Postuar më: 23 Prill 2018

Intervistë e Ministrit Bushati për TV “Vizion Plus”

Intervistë e Ministrit Bushati për TV “Vizion Plus”

 

Pyetje: Zoti Bushati, a është pozitiv rekomandimi i Komisionit Evropian dhe në terma teknike, çfarë do të thotë? Shumica e shqiptarëve mendojnë se arritëm të hyjmë në BE.

MEPJ Ditmir Bushati: Është një hap i rëndësishëm drejt tryezës së hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Komisioni ka dhënë një certifikatë përsa i përket reformave që ka ndërmarrë Shqipëria për këtë stad ku jemi në procesin e integrimit evropian dhe tanimë, vendet anëtare duhet të marrin vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Tre janë momentet që ja vlen të ndalemi. E para që janë reformat e ndërmarra nga Shqipëria përgjatë gjithë këtyre viteve, vlerësohen nga ana e Komisionit Evropian dhe ky vlerësim pasohet edhe me rekomandimin kryesisht me reformat në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi. Së dyti, nuk bëhet fjalë për fitore të një pale kundër një pale tjetër. Këto janë procese afatgjata që shkojnë përtej mandatit të një qeverie dhe në një mënyrë a një tjetër, secila prej qeverive vendosin nga një tullë në murin e procesit të integrimit evropian. Së treti, është legjitim le të themi gëzimi ynë dhe gëzimi i të gjithë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, por para nesh hapet një kantier më i madh pune dhe me të drejtë, siç thuhet edhe në raportin e Komisionit, siç tha edhe Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, duhet të mbajmë ritmin e reformave dhe mundësisht duhet t’i thellojmë këto reforma.

Pyetje: Në fakt, Komisioni ka rekomanduar ashtu sikurse për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, nisjen e negociatave dhe me Kapitullin 23 – 24, a do të jenë këto më të gjatët?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht, ne kemi një përqasje të re që Komisioni Evropian ka adaptuar këtë proces që në vitin 2012 e që ju me të drejtë e thatë, është i aplikueshëm edhe për vende të tjera, Serbia dhe Mali i Zi që janë në tryezën e bisedimeve dhe kapitujt 23 dhe 24 janë kapitujt e parë që do të hapen e do të vijojnë të mbetën të hapur deri në momentin që vendi përmbush plotësisht standardet që burojnë nga këto kapituj. Në momentin që është pranë anëtarësimit, Shqipëria, në bazë të rekomandimit të 2016 që ishte një rekomandim i kushtëzuar dhe vendimmarrës i Këshillit, në 2016 ka bërë seancën teknike përsa i përket kapitullit 23 dhe 24 me ekspertizën dhe shërbimet e Komisionit Evropian dhe mendohet që edhe për shkak të përparimit që ne kemi bërë në zbatimin e reformës në drejtësi, në zbatimin e procesit të vettingut dhe ndërtimin e arkitekturës së re të drejtësisë, mendohet që një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve, në rastin e Shqipërisë do të jenë qartësisht më të përballueshëm.

Pyetje: A na vlen në fakt një restart në një pozicion më të mirë për reformën në drejtësi? Sjell në vëmendje që në Serbi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, madje nuk e ka zhvilluar edhe pse ata janë më para me procesin e hapjes së negociatave?

MEPJ Ditmir Bushati: Absolutisht po. Në rast se i referohemi edhe konstatimit të Komisionit Evropian për këtë sektor, për reformën në drejtësi, qartësisht Shqipëria është në një pozicion më të avantazhuar për shkak të faktit që një pjesë të mirë e reformave të kërkuara, janë bërë në një fazë më të hershme edhe për shkak të faktit se reforma në drejtësi dhe e gjithë mënyra se si duhet të organizohet sistemi i drejtësisë, konsiderojnë rastin tonë një kryeprioritet.

Pyetje: Po i referohem pak progres – raportit. Dikur, në kohën e qeverisjes së djathtë, shkruhet që kultura e pandëshkueshmërisë ishte një problem në Shqipëri. Sot nuk e gjejmë këtë gjuhë në progres – raportin e këtij viti, por ama theksohet se nuk ka dënime për zyrtarët e nivelit të lartë, nuk ka dënime për krimin e organizuar, për nivelin e lartë flasim gjithmonë. A mbetet kjo një sfidë për qeverinë shqiptare?

