Postuar më: 15 Maj 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për "Koha Ditore": Kriza politike në Shqipëri, një "stress-test" i drejtësisë

Intervistë e Ministrit Bushati për gazetën "Koha Ditore", Kosovë

15 maj 2017

Ngërçi i krijuar për shkak të demarkacionit dhe pasoja të tij por edhe vështirësive të koalicionit të madh, ka çuar natyrshëm në nevojën e një konsultimi popullor në Kosovë. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë  pa rezervë një Maqedoni demokratike, shumëetnike, europiane, ku respektohet barazia dhe të drejtat politike e shoqërore të të gjithë qytetarëve të saj.

Shkalla e implikimit të Rusisë në rajon këto dy vitet e fundit është e pazakontë.

Nga Bashkim Shala

Ministri i Punëve të Jashtme të  Shqipërisë Ditmir Bushati thotë se viti 2017 nuk duket fort i mbarë për Ballkanin, i cili po humb qetësinë dhe normalitetin. Në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “Koha Ditore”, shefi i diplomacisë shqiptare veçon Maqedoninë,  ku situata e tensionuar atje meriton një analizë molekulare.  Ndërsa përsa i përket krizës politike në Shqipëri, Bushati e cilëson si një “stress-test” i drejtësisë, ku prova e madhe që duhet të kalojmë të gjithë është pikërisht kjo  që shkakton rezistencë. Sipas Bushatit, synimi i dyshes Berisha-Basha është pengimi me çdo mjet i zbatimit të reformës në drejtësi, rrëzimi i qeverisë dhe shtyrja e zgjedhjeve në një afat të paparashikuar, duke shkallmuar Kushtetutën, praktikat e gjithpranuara demokratike e mbi të gjitha stabilitetin demokratik të vendit.  Lidhur me situatën në Kosovë, Bushati thekson se ngërçi i krijuar për shkak të demarkacionit dhe pasoja të tij por edhe vështirësive të koalicionit të madh, ka çuar natyrshëm në nevojën e një konsultimi popullor. Lidhur me situatën e tensionuar në Maqedoni, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë thotë se qëndrimi i ngurtë dhe agresiviteti i skajshëm nga aktorë të rëndësishëm politikë e ka çuar vendin në buzë të greminës, ku  aktet e dhunës primitive në Kuvend ishin shokuese, të papranueshme por aspak të papritura pasi, në kushtet e gjuhës së urrejtjes e përjashtimit që ka mbizotëruar prej kohësh në diskursin politik e shoqëror maqedonas, ishte vetëm çështje kohe se kur një gjë e tillë, e parapërgatitur, do të ndodhte.  Megjithatë sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të mbështetë   pa rezervë një Maqedoni demokratike, shumëetnike, europiane, ku respektohet barazia dhe të drejtat politike e shoqërore të të gjithë qytetarëve të saj.  Lidhur me termin “Shqipëri e Madhe”, apo “bashkimi i vogël” i Shqipërisë me Kosovën, Bushati thekson  përmes intervistës se nuk ka plane shqiptare për bashkime apo ndarje në rajon. Sipas tij, është krejt e pakuptueshme që vazhdon të kihet frikë nga shqiptarët në rajon kur në fakt gjithkund, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Preshevë, shqiptarët janë rreshtuar gjithnjë në krah të ideve e projekteve më përparimtare, në respekt të demokracisë dhe ligjshmërisë, për të forcuar bashkëpunimin e miqësinë në respekt të të drejtave të tyre legjitime. Për Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, shkalla e implikimit të Rusisë në rajon këto dy vitet e fundit është e pazakontë,  ku Rusia ka bërë në pak muaj më shumë deklarata publike mbi ngjarjet në Maqedoni sesa gjatë këtyre dy dekadave, ndërkohë që  vazhdon të ketë një qëndrim aktiv e hapur kundërshtues ndaj Kosovës.  Në këndvështrimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, influenca e Rusisë  nuk mund të jetë pozitive dhe e  mirëpritur, pasi është një  alternativë e pabesueshme për të gjithë rajonin, prandaj, edhe bashkimi i saj vazhdimisht me zërat që flasin për Shqipërinë e Madhe duhet parë në këtë kontekst. 

