Postuar më: 20 Shtator 2017

Bushati-Greminger diskutojnë thellimin e bashkëpunimit për reformat madhore në vend

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në New York në punimet e sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ministri Bushati zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Ministri Bushati e uroi Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OSBE-së për detyrën dhe i ofroi gatishmërinë e Shqipërisë për ndihmë dhe bashkëpunim në arritjen e objektivave të organizatës.

Në takim u diskutua mbi situatën e sigurisë dhe çështje të tjera që preokupojnë hapësirën e OSBE-së dhe u pajtuan në nevojën e angazhimit edhe më të madh të Organizatës për adresimin e krizave, me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të saj për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin mes vendeve anëtare. Ministri Bushati nënvizoi ecurinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OSBE-së në mbështetje të reformave madhore në vend.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe vlerësuan rolin dhe kontributin e Shqipërisë në forcimin e paqes, sigurisë dhe ndërlidhjes në rajon. Ministri Bushati theksoi nevojën e përfshirjes së plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrjedhat dhe zhvillimet mbarevropiane. “OBSE-ja duhet të jetë në gjendje të mundësojë që Kosova të bëhet gradualisht pjesë e forumeve të OSBE-së, duke filluar nga ato që trajtojnë zhvillimet në Kosovë” theksoi Bushati.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati pati gjithashtu një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, Khemaies Jhinaoui.

Ministri Bushati e përgëzoi homologun e tij për zhvillimet në Tunizi në rrugën e ndërtimit të demokracisë të një shoqërie të hapur. Tunizia, theksoi Bushati, është shembulli i suksesit të të  ashtuquajturës Pranvera Arabe.  

Ministrat ranë dakord për të shtuar kontaktet e shfrytëzuar më shumë mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Për këtë, Ministri Bushati e ftoi homologun e tij për një vizitë në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, ministrat nënshkruan marrëveshjen për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike.