Postuar më: 20 Shtator 2017

Bushati–Steiner: aktiviteti i OKB-së në Shqipëri të jetë maksimalisht i lidhur me përparësitë e reja të programit qeverisës

Në kuadër të punimeve të sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati u takua me Administratorin e ri të PNUD-it,  Achim Steiner.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm mes Shqipërisë dhe OKB-së, në mënyrë të veçantë në koordinimin e ngushtë lidhur me zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe angazhimeve në kuadër të Marrëveshjes për Klimën.

Ministri Bushati theksoi nevojën që aktiviteti i OKB-së në Shqipëri të jetë maksimalisht i lidhur me përparësitë e reja të programit të qeverisë, të përqendrohet në aspektet e formimit profesional dhe punësimin e të rinjve dhe në tërësi me ecurinë e procesit të integrimit evropian. Ministri Bushati e ftoi Administratorin e OKB-së për vizitë në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në New York, Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u takua me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders si dhe me homologun e tij norvegjez, Børge Brende.

Gjatë takimit me homologun Reynders, ministrat vlerësuan bashkëpunimin tërësor mes dy vendeve, dhe  shprehën angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, si një nga potencialet ende të pashfrytëzuara. Ministri Bushati vlerësoi kontributin e kompanive belge në projektin TAP edhe si modele për të nxitur investimet belge në Shqipëri.

Ministrat vlerësuan hapat e bërë për të zgjeruar kuadrin ligjor dypalësh me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Transportin Ndërkombëtar, të Marrëveshjes për Mbrojtjen Sociale, si dhe të Marrëveshjes për Vulën Apostile si momente të rëndësishëm për lehtësimin e bashkëpunimit dypalësh shumë-dimensional.

Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen belge në kuadër të përgatitjes për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministrat ndanë mendime lidhur me problematikat me interes gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme dhe në struktura të tjera të sistemit të OKB-së.

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Børge Brende, të dy personalitetet vlerësuan bashkëpunimin dypalësh, bashkëpunimin e suksesshëm në sektorin e energjisë dhe u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera me interes.

Ministri Bushati vlerësoi Asistencën për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Norvegjisë për Shqipërinë. Ministrat ndanë mendime mbi diplomacinë ekonomike, për format e mënyrat më praktike dhe të suksesshme për të angazhuar sistemin diplomatik në shërbim të ekonomisë.

Duke analizuar situatën dhe zhvillimet në rajon, Ministri Bushati vlerësoi kontributin e Norvegjisë për ruajtjen dhe forcimin e paqes e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Duke evokuar sfidat e sigurisë në hapësirën evropiane, ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e forcimit të lidhjes atlantike si shtylla kurrizore për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Evropë e më gjerë.