MEPJ Ditmir Bushati: Natyrisht që kjo mbetet një sfidë, jo thjesht për qeverinë shqiptare, por për institucionet dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Do të ishte naive të mendohej që ne e kemi çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të ishte naive të mendohej që janë larë të gjitha hesapet me krimin e organizuar dhe me korrupsionin që në fakt janë gangrena dhe mbajnë peng sektorë të caktuar nga zhvillimi i vrullshëm dhe vërshimin e kapitalit, qoftë shqiptar apo qoftë të huaj, por besojmë që gradualisht, me hapat që janë marrë në reformimin e sistemit të drejtësisë, të krijojmë impaktin e duhur dhe masën kritike edhe përsa i përket ndëshkueshmërisë në nivele më të larta. Nuk është se nuk ka ndëshkueshmëri në nivele më të larta, por ajo çka me të drejtë kërkon Komisioni Evropian, vendet anëtare, besoj në radhë të parë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, është krijimi i historisë bindëse dhe mbyllja e ciklit se shpesh ka ping pong institucional nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në prokurori, nga prokuroria në gjykatë, kur flasim për çështjet e abuzimit me detyrën apo korrupsionit, apo dhe për çështjet e krimit të organizuar midis policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Janë bërë disa hapa përpara në këtë drejtim por natyrisht, këto nuk janë kurrsesi hapa të mjaftueshëm dhe ne besojmë se edhe në vetvete, tryeza e bisedimeve dhe ekspozimi i Shqipërisë, jo thjesht i qeverisë dhe institucioneve ligj zbatuese, por e Shqipërisë, ndaj jo vetëm standardeve që duhet të arrihen por edhe një sistemi më të lartë monitorimi, do të krijojë një mundësi më të madhe dhe do të krijojë atë masën kritike për të pasur rezultate edhe më bindëse në këtë fushë.

Pyetje: Fillon një periudhë e vështirë për ju. Duhet të bindni 28 vende anëtare që e meritojmë hapjen e negociatave dhe e nisni takimin nga Berlini. A mund të na shpjegoni se cilat do të jenë pikat kyçe të këtij rrugëtimi deri në fund të qershorit?

MEPJ Ditmir Bushati: Në fakt, që në fillim të këtij viti, ne kemi bërë komunikimet tona dhe vizita me një pjesë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me vende të cilat kanë kohë që kërkojnë që Shqipëria të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, me vende të cilat janë përgjithësisht dashamirëse ndaj procesit të zgjerimit dhe kemi identifikuar gjithashtu vendet me të cilat ne kemi nevojë të punojmë më shumë, aq më tepër që  mënyra se si sot për sot zhvillohet procesi i zgjerimit, mjedisi mbi të cilin zhvillohet ky proces nuk është ai i 2004, nuk është ai i 2017 pra, nuk është më i miri i mundshëm. Kur dihet që ka forca ekstremiste që po fitojnë terren gjithmonë e më shumë nëpër zgjedhjet  parlamentare dhe që kundërshtojnë projektin evropian në vetvete dhe në një mënyrë apo një tjetër, kanë ndikim në vendet anëtare për sa i përket këtij procesi.

Kryeministri Rama do të jetë javën që vjen në Gjermani, natyrisht Gjermania është një vend motor i procesit të integrimit evropian. Nuk kam hezituar ta konsideroj një kritik të rreptë dhe partner të ndershëm për Shqipërinë edhe rajonin, për të gjitha proceset e transformimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik e social. Franca mbetet gjithashtu një stacion me të cilën ne do të intensifikojmë komunikimin në periudhën në vijim. Por jo vetëm, do të ketë vizita të rëndësishme gjithashtu edhe në Shqipëri. Presim kryeministrin belg, presidentin e Këshillit Evropian, Tusk dhe disa zyrtarë të niveleve të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ku ne besojmë se do të komunikojmë në mënyrën më të mirë të mundshme arritjet që ka ndërmarrë Shqipëria. Por puna jonë nuk ndalet në suazën qeveritare. Është e rëndësishme që në këtë proces të kemi një aktivizim të shtuar edhe nga ana e parlamentit edhe nga pjesëtarë të tjerë që përfaqësojnë grupe të ndryshme interesi duke qenë se, sidomos kur vjen puna tek parlamenti, vendet si Gjermania apo Holanda, kanë një peshë specifike në vendimmarrje për këtë proces.

Pyetje: Në qoftë se i referohemi procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat, Bundestagu gjerman kërkoi 8 javë kohë për të marrë një vendim. Qoftë nga pikëpamja procedurale, a mbetet fundi i qershorit një stacion i vështirë për tu kapur?

MEPJ Ditmir Bushati:  Nuk jam në gjendje të shtjelloj çështjet procedurale midis qeverisë gjermane dhe Bundestagut për sa i përket afateve dhe mbledhjeve që duhet të kapen në këtë proces. Për ne është e rëndësishme që krahas komunikimit me qeverinë gjermane në të gjitha nivelet, të vijojmë komunikimin edhe me Bundestagun gjerman. Komunikimi me Bundestagun ka qenë aktiv edhe gjatë periudhës së marrjes së statusit të vendit kandidat, me seanca dëgjimore, jo thjesht në komisione të çështjeve evropiane, në komisione të çështjeve politike por, edhe me fraksione të ndryshme parlamentare. E njëjta gjë do të vijojë edhe për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim. Di vetëm të them që vendimi për hapjen e negociatave është vendimi para final. Nuk ka një vendimmarrje tjetër më të rëndësishme përveçse kur vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe kjo është edhe arsyeja që radarët, në kuptimin figurativ të fjalës, të vendeve anëtare, do të funksionojnë me kohë të plotë për këtë proces, për shkak të rëndësisë politike që ata i japin një vendimi të tillë.