 

Koha Ditore: Ngjarjet në Maqedoni janë shoqëruar edhe me ngjarje të dhunshme në parlamentin e këtij vendi dhe kriza të tjera si ajo e përplasjeve të forta politike në vendin tuaj, por edhe në Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi e Serbi. A po shkon Ballkani drejt trazirave e konflikteve?

Ministri Bushati:  Konstatimi juaj është i drejtë. Viti 2017 nuk duket fort i mbarë për Ballkanin i cili po humb qetësinë dhe normalitetin. Kriza e tejzgjatur në Maqedoni ka në themel mungesën e zbatimit të rregullave të demokracisë dhe funksionimit normal të institucioneve. Ajo në Malin e Zi është një përplasje mes vizionit euroatlantik dhe forcave që synojnë ta mbajnë me çdo çmim vendin nën influencën e aktorëve që e shohin NATO-n si kërcënim. Situata në Bosnjë është edhe më e komplikuar si rrjedhojë e ndërtimit dhe funksionimit të brendshëm si trashëgimi e Marrëveshjes së Dayton-it, e cila shpëtoi Bosnjën nga përgjakja e mëtejshme, por që gjithnjë e më tepër nuk po shihet si platforma e përbashkët e shtet-ndërtimit dhe rrugëtimit europian. Në Serbi rinia kundërshton gjithpushtetin e Kryeministrit-President të zgjedhur Vuçiç. Në Kosovë uroj që zgjedhjet e parakohshme të prodhojnë zgjidhje për disa prej çështjeve më të mprehta, të cilat kanë kohë që presin një rrugëzgjidhje kurajoze. Së fundmi, situata në Shqipëri është në thelb produkt i frikës nga ndryshimi që pritet të ndodhë për shkak të zbatimit të reformës në drejtësi. Proces që do të ketë një efekt zinxhir në hallkat e tjera të jetës publike.

Çdo krahasim i këtyre situatave do të ishte i mangët, por gjithsesi ka një fill që i përshkon të gjitha: është ajo që unë e kam cilësuar “stress-test”-i i drejtësisë. Sepse në forma e mënyra të ndryshme gjithkund vihet re një rezistencë ndaj veprimit të drejtësisë, forcimit të shtetit ligjor. Pra, ndaj llogaridhënies. Është prova e madhe që duhet të kalojmë të gjithë e është pikërisht kjo që shkakton rezistencë.

Megjithatë, nëse përjashtojmë situatën e tensionuar në Maqedoni, e cila meriton një analizë molekulare, në tërësi stabiliteti i Ballkanit nuk është cënuar, paqja nuk është në rrezik, bashkëpunimi dy e shumëpalësh rajonal nuk është ndërprerë dhe unë nuk shoh të ketë ingredientë të mjaftueshëm që mund të na çojnë drejt trazirave. Por duhet të jemi të vëmendshëm e syhapur sepse situata gjithsesi mbetet e brishtë.

Koha Ditore: Pretendimi i opozitës në Shqipëri për zgjedhje të lira ka çuar në përplasje të forta politike deri në bojkotin e zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, madje nuk kanë munguar deri thirrjet e saj për mos bindje civile duke ngadalësuar me këtë rast reformat, veçanërisht reformën e shumëpritur në drejtësi. Ndërkohë që opozita në Kosovë, duke përdorur si kauzë të saj demarkacionin me Malin e Zi, duke e penguar atë, njëherësh edhe integrimin e mëtejshëm të Kosovës, sidomos liberalizimin e vizave. Ndërkohë që presioni i politikanëve konservatorë që ka njohur rritje edhe në Kosovë bëri të mundur rrëzimin e qeverisë të mërkurën dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Cili është komenti juaj rreth këtyre zhvillimeve?

Ministri Bushati:  Çdo kërkesë për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme është e mirëpritur. Në Shqipëri partitë politike janë bashkëpërgjegjëse dhe bashkëgarantuese të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe për rrjedhojë janë të detyruara të bashkëpunojnë. Po ashtu, ne angazhojmë gjithnjë edhe partnerët tanë, ndër të cilët më i rëndësishmi ODIHR-i, i cili ka bërë analiza e ka dhënë rekomandime.

