Postuar më: 19 Prill 2017

Intervistë e Ministrit Bushati për Zërin e Amerikës, në përfundim të takimit me Zëvendës-Këshilltaren e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, K.T. McFarland

Diskutuam në lidhje me marrëdhënien ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, angazhimin tonë të përbashkët në disa fronte ndërkombëtare dhe natyrisht, për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë reformave në fushën e sundimit të së drejtës, reformës së drejtësisë dhe çështjeve të sigurisë.

Është një pyetje që bëhet shpesh. A kanë Shtetet e Bashkuara, administrata Trump, një strategji të përcaktuar për Ballkanin ? Ju me çfarë përshtypjesh dolët ?

Besoj se linjat kryesore të politikës së Jashtme amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri janë të njëjta, ato që kanë qenë gjatë gjithë kësaj periudhe, pra që nga shembja e regjimit komunist. E kam fjalën këtu përsa i përket mbështetjes së vazhdueshme për reformat në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi, për çështjet që kanë lidhje me sigurinë dhe për kontributet që vendet partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Shqipëria është një partner kryesor në Europën Juglindore, do të vijojnë të japin. Dhe gjithashtu edhe përsa i përket çështjeve të zhvillimit ekonomik, në kushtet kur reforma në drejtësi, reforma në çështjet e sigurisë, e shoqëruar me projekte të rëndësishme siç janë projektet kryesore energjetike, do të zbatohen edhe në Shqipëri.

A ndjetë ndonjë shqetësim të zyrtarëve amerikanë lidhur me krizën e tanishme, me bllokimin e tanishëm parazgjedhor ?

Dola me përshtypjet më të mira dhe një mbështetje të qartë përsa i përket kursit që ka ndjekur Shqipëria gjatë këtyre viteve. Një kurs që është i qartë, euroatlantik dhe kursi në mbështetje të reformave të shtetit të së drejtës. Nuk pati asnjë diskutim përsa i përket zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri sepse këto edhe sipas qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë çështje që trajtohen në forume të tjera.