Postuar më: 01 Maj 2017

Ministri Bushati në emisionin Top Story në Top Channel: Çfarë po ndodh në Ballkan?

Sokol Balla: Do të doja ta filloja me ju zoti Bushati, pasi ju, ministria juaj, qeveria juaj ka qenë edhe në fokus qoftë të lavdërimeve nga njëra palë apo kritikave nga disa të tjerë për faktin se jeni akuzuar se keni qenë pjesë, hartues apo sponsorizues i platformës së shqiptarëve, e cila është pjesë e programit elektoral, më falni, të qeverisjes së Zoran Zaev i partisë së z. Zeqiri dhe që është në bazë të bllokimit që i ka ndodhur situatës në Maqedoni nga Presidenti Ivanov. Pra, një koment i juaji për situatën në Maqedoni. Kemi parë disa reagime por kanë qenë disi të rezervuara, a ndjen Tirana përgjegjësi për atë që po ndodh në Shkup?

Ministri Bushati: Së pari duhet që t’i marrim faktet ashtu siç janë. Ne kemi mbështetur një qëndrim të partive politike shqiptare parlamentare në Maqedoni, 3 prej 4 partive kryesore dhe kemi bërë thirrje për më shumë kohezion politik dhe për një përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në jetën publike në Maqedoni, kryesisht nisur pas zhvillimeve të dy viteve të fundit dhe më veçanërisht, pas zgjedhjeve të fundit ku një pjesë e mirë e votave të shqiptarëve shkuan në favor të partisë opozitare atje, ndërkohë që kemi formacione të reja politike siç është rasti i Besës apo partia e Ziadin Selës ku për herë të parë ka një prezencë më të madhe në parlamentin e Maqedonisë.

Ne kemi mbështetur këtë platformë të shkruar dhe këtë produkt tërësisht të faktorit politik shqiptar në Maqedoni si një përpjekje për të zbatuar marrëveshjen ende të pa përmbushur të Ohrit për të ç’ kyçur rrugën Euro-Atlantike të Maqedonisë, sepse, leximi ynë për platformën është shumë i qartë kur ka elemente jo thjesht të bashkëjetesës ndëretnike por edhe elemente që do ndihmonin Maqedoninë për të gjetur kursin e reformave Euro-Atlantike dhe së treti, për të krijuar një klimë më të mirë me fqinjët e saj në kushtet kur nuk është thjesht çështja e emrit me Greqinë por janë edhe çështje që lidhen pak a shumë me identitetin kombëtar, me gjuhën e miqësisë në rastin me Bullgarinë apo çështjet e menaxhimit ndërkufitar me Shqipërinë dhe me Kosovën.

Sot ne kemi një realitet krejt të ri në Maqedoni për fat të keq, ku rrënjët e kësaj krize, në gjykimin tonë janë të karakterit politik dhe demokratik. Nuk jemi ende në kushtet ku mund të flasim për një krizë ndëretnike dhe shpresojmë e dëshirojmë dhe kemi punuar që mos të shkojmë në këtë lloj niveli. E kemi këshilluar faktorin politik shqiptar atje për të mos rënë pre e provokimeve, por kemi parë skena të tmerrshme në parlament, goditje dhe dhunë të cilën natyrisht e dënojmë me forcën më të madhe, sikundër kemi përshëndetur siç e thatë edhe ju në fillim të emisionit, zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar i Parlamentit. Për herë të parë një politikan shqiptar zgjidhet si i tillë dhe besoj se është rasti për të përshëndetur të gjithë ata maqedonas e shqiptarë që e ndërmorrën një akt të tillë sepse besoj se siç është vota e shqiptarëve në drejtim të një partie maqedonase si akt emancipimi, mendoj që edhe nga ana tjetër besimi që i dhanë partitë apo maqedonasit Talat Xhaferrit është një shenjë emancipimi nga ana e tyre. Sikundër më lejoni të bëj dhe një koment përfundimtar për sa i përket asaj ç’ka po ngjet në Shkup. Është shumë e rëndësishme për të vlerësuar rolin përcaktues të Ali Ahmetit në këtë situatë, në situatë të një konflikti të tejskajshëm. Besoj se maturia dhe qetësia e tij i ka dhënë mundësi faktorit politik shqiptar por edhe partive apo partisë Social-Demokrate maqedonase për të shkuar në drejtim të zgjedhjes së kryetarit të parlamentit nga rradhët e shqiptarëve dhe gjithashtu besoj se mënyra sesi e ka administruar këtë situatë të vështirë Ziadin Sela, qoftë edhe dhunën e ushtruar ndaj tij, është një dëshmi e qartë e faktit që përkundrejt botëkuptimeve programatike, ideologjike, politike që kanë shqiptarët apo një pjesë e mirë e spektrit politik maqedonas, ka një kontrast të qartë me qëndrimet e ish kryeministrit Grueski apo Presidentit aktual Ivanov, të cilët në mënyrë artificiale për fat të keq kanë tentuar të portretizojnë shqiptarët si prishës të këtij realiteti në Maqedoni apo gjoja si kërkues të një shteti federativ. Në fakt, asnjë nga këto hipoteza, në rast se do i referohemi fakteve në praktikë dhe mënyrës se si kanë evoluar ngjarjet, nuk qëndrojnë, aq më tepër kur edhe qëndrimet e Komunitetit Ndërkombëtar si SHBA, BE por edhe fqinjëve të Maqedonisë në këtë pikë, kanë qenë mjaft të qarta.

- II -

Sokol Balla: Z. Bushati, unë kisha kryeministrin Rama emisionin e shkuar dhe ai më tha diçka por ndoshta mund ta sqaroni ju. Për platformën e shqiptarëve siç po njihet, po përdorim një slang mediatik, ka pasur dijeni edhe Gruevski më përpara, ka dhënë një dakordësi për këtë?

Ministri Bushati: Natyrisht, në vijim edhe të kësaj që tha Buki, ka pasur një afat kohor brenda së cilës partitë politike shqiptare kanë bërë prezantimet përkatëse të platformës. Fillimisht partia e PDI-së, si fituese e zgjedhjeve të përgjithshme nga ana e faktorit politik shqiptar, me të dy partitë kryesore maqedonase, me VMRO- në dhe me Social-Demokraten. Vlen të theksohet fakti që një pjesë e mirë e çështjeve që trajton e ashtuquajtura ‘Platformë e shqiptarëve’ nuk mund të realizohen në rast se nuk ka një dakordësi dhe mirëkuptim nga faktori politik maqedonas. Që do të thotë që në një pjesë të rasteve kërkohen ndryshime kushtetuese, çka nevojiten 2/3 e votave në parlament dhe është fakt që edhe koalicioni i mundësuar rishtazi nuk i ka numrat për të kryer të gjitha ndryshimet që kërkon platforma. Për shkak të situatës kemi qenë në kontakte me faktorin politik shqiptar por jo vetëm. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme edhe me qeverinë e Shkupit, edhe me opozitën e Shkupit edhe me fqinjët tanë, përveçse me partnerët kryesorë strategjikë. Kemi bërë lexime të situatës në Maqedoni edhe me fqinjët tanë. Në leximin tonë dhe në informacionin që kemi, na rezulton që platforma shqiptare është pranuar fillimisht nga VRMO dhe ka qenë mjaft afër shpalljes në publik një koalicion i mundshëm, por kushtet kryesore dhe mungesa e dakordësisë ka qenë kryesisht në lidhje me pozicionin e Prokurorit special dhe zgjatjen e mandatit të Prokurorit special dhe krijimin e Gjykatës speciale. Pikërisht për ato çështje që janë konsideruar edhe si shkak për krizën në të cilën ndodhet vendi sidomos dy vitet e fundit.

Sokol Balla: Për Tiranën nuk do të kishte pasur problem që shqiptarët të ishin në koalicion edhe me VRMO-në, sa kohë kjo platformë do të pranohej edhe prej tyre?

