Postuar më: 20 Prill 2018

Intervistë e ministrit Bushati për “Tv News 24”

                                                                                         Intervistë e ministrit Bushati për “Tv News 24”

 

Gazetarja: Përshëndetje të nderuar teleshikues të News 24. Në këtë rubrikë të intervistës jemi zhvendosur në zyrën e kryediplomatit shqiptar, ministrit Ditmir Bushati, të cilin e falenderojmë për këtë intervistë.

Gazetarja: Z. Bushati përshendetje,

Ministri: Faleminderit nga ana juaj,

Gazetarja: Në fakt, sot ju duhet të ishit në parlament për t’u folur shqiptarëve për rekomandimin pozitiv që dha Komisioni Europian, por nuk e keni këtë mundësi. Përmes ekranit të News 24 do t’u sqarojmë shqiptarëve   se cfarë fitojmë nga ky rekomandim. Por, së pari, duke u ndalur vetëm pak çaste tek përjashtimi juaj, çfarë ju tha z. Rama kur ju kapi me dorë te krahu ditën e përjashtimit?

Ministri: Besoj se sot është një mundësi e mirë që më jepet përmes ekranit tuaj, i cili është një ekran i ndjekur nga qytetarët shqiptarë për të folur për rekomandimin e Komisionit Europian, për nisjen e bisedimimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe çështjet e tjera janë çështje dytësore.

Gazetarja: Çfarë fitojnë shqiptarët nga rekomandimi?

Ministri: Kjo është një pyetje e drejtë. E para, Komisioni Europian  ka bërë një rekomandim të qartë për sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Një rekomandim që i shkon Këshillit të BE-së, pra vendeve anëtare  të cilat në një rast të tillë duhet të vendosin me unanimitet dhe Komisioni Europian ka konfirmuar arritjet që ka ndërmarrë Shqipëria, gjatë dy viteve të fundit, sidomos duke qenë që raporti i fundit është publikuar në 2016 dhe  ka evidentuar krahas arritjeve në pesë fushat kryesore, meqënëse ato janë edhe një objekt shqyrtimi edhe më rigoroz për  këtë stad që ka Shhipëria. Nga ana tjetër ka indentifikuar edhe qartësisht fushat ku nevojiten më shumë punë dhe më shumë reforma.

Besoj se siç e tha dhe dje Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, krahas rekomandimit dhe gëzimit për këtë rekomandim të qartë, fjalët kyçe mbeten thellimi i mëtejshëm i reformave dhe mbajtja e ritmit të reformave. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që së pari të gjithë aktorët politikë, Presidenti, Qeveria,  Kuvendi,  ku përfshihet natyrisht  edhe roli opozitës, të jenë sa më të bashkuar për të korrur fryte të mëtejshme në këtë proces që nuk është për qeverinë por për Shqipërinë.

Gazetarja: Rekomandimi meritë e kujt është sipas jush, z. Bushati ?

Ministri: Rekomandimi është shprehje e angazhimit të qartë të institucioneve shqiptare për të vijuar më tej procesin e transformimit  dhe europianizimit të vendit.  Rekomandimi nga ana e Komisionit Europian, sepse Komisioni është armata teknike, ai që të jep një lloj çertifikate, një lloj deftese. Në këtë kontekst, rekomandimi është shprehje e punës  voluminoze që është bërë në këto vite…. 

Gazetarja: Në të gjithë këto vite duke nisur nga qeveria juaj e 2013 apo edhe më herët?

Ministri: Mendoj që ky është një zhvillim që nis që me shembjen e regjimit komunist ku Shqipëria ka bërë hapa përpara, është rrëzuar në disa raste, ka nxjerrë mësimet e duhura në raste të tjera. Për fat të keq ka përsëritur të njëjtat gabime dhe mendoj që do të ishte fatkeqësi në rast se do të vijojmë atë praktikën e shëmtuar që ti ndajmë etapat e vendit në procesin e integrimit europian apo integrimit euro-atlantik. Kam dëgjuar shumë shpesh Berishën adhe Bashën që thonë që ishte Partia Demokratike ajo që futi Shqipërinë në NATO dhe që hoqi vizat. Besoj që janë teza shumë të vjetra, shumë arkaike që të kujtojnë partinë shtet, përvec se nuk janë të vërteta.

Gazetarja: Pra në këtë fill mendimi ju thoni që edhe momenti që është zgjatur kaq shumë nga 90’ deri 2018 marrja e këtij rekomandimi, i’a atribuoni fajin si qeverisë suaj dhe qeverive të kaluara? Sespe është një kohë relativisht e gjatë janë gati tre dekada.

Ministri: E para, udhëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian  ka filluar në 1991. Pikënisja e Shqipërisë nuk ka qenë e njëjtë me atë të vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë apo atë të vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore…..

Nuk besoj që është lexim i drejte sepse  Maqedonia ka disa vite që merr rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësim, në dy tre vitet e fundit për shkak të krizës politike dhe për shkak të hapave mbrapa në procesin e demokratizimit, rekomandimi u bë i kushtëzuar nga vetë Komisionit Evropian dhe dihet që në Këshill për shkak te çështjes të kontestueshme të emrit, ky rekomandim nuk arriti të miratohej. Për Shqipërinë, mendoj se rruga ka qenë e gjatë, krahasuar me potencialin që ka Shqipëria.  Shqipëria ka aplikuar në 2009 dhe vetëm në 2018 ne kemi një rekomandim të qartë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Pra janë 9 vite ku nuk është humbur pak kohë do të thoja dhe shpresoj shumë të jetë një zile alarmi për të gjithë, në radhë të parë për elitën politike në vend për të punuar më tepër dhe për të evituar disa fenomene negative që për fat të keq janë ende prezente në jetën tonë dhe na bëjnë gjithashtu të dallueshëm e të identifikueshëm nga vende e tjera të rajonit.

Gazetarja: Zoti Bushati, e ndoqëm dje live konferencën e zonjës Mogherini dhe zotit Rama. Pse mendoni ju që qeveria po justifikohet paraprakisht me vizitat e zotit Basha në Berlin, a i druheni një përgjigje negative në qershor ?

Ministri: Nuk e di se prej kujt buron ky deduksion i juaj. Kryeministri ka qenë konsistent në daljen e  tij të parë, të dytë e sot të tretë në Kuvend për këtë çështje duke e konsideruar si kurorëzim i një pune të madhe që është bërë ndër vite e është intensifikuar më tepër që nga marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014. Ne nuk e kemi fshehur, ka qenë pjesë e platformës tonë elektorale, manifestit tonë elektoral reformimi i sistemit te drejtësisë. Besoj se të gjithë e mbajnë mend se sa vështirësi e rezistencë ka hasur dizenjimi dhe tani zbatimi i reformës në drejtësi është konsideruar një test stresi për të gjithë klasën politike shqiptare. Vetë mazhoranca kaloi në një situatë disi të vështirë për shkak të këndvështrimeve  të ndryshme mbi mënyrën e hartimit e më  pas  zbatimit të reformës së drejtësisë dhe besoj dhe thirrja e kryeministrit dhe dora e shtrirë e  opozitës për të folur se bashku është një thirrje në drejtim të konsolidimit të kandidaturës së Shqipërisë për në BE, për në procesin e hapjes së anëtarësimit.