Situata e krijuar nga vendimi i Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në zgjedhje është i pashembullt e i pakuptueshëm. Për shkak të paranojës nga zbatimi i reformës në drejtësi është krijuar një situatë artificiale e cila cënon natyrshmërinë e zhvillimeve politike në vend dhe, siç shohim dita ditës, në fakt po çon në vetsakrifikimin e një force politike të rëndësishme.

Basti që Berisha e Basha kanë vendosur nuk i reziston fakteve. Nëse shqetësimi ka të bëjë më procesin zgjedhor, Kryeministri Rama ka ofruar në mënyrë të përsëritur hapësirën e nevojshme në strukturat shtetërore për të kontrolluar e garantuar procesin. Por synimi i dyshes Berisha-Basha është pengimi me çdo mjet i zbatimit të reformës në drejtësi, rrëzimi i qeverisë dhe shtyrja e zgjedhjeve në një afat të paparashikuar, duke shkallmuar Kushtetutën, praktikat e gjithpranuara demokratike e mbi të gjitha stabilitetin demokratik të vendit. Mirëpo pushteti buron nga sovrani me votë të lirë dhe legjitimohet në Kuvend. 

Gjithkush e kupton se problemi real nuk janë zgjedhjet, por frika nga drejtësia. Dyshja Berisha-Basha ka marrë peng zbatimin e reformës në kundërshtim me atë që kërkojnë 93% e shqiptarëve. Ato po i kundërvihen hapur madje edhe miqve e partnerëve ndërkombëtar, të cilët kanë qenë në njëmendje e të qartë si kristali përmes mesazheve të tyre drejtuar opozitës e popullit shqiptar. Nëse nuk i thërret arsyes, PD do të gjendet para një situate kur do t’i duhet të qartësojë para anëtarëve të saj, partnerëve ndërkombëtarë dhe ligjit nëse do të vijojë të jetë subjekt politik ligjor apo formacion me karakter tjetër.

Lidhur me situatën në Kosovë, ngërçi i krijuar për shkak të demarkacionit dhe pasoja të tij por edhe vështirësive të koalicionit të madh, ka çuar natyrshëm në nevojën e një konsultimi popullor. 

Koha Ditore: Edhe pas formimit të shumicës parlamentare në Maqedoni dhe zgjedhjes së kreut të Kuvendit Talat Xhaferi, Presidenti i këtij vendi Ivanov nuk ka ndonjë qëndrim të ri për të mandatuar qeverinë e re ku ai vazhdon t’i qëndrojë idesë se kriza aktuale në Maqedoni është pasojë e Platformës së Tiranës. A do të ndërmerren veprime nga autoritetet e Shqipërisë në funksion të normalizimit të situatës?

Ministri Bushati: Kriza e stërzgjatur në Maqedoni ka qenë burim shqetësimi për ne dhe shumë të tjerë, dhe më të drejtë. Qëndrimi i ngurtë dhe agresiviteti i skajshëm nga aktorë të rëndësishëm politikë e ka çuar vendin në buzë të greminës. Në ndjehemi keq që kredencialet demokratike të Maqedonisë kanë zbritur poshtë dhe autoritetet kanë treguar një shurdhëri të pazakontë ndaj këshillave të miqve dhe partnerëve të saj.

Aktet e dhunës primitive në Kuvend ishin shokuese, të papranueshme por aspak të papritura pasi, në kushtet e gjuhës së urrejtjes që ka mbizotëruar prej kohësh në diskursin politik e shoqëror maqedonas, ishte vetëm çështje kohe se kur një gjë e tillë, e parapërgatitur do të ndodhte. Pati të lënduar, por fatmirësisht jo viktima dhe mësimi i madh është se dhuna nuk sjell zgjidhje dhe në fakt nuk mundi të zhbënte vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, çka përbën hapin e parë, një rreze drite drejt daljes nga qorrsokaku.

Ne shpresojmë dhe urojmë që Presidenti Ivanov të dalë nga pozicioni i deritanishëm, të respektojë dhe zbatojë Kushtetutën e vendit të tij dhe të ushtrojë përgjegjësitë që ka. 

Maqedonia ka sot nevojë që të rivendosë logjikën e funksionimit normal institucional, të rimarrë sa më parë reformat e ndërprera, të risjellë besimin në publikun e gjerë dhe mes komuniteteve shtet-formuese, të avancojë në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit me Greqinë në mënyrë që të kanalizojë energjitë tek integrimi euroatlantik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë një Maqedoni demokratike, shumë-etnike, europiane, ku respektohet barazia dhe të drejtat politike e shoqërore të të gjithë qytetarëve të saj.