Ministri Bushati: Ky është një qëndrim që i përket vetëm lidership-it politik shqiptar atje. Nuk është një qëndrim që mund të imponohet nga Tirana apo nuk kemi recetë të gatshme për asnjë prej aktorëve politikë shqiptarë në Shkup për t’i thënë se me kë mund të bëjnë koalicion. Qëndrimi ynë ka qenë mjaft i rezervuar. Edhe në vigjilje të fushatës dhe gjatë fushatës nuk kanë munguar kërkesat nga partitë.

Sokol Balla: Nuk është se keni pasur një preferencë? Nuk është se keni pasur një udhëzim apo një sinjal nga partnerët perëndimorë që ndoshta më mirë me LSDM-në sesa me VMRO-në?

Ministri Bushati: Absolutisht nuk ka pasur as edhe një preferencë. Ju thashë edhe në fillim që një pjesë e lidershipit shqiptar kanë kërkuar takime me kryeministrin në ato që konsideron si ‘foto opportunity’, takime në Ministrinë e Jashtme.

Ne jemi përpjekur që të qëndrojmë të rezervuar, sidomos gjatë fushatës, për të mos shfaqur asnjë lloj preference, as brenda faktorit politik shqiptar, sepse janë shqiptarët që e përcaktojnë një gjë të tillë me votën e tyre, dhe jo me kë mund të bëjnë koalicion shqiptarët. Por, natyrisht, kriza dhe sidomos periudha e fundit shpërfaqi një Gruevsk dhe një Ivanov, edhe në veprime dhe në retorikë, thellësisht, për fat të keq, antishqiptare. Dhe këtu mund t’i referohem jo thjesht deklarimeve të para të Gruevskit menjëherë pasi nuk arriti marrëveshjen me Ali Ahmetin, ku pak a shumë i konsideron shqiptarët si punëtorë sezonalë në trojet e tyre apo edhe thirrjet e ekstremistëve të mobilizuar prej tij dhe strukturave të tij, ku natyrisht kemi vënë re parulla antishqiptare, parulla anti Shteteve të Bashkuar të Amerikës, anti-NATO, anti-BE.

Por mendoj që është e rëndësishme të theksohet që sot për sot në Ballkan po përvijohen aleanca të reja. Në qoftë se para 15-20 vitesh, aleancat ishin në baza etnike e mbi baza fetare, sot për sot kemi aleanca të përvijuara mbi nevojën për të qëndruar në pushtet me çdo kusht apo aleanca kundër reformave në drejtësi dhe reformave të sundimit të së drejtës në përgjithësi. Ky është qëndrimi që mban Gruevksi kryesisht në raport me prokurorin special dhe me idenë e ngritjes së një Gjykate speciale për të gjykuar çështjet që duhet të çonte prokurori special atje. Kujtoj që puna e prokurorit special totalisht është bllokuar nga strukturat qeveritare. Kemi një qëndrim pak a shumë të ngjashëm me Malin e Zi me ngritjen e prokurorit special, me reformat që i’u kërkuan Malit të Zi për të bërë kryesisht në fushën e sigurisë dhe në fushën e sundimit të së drejtës, qoftë në trasenë e NATO-s e qoftë në trasenë e kapitujve 23-24 për negociata në BE.

Kemi një qëndrim të qartë të segmenteve të caktuara politike në Tiranë, që janë totalisht kundër procesit të Vetting- ut për prokurorë e gjykatës apo ngritjen e institucioneve të reja, për prokurorin special dhe të gjithë arkitekturën e re që do të ngrihet. Kemi një qëndrim pak a shumë të ngjashëm nga segmente të caktuara edhe në Serbi. Serbia tani është pranë një testi shumë të fortë dhe natyrisht kemi sentimente konfuze dhe mikse edhe në rastin e Kosovës në kushtet kur Kosova po përballet me ngritjen e një tribunali që nuk ka të bëjë as me korrupsionin as me krimet e organizuara por ka të bëjë me gjykime për krime të supozuara të ndodhura në “98-2000”, por që të përbashkëta të gjitha këto instrumente të drejtësisë mund të kenë një ri-konfigurim të elitës politike dhe një ri-konfigurim ndoshta edhe të raporteve Politikë-Media-Biznes. Prandaj dhe ka rezistencë dhe prandaj në disa raste edhe instrumentet që përdoren për t’iu kundërvënë kësaj stuhie janë pak a shumë të ngjashme. Nuk është rastësi që për herë të parë në Shqipëri, në këto 27 vite, ne kemi një fushatë të orkestruar, të mirë lobuar, të mirë paguar kundër ambasadorit të SH.B.A-së këtu, kundër disa diplomatëve perëndimorë këtu, jo thjesht qëndrime të ndryshme që jemi mësuar t’i shohim në Serbi në mënyrë tradicionale por kemi një fushatë të mirë orkestruar, e cila ngjan si dy pika uji me fushatën që ka kohë që po ngjet në Maqedoni apo deri diku edhe me fushatën që shohim edhe më të strukturuar në Mal të Zi, me një opozitë që është në bojkot të institucioneve, me grupime mediatike, me grupime të shoqërisë civile e deri për fat të keq me përfshirjen e kishës ortodokse atje në një fushatë të ethshme anti- NATO. Pra, kemi disa elementë që ja vlen për t’i analizuar, për të kuptuar edhe se ku po shkon rajoni ynë.

