Postuar më: 25 Maj 2017

Bushati në Romë: bashkërendim i prioriteteve të Samitit të Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të homologut italian Angelino Alfano, Ministri Bushati mori pjesë në takimin përgatitor të Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Trieste më 12 korrik të këtij viti, si etapa e radhës e Procesit të Berlinit, në vazhdën e samiteve të organizuara në Berlin (2014), Vjenë (2015) dhe Paris (2016).

Bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e përbashkët që Samiti i Triestes të afrojë më tej vendet e rajonit me Bashkimin Europian, përmes konkretizimit të angazhimeve të marra në Samitet e mëparshme, sidomos për sa i përket projekteve infrastrukturore dhe energjetike por edhe duke skicuar instrumente të reja për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Ministri Bushati nënvizoi se “është e nevojshme që të gjitha vendet pjesëmarrëse të kontribuojnë për të konsoliduar arritjet e Procesit të Berlinit si nga pikëpamja e dialogut politik ashtu edhe nga ajo e zbatimit të projekteve të ndërlidhjes në transport dhe energji”.

Krahas propozimeve për një integrim më të madh midis ekonomive të vendeve të rajonit, Ministri Bushati vuri theksin mbi faktin se “Procesi i Berlinit, dhe idetë ose iniciativat që burojnë prej tij, nuk mund të zëvendësojnë kurrsesi procesin e anëtarësimit në BE. Përkundrazi, procesi i iniciuar në vitin 2014 duhet të prodhojë instrumente që e përshpejtojnë anëtarësimin, dhe që sigurojnë që sundimi i së drejtës të prodhojë zhvillim ekonomik”

Në këtë kontekst, Ministri Bushati përshëndeti përkushtimin e palës italiane për mbarëvajtjen e Samitit si dhe mirëpriti propozimet novatore të kryesisë italiane në përgatitjen e masave konkrete në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të kompanive të vogla dhe të mesme në rajon. 

“Kjo qasje pragmatiste është e vetmja që mund të rrisë aftësinë e rajonit për të qenë më konkurrues dhe për të thithur investime, duke sjellë zhvillim dhe punësim”, u shpreh Bushati.

Aktualisht, Komisioni Europian po punon mbi një plan masash për lëvizjen e lirë të punonjësve, rritjen e investimeve dhe lehtësimin e tregtisë në rajon, duke synuar krijimin e rreth 80.000 vendeve të reja pune deri në vitin 2025. Pritet që ky plan masash dhe instrumentet financiarë përkatës të propozohen gjatë Samitit të Triestes në muajin korrik.