Postuar më: 06 Mars 2018

Bushati pret në Tiranë Korčok, merr mbështetjen e Sllovakisë për integrimin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati priti sot në Tiranë Ministrin në Detyrë të Punëve  së Jashtme të Sllovakisë, Ivan Korčok 

Ministri Bushati i shprehu mirënjohjen Ministrit Korčok për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, dhe procesit të zgjerimit në tërësi. 

Ministrat diskutuam për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Ata u ndalën veçanërisht tek bashkëpunimi ekonomik për të cilin ndanë mendimin për rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike, të cilat nuk i përgjigjen marrëdhënieve shumë të mira politike dhe mundësive reale midis dy vendeve.

Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me progresin e reformave në Shqipëri, nisjen e procesit të Vettingut dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në plotësimin e 5 prioriteteve kryesore në procesin e integrimit, me fokus hapjen e negociatave për anëtarësim. Ministri Korcok vlerësoi progresin e bërë nga Shqiperia dhe u shpreh se Sllovakia është e angazhuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sipas ministrave, zgjerimi është politika e duhur, jo vetëm për të transformuar pozitivisht në mënyrë të vazhdueshme vendet anëtare dhe ato kandidate, por dhe mënyra më e mirë për të kontribuuar në sigurinë dhe paqen evropiane. Ministri Bushati nënvizoi se "procesi i transformimit dhe i demokratizimit kanë një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me axhendën e integrimit evropian. Viti 2018 është një dritare e artë, një mundësi e artë për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor përfshirë Shqipërinë, por jo vetëm, për të avancuar".

Nga ana e tij, ministri Korčok u shpreh se "pas një dekade vështirësish, pasi kemi kaluar vazhdimsht teste, BE-ja, më në fund, mund të mendojë jo vetëm për një axhendë të brendshme, por edhe për aspiratat e Ballkanit Perëndimor, i cili po pret të lidhë të ardhmen e tij me atë të familjes evropiane, dhe ne e vlerësojmë këtë. Ju e dini për çfarë keni nevojë dhe 2018 ofron një perspektivë të mirë". 

Kjo vizitë përkon me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Pas takimit, Bushati dhe Korčok dhanë një konferencë për shtyp për mediat. Si më poshtë pyetjet dhe përgjigjet e ministrave për gazetarët:

Renaldo Salijanji nga Klan Plus. Dje ju ishit ne Beograd dhe nga Beogradi bëtë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo do të sillte një stabilitet në Ballkan. Ndërkohë që ju jeni një nga ato vende që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. A kemi një datë se kur do ta njohë Sllovakia? 

Dhe një pyetje për zotin Bushati. Edhe sa do të prisni nga Presidenti, zoti Bushati, pasi ju keni premtuar që në prill do të firmoset marrëveshja me vizitën e Kryeministrit grek në Tiranë dhe prilli po afron? Faleminderit.

Ivan Korčak: Nuk kemi një datë. Ju e dini që pozicioni i Sllovakisë për sa i përket Pavarësisë së Kosovës pra deklarimi unilateral i Kosovës nuk ka ndryshuar dhe nuk e shoh që brenda në Sllovaki do ta rikonsiderojmë këtë çështje për arsye që njihen tashmë. Por, në të njëjtën kohë doja të shtoja diçka tjetër kur shohim qasjen tonë  lidhur më Kosovën. Është e qartë që Sllovakia  po e qas në mënyrë pragmatike. Është interesi ynë të lejojmë çdo gjë që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik dhe social të këtij vendi. Ky është një pozicion ligjor që Sllovakia nuk do e ndryshojë, po në të njëjtën kohë besojmë dhe është në interesin tonë që ky vend të zhvillohet drejt prosperitetit dhe sigurisë. Ne e dimë që është në interesin e tyre, të Beogradit që së fundi do të gjendet një zgjidhje mes dy vendeve. Por çfarë, këtë do ta vendosin veteë Beogradi dhe Përfaqësuesit e Kosovës. Kjo do të mundësojë njerëzit e të dy vendeve që të jetojnë të lumtur.

Ditmir Bushati: Mendova se do të më pyesnit edhe sa kohë do të prisnit nga ana e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, sepse besoj se edhe tema kryesore e kësaj vizite dhe e bisedave që kemi bërë me Ivanin kishte lidhje drejtpërdrejtë me procesin e transformimit dhe me procesin e demokratizimit që siç u përpoqa ta them. Për ne kanë një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me axhendën e integrimit evropian dhe 2018-a është një dritare e artë, një mundësi e artë për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor përfshirë Shqipërinë, por jo vetëm, për të avancuar. 

Në lidhje me pyetjen që ju më bëtë, mund të them që jemi në kontakt me Presidentin e Republikës. Ekipet tona janë duke punuar së bashku dhe mendoj që të gjitha çështjet të cilat janë ngritur nga ana e Presidentit të Republikës do të marrin përgjigje shteruese, sepse është krejt normale për një proces delikat siç është procesi që ne do të fillojmë së shpejti me Greqinë, pas marrjes së autorizimit nga Presidenti i Republikës. Duke qenë se ky proces është delikat dhe në të shkuarën ka pasur edhe aksidentet e tij, ne duam që nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese të kemi një qasje sa më solide dhe të shuajmë çdo lloj pikëpyetje të mundshme. Pjesa që ju iu referuat, prillit për një marrëveshje, për firmosjen e një marrëveshjeje më Greqinë, kam përshtypjen se është keqkuptuar. Kemi folur për nevojën dhe interesin e të dyja vendeve për të firmosur një Deklaratë të Partneritetit Strategjik. Deklaratë apo dokument të tillë Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Francën, ka me Kosovën natyrisht. Kjo ka qenë edhe ideja për Greqinë  sepse kur vjen puna për firmosje marrëveshjesh ne nuk kemi afate fikse, por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë faktin që në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në politikën e jashtme afatet apo momentumi shpesh luajnë një rol përcaktues.

Faleminderit.