Postuar më: 07 Mars 2018

Intervistë e Ministrit Bushati për televizionin Vizion Plus me Thimi Samarxhi

Intervistë e Ministrit Bushati për televizionin Vizion Plus me Thimi Samarxhi

 

Thimi Samarxhi: Në datën 13 shkurt, ju depozituat kërkesën për autorizim për plotfuqishmërinë te Presidenti i Republikës. Një kërkesë që në fakt nga vetë Presidenti Meta, në një konferencë të posaçme për shtyp, u cilësua se ka mangësi në së paku  tre pika kryesore ajo kërkesë e parë, ku më kryesorja ishin emrat e negociatorëve. Ndërkohë, pas kësaj letre, ju publikisht, por dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, e mbrojtët me forcë tezën që Presidenti i Republikës nuk ka pse t’i dijë emrat e negociatorëve, ndërkohë që ju më pas i çuat një tjetër shkresë plotësuese, por me emrat e negociatorëve. I bie që në një nga rastet ju keni shkelur ligjin, ose në rastin e parë, ose në rastin e dytë është shkelur ligji, përderisa ju keni dërguar emrat. Pse nuk i dërguat që në fillim emrat e negociatorëve?

MEPJ Ditmir Bushati:  Ky është një lexim krejt i gabuar i rrethanave të ngjarjeve dhe mënyrës se si kemi ndërvepruar ne me Presidentin e Republikës. Mund t’ju them që praktika e deritanishme është e larmishme dhe siç jam përpjekur të shpjegoj dhe në disa raste, vetë ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare krijon mundësi për një përfaqësim nominal apo ex officio, siç ka qenë varianti ynë i parë. Por kjo është një çështje e tejkaluar sepse mes Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Jashtme e institucioneve të tjera shtetërore, ka një komunikim intensiv përsa i përket të gjitha çështjeve, pikëpyetjeve apo shqetësimeve të ngritura nga ana e Presidentit të Republikës dhe ne jemi të vendosur për të fshirë çdo lloj hije dyshimi në këtë proces e për të ndërtuar një klimë sa më të shëndetshme, në mënyrë që në momentin që do të dalë autorizimi nga ana e Presidentit të Republikës dhe do të lëshohet plotfuqishmëria nga ana e Ministrit të Jashtëm, ekipi negociator që do të ulet në tryezë me palën greke, të punojë në një klimë normale, në një klimë të qetë.

Thimi Samarxhi:  Meqë jemi te ekipi negociator, është përfolur shumë emri i Artur Meçollarit, nëse supozojmë që Presidenti do t’ju kërkojë që ta hiqni këtë person, ju do ta hiqni nga lista e negociatorëve?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk besoj se është e këshillueshme që në këto momente t’i drejtohemi opinionit publik me pyetje hipotetike. Presidenti i Republikës në të gjitha takimet që kemi pasur dhe në të gjitha kontaktet është shprehur i vendosur për të ndjekur rrugën institucionale. Ne besojmë se për të gjithë ekipin negociator, kemi ndjekur rrugën institucionale, pra kemi bërë skanime apo Vetting paraprak. Janë institucionet e shtetit që thonë fjalën e tyre në këto raste.

Thimi Samarxh: Edhe tek letra e parë dhe tek letra e dytë e Presidentit Meta, mungon informacioni i takimit tuaj me z. Kotzias, por jeni mjaftuar vetëm me takimin e grupeve të ekspertëve. Pse nuk i keni dorëzuar Presidentit këto takime.

MEPJ Ditmir Bushati:  E para, nuk kam ndërmend dhe nuk dëshiroj që të komentoj asnjë letër të Presidentit të Republikës apo komunikimeve me Presidentin e Republikës në publik, por më lejoni t’ju siguroj se çdo kërkesë për informacion që do të vijë nga ana e Presidentit të Republikës, jo për këtë çështje por çfarëdolloj çështjeje që është në fushën e veprimit të ministrisë së Punëve të Jashtme, natyrisht që do të marri një përgjigje shteruese nga ana e ministrisë së Jashtme. Kjo nuk është një gjë opsionale, kjo është një çështje që na ngarkon ligji dhe ne do të zbatojmë ligjin.

