Postuar më: 11 Janar 2017

Intervistë e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati për TV Alsat në Maqedoni - “Reagimi i shtetit shqiptar për platformën e partive shqiptare në Maqedoni”

11.01.2017

 

Alsat TV: Zoti Ministër, faleminderit që jeni pjesë e programit “Dyqind” në televizionin Alsat. Mirëserdhët!

Ministri Bushati: Kënaqësi për mua.

Alsat TV: Do të fillojmë menjëherë me pyetjet e rëndësishme të cilat po zgjojnë një kureshtje të madhe jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë. Pse u përfshi Shqipëria në tentativën për të krijuar një platformë, një dokument të përbashkët mes partive shqiptare?

Ministri Bushati: Platforma e përbashkët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni është një produkt i një pune të përbashkët të partive nënshkruese. Shqipëria ka mbështetur vijimësisht, tradicionalisht një politikë sa më koherente dhe sa më kohezive të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe në këtë kontekst, mbështet edhe këtë proces dhe sheh këtë dokument si një bazë të mirë për të avancuar disa prej detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat nuk janë përmbushur ende. E sheh gjithashtu këtë platformë si një mundësi më të mirë për një harmoni ndëretnike më të madhe në Maqedoni. E sheh si një mundësi për më shumë stabilitet demokratik dhe siguri në Maqedoni për rimarrjen e kursit euro-atlantik dhe për dhënien e një sinjali të qartë edhe fqinjëve të tjerë të Maqedonisë, e përkatësisht Greqisë për procesin e vështirë të bisedimeve për çështjen e emrit apo Bullgarisë për procesin ende në diskutim të të ashtuquajturit Traktat të Miqësisë, si një mundësi ku faktori politik mos të qëndrojë në mënyrë pasive, por të japë kontributin e tij në mënyrë që proceset e integrimit Europian dhe proceset e integrimit Euro-atlantik të zhbllokohen.

Nga ana tjetër, për Shqipërinë stabiliteti demokratik i Maqedonisë, perspektiva e qartë euro-atlantike si një vend anëtar i NATO-s që jemi, por edhe rrugëtimi europian, janë çështje të një rëndësie parësore.

Alsat TV: Megjithatë, a mendoni se kjo duhej të bëhej me ndërhyrjen e Shqipërisë, a është kjo si një rrjedhojë e mos aftësisë, apo e mos dëshirës sa duhet dhe të subjektit politik shqiptar në Maqedoni për të arritur në këtë dokument. Sipas jush pse duhej shteti shqiptar të përfshihej?

Ministri Bushati: Shteti shqiptar nuk është përfshirë në çështjet e brendshme të një vendi mik dhe një vendi fqinj siç është Maqedonia. Shteti shqiptar, Qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë.

Në Maqedoni ekziston një komunitet shtetformues në gjykimin tonë, shqiptar, i cili në çdo rast e në çdo rrethanë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, për këshillat miqësore të Shqipërisë, në funksion, vetëm në funksion, të avancimit të këtyre të drejtave. Pra jo në funksion të politikës së ditës, se kush do të zgjedhë kë për të bërë koalicion dhe se çfarë politike, ekonomike apo sociale apo ideologji do të zgjedhë një informacion i caktuar politik.

Tirana ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë përpjekjet e të gjithë faktorit politik shqiptar, për të punuar së bashku për të mirën e Shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Dhe unë u përpoqa ta shpjegoj, që ajo platformë për të cilën kanë rënë dakord partitë politike parlamentare shqiptare në Maqedoni, në analizë të fundit nuk është thjesht një platformë e shqiptarëve në Maqedoni, po është një platformë për një bashkëjetesë shumë herë me solide mes shqiptarëve dhe maqedonasve, është gjithashtu edhe një platformë që ofron dorën e bashkëpunimit për të ecur përpara dhe për të zhbllokuar disa procese të cilat po bëjnë vite, për të mos thënë dekada që janë ngrirë dhe kanë sjellë pasojë zinxhirë edhe në jetën e brendshme politike të Maqedonisë.

Alsat TV: Pra ju thjesht thoni që keni facilituar në këtë aspekt. Ndërkohë thatë që Maqedoninë, Shqipëria e konsideron një vend mik. Në këtë kontekst, si i shikoni reagimet ndaj këtij akti, sepse ka patur reagime të tilla që thonë se kjo ndihmë, ose ky gjest i shtetit shqiptar dhe i qeverisë Shqiptare, në fakt është edhe ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.

Ministri Bushati: T’ju them të drejtën ka një qëndrim të pashpjegueshëm të autoriteteve maqedonase, jo thjesht për këtë rast por në përgjithësi, sa herë që përmendet marrëveshja e Ohrit nga ana e Shqipërisë dhe sa herë përmendet Marrëveshja e Ohrit nga ana e institucioneve ndërkombëtare apo partnerëve ndërkombëtarë. Nuk e kuptoj pse merret me kaq sekëlldi nga ana e autoriteteve maqedonase Marrëveshja e Ohrit. Dihet mjaft mirë që Marrëveshja e Ohrit shpëtoi Maqedoninë nga kthetrat e një konflikti, i cili do të kishte pasur efekte shkatërrimtare për Maqedoninë dhe për të gjithë rajonin tonë.

Së dyti, tendenca për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me krijimin e lehtësirave për ndërtimin e disa fabrikave apo zonave të lira ekonomike, në rastin më të mirë, në gjykimin tim, do të ishte thjesht një dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët thjesht dhe vetëm me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës, ndërkohë që është e qartë për këdo nga pikëpamja e kompozicionit etnik, Maqedonia është shteti i përbashkët i maqedonasve dhe i shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera apo edhe grupeve të cilat mund të konsiderohen minoritet në Maqedoni. Sa më shpejt të krijohen kushtet për të njohur këtë fakt publikisht, besoj se do të ketë shumë më tepër ura komunikimi ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtetformuese, do të ketë një përfaqësim më të mirë në institucionet kryesorë në Maqedoni, do të ketë politika dhe zbatim politikash më harmonike jo vetëm ekonomike dhe sociale, por edhe politike – zhvillimore, si edhe do të ketë jo vetëm më shumë stabilitet demokratik për Maqedoninë, por besoj edhe më shumë fqinjësi të mirë.

Alsat TV: Zoti Ministër, a keni komunikuar me zyrtarët e shtetit maqedonas, me homologun tuaj, ministrin e Jashtëm atje, për të shpjeguar pikërisht këtë që sapo thatë, që të mos të lindë ai keqkuptimi, për të cilin edhe ju keni ndroje?

Ministri Bushati: Mund t’jua them shumë shkoqur që qëndrimi i Tiranës zyrtare është konstant, është i pandryshueshëm. Për ne respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i saj në gërmë dhe në frymë nuk është një çështje që mund ta negociojmë më homologë apo me zyrtarë në Maqedoni. Ne e kemi lexuar edhe votën e elektoratit shqiptar pikërisht në këtë prizëm.

Qëndrimi i Tiranës është shumë i qartë gjithashtu edhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku ne jemi prezent dhe ku kërkojmë që Maqedonia të jetë gjithashtu prezent, siç është rasti i NATO-s. Për ne Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shtetformuese në Maqedoni, por është edhe një marrëveshje që ofron hapësirë për më shumë liri, për më shumë barazi dhe për më shumë demokraci në Maqedoni, koncepte këto të lidhura pazgjidhshmërisht me sigurinë, me fqinjësinë e mirë dhe mbi të gjitha me perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike.

Alsat TV: Zoti Ministër, pak më herët shpjeguat pak a shumë qëndrimet që keni ndaj Maqedonisë. Përmendët edhe faktorin shqiptar. Me zgjedhjet e fundit pati edhe një lloj ndryshimi në skenën politike por edhe në mënyrën se si votuan shqiptarët. Për herë të parë një numër i tyre votuan edhe për partitë maqedonase. Si e lexon gjithë këtë Ministria e Jashtme e Shqipërisë, qeveria e Shqipërisë?

