Postuar më: 31 Maj 2017

Bushati në Berlin: vizion i guximshëm i Gjermanisë për zhvillimin e rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në Konferencën e 8-të të Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore që u mbajt në Berlin, nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme gjerman Sigmar Gabriel si dhe të Institutit Aspen.

Në ndërhyrjen e tij, Ministri Bushati evidentoi rolin dinamik dhe stabilizues të Shqipërisë, me synim arritjen e një bashkëpunimi rajonal me efekte konkrete dhe pozitive në jetën e qytetarëve tanë. Duke analizuar progresin e realizuar në kuadër të procesit të Berlinit dhe zhvillimet e fundit në rajon, Ministri nënvizoi se “nuk duhet harruar që sundimi i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik janë dy anë të së njëjtës medalje”.

Ministri Bushati u ndal dhe tek zhvillimet pozitive në vendin tonë, duke konfirmuar vendosmërinë për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi, e cila do të ketë impakt pozitiv për progresin në përmbushjen e të gjitha prioriteteve kyçe.

“Zhvillimet e fundit në vend na bëjnë optimist për krijimin e kushteve të favorshme brenda vitit 2017 që Shqipëria të marrë dritën jeshile nga vendet anëtare për t’u ulur në tavolinën e negociatave me BE-në”, theksoi Ministri Bushati.

Ministri gjerman Sigmar Gabriel shprehu shqetësimin që ngjall në Gjermani fakti se në disa vende të rajonit Bashkimi Europian nuk ushtron më të njëjtën forcë tërheqëse. “Rreziku është që qytetarët e rajonit ta shohin procesin e anëtarësimit si një proces sakrificash dhe reformash të vështira të cilat rëndojnë pjesën më pak të avantazhuar të shoqërisë, sidomos të rinjtë, të cilët përballen me sfidën e papunësisë”, theksoi Gabriel.

Ndaj lipset që të ndryshojmë qasje, u shpreh Gabriel, për sa i përket zhvillimit të Ballkanit Perëndimor duke u përqëndruar tek ato ide dhe instrumente që rrisin përthithjen e investimeve nga vendet e rajonit. Në këtë kontekst, Ministri Gabriel shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të vënë në dispozicion të vendeve të rajonit, instrumente të rinj financiar, për të jetësuar projekte infrastrukturore, për të investuar në teknologjitë e reja dhe për të zhvilluar trajnimin profesional të të rinjve.

Dy ministrat ranë dakord mbi nevojën për një qëndrim koheziv të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në funksion të tejkalimit të krizave të demokracisë në rajon dhe kërcënimeve nga faktorë të tretë që synojnë të devijojnë ritmin e reformave dhe kursin euro-atlantik.