Nuk ka asnjë lëvizje dyshuese apo analizë te ndryshme për sa i përket vizitave te ndryshme që mund të bëjë secili prej deputetëve shqiptarë, përfshirë dhe kryetarin e Partisë Demokratike. Por, nuk mund të mohohet fakti që e kemi parë dhe se bashku të gjithë kur para pak kohësh më të interesuar për të pasur  një deklaratë të përbashkët  për Shqipërinë ishin parlamentaret evropianë se sa deputetë të opozitës të cilët për fat të keq, duan të  ngatërrojnë aktualitetin politik me çështje më madhore siç  janë çështjet e integrimit evropian që shkojnë përtej flamujve politikë. Nuk besoj që është e ndershme ti thuhet  shqiptareve se ky është një vendim për shkak të situatës politike në të cilën po kalon BE-ja, siç pamë deklarime që vinin nga përfaqësues të ndryshëm të Partisë Demokratike apo forcës tjetër që është në opozitë, sepse këtu jemi në kushte kur komisioni ka bërë një vlerësim për secilin prej kritereve dhe përveç kritereve kyçe, për secilin prej kapitujve dhe elementëve përbërës të kritereve të Kompenhagenit që janë kritere të cilat një vend duhet ti plotësojë para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Gazetarja: Zoti Bushati, ju ishit pjesë e delegacionit në takimin e djeshëm ku ishte dhe zonja Federika Mogherini. A pati ndonjë porosi në takimin paraprak përpara konferencës që nuk u tha me dyer të hapura për mediat?

Ministri:  Që duhet ti them unë sot?

Gazetarja: Po që mund të na orientoni për ndonjë sinjal, porosi, detaj që u dha nga zyrtarja e larte e BE-së?

Ministri:  Mendoj që rruga është shumë e qartë për Shqipërinë. Uroj, se pavarësisht se nuk mund të jem shumë optimist që klasa politike mos të përsërisë me gabimet e së shkuarës. Mënyra për fat të keq si e ka lexuar Partia Demokratike këtë moment të shënuar për të gjithë shqiptarët, pavarësisht në qoftë se na votojnë ne apo nuk votojnë fare apo votojnë opozitën. Nuk më ka lënë një shije të mire vijimi i sherrit edhe sot në Kuvend. Ky është një sinjal për ta tensionuar situatën politike në vend në mënyre artificiale.

Gazetarja: Opozita ishte më e qetë sot, duhet ta pranojmë.

Ministri:  Sot për sot situata në Bashkimin Evropian, mjedisi i zgjerimit, i politikës së zgjerimit nuk është një mjedis i përshtatshëm. Besoj se ju kujtohet që para shumë vitesh ka qenë një euro deputete e famshme në Shqipëri, po jo aq në Parlamentin Evropian apo në vendin e origjinës që për çdo lloj çështje që kishte apo çdo lloj grindje që kishte politika shqiptare apo që përjetonte politika shqiptare, qoftë grindje e vërtetë apo artificiale, ja lejonte vetes të fliste në media dhe të jepte konsiderata për këto raste.  Dhe me pas, sherri PS-PD filloi të transferohej në një sherr në Parlamentin Evropian. Besoj se ajo kohë ka kaluar, mesazhet që vijnë edhe nga Parlamenti Evropian nga dy grupimet kryesore politike atje, qoftë Partia Popullore Evropiane që është grupimi me i madh, ashtu dhe Social Demokratët, po konvergojnë në drejtim të mesazheve sa me unifikuese në këtë drejtim. Shpresoj shumë që një gjë e tillë të ndodhi dhe në rastin tonë.

Gazetarja: Dua te ndalem pak z. Bushati tek vendet, qëndrimi i të cilave do të pritet me kureshtje. Për shembull në Gjermani  ju keni folur me homologun tuaj Heiko Maas për çfarë pritet të sjellë Gjermania në votën e qershorit. Nga CDU-CSU vijnë edhe kritika, siç ishte dhe paralajmërimi dje nga  Krichbaum për shembull. Si ju duket, që ka ende kritere që duhet të përmbushen dhe në rast se nuk përmbushen deri në qershor vota e Gjermanisë mund të jetë negative?