Koha Ditore: Shqipëria është evidentuar nga ndërkombëtarët si faktor stabiliteti në rajon. Por Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pak kohë më parë i ka dërguar një mesazh të qartë politikës së Brukselit se kjo e fundit do të përballet me një “makth” nëse shpresat e integrimit në BE të Ballkanit do të zhduken, duke shtuar se “bashkimi i vogël” i Shqipërisë me Kosovën mund të bëhet realitet nëse Brukseli i kthen shpinën rajonit. Zyrtarët perëndimorë e kanë hedhur poshtë dhe kanë shprehur shqetësim për deklaratën e Ramës. Ndërkohë që Serbia, e jo i vetmi vend në rajon, ka reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave. Cili është komenti i kryediplomatit shqiptar lidhur me këtë çështje? Gjithashtu, a po mundohet Serbia të marrë stafetën e paqeruajtësit dhe ofruesit të stabilitetit në rajon?

Ministri Bushati:  Ne jemi në kontakt me partnerët dhe miqtë tanë dhe kemi një dialog të hapur, të sinqertë e të shëndoshë e për çdo çështje. Në këtë mes nuk ka asnjë shqetësim.

Në lidhje me gjithë ata të tjerë që mezi presin rastin që të flasin për bashkime e ndarje, për shtete të mëdha e të vegjël, siç e keni konstatuar në masë të madhe nuk u kemi dhënë rëndësi sepse janë qëndrime të përsëritura, të vjetra dhe nga po të njëjtat burime. Është në thelb i njëjti refren, përveçse këtë herë, si për të pigmentuar pak deklarime të ndryshkura është shtuar edhe një shprehje fantazie për gjoja implikime të vendeve, shërbimeve sekrete jashtë rajonit.

Me vjen vërtetë keq për këdo që vazhdon të bëjë zhurmë e të harxhojë kohë me një ide që nuk e ka origjinën tek ne, që nuk është avancuar asnjëherë nga Shqipëria, por është pjellë e frikës së bartur historikisht nga të tjerë. Është krejt e pakuptueshme që vazhdon të kihet frikë nga shqiptarët në rajon kur në fakt gjithkund, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Preshevë, shqiptarët janë rreshtuar gjithnjë në krah të ideve e projekteve më përparimtare, në respekt të demokracisë dhe ligjshmërisë për të forcuar bashkëpunimin e miqësinë në respekt të të drejtave të tyre legjitime.

Të gjitha anketimet serioze tregojnë se shqiptarët, pa përjashtim, pavarësisht se ku jetojnë janë më properëndimorët në rajon. Prandaj, obsesioni për të parë dhe stisur spektrin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe edhe atëherë kur në fakt shprehet angazhimi ynë i pashmangshëm e i pakthyeshëm në projektin madhor europian që garanton paqe, begati dhe stabilitet të qëndrueshëm për rajonin tonë, është jo serioz dhe meriton shpërfillje.

Gjithkush që ka lexuar sado pak për Shqipërinë, që e ka vizituar atë, e di fare mirë se në Shqipëri nuk ka as ide e as projekt, për më pak ndonjë axhendë të fshehtë për ndryshim kufijsh në Ballkan. Nuk ka plane shqiptare për bashkime apo ndarje në rajon. E kemi thënë dhe dua ta theksoj me forcë: ne respektojmë me rigorozitet dhe pa asnjë mëdyshje kufijtë në Ballkan, jemi tërësisht të angazhuar në politikën e fqinjësisë së mirë, me ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha nivelet dhe në forcimin e stabilitetit në rajon. Këtë bëjmë çdo ditë me të gjitha vendet përreth nesh dhe dua ta veçoj, këtë do tua transmetojmë menjëherë edhe autoriteteve të reja që presim të mandatohen në Maqedoni.

Koha Ditore: Zoti Ministër, më lejoni të jem pak më specifik: deklarimet i referohen një interviste të Kryeministrit Rama në revistën “Politico” dhe reagimeve të tjera që pati pas saj.

Ministri Bushati: Intervista e Kryeministrit Rama është publike dhe mund ta lexojë kushdo. Në rastin më të mirë ajo është keqlexuar dhe keqkuptuar, e në rastin më të keq, është shfrytëzuar si gjithnjë për propagandë. Megjithatë, mendoj se ka nevojë të nënvizohet mesazhi themelor i intervistës. Kryeministri Rama thekson në mënyrë të drejtpërdrejtë rëndësinë kapitale që ka për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë, konkretizimi dhe realizimi i projektit europian. Kryeministri thotë një të vërtetë të pamohueshme: integrimi europian është projekti ynë i madh e në të cilin ne kemi investuar gjithçka e si i tillë nuk mund as të ngadalësohet, as të vonohet e për më pak të dështojë, pasi dështimi i tij identifikohet edhe si dështimi ynë në gjithçka kemi investuar në dekada.

Të gjithë pajtohemi se kriza aktuale në Europë është e paprecedent, e pakrahasueshme me çdo sfidë që ka njohur më parë projekti europian, është një krizë ekzistenciale si rrjedhojë e lindjes dhe fuqizimit të forcave që duan ta zhbëjnë Europën. Nuk janë më ide periferike apo rryma të shkëputura ideologjike. Sot bëhet fjalë për programe politike të mirëformuluara, për parti të strukturuara e që gjejnë mbështetje të gjerë duke investuar mbi frikën, pasigurinë për të ardhmen, krizën ekonomike, papunësinë, pështjellimin e krijuar nga globalizimi, emigracioni, terrorizmi etj., duke ia veshur gjithçka që nuk shkon ndërtesës europiane. Këtë treguan zgjedhjet presidenciale në Austri, këtë pamë edhe këto ditë në zgjedhjet presidenciale në Francë. Natyrshëm që për ne kjo shkakton shqetësim të madh. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të ndodhë jo vetëm në Ballkan, por edhe në tërë kontinentin nëse zhbëhet realiteti dhe shuhet perspektiva europiane. 

Koha Ditore: Zoti Ministër, jo vetëm Daçiç por edhe Kotzias në Greqi ka bërë herë pas here deklarata kundër Shqipërisë dhe së fundmi edhe ai iu bashkua zërave të të shqetësuarve për Shqipërinë e Madhe. A ju shqetëson kjo në marrëdhëniet me Greqinë?

Ministri Bushati: Nuk do të doja t’i vija në një plan. Nuk më çudisin deklarimet që vijnë nga Serbia pasi atje shumë vetë e kanë për zemër ta lenë të lirë fantazinë kur bëhet fjalë për shqiptarët. Nuk na shqetëson shumë retorika sepse sinqerisht nuk është serioze. Po marr vetëm një shembull: a ju kujtohet historia e një treni që u nis kuturu dhe nuk po gjente stacion dhe kur u ndalua, nga nivelet e larta në Serbi u dha alarmi për gjoja plane nga shqiptarët në diasporë për të pushtuar ambasadat e Serbisë në botë?

Unë e kuptoj se ndoshta duhet më shumë kohë, të bashkëpunojmë më shumë e të takohemi më shpesh në mënyrë që në Beograd të kuptojnë se nga shqiptarët nuk do t’u vijë asnjë e keqe dhe se ne duam bashkëpunim dhe jo të kundërtën. Këtë do të bëjmë si në rrugë dypalëshe ashtu edhe përmes nismave të reja që kemi krijuar bashkërisht, Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor.   

Lidhur me Greqinë, marrëdhëniet tona pavarësisht ulje-ngritjeve që vërehen aty-këtu kanë megjithatë një konstante: bashkëpunimin e pandërprerë mes partnerësh strategjikë, mes fqinjësh, të cilët edhe nëse nuk pajtohen në gjithçka, ndajnë vizionin dhe rëndësinë për zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë, respektit reciprok dhe për rrjedhojë bisedojnë hapur e pa komplekse për gjithçka. Kjo është ajo për të cilën ne kemi punuar fort gjatë viteve të fundit. 

Unë jam takuar me homologun Kotzias shpesh, ndoshta më shpesh se me ndonjë ministër tjetër europian dhe idetë, mendimet, pozicionet dhe qëndrimet tona janë gjerësisht dhe imtësisht të njohura në Greqi. Madje, do të doja të theksoja se askush në rajon nuk e di më mirë sesa Greqia se, Shqipëria është tepër e angazhuar dhe e përkushtuar në procesin e integrimit europian.