Ministri Bushati: Natyrisht që ne kemi leximin tonë për votën, kryesisht për votën e shqiptarëve në Maqedoni, por mendoj se ka një reagim përgjithësisht të elektoratit shqiptar përkundrejt situatës në terren dhe besoj shumë që momenti aktual imponon lidershipin politik shqiptar. Sigurisht mbi bazën e përqindjeve dhe peshës specifike që seicila parti politike ka marrë të formësojë gradualisht një kurs të ri më të zëshëm për një prani më të madhe të shqiptarëve, në jetën publike në radhë të parë dhe në jetën ekonomike dhe në këtë kontekst ai dokument, ajo platformë politike e hartuar nga partitë parlamentare shqiptare besoj se vjen si përgjigje e kërkesave të elektoratit shqiptar, i cili pavarësisht se kë ka votuar, parti tipikisht shqiptare apo parti siç është partia e Lidhjes Socialdemokrate ku për herë të parë në grupin e saj parlamentar do të këtë përfaqësues shqiptarë, pra me etnicitetin shqiptar. Mendoj se është shpresë për një kohezion më të madh politik të faktorit shqiptar dhe platforma e hartuar, natyrisht do të duhet të shihet se si do të zbatohet në letër përmes afatizimit dhe përmes detajimit të shumë elementeve që do ta kthejnë atë realisht në një dokument të përbashkët të dy komuniteteve kryesore shtetformuese për të garantuar gjithashtu një të ardhme të përbashkët sepse kjo do të ishte shumë e rëndësishme. Në rast se do të lexohej thjesht si një veprim i njëanshëm, si një veprim i nxituar i njërës palë përkundrejt palës tjetër, besoj se do të ishte gabimi më i madh sepse në një analizë të fundit, ajo platformë nuk ka fshirë pluralitetin e mendimeve e të pikëpamjeve në spektrin politik shqiptar

Alsat TV: Kishit deklaruar se në fakt edhe pse numri i deputetëve është më i vogël kësaj radhe në parlamentin e Maqedonisë, pesha e tyre është më e madhe. Mendoni se nga kontaktet që keni pasur me subjektet politike shqiptare ata do t’i përgjigjen këtij momenti në qoftë se do t’i them kështu, ose, këtij detyrimi dhe do ta shfrytëzojnë për të mirën e shqiptareve por edhe të Maqedonisë siç po thoni?

Ministri Bushati: Dua të besoj që ky moment do të shfrytëzohet me shumë mendjemprehtësi nga ana e faktorit politik shqiptar dhe tek mendjemprehtësia nënkuptoj në radhë të parë jo vetëm avancimin e disa të drejtave të cilat për fat të keq janë shpërfillur apo janë harruar gjatë dekadës së fundit por edhe tek lëshimi i sinjaleve të duhura inkurajuese për fqinjët e Maqedonisë dhe të dy këto shina do t’i konsideroja komplementare me njëra-tjetrën. Mendoj që do të kishim një efekt pozitiv për sa i përket rimarrjes së kursit euro-atlantik, rimarrjes se kursit të reformave europianizuese.

Alsat TV: Si reagojnë subjektet politike shqiptare kur ju takojnë ju sepse atje në Maqedoni, megjithatë shohim një antagonizëm mes tyre edhe pse nënshkruan një dokument, përsëri shprehet paqartësia ose shprehet përplasja, si e lexoni këtë situatë, si e shikoni ju?

Ministri Bushati: Antagonizmi në jetën politike aq më tepër në Ballkan dhe në Mesdhe është i pranishëm, d.m.th një jetë politike pa antagonizëm do të ishte e mërzitshme në këtë kontekst.

Alsat TV: Ju Mendoni se mund të shmangen nga ajo që kanë shkruar, cila është përshtypja juaj, sigurisht nga takimet që ju keni pasur?

Ministri Bushati: Unë nuk mendoj se ka arsye apo opsione që partitë politike nënshkruese t’i shmangen detyrimeve për të cilat kanë rënë dakord në letër sepse në fakt, janë angazhime të cilat nuk kanë të bëjnë me një ideologji të caktuar dhe pavarësisht se për kë mund të ketë votuar elektorati shqiptar në Maqedoni. Ju jeni votues atje për shembull, pavarësisht se për kë mund të keni votuar nga ato parti politike besoj se nuk ka shqiptar që mund të mendonte ndryshe nga ato çështje të cilat janë të listuara në platformë. Sfida është si të kthehet situata e momentit në një frymë pozitive, në një frymë stabilizuese jo thjesht për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, por për të ardhmen e Maqedonisë.

Alsat TV: Në këtë kontekst a ka preferenca qeveria shqiptare se me kë subjekt politik shqiptarët do të ndërtojnë qeverinë e ardhshme, e di që përgjigjja mund të jetë diplomatike, megjithatë…

Ministri Bushati: Përgjigja nuk do të jetë diplomatike, përgjigja do të jetë e drejtpërdrejtë. Është përgjegjësi e faktorit politik shqiptar për të përcaktuar koalicionet apo strategjitë se si do të jetësojnë programin e tyre por mbi të gjitha platformën e përbashkët, sepse programi është individual lidhet me secilën prej partive nënshkruese të këtij dokumenti por, më e rëndësishme se programi është jetësimi i kësaj platforme. Në këtë prizëm, Tirana nuk ka asnjë preferencë për asnjë prej partive politike në Maqedoni, qofshin parti politike shqiptare, qofshin parti politike maqedonase. Ne respektojmë plotësisht vullnetin e elektoratit shqiptar në këtë drejtim, por duke respektuar detyrimet tona kushtetuese dhe në frymën e këtyre detyrimeve kushtetuese, në politikën tonë të jashtme ku kemi përcaktuar disa linja të qarta të cilat natyrisht, i kemi komunikuar edhe tek faktori politik shqiptar në Maqedoni.

Alsat TV: Dhe për të ezauruar çështjen e Maqedonisë, një nga reagimet që ka ardhur për shtetin shqiptar, për qeverinë shqiptare është se kur Shqipëria ndërhyn në çështjet me shqiptarët në rajon, në fakt kërkon të bëhet protagoniste në rajon, a mund ta themi kështu? A ishte kjo ndërhyrje, kjo ndihmë e qeverisë shqiptare me faktorin shqiptar në Maqedoni një tërheqje vëmendjeje e Shqipërisë?

Ministri Bushati: Ju mund ta quani si të doni, dashamirësit, kritikët, oponentët janë të lirë ta komentojnë si të duan këtë gjë. Besoj se ne kemi qenë të orientuar në dy drejtime, së pari në përputhje dhe në frymën e detyrimeve kushtetuese për një kujdesje të posaçme për shqiptarët në rajon dhe kur flasim për shqiptarët në rajon përveç dy shteteve shqiptare, pesha specifike e shqiptarëve në Maqedoni për nga klasifikimi mund të vinte automatikisht direkt pas dy shteteve shqiptare në rajon për sa i përket vëmendjes dhe segmenti i dytë, përtej detyrimit kushtetues është përcaktueshmëria euroatlantike shqiptare. Për shqiptarët, më shumë se çdo gjë tjetër, dhe ky është një nga mësimet që unë kam nxjerrë nga bashkëbisedimet e gjata jo thjesht për faktorin politik shqiptar në Maqedoni por edhe me një shoqëri civile, të medias të grupeve të biznesit, komunitetet fetare, një nga gjërat më të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni është përcaktueshmëria e tyre e qartë euro-atlantike dhe askush nuk besojmë se duhet të guxojë të luajë me të. As t’i portretizojë shqiptarët të lidhur me një fe të caktuar e as t’i konsiderojë shqiptarët si punëtorë në mëditje.

Alsat TV: Dakord, kur përmendni rajonin dhe shqiptarët një nga çështjet më të rëndësishme për momentin në kontekst rajonal për shqiptarët është çështja Ramush Haradinaj. Çfarë po bën Ministria e Jashtme në këtë aspekt?

Ministri Bushati: E para, Shqipëria ka qenë përveçse në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me Kosovën dhe me autoritetet e Kosovës, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm në rrugë diplomatike në nivelin e ambasadave apo të Ministrive të Jashtme me autoritetet Franceze. Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm në kanalet e tyre të komunikimit me Interpolin dhe me Ministrin e Drejtësisë në Francë. Dhe nga ana tjetër, kemi komunikuar dhe me vendet partnere, me vendet kyçe Shtetet e Bashkuara të Amerikës normalisht, vendet kyçe të Bashkimit Europian për të dhënë një qëndrim sa më shtjellues të Shqipërisë rreth këtij rasti. Sepse keq përdorimi i Interpolit nga ana e Serbisë dhe ndjekja politike e provokuese, aq më tepër ku për Ramush Haradinaj e kam thënë në disa raste ka dy vendime të dy dhomave të tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë. Ky është një nga ato rastet e rralla ku një kryeministër si Haradinaj la detyrën për të shkuar në Hagë për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Rinovimi apo nxjerrja nga sirtari i mandateve të arrestit nga ana e Serbisë, në kushtet kur Bashkimi Europian nxit sa më shumë Serbinë dhe Kosovën për të ecur përpara në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve, në kushtet kur ne si Shqipëri kemi nxitur vijimësisht Kosovën për të ecur përpara në këtë proces. Në kushte kur ne si Shqipëri ia kemi bërë të qartë Serbisë që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë varen gjithashtu nga ecuria e procesit të gjithanshëm e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse nuk janë marrëdhënie që zhvillohen në boshllëk, në vakum, i gjithë ky akt, kam përshtypjen ndikon negativisht apo përpiqet të minojë edhe ato suksese, edhe ato hapa, të cilët janë hedhur me vështirësi gjatë gjashtë viteve të fundit.

Alsat TV: Do t’ju pyes për marrëdhëniet me Serbinë zoti Ministër sepse pati reagime atje, direkte dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, por fillimisht edhe një pyetje për çështjen Haradinaj. Si e shikoni procesin tashmë, çfarë do të bëhet më tej që jo thjesht lirimi por situatat e ngjashme mos të përsëriten më? Sigurisht që ju jeni në komunikim edhe me shtetin kosovar por gjithsesi si Ministri e Jashtme e Shqipërisë.

Ministri Bushati: Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe mendoj që çështje të tilla duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e paketës së diskutimeve që ndërmjetësohen nga Bashkimi Europian në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Mund të kishim shtjelluar këtu gjerë e gjatë aspektet juridike dhe aspektet diplomatike të këtij ndalimi. Fakti që në Kosovë edhe sikur, në qoftë se unë për një moment do të vishja mantelin e një analisti shumë të ftohtë ndërkombëtar dhe nuk do të merrja për momentin të mirëqenë faktin që kemi të bëjmë me një shtet të pavarur. Edhe sikur fakti që ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka një autoritet ndërkombëtar që operon gjithashtu në OKB, ka një tribunal ndërkombëtar siç është tribunali i Hagës dhe dy vendime ndaj Ramush Haradinaj që, një tribunal që është ngritur mbas një vendimi të Këshillit të Sigurimit që ka një epërsi më të madhe se normat e së drejtës së brendshme secili prej vendeve tona. Fakti që Ramush Haradinaj udhëtonte me një pasaportë diplomatike etj etj. Pra jemi në të gjitha aspektet në shkelje të disa prej rregullave më elementare të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë. Prandaj është e rëndësishme që të gjitha këto lloj praktikash të arkivohen në historinë e së shkuarës, në mënyrë që mos të minohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një proces që siç e kemi thënë shpesh, duhet të pasohet nga procesi i pajtimit dhe njohjes së ndërsjellët ku Kosova dhe Serbia një ditë të jenë së bashku anëtare të Bashkimit Europian me të drejta të plota.

Alsat TV: Zoti ministër, nga Serbia pati reagime për qëndrimin e Shqipërisë, për qëndrimin tuaj. Një nga konstatimet ishte se, në fakt gjithë përpjekja që Shqipëria bën për pajtim nuk është e sinqertë, në qoftë se parifrazoj një qëndrim. Si mund ta shohim gjithë këtë situatë?

Ministri Bushati: Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe konstant që në krye të herës. Kemi nxitur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një proces i cili jo vetëm do të normalizonte marrëdhëniet, por do të pasohej nga pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellët. Për ne marrëdhënia me Serbinë nuk zhvillohet në boshllëk.  Jemi një vend anëtar i NATO-s, jemi një vend qartësisht i përcaktuar si pjesë e vlerave të familjes së madhe euro-atlantike, kemi përgjegjësi në këtë kënd të Europës për të ushtruar dhe për të rezonuar sa më shumë stabilitet demokratik. Jemi të angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit, por nga ana tjetër, marrëdhënia jonë bilaterale me Serbinë, natyrisht që varet edhe nga ecuria e marrëdhënies apo procesit të normalizimit nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në këtë proces në mënyrë që këto angazhime mos të kthehen në një letër pa vlerë.

Alsat TV: Zoti ministër, e di që e keni agjendën të ngjeshur. Kam dhe dy pyetje. E përgjithshme rajonale. Ajo ka të bëj në fakt edhe me situatën në Greqi, që Shqipëria u gjet në një problem të them, ose në një përplasje, por për ta bërë pyetjen më të përgjithshme. A po vemë re një moment ku shteti shqiptar, qeveria shqiptare në fakt po konfliktohet me rajonin, qoftë edhe në rastin e Maqedonisë, ashtu siç po perceptohet, qoftë edhe me rastin e “Haradinaj”siç po perceptohet në Beograd, apo në qëndrime që kanë të bëjnë me Athinën?

Ministri Bushati: Absolutisht Jo. Unë nuk e di pse konsiderohet konflikt, për sa kohë qëndrimi ynë është një qëndrim në mbrojtje të interesit kombëtar në përputhje të plotë me parimet e fqinjësisë së mirë dhe në përputhje të plotë me vlerat europiane dhe me rregullat e sanksionuara të së drejtës ndërkombëtare. Nuk është një qëndrim që drejtohet ndaj dikujt, nuk është një qëndrim fyes që ka një objektiv të caktuar, pra është një qëndrim krejt i ndershëm dhe i drejtë.

Alsat TV: Shteti shqiptar, Qeveria shqiptare ka pasur marrëdhënie specifike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi në një moment ku do të ndryshojë presidenca. Pas pak ditësh do të kemi një president të ri. Presidenti Obama tashmë dha fjalimin e lamtumirës. Si i parashikoni marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zoti ministër? Kjo pyetje është e rëndësishme sepse në rajon, fqinjët e Shqipërisë e shohin Shqipërinë si një urë më të fortë, ose Shqipëria ka një urë më të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Bushati: Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tradicionalisht të lidhur me shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo fazë e shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit demokratik në Shqipëri, është e lidhur pazgjidhshmërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujtoj këtu, thjeshtë dhe vetëm mbrojtjen e Shqipërisë shtet, mbrojtjen e aktit të themelimit të Shqipërisë shtet nga presidenti Wilson. Kontributin e SHBA-ve për çrrënjosjen e komunizmit dhe ndihmën në fazën e parë dhe shumë të vështirë të tranzicionit demokratik shqiptar, çlirimin e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, firmosjen e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto etapa dhe ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, e shqiptarëve kanë ndodhur në presidenca dhe administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Thënë kjo, unë pres veç se thellim të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në një kontekst të ri gjeopolitik.

Alsat TV: Zoti Ministër, ju faleminderit për intervistën.

Ministri Bushati: Ju faleminderit!