në bumerang për mendjet e nxehta në Serbi, që janë akoma pengje të së kaluarës. Përtej tensionit që shkaktoi, incidenti nxorri në pah se Kosova është shtet, kontrollon kufijtë e saj dhe përmes institucioneve të veta, mbron sovranitetin dhe integritetin territorial. Është gjithashtu një mësim i mirë për këdo që kërkon të testojë kapacitetet e Kosovës duke vënë në rrezik gjithë stabilitetin dhe paqen në rajon. Lidhur me mandat arrestin serb për Ramush Haradinajn, ne kemi qenë të qartë dhe të zëshëm që në krye të herës: e konsiderojmë një akt politik, të padrejtë dhe të dënueshëm, ku duke pasur parasysh kontributin e Ramush Haradinajt, tentohet të preken sa kredencialet e Kosovës, aq edhe të luftës së saj për liri.

 

Koha Ditore: Bilanci i dialogut Kosovë–Serbi pas prillit të 2013-ës, pavarësisht disa arritjeve të Prishtines, bën fjalë për epërsi të përfitimeve të Beogradit nga Marrëveshja e Paqes, ndërkohë që pas arrestimit të Haradinajt janë shtuar zërat për ndërprerje të dialogut me Serbinë. A mendoni se ka ardhur koha për një rivlerësim të këtij dialogu?

Ministri Bushati:  Kemi përshëndetur dhe inkurajuar që në fillim dialogun ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, si një platformë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e stabilitetit demokratik në rajon. Ne mendojmë se dialogu duhet të vazhdojë, por njëkohësisht kemi theksuar nevojën e rivlerësimit të tij në mënyrë që të jetë sa më rezultativ, të sigurojë një balancë të drejtë e të ndërsjellë në planin e përfitimeve dhe agazhimeve, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara. Në një proces të dyanshëm, nuk mund të flitet vetëm për Kosovën, prandaj duhet që Kosova të mundet t’i parashtrojë Serbisë çështjet e kërkesat e saj dhe BE-ja duhet të jetë më e zëshme dhe e vendosur në këtë dialog. Nëqoftëse bëjmë një bilanc të përfitimeve nga ky dialog, kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen. Ndërsa, Serbia është ulur në tryezën e negociatave, vazhdon të refuzojë të bashkohet me qëndrimet e BE-së në në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe vazhdon të bllokojë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

 

Koha Ditore: Kosova si pikë të parë të marrëveshjes së vitit 2013 ka marrë një obligim nga Brukseli, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo marëveshje është kundërshtuar shumë si në parlamentin e Kosovës, por edhe në rrugët e Prishtinës. Cili është qëndrimi i Tiranës zyrtare rreth themelimit të këtij asociacioni?

Ministri Bushati: Modalitetet e funksionimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mbeten ende për t’u parë dhe për t’u testuar. Përtej afateve të vetëshpallura apo vetëpërcaktuara, procesi i themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të respektojë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, institucionet e saj dhe dispozitat e artikuluara me këtë rast nga Gjykata Kushtetuese. Koncepti ynë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, ëhtë koncepti i një dialogu që duhet të jetë i njëmendtë, i barabartë dhe jo detyrimisht i shpejtë, me avantazhe e sakrifica të dyanshme, një proces që jo vetëm mundëson që palët të takohen, por që lehtëson subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, një proces që inkurajon komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

 

Koha Ditore: Kryeministri Rama ka kritikuar ashpër e në menyrë të përsëritur  Europën për mungesën e vizave për Kosovën, ndërkohë që Europa me këtë rast ka vënë si kusht kryesor Demarkacionin me Malin e Zi. Në një kohë që kritikoni Europën, a keni shfaqur kritika edhe ndaj klasës politike në Kosovë për mos gjetjen e zgjidhjes përsa i përket shënjimit të kufirit me Malin e Zi ?

Ministri Bushati: Siç është theksuar në nivelet më të larta e në mënyrë të përsëritur, Shqipëria nuk ndjehet mirë që populli i Kosovës, është tashmë i vetmi në rajon që nuk lëviz dot lirshëm në hapësirën Schengen, duke krijuar një njollë të panevojshme të një një procesi që ka rezultuar tërësisht i sukseshëm dhe me avantazhe për të gjithë. Zgjidhja e çështjeve të kufijve përmes bisedimeve apo mekanizmave të njohur duhet parë si kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në rajon dhe në kuadër të angazhimeve të Procesit të Berlinit. Por, siç edhe e kemi parë në shumë vende e raste, këto çështje mund të rezultojnë komplekse dhe mund të kërkojnë kohë.

 

Koha Ditore: Kohët e fundit, intelektualë nga trevat shqiptare dhe në Kosovë, por edhe nga personalitete të ndryshme botërore janë dëgjuar propozime për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbime territoresh. A ekziston ky skenar si mundësi dhe cili është qëndrimi i Tiranës zyrtare?

Ministri Bushati: Këto ide as nuk janë të reja e as origjinale dhe shfaqen herë pas herë, sidomos në raste krizash. Shqipëria u përmbahet parimeve të paprekshmërisë territoriale, në përputhje me normat dhe të drejtën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, mbështesim pa rezervë sovranitetin dhe integritetin e kufijve të Republikës së Kosovës, si një prerogativë e patjetërsueshme për stabilitetin dhe paqen rajonale.

 

Koha Ditore: Cili ka qenë roli i Shqipërisë në krijimin e platformës së përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Pse Shqipëria e mori këtë iniciativë?

Ministri Bushati:  Platforma e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni është produkt i partive nënshkruese. Ne mbështesim kohezionin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, si një faktor shtetformues. Përmbushja, tashmë e vonuar, e kërkesave të tyre legjitime nëpërmjet rrugëve demokratike e institucionale dhe rritja e kohezionit socio-ekonomik atje, duke pasur gjithnjë për bazë nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit është një mundësi për të forcuar harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin demokratik në Maqedoni, duke kontribuar edhe në reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik të vendit. Rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni i ka vënë partitë shqiptare përpara një momenti ku kërkohet vizion, largpamësi, maturi, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim përtej agjendave individuale. Platforma është e partive shqiptare në Maqedoni dhe Shqipëria e mbeshtet pa rezervë.

 

Koha Ditore: Shumë e kanë akuzuar Shqipërinë për nderhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, veçanërisht nga lideri i VMRO-DPMNE Gruevski. Por akuza ka pasur edhe nga Rusia ku Ministria e Jashtme e këtij vendi e ka quajtur manipulimin e votuesve maqedonas nga ndërhyrjet e jashtme si makiaveliste. Si e shikoni rolin e Shqipërisë në këtë proces dhe a ka patur reagime zyrtare nga autoritetet maqedonase?

Ministri Bushati: Kemi ndjekur me vëmendje deklarata të ndryshme publike, nganjëherë edhe të nxituara e me nervozizëm, për ndërhyrje të supozuar nga jashtë në Maqedoni. Shqipëria nuk është përfshirë në punët e brendshme të Maqedonisë mike. Qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë. Gjithashtu, si një vend anëtar i NATO-s, kemi treguar me vepra se mbështesim pa mëdyshje zhvillimin dhe forcimin e Maqedonisë europiane, demokratike, shumë-etnike, si dhe integrimin e saj në BE dhe NATO. Këtë kërkojmë ne, BE, SHBA, NATO dhe të gjithë partnerët e miqtë e Maqedonisë. Siç e përmenda dhe pak më parë, platforma e dakordësuar mes partive politike shqiptare do të ndihmojë në stabilitetin demokratik të Maqedonisë dhe të rajonit në tërësi. Nga ana tjetër, dua të kujtoj se Shqipëria është vlerësuar gjithnjë për kontributin e njëmendtë për ruajtjen dhe forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon.

 

Koha Ditore: Si i vlerësoni lëvizjet e partive shqiptare pas nënshkrimit të marrëveshjes mes tyre. A mendoni që do të formohet një qeveri apo Maqedonia do shkojë në zgjedhje të reja?

Ministri Bushati: Shqipëria ka qenë e qartë në qëndrimet e saj. Ne inkurajojmë formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza e gjatë, të rifutet në rrugën e reformave për të cilat ka nevojë, duke respektuar marrëveshjen e Përzhinos dhe rikthimin e vendit në shinat euro-atlantike. Por, përgjegjësia dhe vendimet janë tërësisht në duart e aktorëve politikë vendas.

 

Koha Ditore: Zoti ministër. Qeveria ku ju bëni pjesë është akuzuar shpesh për forcimin e marrëdhenieve me Serbinë, ku zërat akuzues e konsiderojnë Serbinë se ka plane për ndarjen e Kosovës duke e vendosur atë sërish në qendër të destabilizimit të Ballkanit Perendimor, me pretendimin e vjetër për krijimin e Serbisë së Madhe. Cila do të ishte përgjigjja juaj me këtë rast?

Ministri Bushati: Normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, të mos ndërmarrë hapa destabilizuese kundër Kosovës dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj. Nuk besoj se i ka shpëtuar ndokujt fakti që kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd pikërisht ato që ka thënë në Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Ëashington. Shqipëria është e angazhuar fort për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt, rol kyç kanë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Dhe në këtë mes ka përparim, edhe pse kushdo më të drejtë mund të mendojë se ngjarjet e fundit kanë hedhur hije dyshimi. Por ato që kanë ndodhur në javët e fundit nuk duhet të hedhin hije e për më pak të cënojnë bashkëpunimin rajonal, i cili mbetet një ndër shtyllat e stabilitetit dhe integrimit europian të rajonit. Ngjarjet e fundit destabilizuese shtrojnë pyetje mbi gatishmërinë dhe aftësinë e Serbisë për të parë nga e ardhmja europiane. Nëse lufta për pushtet në Serbi, nëse gara se kush fiton më shumë pikë në Beograd apo në Bruksel u ka hequr momentalisht arsyen aktorëve politikë, peng të së kaluarës së hidhur të rajonit, faji as nuk është e as nuk duhet kërkuar në Tiranë apo Prishtinë.

 

Koha Ditore: A kanë ndikuar ngjarjet e fundit në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi dhe pas deklaratave të ministrit të jashtëm Daciç ku ai i quan shqiptarët terroristë?

Ministri Bushati: Është e vështirë nganjëherë të dallosh në fjalët e politikanëve deklaratën politike nga ndonjë goditje e papritur humori. Në rastin në fjalë të dyja janë përkatësisht pa substanca dhe retorika të së kaluarës. Megjithatë, ne mbetemi me vullnetin për të komunikuar dhe me ftesën për të hequr dorë nga parzmoret e retorikës në dobi të dialogut produktiv.

 

Koha Ditore: A mendoni se BE-ja po tregon lidership dhe vizion në raport me Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e tensioneve që po ndodhin jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, Maqedoni dhe në vende të tjera të rajonit?

Ministri Bushati:   Nëse sot, pavarësisht problemeve dhe sfidave në rajon, jemi në paqe dhe me një vizion dhe përcaktueshmëri euro-atlantike, kjo i dedikohet edhe ndihmës e përkrahjes së BE-së. Për arsye që lidhen me zhvillimet komplekse të dy viteve të fundit, si ajo e krizës së refugjatëve, Brexit dhe sulmet terroriste, vëmendja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Kjo duket se ka krijuar hapësirë për aktorë të tjerë dhe ka inkurajuar rritjen e toneve nacionaliste në disa kryeqytete, të cilët shkojnë kundër objektivave europiane të rajonit. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe e kemi theksuar vazhdimisht në kontaktet tona, si në BE ashtu edhe në NATO. Asnjë gjë që prek perspektivën e rajonit drejt BE-së dhe NATO-s nuk i duhet lënë rastësisë dhe ruajtja e ecurisë së përbashkët në të njëjtën kahje është një domosdoshmëri për forcimin e vlerave euro-atlantike në rajon si dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Prandaj ne mendojmë se është edhe në interesin e BE-së që të mos e zbehë vëmendjen në oborrin e saj dhe të rivitalizojë procesin e zgjerimit. Pikërisht këtë theksuam para disa ditësh edhe në takimin tre palësh të vendeve adriatike: Shqipëri, Kroaci dhe Mali i Zi.

 

Koha Ditore: Zoti minister. Para pak ditësh keni marrë pjesë në Takimin Trepalësh të Ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u zhvillua në Split të Kroacisë. Çfare synoi ky trilateral dhe cilat ishin përfundimet e këtij takimi?

Ministri Bushati: Takimi Trepalësh i Ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, pra i tre vendeve të Europës Adriatike, u fokusua në nevojën e zgjerimin e dialogut politik mes vendeve, bashkëpunimit më të ngushtë së pari në fushën e sigurisë, si tre aleate të NATO-s (duke e konsideruar të tillë tashmë edhe Malin e Zi) por edhe në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, transportit, mjedisit, turizimit dhe energjisë. E përbashkëta e takimit bazohet tek përcaktueshmëria euro-atlantike e vendeve tona dhe njëmendësia lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në rajon e më tej. Gjithashtu, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia janë tre vende me një kontribut konkret në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe rrezatimin e sigurisë në rajon e më tej. Ne ramë dakord për një deklaratë të trepalëshit, kemi krijuar një mekanizëm sipas të cilit do të takohemi dy herë në vit në formate të ndryshme, dhe do të krijojmë mundësinë për projekte, e qëndrime të përbashkëta, si dhe për demarshe të rakorduara brenda suazës së NATO-s, e organizmave të tjera ndërkombëtare.

 

Koha Ditore: Si mendoni se do ndikojë ndryshimi i administratës amerikane në qëndrimin ndaj vendeve të rajonit dhe për rrjedhojë edhe në stabilitetin dhe paqen në rajon?

Ministri Bushati: Po jetojmë në kohë të turbullta e ndoshta jemi dëshmitarë të krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Por nuk duhet harruar se paqja dhe stabiliteti në rajon është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, e ndërlidhur me instrumentat integrues të BE-së. Roli i SHBA-ve, pavarësisht ndryshimit të administratave, mbetet thelbësor për nxitjen e paqes dhe stabilitetit, sigurisë, demokratizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbështetjes së gjithanshme të procesit euro-atlantike të Europës Juglindore.