Ministri:  Nuk keni dëgjuar asnjë gjë  nga qeveria shqiptare dhe nuk keni për të dëgjuar asnjë që të thotë se në Shqipëri çdo gjë po funksionon në mënyre perfekte dhe çdo gjë është kryer siç duhet. Në këtë drejtim nuk e shoh aspak me shqetësim deklaratën që është publikuar në media nga deputeti i Bundestagut gjerman, Krichbaum. Sikundër është normale për sistemet e demokracive liberale që në parlamente të ndryshme, deputetë të ndryshëm të kenë qasje më të nuancuara ndaj, qoftë raporteve të Komisionit Evropian apo çështjeve dhe tematikave të ndryshme.

Gazetarja: Po me homologun tuaj Maas keni nisur komunikimet, sepse është një periudhë tani, pjesa e prillit, majit deri në qershor që Shqipëria do të ndezë motorët për komunikime sa më shumë me vendet anëtare.

Ministri:  Në fakt motorët tanë kanë qenë ndezur që në fillim të këtij viti për sa i përket këtij procesi, qoftë me vendet të cilat kanë kohë që kërkojnë që Shqipëria të jetë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, me vendet që kanë një angazhim të qartë mbështetës për Shqipërinë në këtë proces, ashtu edhe me vendet të cilat për shkak të peshës specifike që kanë në BE e thonë në fund fjalën e tyre sepse përballen edhe me dinamika të brendshme të cilat jo domosdoshmërisht kanë lidhje me Shqipërinë apo me rajonin tonë. Bashkëpunimi ynë me Gjermaninë është kapilar, është i shkëlqyer do të thoja. Javës tjetër do të shoqëroj Kryeministrin Rama në vizitën e tij në Berlin, e cila pavaërsisht se në takimin qendror do të jetë ai me kancelaren Merkel, gama e kësaj vizite është e gjerë. Në Bundestag, do të takohemi dhe me përfaqësues të biznesit, apo përfaqësues të shoqërisë civile, për të komunikuar pikërisht këtë që ju sapo thatë. E njejta gjë me Francën dhe me vende të tjera kyçe, por jo vetëm, në Bashkimin Evropjan.

Gazetarja: Të qendrojmë dhe pak tek Bundestagu gjerman. A keni informacion nëse rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian është futur tashmë në kalendarin e punimeve të Bundestagut, pasi dihet që Bundestagu nuk ka të njëjtin ritëm pune, siç ka parlamenti ynë shqiptar. Ka mbledhje shumë herë më pak, të paktën deri në fund të qershorit…

Ministri: Pra ju po thoni se deputetët shqiptarë janë më produktivë?

Gazetarja: Varet sesi e masni punën e Parlamentit. Nëse e masni me sasi është tjetër çështje pastaj, por gjithsesi po thoja që në rast se Shqipëria nuk futet në axhendën e Bundestagut, a mund të digjemi për shkak të procedurave për një vendim nga Gjermania?

Ministri: Mendoj se është herët që të spekulojmë për skenare të ndryshëm.

Gazetarja: Duhet të jenë vetëm katër apo pesë javë, pesë mbledhje të Parlamentit të Bundestagut. Do jetë kohë e mjaftueshme për ta futur?

Ministri: Mendoj që ne na takon të mbajmë ritmin e reformave dhe t’i thellojmë ato. Ndërsa pyetja të cilën ju shtroni, është një pyetje qe besoj se do të marrë përgjigje nga vetë qeveria gjermane. Leximi ynë përsa i përket procedurave në Gjermani është që qeveria gjermane komunikon dhe kërkon mbështetje për një vendimmarrje të tillë nga ana e Bundestagut gjerman dhe ka disa procedura që ndodhin në Bundestagun gjerman për këtë çështje.

Gazetarja: Besoj vizita në javën e ardhshme do ndihmojë edhe për të nxitur paksa Bundestagun për ta futur si procedurë?

Ministri: Shpresojmë, por nuk do të jetë e vetmja vizitë.

