Postuar më: 20 Mars 2018

Marrëveshja me Greqinë, Bushati në Bruksel: Të vendosur për një marrëveshje të drejtë

 

Gazetarja: Presidenti dha dje autorizimin për vazhdimin e negociatave me Greqinë. A mund të na zbuloni konkretisht, çfarë përmban ky autorizim dhe si do të vijojë ky proces në prill?

Ministri Bushati: -Presidenti i Republikës ka dhënë autorizimin që më krijon mua mundësinë si ministër i Jashtëm, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, plotfuqishmëri për fillimin e bisedimeve me Greqinë, me synimin për të arritur një marrëveshje të re përsa i përket delimitimit të zonave detare.

Natyrisht që pa humbur kohë, ne do të procedojmë me plotfuqishmërinë dhe shpresojmë shumë që për pak ditë apo javë, të bëjmë dhe raundin e parë të diskutimeve teknike me palën greke, bazuar mbi një proces pune voluminoz dhe një punë parapërgatitore që ka ndodhur gjatë katër viteve.

Jemi shumë të vendosur për të shkuar drejt një marrëveshje sa më të drejtë, sa më të ndershme për të mos përsëritur asnjë nga gabimet e 2009, dhe natyrisht për të respektuar normat ndërkombëtare, të aplikueshme dhe detyrueshme për Shqipërinë dhe Greqinë, vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese, e cila ofron një blueprint për atë se çfarë nuk duhet të bëjmë, duke pasur parasysh praktikën e hidhur të 2009, legjislacionin e brendshëm shqiptar, dhe ne besojmë dhe jemi të motivuar për të shkuar drejt një marrëveshje e cila do të jetë një marrëveshje e drejtë, e ndershme, më e mirë nuk diskutohet se marrëveshja e 2009 dhe në fund të ditës, urojmë që të kemi një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, sepse siç vërteton praktika, është e rëndësishme që përmes një procesi të ndershëm të shkojmë drejt një marrëveshje që është e zbatueshme për të dyja palët, dhe të dyja palët duhet të dalin nga ky proces me ndjesinë që kanë negociuar një marrëveshje të drejtë për ta.

Gazetarja: Zoti ministër, kishte klauzola kushtëzuese autorizimi i Presidentit?

Ministri Bushati:  Autorizimi i Presidentit është i bazuar në legjislacionin shqiptar. Natyrisht gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur konsultime, komunikime dhe ndërveprime me Presidentin e Republikës dhe institucione të tjera. Për të gjitha çështjet që Presidenti i Republikës ka shtruar, tani ka një material shtesë voluminoz edhe falë këtij ndërveprimi, që është një material mjaft i mire, orientues për grupin negociator.

Gazetarja: Zoti ministër, sa parashikohet të zgjasin negociatat?

Ministri Bushati:  E rëndësishme është që në planin teknik këto negociata po fillojnë dhe Shqipëria po shkon drejt një marrëveshje të re. Besoj se kjo është mjaft e rëndësishme, duke pasur parasysh qëndrimet e palëve gjatë këtyre viteve, praktikën e 2009 që u hodh poshtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kohëzgjatja e negociatave ka një rëndësi të dorës së dytë. Për ne, rëndësi të dorës së parë ka produkti që do të dalë nga këto negociata, duke pasur parasysh faktin se gjatë këtyre katër viteve kemi bërë një punë përgatitore, jemi konsultuar me ekspertizën e huaj, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese për t’a respektuar atë në përputhje me të drejtën vendase dhe kemi bërë disa bisedime eksploratore me palën greke.

Nuk është se palët hyjnë në këto negociata me shumë të panjohura. Dihet se ku janë defektet dhe çfarë duhet të përmirësojmë. Ne besojmë që pas këtij procesi, të kemi atë marrëveshje që dëshirojmë.

Gazetarja: Duket si një atmosferë e re në marrëdhëniet me Greqinë zoti Ministër? Çfarë produkti do të sjellë takimi i kryeministrit Rama me Tsipras në Tiranë, në muajin prill?

Ministri Bushati: Natyrisht që takimet në nivelin e kryeministrave janë të dobishme. Dihet që kryeministrat kanë peshën kryesore politike përmes mandatimit që i bëjnë ekipeve respektive nga ministrat e Jashtëm. Në fund të ditës, çojnë përpara të gjithë procesin që ka rreth dy vite që ka nisur dhe ne shpresojmë që në radhë të parë të shtojmë produktet në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe këto produkte më pas të konkretizohen përmes marrëveshjeve konkrete që mbështeten nga ana e dy kryeministrave. Shumë e rëndësishme që krahas çështjes së vulës apostile të vijojmë diskutimin dhe për pak javë të kemi një tjetër produkt, siç është njohja e ndërsjellët e patentave, sepse do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe natyrisht që do të vijojmë dhe me çështje të tjera të paketës për të cilën ka një mirëkuptim për mënyrën se si duhet të veprohet, në mënyrë që në fund të këtij procesi, qytetarët shqiptarë dhe ata grekë të kenë mundësi të prekin efektet praktike të kësaj faze të re të marrëdhënieve.