Postuar më: 12 Dhjetor 2017

Intervistë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati pas mbledhjes në Këshillin e Evropës

Së bashku me ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, sot, diskutuam në lidhje me perspektivën e zgjerimit.

Jam i gëzuar sepse u rikonfirmua një mbështetje e qartë për politikën e zgjerimit, për procesin e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri, kryesisht për reformën në drejtësi dhe hapat e parë që janë ndërmarrë në procesin e Vetting-ut, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kultivimit të narkotikëve, për rolin e Shqipërisë, qartësinë strategjike përsa i përket linjëzimit të politikës së jashtme dhe për faktin që Shqipëria sot, është më afër se kurrë pranë një vendimmarrjeje për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Natyrisht, puna nuk ka përfunduar, në të kundërt, i gjithë ky motivim që vjen nga ana e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duhet të nxisë gjithë forcat politike parlamentare, jo thjesht Partinë Socialiste dhe qeverinë, për të vijuar më tej me reformat, për të zbatuar reformën në drejtësi në tërësinë e saj dhe në mënyrë të plotë për të hequr një e nga një të gjitha pengesat që vijnë në këtë drejtim. Procesi i vendimmarrjes për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dhe duhet të përbëjë një përparësi kombëtare dhe duhet të dalë mbi çdo lloj sherrnaje politike dhe mbi çdo lloj paragjykimi partiak.

Faleminderit!