Ajo që ne u themi gjithë partnerëve tanë në BE, përfshirë fqinjëve tanë jugore, është se duam të integrohemi në BE me përpjekjet, aftësitë, dhe kontributin tonë, se jemi tërësisht e konkretisht të angazhuar për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të përforcuar kontributin tonë moderues e paqtues rajonal, siç është reflektuar gjithnjë në raportet e Bashkimit Europian. 

Shqipëria nuk kërcënon, nuk kushtëzon e as nuk pengon askënd të ecë përpara e të zhvillohet sepse është e bindur se bashkëpunimi, përpjekjet dhe projektet e përbashkëta, solidariteti dhe ndërlidhja reale janë rruga e duhur, japin rezultate më të mira e më të shpejta, i sjellin vendet dhe shoqëritë më afër dhe kontribuojnë në zhvillimin e përparimin shoqëror. 

Koha Ditore: Deklaratat e vendeve të treta (Rusisë) në lidhje me zhvillimet në Maqedoni, e jo vetëm, kanë qenë pothuajse më të shpeshta sesa ato të BE-së dhe SHBA-së. Gjithashtu, Rusia është shprehur ashpër edhe mbi rrezikun e krijimit të  “Shqipërisë së Madhe” dhe kundër lirimit të Haradinaj. A po mundohet të pozicionohet Rusia si një alternativë e BE-së dhe SHBA-së në rajon?

Ministri Bushati: Roli, aktiviteti dhe ndikimi i Rusisë në rajon vlen të analizohet me kujdes. Në realitet, Rusia nuk ka qenë asnjëherë shumë larg rajonit, kjo edhe për shkak të lidhjeve të ndryshme historike, politike, ekonomike, tregtare, ushtarake e shpirtërore që ka me vende të veçanta. Por, shkalla e implikimit të saj në rajon këto dy vitet e fundit është e pazakontë. Dua të theksoj se ne duam të kemi marrëdhënie normale me Rusinë dhe jemi të gatshëm të eksplorojmë fushat me interes. Por, kemi ndërkohë jo pak gjera që na ndajnë.

Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon, shprehet hapur kundër veprimtarisë së Bashkimit Europian me vendet tona dhe po mundohet përmes mjeteve të saj të propagandës të promovojë vlera, parime e ide që shkojnë në drejtim të kundërt me ato që ka zgjedhur rajoni. Rusia ka bërë në pak muaj më shumë deklarata publike mbi ngjarjet në Maqedoni sesa gjatë dy dekadave të kaluara. Ajo vazhdon të ketë një qëndrim aktiv e hapur kundërshtues ndaj Kosovës. Hetimet mbi planin e dështuar për të krijuar kaos dhe destabilizuar Malin e Zi i ka çuar autoritetet e atij vendi të drejtojnë gishtin drejt Moskës. Rusia nuk humbet më asnjë rast për të vënë në dukje se çdo vështirësi që hasin vendet e rajonit e ka origjinën tek ndërhyrja nga jashtë e Bashkimit Europian. Në këtë këndvështrim, influenca e saj nuk mund të jetë pozitive dhe e mirëpritur. Prandaj, edhe bashkimi i saj vazhdimisht me zërat që flasin për “Shqipërinë e Madhe” duhet parë në këtë kontekst.

Ne mendojmë se Rusia nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme për askënd në rajon. Ne nuk besojmë se ndokush në rajon është aq naiv sa të joshet nga e ashtuquajtura ofertë ruse përkundrejt asaj që ofron procesi euroatlantik. Në çdo rrethanë, kjo nuk është e nuk do të jetë ndonjëherë zgjedhja jonë.

Por, një gjë duhet pasur mirë parasysh: aktorët e tretë, cilëtdo qofshin, do të shfrytëzojnë çdo hapësirë të lirë veprimi që do t'u mundësojnë mangësitë e gabimet tona të brendshme si dhe mungesa e vëmendjes, tërheqja apo mefshtësia e BE-së dhe e partnerëve të tjerë. Prandaj është e shumë e rëndësishme që projekti europian të jetë më dinamik, më konkret dhe i shpjet e më rezultativ.