Gazetarja: E qartë. Po për rastin Tahiri, çfarë mund të thoni për vendet e mëdha, vendet skeptike, vendet e BE-së? Mendoni që mund të jetë një problematikë?

Ministri: Nuk jeni e vetmja gazetare që e shtroni këtë çështje dhe të them të drejtën…

Gazetarja: Sepse nuk është vetëm një vend që e ka shtruar si problem, është përmendur në disa vende.

Ministri: Mbase e dini ju dhe unë nuk e di, por unë nuk di që…

Gazetarja: Mediat ndërkombëtare e kanë shkruar, përshembull, e kanë përmendur shumë herë rastin Tahiri.

Ministri: Tani ju thoni media, vendi, deputeti. Nuk janë e njejta gjë, që të kuptohemi qartë.

Gazetarja: Media është e një vendi dhe politikanët janë po të atij vendi.

Ministri: Politika shtetërore e dashur, në çdo vend të botës ushtrohet nga qeveria. Qeveria përfaqëson interesat e vendit në arenën ndërkombëtare. Edhe në kuvendin tonë ka pasur raste ku deputetë të mazhorancës, për një çështje të caktuar, mund të kenë votuar ndryshe, apo kanë pasur një qëndrim disi më të nuancuar. Rasti i fundit që unë mbaj mend ka qenë projektligji për diasporën kur po shqyrtohej në Kuvend, të cilin ju e keni raportuar. Pra, nuk mendoj që është fundi i botës në rast se ne, jo thjesht në dy muajt apo në gjashtë muajt që vijnë, apo në gjashtë vitet që vijnë, do të dëgjojmë deklarime të deputetëve të ndryshëm, që mund të mos jenë të kënaqur me qeveritë e vendeve nga vijnë për çështje të ndryshme në Shqipëri.

Gazetarja: Për ju si diplomat a përbën shqetësim në këtë rast?

Ministri: Për mua nuk ka..

Gazetarja: Jua kanë komunikuar kolegët, homologët?

Ministri: Asnjë homolog nuk më ka komunikuar një gjë të tillë. As nuk mund të ma komunikojë një gjë të tillë, sepse Shqipëria ka institucionet e saj, po ndërton institucione më solide në këtë drejtim. Përsa i përket çështjes në fjalë, deputeti Tahiri është nën hetim, prokuroria shqiptare është duke kryer një hetim. Në informacionin që kam, ka kërkuar ndihmë nga prokurori të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Besoj së të gjithëve na takon që me durim dhe me institucionalizëm të presim zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga ana e drejtësisë. Besoj se si çdokush tjetër në botën demokratike, Saimir Tahiri meriton parimin e prezumimit të pafajsisë në këtë proces derisa gjykata të vendosë. Nëse ne do të ishim në një situatë ku, siç ka ndodhur për fat të keq në Shqipëri, që Saimir Tahiri apo një koleg tjetër apo një ish-koleg tjetër do t’i bishtnonte drejtësisë, do të nxirrte raporte mjekësore apo udhëtime ndërkombëtare siç ka qenë rasti i Lulzim Bashës, për të mos shkuar apo për të mos pranuar dorëzimin e imunitetit, siç ka qenë rasti me Fatmir Mediun dhe me radhë të evidentuara po në raportin e Komisionit Evropian. Lexoni raportin e Komisionit Evropian një vit pas shpërthimit të Gerdecit. Lexoni raportin e Komisionit Evropian një vit pasi filluan hetimet për rrugën Durrës-Kukës dhe do ta gjeni me emër Lulzim Bashën që sot bërtet për këtë ngjarje...

Gazetarja: Sic ishte edhe rasti i emrit të zotit Tahiri në këtë raport...

