Postuar më: 15 Prill 2018

Bushati në Shkodër takon pakicat serbe dhe malazeze

Bushati: projekte specifike për pakicat kombëtare.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtëm ka nisur një proces diskutimi me pakicat kombëtare për aktet nënligjore të ligjit për Pakicat Kombëtare. Në këtë kuadër, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, zëvëndësministrja Artemis Dralo dhe Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut Vasilika Hysi ishin në qytetin e Shkodrës në një dëgjesë publike me pakicat serbo dhe malazeze për aktet nënligjore për ligjin për Pakicat Kombëtare. 

Ministri Bushati në fjalën e tij nënvizoi se MEPJ ka nisur këtë proces konsultimi në mënyrë që t’iu përgjigjet kërkesave të të gjithë minoriteteve dhe se Shqipëria është angazhuar për zbatimin e të drejtave të njeriut. 

“E kam diskutuar si me Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi ashtu edhe me Ministrin e Jashtëm serb për të ndërtuar projekte specifike që janë më të përshtatshme për karakteristikat që kanë pakicat këtu”, nënvizoi Ministri Bushati. 

Më tej Ministri Bushati theksoi se “Pavarësisht progresit të qenësishëm që është bërë në këtë fushë dhe risive që sjell ligji, kemi shumë detyra përpara, fillimisht me ripërcaktimin e të gjithë arkitekturës në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të pakicave, bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me përfaqësuesit kryesorë të pakicave të ndryshme në Shqipëri”.

Nga ana e saj, Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Vasilika Hysi, theksoi se ka pasur një proces të gjatë konsultimi, por shqetësimi i shumë pakicave ishte për aktet nënligjore dhe ky proces konsultimi është praktika e duhur për hartimin e kuadrit të duhur ligjor".

Dëgjesa e parë u zhvillua në Tiranë nën kujdesin e zv.Ministres Dralo, e cila vijon konsultat me të gjithë grupet e interesit për përgatitjen e këtyre akteve.