Thimi Samarxhi:  Pra, thënë më thjeshtë, ministria e Jashtme është duke punuar për të plotësuar të shtatë kërkesat  e Presidentit Meta?

MEPJ Ditmir Bushati: Janë shtatë, janë nëntë, janë njëmbëdhjetë, lum ju që flisni me kompetencë.

Thimi Samarxhi: A ishte i frytshëm takimi dje me Presidentin?

MEPJ Ditmir Bushati: Çdo takim me Presidentin e Republikës është një mundësi për të rishikuar progresin në fushën e politikës së Jashtme dhe besoj se nuk përbën ndonjë lajm se kur takohet Presidenti i Republikës me ministrin e Jashtëm.

Thimi Samarxhi: Duke parë gjithë këto kërkesa të Presidentit, në rastin më optimist, sa kohë i duhen ministrisë së Jashtme për t’i plotësuar të gjitha këto? Ose kur mund të pritet dorëzimi i informacionit?

MEPJ Ditmir Bushati: Nuk është një çështje afatesh, por është një çështje bashkëpunimi ndërinstitucional, është një çështje komunikimi mes ekspertëve. Në analizë të fundit më duhet t’a them për opinionin publik, ne jemi një skuadër. Nuk është se po negocion qeveria me Presidentin e Republikës sepse në këtë proces do të negociojë pala shqiptare me palën greke, dhe përsa i përket shtetit shqiptar, duke filluar nga Presidenti i Republikës deri te zyrtari më i ulët në këtë rang, jemi një skuadër.

Thimi Samarxhi: Z. Ministër, le të themi, kjo “qëndresë” e Presidentit Meta, mendon se është për politikë të tij apo është e bazuar në Kushtetutë, si e shikoni?

MEPJ Ditmir Bushati: E kam thënë edhe në të shkuarën që Presidenti është në të drejtën e tij të kërkojë informacione, të ngrejë pikëpyetje për çështje nga më të ndryshmet që lidhen me këtë proces por jo vetëm dhe është përgjegjësia jonë për t’iu përgjigjur me informacion dhe ekspertizë. Nga të gjitha kontaktet, nga të gjitha bisedat, ndjesia ime është që Presidenti i Republikës është po aq i interesuar sa dhe ne për të vijuar më tej me këtë temë. Por e thashë dhe në fillim, është shumë e rëndësishme për të krijuar një ambient sa më të shëndetshëm dhe një klimë sa më pozitive edhe për ekipin negociator që do të ulet në tryezë, sepse po kërkojmë të marrim një autorizim për të filluar punën dhe është mirë që kjo gjë të jetë sa më e qartë për opinionin publik.

Thimi Samarxhi: Ju thoni që një marrëveshje nuk ka, por thoni nga ana tjetër marrëveshja do të jetë disa herë më e mirë se ajo e 2009. Ku e bazoni këtë?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, kanë kaluar disa vite që nga rrëzimi i marrëveshjes së 2009 në Gjykatën Kushtetuese një vit më vonë, në 2010. Nga ajo periudhë e deri sot janë bërë disa lexime të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe këto ditë, kam dëgjuar shumë njerëz të cilët kanë mbushur studiot televizive dhe e thonë me gojën e tyre që nuk janë ekspertë për këto çështje, por ama ia lejojnë vetes për të bërë lloj-lloj komentesh për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese ka ofruar një “blue print” se çfarë duhet të kesh parasysh që të mos bësh të njëjtat gabime siç janë bërë në 2009, por nuk ka skicuar një rrugëzgjidhje për mënyrën se si do të duhet të ndahet delimitimi i zonave detare, qoftë përsa i përket detit territorial, zonës ekskluzive ekonomike apo Shelfit Kontinental.  Me të drejtë, sepse e drejta ndërkombëtare ka një fuqi shumë më të madhe dhe është detyruese për të gjitha palët, dhe e drejta ndërkombëtare në këtë fushë si pikë referimi ka Konventën mbi të Drejtën e Detit, ku Shqipëria është palë, ku Greqia është palë. Ka gjithashtu një jurisprudencë shumë të pasur ndërkombëtare në këtë fushë dhe ne kemi bërë të gjithë këtë hulumtim gjatë këtyre viteve. Sikundër e kam thënë, në nivel teknik janë ezauruar disa raunde me palën grekë për të kuptuar gabimet e së shkuarës dhe për të hulumtuar mundësitë drejt një rrugëzgjidhjeje. Në fund, dy kanë qenë çështjet për të cilat ka pasur një debat shumë më të zjarrtë, në rast se mund të vazhdojë me rrugën e vjetër të cilën vetë pala greke, vetë ministri i Jashtëm grek në parlamentin grek e konsiderojnë si një marrëveshje të vdekur apo për të hapur një rrugë të re ku Shqipëria dhe Greqia do të uleshin në tryezën e bisedimeve. Fakti që ne pas kaq viteve përpjekjesh po ulemi ne tryezën e bisedimeve pas marrjes së autorizimit dhe lëshimit të plotfuqishmërisë, mendoj se është një ogur i mirë, një ogur i mirë për një marrëveshje të re, për një marrëveshje të drejtë dhe për një marrëveshje të ndershme.

Thimi Samarxhi:  Zoti ministër, në fakt duhet një akordim qëndrimesh midis dy opozitave dhe kjo është paradoksale sepse zonja Bakojanis, e cila firmosi në 2009-ën për palën greke por dhe Partia Demokratike, duhet thënë se zoti Basha ka qene më i moderuar në termat e tij, ndryshe nga zoti Berisha që ka deklaruar se do kaloni mbi trupat tanë, por duket si një akordim qëllimesh për të sulmuar këtë marrëveshje, nisjen e negocimeve për marrëveshjen e re. Si e shikoni këtë gjë? 

MEPJ Ditmir Bushati: Mendoj që do të kishte qenë në nderin dhe dinjitetin e Partisë Demokratike që të tregonte një durim më të madh për këtë çështje, aq më tepër që ka qenë Partia Demokratike në krye të punëve të vendit kur marrëveshja me palën greke në 2009-ën u arrit dhe u shfuqizua më tej nga Gjykata Kushtetuese. Partia Demokratike që është në një pozicion krejtësisht kontradiktor, nga njëra anë thotë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i padrejtë sepse marrëveshja e 2009-ës ka qenë marrëveshja më e mirë e mundeshe për Shqipërinë, paradoksalisht dhe në kushtet kur vetë pala greke thotë që marrëveshja e 2009-ës është e vdekur dhe nga ana tjetër tregojnë me gisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë dua ta ritheksoj dhe njëherë tjetër, duhet që të jemi më të pjekur në këtë proces, të krijojmë një klimë më të përshtatshme për ekspertët që do  ulen në tryezën e bisedimeve me Greqinë. E gjithë puna përgatitore ka përfunduar, është lejuar disa herë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga ekspertët shqiptarë janë bërë konsulta me ekspertë të huaj përveç ekspertëve shqiptar dihen vijat e kuqe apo perimetri brenda të cilit ne mund të lëvizim në këtë marrëveshje dhe tani më është e rëndësishme është që të vijë autorizimi dhe të fillojë puna konkrete me palën greke me shpresën dhe synimin që ne do të kemi mundësinë të arrimë një marrëveshje më të mirë dhe më të drejtë.

Thimi Samarxhi: Ju thatë, ekspertët ndërkombëtarë, cilët janë këta ekspertë që do të marrë Shqipëria konsultën prej tyre?

MEPJ Ditmir Bushati: Thashë në harkun kohor të gjithë këtyre viteve ne kemi pasur mundësinë për t’u konsultuar  apo për të marrë opinione nga ekspertë  të ndryshëm.

Thimi Samarxhi: Përfshirë dhe Turqinë?

MEPJ Ditmir Bushati: Po çfarë rëndësie ka kjo tani, përfshirë Turqinë apo përfshirë Greqinë, apo përfshirë dhe Azinë, unë po ju them që ne kemi një dosje voluminoze para nesh. Ne i dimë të gjitha gabimet e së shkuarës por në një negociatë, është e rëndësishme për të kuptuar që të dyja palët duhet të dalin me ndjesinë e mirë nga këto negociata.

Thimi Samarxhi: Të kthehemi pak te temat e tjera të nxehta, të hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Fatmirësisht u hoq vula apostile pak ditë më parë. Pritet të hiqet Ligji i Luftës, varrezat e ushtarëve grekë kanë marrë udhë e po vazhdojnë kërkimet ndërkohe që ka debate të mëdha në opinionin publik lidhur me Çështjen Çame. Flitet se do hiqet nga tekstet shkollore termi çam. Si është e vërteta e kësaj sepse realisht është shumë sensitive?

MEPJ Ditmir Bushati: E para, ne së bashku me palën greke kemi hyrë në një proces të rëndësishëm të rishikimit të teksteve në Shqipëri dhe në Greqi. Ka një grup ekspertësh shqiptarë dhe grekë që punojnë për këtë proces që drejtohet nga Ministritë e Arsimit të të dy vendeve dhe nuk ka asnjë konkluzion të tillë nga ato që për fat të keq, eksponentë të caktuar apo media të caktuara, i referohen. Ka disa standarde Këshilli i Evropës në këtë fushë. Si Shqipëria, si Greqia, janë vende anëtare të Këshillit të Evropës. Po studiohet ky katalog. Nuk janë dy vendet e para Shqipëria dhe Greqia që përfshihen në këtë proces. Është bërë një progres i qenësishëm dhe besojmë se do të vazhdojmë në drejtim pozitiv.

Thimi Samarxhi: Për vulën apostile, sa mund të cilësohet arritje kjo në punën tuaj?

MEPJ Ditmir Bushati: Shqiptarët në Greqi e prekin realisht, bëhet fjalë për 6.7 milion euro kursim vetëm nga aplikimi i rezervës për vulën apostile në vitin 2017.  Ne do të kemi lajme të tjera pozitive në këtë drejtim. Jemi duke punuar me palën greke edhe për arritjen e një marrëveshjeje për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve dhe besojmë se edhe ky hap do të ketë një efekt të rëndësishëm në praktikë për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi por jo vetëm, sikundër do të vijojmë me modernizimin e ofrimit të shërbimeve konsullore. Atë praktikë që kemi ndjekur me Italinë, kemi dëshirë që t’a bëjmë dhe në Greqi. Hapi i parë u hodh me vulën apostile dhe besojmë se jemi në rrugën e duhur.

Thimi Samarxhi: Pjesa e kontributeve shoqërore si po ecën?

MEPJ Ditmir Bushati: Pjesa e kontributeve shoqërore është një çështje e cila është diskutuar. Nuk është një çështje e karakterit politik, pra, ku dy palët kanë qëndrime të ndryshme. Është më tepër një çështje që ka lidhje me aftësinë për të paguar këtë detyrim apo për të likuiduar këtë detyrim.

Thimi Samarxhi: Dhe një pyetje e fundit zoti ministër. Në prill do të thyeni vezët e Pashkëve më kolegun tuaj Kotzias dhe kryeministrin Tsipras apo do të thyeni akullin duke nënshkruar Traktatin e Miqësisë dhe një sërë marrëveshjesh të tjera përfshirë dhe të detit?

MEPJ Ditmir Bushati: Në prill ne do të takohemi serish me palën greke. Në disa vende, shpresoj dhe uroj të kemi lajme sa më pozitive në drejtim të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe shpresoj gjithashtu që të gjithë besimtarët ortodoksë të kenë mundësi që të kalojnë pashkë sa më të gëzuara

Thimi Samarxhi: Por marrëveshje, Traktat Miqësie të firmosur?

MEPJ Ditmir Bushati: Ne po punojmë dita ditës me palën greke. Nuk kemi një afat të fiksuar, por nga ana tjetër, shpesh në marrëdhënie shtetërore, elementi kohë është vendimtar për arritjen e marrëveshjeve.