Ministri: Duhet të ndajmë vullnetin politik nga njëra anë për t’i dorëzuar drejtësisë të gjithë ata individë për të cilët ka dyshime, apo ka hetime, apo do të kryhen hetime, nga koracimi politik që në Shqipëri ka ndodhur jo rrallë dhe kjo është arsyeja përse raportet kanë folur edhe për çmontimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.

Gazetarja: Zoti Tahiri e shpëtoi sot mandatin, pas gjashtë muajsh u kthye në Parlament. Mendoni që edhe kjo është një lloj mburojë që zoti Tahiri i ka bërë vetes për të mos qenë këto gjashtë muaj në Parlament?

Ministri: Nuk e kuptova pyetjen, më falni, mund të ma sqaroni... 

 Gazetarja: Këto gjashtë muaj zoti Tahiri nuk ka qenë në Parlament, ju po thoni se është vullneti politik, nëse do ishte vullneti politik këto gjashtë muaj, pse do të vinte në momentin e fundit kur mbaronte mandati për ta shpëtuar sepse me atë mandat është e pamundur që Prokuroria të vijojë hetimet si qytetar i thjeshtë për zotin Tahiri.

Ministri: Unë nuk jam as Maks Haxhia dhe as Artan Hajdari që me çfarë kam parë janë avokatët e Saimir Tahirit. Por, si koleg që kemi qenë në të njëjtën qeveri, në të njëjtën parti, në të njëjtën kryesi, natyrisht edhe në planin njerëzor unë e kam ndjekur këtë çështje nga afër, pra nuk mund të bëj sot indiferentin dhe të them se nuk di se çfarë ndodh me këto proces. E di shumë mirë që ka hetime ndaj zotit Tahiri, di gjithashtu që prokuroria shqiptare, edhe për shkak të detyrës e di këtë informacion, ka kërkuar mbështetjen e prokurorive të vendeve të tjera të Bashkimit Europian...

Gazetarja: Për të marrë informacione lidhur me zotin Tahiri?

Ministri: ... dhe mendoj që të presim përfundimet e hetimit dhe të shohim se si drejtësia do ta zbardhë këtë çështje. Është në interesin e madh të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance që ky të jetë një proces model sepse ne e kuptojmë ndjeshmërinë politike të kësaj çështje.

Gazetarja: Nga Gjermania ku është diskutuar për rastin e Tahirit, të kalojmë në Francë, një tjetër vend nga ku pritet një përgjigje. Azilkërkimi i shqiptarëve atje është një problem, zoti Macron ka kërkuar më shumë thellimin e BE-së sesa zgjerimin e saj. Si e shihni këtë dhimbje koke që shqiptarët i kanë shkaktuar Francës me azilkërkimin dhe më pas me procedurat për qershorin?

Ministri: Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për dhimbje koke që shqiptarët i kanë krijuar Francës...

Gazetarja: Janë të parët, mbajnë rekordin për nurmin e azilkërkuesve.

Ministri: ...aq më tepër që shifrat e publikuara nga raporti i KE për të gjithë mekanizimin e verifikimit në procesin e liberalizimit të vizave, të fundvitit të kaluar, por edhe shifrat e tremujorit të parë të 2018-ës, konfirmojnë qartë se falë masave që ka ndërmarrë Shqipëria për përballimin e këtij fenomeni, pra të emigracionit të paligjshëm, sot për sot kemi një rënie drastike të shifrave dhe mund të konsiderohet një sukses i përbashkët në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

Pyetja tjetër që shtrohet në lidhje me deklarimet e presidentit francez sipas të cilëve ai është partizan më shumë i vendosjes në radhë të parë të rregullit brenda shtëpisë, në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar po ikën dhe kur ka vende të tjera që synojnë të bëhen pjesë e familjes. Ne besojmë se ky proces nuk ka pse të konfliktojë procesin e zgjerimit apo të konsolidimit të projektit evropian. Thellimi brenda BE-së dhe thellimi i reformave tona nuk konfliktojnë njëra-tjetrën, përkundrazi besojmë se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën.