Postuar më: 17 Nëntor 2016

Intervistë e Ministrit Bushati për Ora News mbi rekomandimin e Komisionit Europian për çejlen e ngociatave të anëtarësimit në BE.

Si e priti qeveria rekomandimin e kushtëzuar për hapjen e negociatave?

Mendoj se duhet t’i qëndrojmë besnik asaj ç’ka përcaktohet në rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Nuk do të preferoja të flisja për kushtëzim në kuptimin klasik të fjalës, por për një fjalë që praktikisht shoqëron rekomandimin e Komisionit Evropian.

Në qoftë se flasim për zbatimin e reformës në drejtësi, kjo është një çështje e rëndësishme për qeverinë shqiptare, popullin shqiptar. Siç e keni vënë re gjatë kësaj periudhe kjo është një çështje parësore dhe gëzon mbështetje të mbi 90% të qytetarëve shqiptarë.

Ne besojmë se duke e vendosur procesin e zbatimit të saktë të reformës në drejtësi, dhe procesin delikat të Vettingut, që do të jetë një proces shumë i imët që do të kalojë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, besojmë se e vendosim procesin e zbatimit të reformës në drejtësi nën shinat e detyrimeve që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 të BE, që janë kapitujt kryesorë që vendi do të ulet në procesin e bisedimeve për anëtarësim.

Nuk është e lehtë rruga nga rekomandimi tek vendimmarrja, aq më tepër kur dihet dhe njihet realiteti sot në Evropë. Do të ketë një seri zgjedhjesh të rëndësishme në disa prej kryeqyteteve kryesore të BE-së. Sikundër është krejt legjitime që vendet anëtare presin zbatimin e reformës në drejtësi.

Cilat janë gjasat që Këshilli i Ministrave të marrë në dhjetor një vendim për sa i përket hapjes së negociatave? Dhe ju lutem edhe një koment për deklaratën e liderit të Partisë Demokratike z. Basha, i cili tha se pa dyshim është një lajm i jashtëzakonshëm, por nga ana tjetër do të jetë qeveria e Partisë Demokratike ajo që do të hapë negociatat.

Nuk më surprizojnë aspak qëndrimet apo sjellja qesharake e prijësit të Partisë Demokratike. Fillimisht, një pjesë e deputetëve të PD ju bindën kushtrimit të tij për të dërguar ‘lobist’ në Bruksel. Ju keni transmetuar qëndrimet e një grupi ish-ministrash të PD-së që kërkonin me ngulm nga ana e Parlamentit Evropian që të mos bëjë një thirrje të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Sot, prijësi i PD-së, na u shfaq i gëzuar për këtë rekomandim. Në rast se z.Basha është serioz me atë çka tha sot, atëherë do të ishte mirë që të ulej të bashkëpunonte me ne, me partnerët ndërkombëtarë për të realizuar një zbatim sa më të drejtë të reformës në drejtësi, i cili nuk është imperativ i vetëm këtij procesi, por imperativ me të cilin përballet drejtësia. Është e vetmja opozitë në botë që është bërë njësh me sindikatën e të korruptuarve në drejtësi. Duhet të ishte mazhoranca ajo që duhet të kishte një lloj rimorsi nga këto zhvillime në fushën e drejtësisë, por këtu për fat të keq ne kemi një opozitë, e cila është vendosur si barrikadë për zbatimin e kësaj reforme.

Gjasat janë për një vendimmarrje pozitive nga ana e ministrave të Jashtëm dhe më pas e kryetarëve të qeverive. Mendoj se ne, të hënën do të hedhim një hap përpara, sepse me iniciativën e Italisë dhe Austrisë do të krijohet grupi i “Miqve të Shqipërisë” në nivelin e ministrave të Jashtëm dhe ne do të diskutojmë pikërisht për këtë. Do të vizatojmë së bashku rrugën që do të ndjekim deri në vendimmarrje, do të ketë një punë parapërgatitore që ka të bëjë me kuadrin e negociatave. Një pjesë të mirë të procesit Shqipëria e ka kryer për sa i përket reformës në drejtësi. Pa zbatim rigoroz të procesit të Vettingut, nuk mendojmë që ne do të arrijmë të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim dhe as nuk do ta kërkonim një gjë të tillë, se do të ishte e pandershme me besimin që na kanë dhënë dhe e pandershme me atë djersë që është derdhur dhe me shpenzimet financiare që kanë dhënë partnerët tanë amerikanë dhe evropianë.

Për këtë do të duhet edhe opozita. Në Komisionin Evropian u kërkua që të ketë dialog politik dhe të shmanget retorika e ashpër e komunikimit të liderëve të Ballkanit.

Besoj se z.Kukan e thotë në mënyrë “genuine” pasi vjen nga një vend si Sllovakia, e cila ka përjetuar një polarizim të tejskajshëm. Mund t’ju them se opozita shqiptare ka thyer rekordin në këtë drejtim. Nuk mund të gjeni në asnjë prej vendeve të rajonit një veprim të ngjashëm me atë çka kemi parë para dy ditëve.

Megjithatë, ka dhënë edhe kontribute edhe për këtë rekomandim që ia njohu edhe Komisioni Evropian.

Kryeministri i shtriu dorën Partisë Demokratike për të ecur përpara në këtë proces. Natyrisht që opozita ka kontributin e vet, ndaj më habit sjellja e saj. Opozita drejton Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. Është momenti që z. Basha të bëhet serioz dhe fjalët t’i kthejë në vepra konkrete, të pranojë Vettingun dhe të ulet dhe të punojmë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Keni qenë ndër të parët e ministrave të Jashtëm që keni uruar zgjedhjen e Donald Trump-it. Vura re që kishit përdorur termin “Partner Strategjik”! A do të cenohet kjo marrëdhënie me Trump President?

Natyrisht që SHBA-të janë partneri dhe aleati kryesor. Janë aleat i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe sigurinë në këtë kënd të Evropës. Kam uruar Presidentin e sapo zgjedhur dhe natyrisht popullin amerikan për zgjedhjen që kanë bërë. Nuk mendoj se do të ketë asnjë cm lëvizje për sa i përket qëndrimit të SHBA-ve në rajon dhe partneritetit që ekziston midis dy vendeve tona, i cili është disa herë më i çimentuar se kushdo që është krye të punëve të vendit në SHBA apo në Shqipëri.