- III -

Ministri Bushati: Së pari si koncept më duhet të pranoj që prezenca e Rusisë në rajon nuk mund dhe nuk duhet të shihet si një kërcënim, por nga ana tjetër janë tre fusha të rëndësishme ku natyrisht ka një përqasje apo pikëpamje diametralisht të kundërt mes koncepteve Europiane apo konceptet e familjes Euroatlantike dhe Ruse. E kam fjalën në rend të parë për çështjet që kanë lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe këtu unë bie dakord me zotin Milo. Ne shohim një ndërthurje të mungesës së vullnetit të disa elitave në Ballkanin Perëndimor me nevojën apo çiftëzuara me ndërhyrjen ruse në mënyrë krejt vertikale përmes formave të cilat janë atipike, qoftë përmes blerjes të influencës, shërbimit inteligjent, blerjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile, penetrimit në çështjet fetare e kështu me rradhë. Së dyti, ose në qoftë se do te fokusohem tek e para, le të mos harrojmë një fakt që pak është nënvizuar në media. Vetëm disa ditë pasi Parlamenti shqiptar miratoi në mënyrë unanime Reformën në Drejtësi, paketën e ndryshimeve kushtetuese, ne, ose të paktën ekipi që unë drejtoj, ka lexuar jo pa habi një deklaratë apo një intervistë të ambasadorit rus në Tiranë, i cili akuzonte Perëndimin për ndërhyrje në punët e brendshme dhe për një lloj imponimi sipas tij që i’u bë autoriteteve të Tiranës, kryesisht në opozitë, sepse dihet qëndrimi i forcave politike asokohe për sa i përket reformës dhe që shigjetonte në të njëjtën kohë edhe vizitat që ne kemi pasur në Tiranë gjatë dy viteve të fundit të një sërë personalitetesh të larta. Pra, ka një botëkuptim krejt të ndryshëm për sa i përket konceptit të demokracisë, raportit me median, raportit ndërmjet pushteteve dhe nuk është thjesht një Putin i cili vjen nga një histori e tij e gjatë në drejtim të shërbimeve sekrete, por është dhe raporti i tij që ka imponuar në shoqërinë ruse përkundrejt të gjitha institucioneve

Sokol Balla: ...dhe pse ka gati 20 vjet në krye të Rusisë?

Ministri Bushati: Së dyti janë çështjet që kanë të bëjnë me reformat në fushën e sigurisë. Le të mos harrojmë, Shqipëria sot vend anëtar i NATO-s për shkak të një proçesi të gjatë që ka filluar që nga shembja e regjimit komunist e deri ne 2008 kur mori ftesën për t’u anëtarësuar dhe më pas që u anëtarësua në 2009 në NATO. Kemi pasur një transformim të shërbimit informativ, një transformim të forcave të armatosura dhe një vënie në zbatim të një koncepti të ri përsa i përket çështjeve të sigurisë. Një proçes i cili nuk ka qenë i njëtrajtshëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për fat të keq, Perëndimi në disa raste ka mbyllur sytë kur vendet tona fqinje, shërbimi sekret është përdorur si instrument për të ushtruar trysni politike apo për të kapitalizuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, apo ka pranuar disa standarte, jo standarte do t’i quaja unë, kur shefi i shërbimit sekret mund të ketë qenë familjar i lidhur kokë e këmbë me drejtuesin e ekzekutivit.

Sokol Balla: ...i referohesh rastit të Ellovit në Shkup.

Ministri Bushati: Po kështu, mund ti referohem rastit të Ellovit në Shkup, mund t’i referohem po kështu shërbimit sekret serb i cili tradicionalisht ka qenë pjesë përcaktuese në jo thjesht elitën politike në Serbi.

Sokol Balla: Po s’është se bën pjesë te grupi Shqipëri – Mal i Zi – Kosovë - Maqedoni të cilët të paktën kanë pasur një orientim të qartë në ato kohë për BE. Të mos harrojmë që Maqedonia duhet të ishte pranuar që në vitin 2008, por ishte çështja e emrit që e mbajti jashtë, që e mbajti Greqia. Pra Greqia, le të themi sherri me Greqinë... Serbia deri diku e dimë çfarë është, këtu ç’po ngjet?

Ministri Bushati: Ne po themi për ato plasaritje që ekzistojnë në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, apo me NATO-n të cilat nuk po i analizojmë se nga kanë ardhur, të cilat po shfrytëzohen deri diku mjeshtërisht nga ana e Rusisë për të qenë përcaktuese disa zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, dhe tek rasti i çështjeve të sigurisë unë mora thjesht këtë si shembull. Po shkojmë tek çështja e tretë, tek shporta e tretë që është zhvillimi ekonomik. Koncepti i zhvillimit ekonomik është i ndryshëm nga ai që imponon procesi i integrimit Europian. Është shumë e vërtetë, unë dëgjoj ministrin serb, disa herë dhe atë maqedonas të cilët kur përballen me këtë pyetje nga kolegët europianë apo amerikanë reagojnë duke thënë që edhe ju bëni biznes me Rusinë, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe që të bësh biznes me Rusinë, çështja është mbi cilët parametra zhvillohet ky biznes, pra a dominon sundimi i së drejtës në ekonomi sepse gjermanët mund të bëjnë biznes me Rusinë, por flasim për një shtet të konsoliduar, për institucione të shtetit të së drejtës dhe për disa parametra demokratikë të cilët janë të mirë rregulluar në kushtetutë, në ligj dhe në praktikën gjermane. Dhe po të doni mund t’i referohem rastit të Malit të Zi ku shumë është folur në të shkuarën për një raport preferencial ekonomik mes Rusisë dhe Malit të Zi. Kujtoj privatizimin e industrisë së aluminit e cila në fakt dështoi pikërisht sepse u bë me ndërhyrje vertikale me ato që jemi mësuar të shohim zakonisht Rusinë, dhe jo mbi bazën e disa rregullave të prokurimit publik që dikujt sot për sot mund t’i dukem naiv në qoftë se përmend këto terma, por që në fakt janë koncepte që Bashkimi Europian i ka sanksionuar me kohë e me vakte në qoftë se do ta them në gjuhë popullore. Tani sot për sot, mendoj, ne kemi dy çështje të rëndësishme në Ballkan.

Nga njëra anë është dilema që po vuajnë disa liderë apo disa persona me influencë në jetën publike kudo në Ballkanin Perëndimor, dilema mes të qëndruarit në pushtet me çdo kusht apo të mbrojturit të statusquo-së dhe gjykimit përballë drejtësisë. Nga ana tjetër është nevoja për stabilitet demokratik dhe jo për “Stabilokraci”. Që do të thotë, të gjitha reformat e shtet-ndërtimit dhe shtet-konsolidimit që janë sponsorizuar, qoftë në kuptimin politik, qoftë në kuptimin financiar por edhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore, nga ana e Bashkimit Europian kryesisht dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë kënd të Europës, sot për sot janë përballë një testi dhe këto reforma unë besoj nuk mund të sakrifikohen në altarin e Stabilokracisë. Pra, nga njëra anë ne kemi qëndrime të një elite të caktuar në Maqedoni që luan me kartën e de-stabilitetit të vendit, e ka luksin për fat të keq, e them në mënyrë cinike, të provokojë edhe tensione të karakterit ndëretnik paçka se dihet se ç’ka ndodhur në Maqedoni në të shkuarën. E ka luksin të ndërtojë një projekt që besoj nuk është thjesht një projekt politik apo nacionalist fetar por është edhe një projekt korruptiv për sa i përket antikizimit dhe mitizimit të shpeshtë të shpikjes së historisë nga e para dhe nuk ulet në një tryezë për t’a futur vendin në kursin e reformave. Po kështu, kemi vënë re në Malin e Zi një faktor goxha i rëndësishëm politik, një bllok i madh politik në Malin e Zi i cili qartësisht ka qenë sponsorizuar në fushatën e fundit. Në një fushatë do të thoja “mbresëlënëse” për nga ana e sinkronizimit dhe koordinimit të mesazhit politik anti-NATO dhe anti-perëndim. Kemi vënë re një betejë të vërtetë mes kampit pro-NATO dhe pro-perëndim dhe kampit tjetër. Dhe mos të harrojmë në 2008, Rusia asnjëherë nuk ka qenë e kënaqur, as me anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO. Ka bërë demarshe diplomatike përmes kanaleve zyrtarë por në rrugë publike nuk ka pasur këtë intensifikim që ne kemi sot për sot me Malin e Zi dhe me Maqedoninë.

Përmendët qëndrimet e Ministrisë së Jashtme ruse. Mund t’ju them në rast se do t’i krahasojmë për nga numri, janë më të shpeshta se qëndrimet e departamentit amerikan të shtetit për ngjarjet qoftë në Maqedoni apo në Malin e Zi, janë më të shpeshta se qëndrimet e Bashkimit Europian për këto dy shtete dhe për hir të së vërtetës, duam apo s’duam, janë shumë të përqendruara dhe dallojnë nga qëndrimi shpesh i influencuar që mund të vijë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Europian, sidomos për sa i përket ngjarjeve në Maqedoni. Ne nuk mund të harrojmë faktin që në fushatë krah për krah Gruevskit u shfaqën edhe dy ministra të Jashtëm të vendeve anëtare sot për sot të Bashkimit Europian. Siç ja vlen që të përshëndetet çdo moment kur vijnë mesazhe uniteti nga ana e Bashkimit Europian që kryesisht vijnë nga qëndrimet e përbashkëta të Mogherinit dhe Hannit. Kjo mendoj unë i ka “dhënë zemër” disa politikanëve në rajon për t’i konsideruar si broçkulla të komunitetit ndërkombëtar apo të perëndimit qofshin këto për Shkupin, për Beogradin, për Tiranën, për Podgoricën e kështu me radhë. Ju nuk e përmendët por është hera e parë në 27 vjet që unë kam dëgjuar, nuk dua të bëj politikë, por që unë kam dëgjuar qëndrimin e opozitës shqiptare që thotë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë i vendit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, i vendit më përcaktues të zhvillimeve brenda Bashkimit Europian, nuk flet në emër të Gjermanisë dhe nuk përfaqëson qëndrimin e Gjermanisë. Ç’ka e detyroi qeverinë gjemane të nesërmen në një prononcim për Deutche Welle të ripërcaktonte dhe të sqaronte këtë gjë. Sic kemi parë deklarata nga opozita për përfaqësuesen e lartë të politikës së Jashtme të BE-së Mogherini, sipas opozitës është një kriptokomuniste e korruptuar e kështu me radhë. Apo qëndrimet për Hann-in për brockulla etj. etj. Pra, ka një tendencë për të ndërtuar një mini perandori të vogël këtu edhe në kushtet kur disa politikanë në Ballkan e keq-lexuan ndryshimin e administratës në shtetet e Bashkuara të Amerikës. E madje mund t’u them që nuk kanë munguar shkrime edhe nga eksponentë të lartë të opozitës në Shqipëri që na kanë kritikuar qoftë për qëndrimet tona ndaj Rusisë të cilat kanë qenë disa herë më të kujdesshme...

Sokol Balla: Cilët janë këta?

Ministri Bushati: Keni një shkrim të botuar para pak kohësh të Fatmir Mediut ne Gazetën Panorama, i cili duke qenë se thotë: se në Amerikë me administratën e re Trump do të ketë një relaksim të marrëdhënieve me Rusinë. Qëndrimet e ashpra të Tiranës dhe të Kryeministrit Rama përkundrejt Rusisë në fakt janë një thikë pas shpine për Donald Trump-in dhe administratën amerikane a thua se Shqipëria është qendra e botës dhe këtu do të përcaktohen fatet e marrëdhënieve të dy aktorëve globalë siç janë SHBA dhe Rusia, sikundër dhe mos të harrojmë përgjithësisht opozitat tentojnë të jenë më nacionaliste se qëndrimet e tyre që janë në qeveri edhe për shkak të faktit se e kanë gojën apo gjuhën më të zgjidhur. Por, në rast se do t’i referohemi qëndrimit të partisë Demokratike për deklaratat tona në raport me situatën në Maqedoni, nuk po i referohem këtu fare as portaleve mbështetëse, do të vini re që qëndrimi i partisë Demokratike për fat të keq nuk është ky qëndrim që po diskutojmë ne sonte këtu në lidhje me zhvillimet atje, sikundër krahasimi që i bën Lulëzim Basha situatës në Maqedoni me situatën në Shqipëri duke thënë që është 10 herë më e rëndë situata në Shqipëri se sa në Maqedoni. Më e pakta, sepse nuk dua ta ekzagjeroj, mund t’iu them që është totalisht e pa ndershme politikisht dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, shikoni pak portalet që janë sponsorizuar me shkrime të ndryshme jashtë Shqipërisë, kryesisht nëpër gazeta apo portale me audiencë periferike ku shkrimi fillon me situatën në Maqedoni dhe përfundon me Shqipërinë apo shkrimi fillon me situatën në Shqipëri dhe përfundon në Maqedoni me të njëjtët aktorë ku çuditërisht prapa është gjithmonë një ambasador amerikan, Xhorxh Sorosi, X, Y një komplot amerikan dhe gjerman për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

- IV -

Ministri Bushati: Duhet të them se ka një lajm të mirë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, në rast se i referohemi sondimeve të opinionit publik dhe në rast se vendosim që dhe në vende, siç është Serbia për shembull që e ka nivelin e mbështetjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në kuota shumë të ulëta, dhe në rast se do të vendosim Bashkimin Evropian dhe Rusinë, nga të gjitha sondimet që janë kryer nuk ka një mazhorancë të qytetarëve serbë, apo sllavëve në përgjithësi që do të preferonin Rusinë si alternativë përkundrejt Bashkimit Evropian. Thënë kjo, nuk duhet të mendojmë se do të gjejmë ndonjë parti politike në Shqipëri, që po të pyesësh dhe sot VMRON, paçka se ka nxjerrë një grup ekstremistësh në rrugë dhe brohorasin me parulla kundër NATO-s, kundër shqiptarëve, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kundër BE-së, po të pyesësh VMRO-në dhe po të lexosh tekstet që poston në Facebook Grueski, ai e portretizon veten jo si shpëtimtar i Maqedonisë dhe identitetit maqedonas, por edhe si njeriu që mund ta çojë Maqedoninë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Edhe unë prandaj e thashë edhe në fillim, që koncepti i tij rus për ato tre fusha që listova është i ndryshëm me konceptin Euro-Atlantik. Plasaritjet që shkakton procesi i integrimit Evropian dhe boshllëqet e një Evrope që duket e bllokuar nga shumë kriza dhe prezenca e SHBA-ve në këtë rajon që nuk ka qenë aq i fortë sa ne jemi mësuar ta shohim tradicionalisht, krijon mundësi për leva të ndryshme dhe për veprime vertikale. Në këtë rrjet a bien politikanë, a bien njerëz të medias, a ka përkime interesash momentale, a ka përkime interesash ekonomike, kjo është një çështje që unë mund t’iu them në ditët në vijim, ne do të shohim që nga e njëjta konto bankare, me të njëjtët grup lobistësh si për Shqipërinë si për Maqedoninë kanë vepruar me këtë fushatë të mirë orkestruar kundër komunitetit ndërkombëtar të paktën të paktën…

Balla: Do ta shikojmë si, priten të publikohen fakte..

Bushati: Do të publikohen. Unë nuk mund të flas dhe të jap detaje të mëtejshme. Nga dy vizitat e mija të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe Departament të Shtetit e Pentagon, kam dal me mbresat nga të gjitha këto takime se është lënë një gjurmë shumë e keqe, ku me para, natyrisht të pista është bërë një fushatë e orkestruar, duke tentuar madje dhe për të prekur tema që në fakt nuk kanë të bëjnë as fare me Ballkanin Perëndimor, ato tema që i përmendi pak edhe Mugu, duke shfrytëzuar qoftë komentet që mund të ketë bërë apo investimin që ka bërë George Soros, bie fjala në presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke e lidhur me tema në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, etj etj.. Shiheni, është shumë interesante Sokol, në Rumani ishin socialdemokratët dhe Ponda tha po më rrëzon Sorosi, në Serbi Vuçiçi për protestat që u bënë nga studentët atje dhe që vazhdojnë protestat atje dhe që është normale që studentët të protestojnë, për mua është shenjë e demokracie dhe lirie në qoftë se ka protesta, thotë që është Sorosi që po mi organizon. Orbani dihet me qëndrimin që ka ndaj Sorosit dhe ndaj universitetit të tij. Këtu edhe një bursant gjashtë vjeç, gjashtë vite rresht si Basha në Holandë doli dhe i tha një portali amerikan atje që unë jam njeriu që mund ta shpëtoj Shqipërinë nga influenca e Soros-it, e kështu me radhë. Prandaj është koha që shqiptarët mos të bien në këtë qark qesharak, më e pakta, në rast se nuk kanë lidhje me influenca të tjera, pavarësisht se koha do ta vërtetojë dhe këtë gjë, sepse në njëzet e ca vite që nga shembja e partive komuniste kanë dëshmuar që janë thjeshtë faktorë stabiliteti këtu…. ​ 

- V -

Sokol Balla: Bushati, fjala e fundit për ju para se ta mbyllim.

Ministri Bushati: Bie dakord me të gjithë parafolësit që politika e Jashtme i ka rrënjët në shtëpi. Besoj se në kuptimin politik të fjalës biem të gjithë dakord që janë bërë disa hapa përpara dhe për shkak të pozicionimit të qartë të faktorit politik shqiptar në rajon, krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por nga ana tjetër, mendoj që duhet shumë më tepër vizion dhe përkushtim për të lidhur më mirë trevat shqipfolëse sot për sot. Pra e kam fjalën kryesisht për zhvillimin ndërkufitar dhe për energjitë që duhet të çlirojmë në këtë drejtim. Me Gencin kemi diskutuar disa herë për projektet ndërkufitare që do të lidhnin më mirë pjesën e Plavës, Gucisë, me investimet që ka bërë qeveria shqiptare në pjesën e Tamarës dhe të Vermoshit, apo pikat e përbashkëta të kalimit doganor dhe autostradën Adriatiko-Joniane, pra duke i paraprirë edhe projekteve të ndërlidhshmërisë apo lidhjen ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës, pra për të krijuar një menaxhim sa më të mirë dhe sa më të përbashkët të të gjitha resurseve dhe potencialeve të pashfrytëzuara. E njëjta gjë mund të bëhet fare mirë edhe me Maqedoninë, ç’ka do t’i krijonte edhe pjesës së shqiptarëve në Maqedoni një frymëmarrje dhe një zhvillim më të madh dhe një ndërveprim më të madh me ne.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, ne kemi vendosur një raport të mirë besoj me mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive me Kosovën. Në tetor ne do të kemi një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona në Shkodër me Malin e Zi dhe shpresojmë që kjo lloj praktike do të shtrihet edhe me fqinjët e tjerë ku banojnë shqiptarë dhe pse jo edhe me Maqedoninë për ato projekte të përbashkëta dhe aty ku kanë natyrisht një interes të ndërsjelltë.