Postuar më: 06 Prill 2018

Bushati: Konsullata e Nderit e Austrisë në Vlorë në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe njerëzore

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ishte i pranishëm në përurimin e Konsullatës së Nderit të Austrisë në Vlorë.

“Çelja kësaj konsullate, e cila do të mbulojë Jugun e Shqipërisë pas asaj të Shkodrës që mbulon Veriun, vjen në momentin e duhur, atëherë kur na nevojitet të konsolidojmë edhe më tej marrëdhëniet jo thjesht diplomatike, por mbi të gjitha ato njerëzore me Austrinë” – u shpreh Ministri Bushati gjatë fjalës së tij përshëndetëse – duke mos harruar që shtrati i intelektualëve dhe mendimit intelektual shqiptar filloi të formësohej falë mbështetjes për arsimim të Austrisë”.  

Shtimi i përfaqësisë së Konsullatës së Nderit të Austrisë në Vlorë ka një rëndësi të veçantë sa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike, “duke pasur parasysh mundësitë ende të pa shfrytëzuara që ofron Vlora dhe projektet e reja ambicioze që Qeveria shqiptare synon të zbatojë në Vlorë, por edhe projektet gjeostrategjike si TAP, Korridori VIII dhe dalja dhe ushtrimi i veprimtarisë sonë ne Adriatik dhe Jon, jo vetëm ekonomik por edhe politik dhe njërëzor, që ka një impakt të dallueshëm në Mesdhe” – nënvizoi Ministri Bushati.

„Koha vjen për atë që di ta presë, sic thonë në Vlorë – u shpreh Ambasadori austriak Johan Sattler në fjalën e hapjes. “Besoj se ne kemi pritur mjaftueshëm. Me konsullatën e re të nderit, ne dëshirojmë të vazhdojmë atë që nisëm para 106 vjetësh. Të afrojmë shtetet, popullin dhe kulturat tona më pranë njëra tjetrës. Kjo konsullatë do të jetë në shërbim të numrit përherë në rritje të turistëve austriakë, të cilët vijnë për të vizituar brigjet e mrekullueshme të Jonit dhe jugun e Shqipërisë, por edhe bizneseve austriake, të cilët interesohen për këtë pjesë të Shqipërisë.”

Krahas Konsullatës së Nderit të Bullgarisë, tani Vlorës i shtohet edhe Konsullata e Nderit e Austrisë, me Konsull z. Arben Malaj.

MEPJ mirëpret rritjen e bashkëpunimit me Konsullatën e Nderit të Austrisë në Vlorë. Me prezencën e Konsullatës në Vlorë, shtetasit shqiptarë të qyteteve të Vlorës, Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës do kenë mundësi të përfitojnë shërbime të nevojshme sa i përket asistencës dhe kërkesave të ndryshme që do kenë në vijim lidhur me shtetin austriak.

Konsullata e Nderit në Vlorë i shtohet  43 Konsullatave të tjera të Nderit, që ndodhen aktualisht në vendin tonë. MEPJ e ka mbështetur hapjen e konsullatave të reja të nderit dhe që prej vitit 2013 janë emëruar 17 Konsuj Nderi të rinj.