Postuar më: 11 Korrik 2017

Bushati në ministerialin e OSBE-së: dialog dhe bashkëpunim për më tepër besim

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Ministerialin e OSBE-së, i cili i zhvilloi punimet më 11 korrik 2017 në Mauerbach të Austrisë, vend i cili mban Kryesinë e Radhës të OSBE-së.

Ministeriali ishte një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale të sigurisë në Europë, si dhe për të rivlerësuar rolin e OSBE-së, një organizatë që po vuan më shumë së çdo institucion tjetër pasojat e mungesës së besimit midis vendeve anëtare. Prej disa muajsh OSBE nuk arrin të marrë vendime të rëndësishme për sa i përket posteve të saj drejtuese.

Ministri Bushati nënvizoi faktin se paparishkueshmëria që cënon aktualisht sigurinë ne Europë ka filluar të dëmtojë edhe kulturën e bashkëpunimit që qëndron në themel të OSBE-së. Ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm se “dialogu është një mënyrë për të rritur kuptimin tonë të situatës së sigurisë, por nuk ka për qëllim të çojë në rishkrimin e rregullave tona dhe as të na çojë në konsultime të pafundme në kërkim të konsensusit”, u shpreh Bushati.

Në debatin e dedikuar për “Parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm”, Ministri Bushati vuri gjithashtu në dukje kontributin që Shqipëria jep në përballimin e ketyre fenomeneve, për të pasur një Europë më të sigurt, më të paqtë dhe më të integruar.

“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë nuk duhet të merret si i mirëqenë. Ai bazohet në rregulla, parime dhe angazhime. Duke mos i zbatuar këto dëmtohet efektiviteti i OSBE-së” - nënvizoi Bushati.

Nga ministeriali i OSBE-së, Ministri Bushati do të udhëtojë drejt Triestes ku do të mbahet Samiti i 4-ët i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.